Bashkimi i Energjisë– Një mundësi për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi i Energjisë– Një mundësi për Ballkanin Perëndimor


Pse duhet t’iu interesojë kjo çështje vendeve jo anëtare në BE-së të Ballkanit Perëndimor? Së pari, vendndodhja e tyre gjeografike është e një rëndësie të veçantë dhe çdo përpjekje domethënëse për të krijuar një treg të vetëm të energjisë nuk mund të anashkalojë enklavën e vendeve të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Së dyti, vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë përbërëse e Komunitetit të Energjisë së ndërmjetësuar nga BE; një institucion rajonal me seli në Vjenë i cili përfshin gjithashtu Moldavinë dhe Ukrainën. Qëllimi i tij kryesor është që të përshpejtojë harmonizimin me rregullat e BE-së në fushën e energjisë, madje para fazës së bisedimeve formale të anëtarësimit. Me fjalë të tjera, çdo legjislacioni i ri që vjen si përgjigje e propozimeve të Komisionit, herët a vonë, do të arrijë Beogradin, Podgoricën dhe Tiranën.

Por arsyeja kryesore për t’i kushtuar vëmendje Bashkimit të Energjisë është se ai thekson bashkëpunimin në nivel rajonal. Nëse zbatohet do e bashkojë më tepër këtë zonë, do të ndihmojë në modernizimin e sektorit të saj të energjisë dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik. Komisioni merr një qasje përfshirëse edhe për atë që nënkuptohet me termin "rajon" - Ballkani Perëndimor rrethohet nga fqinjë që tashmë janë brenda BE-së, p.sh. Greqia, Kroacia, Hungaria, Bullgaria, Rumania etj. Duke pasur parasysh problemet në rajon, ka nevojë për përmirësimin e bashkëpunimit, solidaritetit dhe besimit në pjesën Qendrore dhe Jug-Lindore të Europës. Rregullimet e dedikuara për bashkëpunim do të ndihmojnë në përshpejtimin e integrimit më të mirë të këtyre tregjeve në tregun më të gjerë të energjisë europiane që do të përmirësojë likuiditetin dhe elasticitetin e sistemit të energjisë dhe do të lejojë përdorimin e plotë efikas të energjisë në rajon dhe potencialin e energjisë së rinovueshme. Komisioni do të ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim, si një prioritet urgjent.

Kështu , është me vlerë të përmenden disa pika:
Ballkani Perëndimor, si dhe Europa Juglindore në përgjithësi, kanë potencial të konsiderueshëm në fusha të tilla si energjia e rinovueshme. Në Shqipëri vetëm hidrocentralet i përgjigjen 20% të konsumit të brendshëm bruto dhe afërsisht 100% të prodhimit të energjisë elektrike. Mali i Zi, i cili gjithashtu po zgjeron biokarburantet, vjen i dyti me 17%. Por angazhimi i potencialit të plotë në burimet e rinovueshme, duke përfshirë ato gjeotermale, energjinë diellore dhe të erës, është thelbësor për të krijuar një infrastrukturë më të mirë ndërkufitare përmes investimit në rrjetet e teknologjisë së lartë dhe zhvillimin e kapacitetit të akumulimit. Siç nënvizohet nga Z. Julian Popov, ish-ministri i mjedisit i Bullgarisë i cili është tani pjesë e Fondacionit Europian të Klimës, "Ndryshueshmëria ditore dhe sezonale e prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme është e balancuar më mirë brenda një rrjeti energjie me përhapje në një territor më të gjerë, duke lidhur një shumëllojshmëri më të madhe të prodhimit të energjisë dhe lehtësirat e magazinimit. Nëse miratohen masat e efiçiencës së energjisë, Ballkani Perëndimor mund të bëjë hapa të mëdha në drejtim të të qënit i vetë-mjaftueshëm - dhe gradualisht të ulë varësinë e tij nga lëndët djegëse të tilla si linjit. "

Për më tepër, ka pasur promovim të gjerë në rajon në lidhje me gazin. Shoqëruar me zhgënjim për shkak të shpalljes së Vladimir Putinit dhjetorin e kaluar se tubacioni i Rrjedhës Jugore(South Stream) ishte jashtë bisedimeve dhe do të zëvendësohej kështu me Rjedhën Turke(Turkish Stream). Në Serbi dhe madje edhe në Maqedoni, ku ishte duke shpresuar për një degë në territorin e saj, tubacioni ishte vlerësuar si një propozim i shkëlqyer biznesi. Gjithashtu po raportohet se Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina e paguajnë Gazprom-it me çmimet më të larta në Europë. Shpërndarja relative e gazit për konsum të përgjithshëm është e ulët. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia kryeson me 11% ose 2,5 miliardë metra kub (BCM) në krahasim me çfarë Kroacia konsumon në një vit 3 bcm, dy të tretat e të cilave nxirren nga depozitat e veta në Adriatik. E thënë ndryshe, varësia nga Rusia nuk është aq e madhe sa duket në shikim të parë.

Bashkimi i Energjisë i ofron rajonit një mundësi për të patur akses mbi furnizime alternative - duke ulur kështu çmimet, ndërsa gradualisht duke zgjeruar atë pjesë të gazit të përdorur në prodhimin e energjisë elektrike, ngrohjes dhe në industri. Një nga prioritetet e Bashkimit të Energjisë është që të avancojë të ashtuquajturin Korridorin Jugor të Gazit. Ky Korridor do të fillojë nga fundi i kësaj dekade kur 10 bcm gaz nga Azerbajxhani do të rrjedhë nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë në sajë të tubacionit Transadriatik (TAP). Terminali i Gazit natyror të lëngshëm (LNG) i projektuar në ishullin Krk të Kroacisë do të sjellë vëllime të reja për konsumatorët në të gjithë Europën Juglindore. Kjo do të ndikojë në rritjen e konkurrencës - veçanërisht në pritshmërinë për uljen e çmimit të LNG në tregun botëror. Interesi i lartë i treguar nga biznesi në tenderat e fundit për eksplorimin e naftës dhe gazit në det të hapur në Kroaci është një shenjë inkurajuese, ndërsa Petromanas Energy dhe Royal Dutch Shell po shpojnë edhe nën ujërat shqiptare.

Si gjithmonë, ka një mori vërejtjesh. Së pari, vendet e rajonit do të duhet të mobilizojnë si investimet private dhe fondet e BE-së në zhvillimin e infrastrukturës të nevojshme. Së dyti, reforma gjithpërfshirëse në këtë sektor është e nevojshme për të siguruar efikasitet, si dhe transparencë më të madhe. Për shkak se masat e tilla si heqja e subvencioneve, mund të godasin grupet vulnerable në shoqëri në të gjithë rajonin, konsiderohet si thelbësore dalja me politika kompensuese për të zbutur efektet negative.

Si përfundim, fokusi i BE-së për politikën e energjisë ofron mundësi për Ballkanin Perëndimor për nxjerrjen e përfitimeve ekonomike, si dhe kontribute në sigurinë energjetike të Unionit. Është e domosdoshme për vendimmarrësit në Bruksel dhe në rajon t’i shfrytëzojnë këto mundësi dhe të sigurojnë se Bashkimi i propozuar i Energjisë vlen gjithashtu edhe për vendet që janë ende në rrugën e anëtarësimit.

Balkans in Europe Policy Blog, mars 2015

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk