Lajmet e rreme si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe roli i medias në shpërndarjen e informacionit

Lajmet e rreme si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe roli i medias në shpërndarjen e informacionit

***

Ekziston një lidhje e fortë mbi cënimin e sigurisë kombëtare përmes lajmeve të rreme të shpërndara në media. Ne nuk mund ta mohojmë punën e mirë dhe profesionale të realizuar nga ekspertë të fushës, por nga ana tjetër kurrësesi nuk mund të mos përmendim si objekt studimor në këtë punim edhe fenomenin e lajmeve të rreme. Nga hulumtimet e bëra “Fake News” (lajmet e rreme) janë cilësuar si togëfjalëshi më i kërkuar në fjalorin Collins për vitin 2017. Lajmet e rreme kanë të bëjnë pikërisht me një informacion të pasaktë, të bujshëm, që shpërndahet masivisht përmes kanaleve të komunikimit me qëllim dizinformimin e publikut dhe rrjedhimisht krijimin e zhurmës për përfitime të mundshme. Mund të them me bindje se ky term modern është kërcënim i sigurisë, por edhe i demokracisë.

Përpara se të rreshtojmë problematikat e lajmeve të rreme dua të bëj një parantezë të shkurtër lidhur me historikun e medias.

Thuhet se filozofia e medias, pra e shpërndarjes së lajmit ka ekzistuar që në kohën e homosapiens, të cilët përmes formave të ndryshme komunikimit të tyre, përmendim këtu pikturat në mure, gjuhën e tyre etj. përpiqeshin të informonin grupin. Faktet historike për median datojnë në vitin 868 pas erës së re ku kemi shkrimin e gazetës së parë me dorë në Kinë, por për shkak të analfabetizmit ky proces nuk rezultoi i suksesshëm deri në shekullin e XV me shpikjen e një shtypshkronje që mban emrin e Johannes Gutenberg, ku u bë i mundur prodhimi masiv i shypit të shkruar.

Më tej në 1810 kemi të ashtëquajturën industrializim i medias së shkruar me shpikjen e printerit nga gjermani Friedrich Koenig. Ndërsa rreth viteve 1920 kemi ndikimin e formave të tjera të medias, konkretisht radios, një formë valore komunikimi që mund të arrinte shumë herë më shpejt dhe më gjerë tek publiku, një shembull i mire konkretizues do të ishte fjalimi i Calvin Coolidge, Presidentit të 30 të USA që arriti të thithte vëmendjen e 20 milion njerëzve.

Po ashtu, pas Luftës së Dyrtë Botërore kemi edhe njohjen e një forme të re mediatike, televizionit. Ndërsa sot fuqia e rrjeteve sociale, internetit ka kalur çdo lloj pritshmërie duke u kthyer kështu në mjetin numër një të komunikimit e propagandës për qëllime politike, ekonomike, sociale, shpërndarje informacioni në raste emergjencash kombëtare, por edhe një hapsirë me rrezikshmëri të lartë në nxitjen e krimit.

Media ka ndryshuar. Sot, televizioni, shtypi i shkruar, radioja dhe interneti rrisin njohuritë tona duke siguruar qasje me informacione nga e gjithë bota. Ne gjithashtu mund të marrim lloje të ndryshme të lajmeve ose ngjarjeve të përditshme përmes mediave, menjëherë veçanërisht përmes internetit. Teksa flasim për evolimin e formave mediatike qartësisht kuptohet se nuk mund të mos prekim edhe problematikën për lajmet e rreme, të cilat i hasim në shumë forma, të tilla si: lajmet e rreme me përmbajtje të bujshme tregtare, lajme që përmes sponsorizimit në rrjete sociale apo kanale të ndryshme muzikore nxisin dhunën fetare e ideologjike, lajme të rreme lidhur me propagandën politike, lajme të rreme për shkak të gazetarisë jo profesionale, apo lajme të rreme me qëllim nxitjen panikut në rradhët e popullsisë në raste krizash, pandemie, apo fatkeqësi natyrore.

Praktikisht po jetojmë në epokën ku kriminelët e kibernetikës ashtu edhe pronarët e mediave po e përdorin fuqinë e medias, veçanërisht asaj dixhitale si një minierë ari nga ku gjenerojnë të ardhura të larta. Pra, pëpara shfaqjes së internetit, rrjeteve sociale, shpërndarja e lajmeve të rreme ishte shumë herë më e ngadaltë ose e pamundur për shkak se format e përcjelljes së lajmit rregulloheshin dhe kontrolloheshin me ligj. Ndërsa sot interneti ka bërë që përmes portaleve të ndryshme të krijuara nga individë apo media fantazëm të shpërndajnë informacione të pavërteta, si edhe të ulin cilësinë e gazetarisë duke e berë më pak profesionale, pasi prodhohen lajme të kopjuara, të shqipëruara keq apo edhe informacione e pamje të marra përmes formave të shkëmbimit të mesazheve si whatsapp, viber etj. mund të them me bindje që kanë ulur cilësinë e prodhimit të lajmit ndonëse duket si një nga format më efektive te kursimit të kohës.

Fuqia e medias është e jashtëzakonshme, veçanërisht në situata kritike. Dua të përmend një rast konkret ku mes kaosit të tërmetit të Nëntorit të vitit 2020, një gazetar përmes një portali online mediatik prodhoi dhe shpërndau një lajm duke i bënte thirrje qytetarëve të largoheshin menjëherë nga banesat, pasi një tërmet edhe më i fuqishëm do të shkundte vendin. Ky lajm u shpërnda menjeherë si një kopje e shëmtuar vrullshëm në të gjitha portalet e vendit duke krijuar kështu ndjenjën e frikës tek qytetarët, të cilët braktisën menjëherë banesat dhe u endën rrugëve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Vlorës etj. Në këtë rast media u përdor si një burim që nxiti ndjenjën e frikës tek qytetarët, shkaktoi kaos, aksidente, vjedhje të banesave, panik dhe detyroi menjëherë policinë të vepronte me shërbime të përforcuara në terren. Këtu kemi qartësisht një nga format e cënimit të sigurisë kombëtare, pasi përmbajtja e shpërndarë në media shkaktoi frikë dhe destabilitet. Madje patëm reagime zyrtare dhe thirrje për qytetarët nga Kryeministri, Policia e Shtetit dhe Ministrja e Mbrojtjes, të cilët u munduan të qetësonin qytetarët dhe të shmangnin probleme edhe më të mëdha.

Siguria kombëtare përfshin shumë çështje të rëndësishme që lidhen me fushën e mjedisit, shëndetësisë, edukimit, ruajtjen e vlerave fetare, historike etj, por është një nocion që merr kuptim kur vlerësohet dhe përceptohet nga qytetarët e një kombi. Përsa i përket ndikimit të medias në çështjet e sigurisë themi së është një element i rëndësishëm që ndikon tej mase, madje shpeshherë duke i detyruar institucionet të reagojnë dhe ndryshojnë vendimmarrje për shkak të medias, njësoj si në rastet e përmenduara më sipër.

Lidhur ndikimin e lajmeve të rreme për sigurinë kombëtare z.Lavdim Kazazi, profesor në Akademinë e Sigurisë, në Policinë e Shtetit na shpjegon se lajmet e rreme janë një fenomen real, fatkeqësisht në përhapje mjaft të gjerë. Sipas tij, janë të formave nga më të ndryshme dhe shfaqen kudo si në median e shkruar, televizive, rrjete sociale apo edhe në portale. Z. Kazazi na shpjegon se angazhimi i ekspertëve mbi identifikimin, zbulimin dhe përcaktimin e problematikës së lajmit, si edhe shumë proceseve të tjera të ngjashme kërkon angazhim të strukturave përkatese, burimeve njerëzore e materiale, pasi lajme të tilla sjellin pasoja për shtetin dhe nga ana tjetër kërkojnë bashkëpunim edhe më të madh mes institucineve me qëllim zgjidhjen e problematikës duke patur fokus trasparancen e procesit te vendimmarjes veçanërisht për opinion publik. Më tej, ai shton se këto lajme janë të dënueshme, pra përbëjnë vepër penale, por sa më e madhe të jetë shtrirja aq më të mëdha janë pasojat duke mos harruar edhe faktin se këto lajme me evolimin e teknologjisë bëhen edhe më të sofistikuara dhe të vështira për t’u identifikuar, e për rrjedhim kanë forcë të ndryshojne mentalitetin, opinionin e njerezve, pra marrin formën e një kërcënimi serioz për sigurinë e individit, rendit, shtetit, e qartësisht kërcënim për sigurinë kombëtare në tërësi.

Në fakt është e qartë se duhet parë si fenomen edhe nga ana ligjore, e mendimi një eksperti është absolutisht i nevojshëm për këtë problematikë. Pikërisht z.Hergis Jica, Përgjegjës për Sektorin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë së Shtetit bën me dije se fyerja dhe shpifja në rrjet aktualisht po bëhet një çështje komplekse, e cila gjithnjë e më shumë po merr vëmendje të shtuar. Aktualisht fyerja dhe shpifja janë vepra penale, të cilat ndiqen drejtpërdrejtë në gjykatë nga personat që preken nga këto vepra penale.

Z. Jica sqaron se në rastin e parë, atë tradicional, fyerja dhe shpifja do të drejtohej ndaj një personi konkret do të ishte e lehtë për të përcaktuar identitetin e tij fizik apo qoftë dhe identifikimin si subjekt juridik. Identifikimi do të ishte mëse i nevojshëm për një proces të rregullt ligjor ku dhe në vazhdimësi të tij do të kishim konkludimin e një procesi të rregullt ligjor. Në rastin e dytë, atë në rrjet, do të kishim një komplikacion në këtë proces nëse do të ndiqej në të njëjtën formë si ai tradicional. Më tej shton se komplikacioni do të kishte të bënte me faktin që në këtë rast identifikimi të autorit, do të ishte mëse i vështirë. Kjo, nëse do të ndiqej në të njëjtën formë do të passillte një proces të vështirë ligjor dhe pse jo ndoshta të dështuar që pa u nisur.

Duke u nisur nga sa sipër krimi kibernetik në Shqipëri do ta shihte të nevojshme ndjekjen e proceseve të tilla nëpërmjet hetimit tradicional, pra polici, prokurori, gjykatë dhe kjo për faktin se do të duhej që nga hetimi të përcaktohej identiteti dhe autori i kësaj vepre penale, tha ai.

Si nevojë z.Hergis Jica gjykon të kishim sa më parë ndryshimin e legjislacionit për këto vepra penale, të cilat do të duhet të hetoheshin nga strukturat përkatëse të krimit kibernetik ashtu si dhe vepra të tjera penale të cilat i diktojnë kohërat e zhvillimeve teknologjike ku po jetojmë.

Ne kuptojmë se destabiliteti që sjell një lajm i pa vërtetë ka pasoja reale që ndikojnë në jetën tonë personale, shoqërore dhe politike. Duke qenë se aktulisht jemi në periudhë pandemie, dua të marr në analizë një rast konkret, pikërisht publikimin e lajmeve të rreme nga portalet online mbi një rast të pavërtetë të infektimit me Covid-19 të disa të dënuarve që vuajnë dënimin në institucionet e sistemit penitenciar. Menjëherë pas këtij lajmi tërësisht të pavërtetë Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i bëri thirrje mediave që të tregohet e përgjegjshme për lajmet që publikon për rastet me Covid-19 në burgje, pasi një lajm i rremë mund të sjellë dëme të pariparueshme në rendin dhe sigurinë e vendit, por dhe të familjarëve dhe të dënuarve.

Tashmë përhapja e lajmeve të rreme është një sfidë globale, pasojë e zhvillimeve teknologjike, por që shtete të ndryshme po reagojnë ndryshe për ta bllokuar këtë fenomen. Disa shtete kanë vendosur saksione ndaj rrjeteve apo platformave sociale si Facebook apo Google, duke i detyruar heqjen e lajmit të pavërtetë 48 orë pas denoncimit dhe verifikimit, madje janë vendosur edhe gjoba marramëndëse si pjese e paketës ndëshkimore. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian që prej vitit 2017 ka hartuar dhe punuar vazhdimisht strategji për të qartësur problemin dhe për të gjetur mekaniza ligjore parandaluese edhe ndëshkuese.

Përsa i përket vendit tonë kemi parë që lajmet e rreme janë përhapur shumë shpejt, por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga qeveria, po ashtu edhe insitucionet vendimmarrëse e ligjzbatuese janë shprehur se po përgatisin ndryshimet ligjore lidhur me parandalimin e botimit të lajmeve të rreme dhe ndëshkimin e autorëve.

Lidhur me rëndësinë e zërit të medias për një shtet, për qytetarët dhe pasojat që vijnë nga lajmet e rreme z.Andrea Danglli, gazetar, bën me dije se pas Covid-19, mbase një nga luftërat më të mëdha që ka bota sot është përballja me lajmet e rreme për të cilat fatkeqësisht ende nuk ekzistojnë medikamente shëruese apo vaksinë parandaluese, që mund të frenojnë mendjet e shumë prej atyre që pretendojnë se bëjnë gazetari. Sipas tij, duhet pranuar se dizinformimi mediatik padyshim është një virus më vete i cili jo vetëm dëmton individin drejtpërdrejt, por prek të gjithë shëndetin e demokracisë. Kjo e fundit, nëse cungon mekanizmat e saj të besueshmërisë, transparencës dhe integritetit përmes Fake News, atëherë zbeh para syve të qytetarëve të gjithë rolin e saj dhe raportin me të vërtetën, tha ai. Është fatkeqësi të zvogëlohet imazhi i medias në të tilla nivele pasi ka përgjegjësinë kundrejt publikut që të shkojë përtej informimit si mjet edukativ dhe formues. Z.Danglli sqaron se duhet të kuptojmë se ushtrimi i këtij pushteti me integritet, ka potencialin të fuqizojë edhe qytetarin i cili duhet të ndjejë dhe mësojë sesi lidhet me botën përtej shtëpisë së tij, ndaj edhe lufta për përmirësimin e saj është kaq e madhe dhe e vazhdueshme, ku gjithsecili nga ne ka betejën vetjake për një qëllim që shkon përtej personales.

Shpeshherë jemi gjendur përpara lajmeve të botuara me kompetencë, madje edhe nga media prestigjoze në vend, por ka rezultuar se nuk kanë treguar kujdes në verifikimin e lajmit, automatikisht kemi patur të bëjmë me fake news. Pikërisht për këtë problematikë gazetari Danglli sqaron sesa e vështirë është për një gazetar verifikimi i lajmit përpara se të publikohet/botohet.

Sipas tij, në një treg mediatik si ky i yni që fatkeqësisht çdo ditë e më shumë merr pamjen e një ndërmarrje fasone për shkak se po zhduk raportimin nga terreni dhe po shton atë nga zyra, është një mision tejet i vështirë për të ndarë spekulimin nga realiteti. Zbehja e figurës qendrore të reporterit dhe maskimi i tij pas emrave të shumtë të portaleve, po prodhon rëndom një gazetari anonime të cilën sa më shumë ta njohësh, aq më pak e beson, tha ai. Njohim portalet, por nuk njohim gazetarët dhe kjo është jo pak e rëndësishme pasi të le hapësirë të mendosh se prapa saj fshihet një gjobëvënës, një intrigant, një militant partiak apo ndonjë i sëmurë mendor. Më tej Andrea shton se nuk beson se është ende ndokush që s’ka rënë pre e këtij kurthi të madh të gazetarisë online, e cila pavarësisht revolucionit pozitiv, ka sjellë edhe këto problematika të reja që duhen rregulluar pa u shtuar akoma më shumë.

Media është pa dyshim kanali i komunikimit me publikun dhe qartazi ka ndikim të madh tek qytetarët, si dhe faktor kryesor në përcjelljen e lajmeve në arenën globale. Verifikimi i informacionit të publikuar në kanalet informative është një nga problematikat kryesore për qeveritë, shoqërinë, si dhe bizneset. Për shkak se gjithkush përmes një smartphone, (telefon i zgjuar) ka akses tejet të gjerë në rrjete sociale, botën virtuale, marrja dhe shpërndarja e informacionit ndodh me një ritëm shumë të shpejtë, e për këtë arsye informacioni i pasaktë ose i rremë përthithet në mënyrë të jashtëzakonshme duke shkaktuar ndikime brenda disa minutash për miliona përdorues.

Lajmet e rreme sikunder e kemi përmendur edhe me sipër përbëjnë një kërcënim për sigurinë, madje edhe pamundësia e lexuesit për të bërë dallimin midis lajmeve të besueshme dhe atyre të rreme sjell pasoja tek ata, që bëhen shkak për destabiltet apo nxitjen e dhunës, frikës e urrejtjes.

Është pothuaj e pamundur të ndalosh publikimin e lajmeve të rreme, veçanërisht në rrjete sociale ndonëse në botë ka shumë organizata, institucione që po punojnë për të luftuar publikimin e lajmeve të rreme. Në fakt ndaj këtij fenomeni, kërkohet një përpjekje e koordinuar në një nivel ndërkombëtar në mënyrë që të trajtohet me efektifitet problematika e rritjes së lajmeve të rreme. Pikërisht ekspertët e këtyre insitutcioneve besojsë se në të ardhmen aftësitë njerëzore do të udhëheqin, ndërsa inteligjenca artificiale dhe të mësuarit mekanik do të luajnë rol mbështetës për të luftuar kundër lajmeve të rreme.

Valeria Bardhaj, dhjetor 2020 

*Valeria Bardhaj aktualisht punon në Kabinetin e Ministres së Drejtësisë. Ajo është angazhuar si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Hetimit të Krimit, pranë Akademisë së Sigurisë. Po ashtu, ajo është pjesë e Stafit Drejtues në ushtrimet e simuluara të organizuara nga NATO. Ajo është angazhuar për tre vite duke trajnuar dhe vlerësuar pjesmarrësit e administratës publike dhe ushtarake në kuadër të arritjes së objektivave dhe zhvillimit të strategjive të hartuara nga NATO në fushën e emergjencave civile. Ajo ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit për çështjet e sigurisë, medias dhe menaxhimit politik dhe është autore e disa publikimeve shkencore në fushën e sigurisë.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk