Brexit do të trondiste nga themelet BE-në

Brexit do të trondiste nga themelet BE-në


Pikërisht, mbi principet e lirisë dhe prosperitetit është themeluar edhe BE-ja, në qendër të së cilës qëndron liria e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Nga Bashkimi i Qymyrit dhe Çelikut tek Bashkimi Europian, bota u njoh me një model frymëzues, garantues i zhvillimit dhe mirqënies, shpirtit të lirë dhe rënis së barrierave. Nga 6 vende themeluese, sot BE-ja është zgjeruar në 28 anëtarë (pas 1990-s u integruan edhe vendet e Europës lindore) me të drejta të plota. Procesi ka qenë i vështirë dhe krahas zgjerimit ka ecur dhe procesi i thellimit, ngritjes së institucioneve qendrore dhe burokracisë europiane.

Por fundi i dekadës së shekullit të ri nuk e ka gjetur mirë BE-në. Pas disa aderimeve të shpejta me disa nga vendet ish-komuniste të lindjes, procesi i zgjerimit ka ngecur, ndërsa ai i thellimit ka dështuar. Si të mos mjaftonte kjo, një nga vendet më të fuqishme si Britania e Madhe do të shkojë në referendum, i pari në historinë e BE-së për të vendosur In or Out: Dhe nëse britanikët (larg qoftë) do të vendosnin për dalje, pasojat do të ishin të dyanshme dhe disa dimensionale.

Nëse e keni ndjekur me kujdes leave campaign të drejtuar nga ish-kryebashkiaku i Londrës Boris Johnson, lideri i UKIP Nigel Farage dhe Michael Gove, ministri i drejtësisë i qeverisë Cameron, duket se ajo bazohet në çështjet e migrimit, kuotave financiare që shkojnë për BE-në dhe sigurinë nën prizmin e terrorizmit dhe eksrakomunitarizmit. Në këtë sens, nëse nesër do të kemi një Brexit, do të goditej filozofia e Bashkimit, lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve, do të rritej pasiguria dhe dobësohej uniteti.

Në aspektin politik, nëpërmjet një daljeje eventuale të Britanisë, do të diskreditohej uniteti i BE-së, projekti i zgjerimit dhe thellimit të procesit të integrimit. Besueshmëria për një Europë të fortë dhe të bashkuar do të merrte të tatëpjetën. Ndërkohë, një Brexit i mundshëm do të shkaktonte efekt domino edhe tek vende të tjera anëtare ku euroskepticizmi është në sulm. Partitë ekstremiste (UKIP është promotore e Brexit) si Lëvizja 5 yjet në Itali, Fronti Nacional i Mari Le Pen në Francë, dhe disa të tjera në Skandinavi ka të ngjarë dhe realisht ka të dhëna që do të ndiqnin shembullin e UKIP në Britani. Një Brexit do të hapte rrugë për rritjen elektorale momentale (shumë të dëmshme) të ekstremeve dhe euroskeptikëve.

Në aspektin ekonomik: Një Brexit do të sjellë pasiguri, shpjegojnë ekonomistët. Jashtë suazave të tregut unik europian, Britanisë do ti duhet të nisë nënshkrimin e marrëveshjeve të reja tregtare. Tarifat doganore do të rivendoseshin dhe lëvizja e lirë e qytetarëve do ti shtrëngohej rregullave të reja. Eventualisht kjo do të tkurrë në mënyrë të ndërsjelltë tregun dhe rrisë çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Një pjesë e madhe e emigrantëve europianë me të drejtë pune në Britani do të duhet të ktheheshin, çka do të sjellë një barrë të re në tregun e punës së ngushtuar në vendet e tyre amtare. Ndërsa largimi i tyre do të lërë vakant vende pune të cilat britanikët nuk kanë denjuar ti bëjnë deri sot. “Vetëm 1,4% të popullsisë britanike e përbëjnë emigrantët, nga 4.7% që është kjo shifër në Zvicër, 4.6% në Norvegji, shumë më shumë se në Britani”, transmeton prestigjozja The Telegraph. Këto shifra hedhin poshtë tezën e promotorëve të leave campaign se “të huajt po marrin vendet e punës së britanikëve dhe po ulin pagat”, kur në fakt është e provuar se puna e tyrë është faktor rritjeje ekonomike në Britani.

Së fundi ka edhe një aspekt gjeopolitik në këtë histori: Nëse do të kemi një Brexit, balanca e forcave brenda BE-së do të prishej. Edhe pse Britania në fushën e politikës së jashtme ka ruajtur me fanatizëm një lloj sovraniteti të zgjeruar, dalja e saj nga klubi i BE-së do të përqëndronte shumë pushtet në duart e një Gjermanie në ekspansion dhe një France jo aq të fortë sa për ta ndjekur. Europa e ka lënë pas kohën e gjakut dhe hekurit me kontributin e kësaj organizate ekonomiko-politike si BE-ja, por sot edhe pse në epokën globale dhe në një periudhë paqeje relative, rivalitetet nuk janë shuar. Një BE pa Britaninë do të ishte e disbalancuar ndaj këtyre sfidave dhe rivaliteteve në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq do të vendoste de fakto BE-në nën udhëheqjen energjike të një Gjermanie të fortë.

Për ta mbyllur, BE-ja sot është në ditët e saj më të këqija që nga themelimi. Një votë pro qëndrimit (remain) e britanikëve do ta ndihmonte problemin dhe do të ruante arritjet e disa dekadave. Një votë pro daljes (leave) do të shtonte pasiguritë, hapte lojën e balacave të forcave, godiste ekonominë dhe rriste ekstremizmin e euroskepticizmin në një efekt domino. Sipas një sondazhi të transmetuar nga The Telegraph, 51% e britanikëve janë për qëndrim dhe 49% për dalje. Kurrë s’ka qenë më i hollë peri ku mbahet filozofia e Bashkimi Europian…

                       Përgatiti: Altin Gjeta, Pedagog dhe kërkues i ri në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, qershor 2016

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk