Në hapësirën gri mes ligjit dhe shpresës, Shqipëria është kthyer në një nyje tranziti për qindra imigrantë nga Siria, Afganistani, Pakistani, Maroku, Irani, Libani dhe vende të tjerë të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, që ndjekin rrugën Greqi–Shqipëri–Bashkimi Europian. Një rrugë e rrezikshme dhe gjithnjë e më e organizuar, ku fitimi i trafikantëve rritet paralelisht me dëshpërimin e atyre imigrantëve që kërkojnë ëndrrën europiane. Rruga që në imagjinatën e imigrantëve është një vijë e drejtë, në realitet shndërrohet në një labirint zhgënjimi. Për ta, Shqipëria dhe vendet e tjerë të Ballkanit Perëndimor, nuk janë destinacion, por një ndalesë e përkohshme në një udhëtim të gjatë e të pasigurt, ku çdo vijë kufitare është një provë dhe çdo ditë-natë është një rrezik real.
Çfarë ndodh në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës?
E pyetur rreth numrit të imigrantëve të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, që kanë hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës dhe disa pikave të tjera kufitare të qarkut të Korçës, përgjegjësja e marrdhënieve me publikun në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe të Migracionit të Korçës, Erilda Bregasi, thotë se për periudhën kohore të dy viteve të fundit (2023-2025), ky numër arrin në 3388 persona, prej të cilëve 1118 imigrantë kanë qënë përsëritës. Të gjithë imigrantët janë kapur në kufirin e gjelbër në territorin që mbulon kjo drejtori. Sipas saj, tendenca e ardhjes së këtyre imigranteve gjatë 2-3 viteve të fundit paraqitet në ulje vit pas viti. Kjo, falë edhe bashkëpunimit të dy policive kufitare shqiptaro-greke, të cilat kanë intensifikuar patrullimet e përbashkëta dhe shkëmbimin e informacionit mes tyre. Sidoqoftë fluksi i imigrantëve të paligjshëm nuk po ndalet. Kufiri i gjelbër, pavarësisht kontrolleve, mbetet i depërtueshëm.
Trafikantët dhe metodat e tyre- një industri në hije
Nga dëshmitë e mbledhura në terren, përfshirë banorë, drejtues të mjeteve të licensuara e të palicencuara, avokatë e juristë, rezulton se ekzistojnë persona të veçantë dhe grupe trafikantësh që merren me transportimin e imigrantëve të huaj drejt territorit shqiptar dhe, më tej, drejt vendet fqinje. Sipas juristit, Esmerald Xhafaj, një pjesë e imigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës kanë deklaruar se, pasi janë larguar nga vendet e tyre të origjinës, ata kanë hyrë në mënyrë klandestine në Greqi, dhe më tej, janë shoqëruar nga sekserë grekë drejt kufirit të gjelbër në zonën e Bilishtit. Për t’iu shmangur kontrolleve policore, trafikantët përdorin metoda të rafinuara. Në disa raste, në sediljen e përparme të automjeteve vendosen gra me fëmijë të vegjël ose të moshuar, ndërsa në pjesën e pasme, në kushte krejtësisht të papërshtatshme, transportohen emigrantë të tjerë të paligjshëm.
Komunikimi mes imigrantëve dhe trafikantëve kryhet kryesisht përmes aplikacioneve si ËëhatsApp. Për kalimin tranzit nga Greqia drejt Korçës, Pogradecit dhe, më tej, drejt Tiranës, Elbasanit, Shkodrës apo Kosovës, paguhen shuma që variojnë nga 300 deri në 1000 euro. Shpesh pagesa kryhet nga të afërm ose persona të besuar të imigrantëve, por kjo ndodh vetëm pasi ata të kenë mbërritur në destinacionin e radhës. Kohët e fundit, emigrantët kanë ndryshuar taktikë. Për të shmangur postblloqet e policisë, veçanërisht në zonat e Kapshticës, Qafë-Plloçës dhe tuneleve panoramike të Pogradecit, ata përdorin gjithnjë e më shpesh biçikleta e motorë. Tregu i biçikletave në Korçë, gjatë stinës së verës, ka raste që boshatiset, ndërsa imigrantët përshkojnë disa kilometra në heshtje, duke u përzier me lëvizjen e zakonshme urbane, për të humbur, në këtë mënyrë, gjurmët e tyre.
Kur drejtësia ngec në procedurë
Vepra penale e “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit” parashikohet shprehimisht nga neni 298 i Kodit Penal, i cili sanksionon çdo formë ndihme aktive ose pasive për hyrjen apo daljen e paligjshme të shtetasve, kur kjo kryhet me qëllim përfitimi material. Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë. Për këtë vepër penale, gjatë periudhës së dy viteve të fundit (2024-2025), nga ana e drejtorisë së kufirit dhe migracionit të policisë së Korçës janë arrestuar 14 persona dhe 1 tjetër person është ndaluar.
Nga analiza e rasteve konkrete, të evidentuara në këtë qark, rezulton se shpesh kemi të bëjmë me bashkëpunim të koordinuar, ku përfshihen drejtues mjetesh, ndërmjetës (sekserë), si dhe persona që veprojnë në të dy anët e kufirit. Në praktikë, organet proceduese kanë aplikuar gjerësisht sekuestrimin e mjeteve të transportit të përdorur për kryerjen e veprës penale. Megjithatë, ky veprim shpesh ka kapërcyer kufijtë e një ‘mase sigurie’ dhe është shndërruar në një formë dënimi të parakohshëm.
Neni 217 i Kodit të Procedurës Penale parashikon qartë se, kur nuk është e nevojshme mbajtja e sekuestrës për qëllime prove, sendet e sekuestruara duhet t’u kthehen pronarëve të tyre qoftë edhe përpara përfundimit të procesit gjyqësor. Po ashtu, neni 218/3 i Kodit të Procedurës Penale i jep prokurorit kompetencën për kthimin e sendeve gjatë hetimeve paraprake dhe garanton të drejtën e ankimit për të interesuarin. Por, nga rastet e shqyrtuara, rezulton se këto dispozita ka jo pak raste që nuk zbatohen, duke detyruar pronarët e mjeteve, veçanërisht qeradhënësit që nuk kanë asnjë lidhje me veprën penale, të ndjekin rrugë të gjata gjyqësore me pasoja të rënda financiare. Në këto raste, sipas avokates pogradecare, Donika Aliçkolli, cenohet parimi kushtetues i proporcionalitetit të masave kufizuese dhe ai i mbrojtjes së pronës private.
Një problematikë tjetër e konstatuar lidhet me mënyrën e të provuarit të elementit të përfitimit financiar. Në jo pak raste, hetimi mbështetet kryesisht në deklarime të imigrantëve ose në indicie të pjesëshme, pa u shoqëruar me prova financiare konkrete (transaksione, komunikime të dokumentuara, identifikim të rrjedhës së parave). Megjithatë, në praktikën e organeve ligjzbatuese në Korçë, Bilisht dhe Pogradec janë evidentuar problematika serioze në lidhje me sekuestrimin e mjeteve të transportit. Në praktikë, në disa raste, pronarë mjetesh, pa lidhje me veprën penale, penalizohen padrejtësisht, duke pësuar dëme të konsiderueshme financiare.
Kjo praktikë rrezikon të dobësojë çështjet në gjykatë dhe të çojë në vendime të paqëndrueshme, duke cenuar parimin e sigurisë juridike dhe standardin e provës “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”. Ndërkohë, në terren vazhdon të zhvillohet një konflikt i heshtur ndërmjet taksive të licencuara dhe ‘taksive” (mjeteve) pirate. Kryetari i Shoqatës së Taksistëve të Pogradecit, Çelnik Minga, thotë se konkurrenca e pandershme po i çon shumë drejtues mjetesh drejt falimentimit. Sipas tij, goditja e taksive pirate do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në uljen e fenomenit të imigracionit të paligjshëm. Ndërsa drejtues të thjeshtë mjetesh ose qeradhënës të tyre penalizohen me sekuestrime të zgjatura dhe procedime të pafundme, organizatorët realë, ndërmjetësit dhe përfituesit financiarë të këtij trafiku shpesh mbeten në hije.
Përgjegjësia institucionale dhe standardet europiane
Shqipëria, në kuadër të procesit të integrimit europian, është e detyruar të harmonizojë jo vetëm legjislacionin, por edhe praktikën penale me standardet e Bashkimit Europian. Direktivat dhe praktikat e BE-së në fushën e luftës kundër trafikimit të imigrantëve kërkojnë ndëshkim të ashpër të organizatorëve dhe mbrojtje të të drejtave themelore të personave të tretë që preken nga procedimi penal. Në këtë kuadër, moszbatimi korrekt i dispozitave dhe mbajtja e zgjatur e sekuestrove, pa vendim përfundimtar, rrezikon të ekspozojë shtetin shqiptar ndaj kritikave serioze për shkelje të parimit të procesit të rregullt ligjor dhe të shtetit të së drejtës.
Ligji nr. 10/2021 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Europian, përcakton procedurat për dhënien e statusit të refugjatit dhe garanton mbrojtje për kategoritë vulnerabël dhe të miturit e pashoqëruar. Por, përballë flukseve të shtuara migratore, sfida mbetet jo vetëm ligji në letër, por zbatimi efektiv i tij në terren. Për këtë arsye, Shqipëria ka përgatitur një plan të ri për ngritjen e 20 qendrave pritëse që do të akomodojnë imigrantë nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët kalojnë përmes Shqipërisë dhe Serbisë drejt Greqisë. Këto qendra pritet të vendosen në qarkun e Korçës si dhe në disa qarqe të tjerë, ndërsa kapacitetet e tyre variojnë nga 100 deri në mbi 400 shtretër. Plani mbështetet në projektvendimin për miratimin e ‘Planit Kombëtar të Kontigjencës’ për flukset migratore për periudhën e viteve 2026-2028, që është miratuar nga këshilli konsultativ i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Në qarkun e Korçës parashikohet ngritja e disa pikave pritëse, përfshirë fshatin Floq të bashkisë së Korçës; disa hapësira me mundësi të mira akomodimi në bashkinë e Pogradecit; njëmbëdhjetë mijë metra katrorë hapësirë në zonat e Bilishtit dhe të Bitinckës të bashkisë së Devollit si dhe disa hapësira të tjera të përshtatshmë në bashkinë e Kolonjës. Në bashkinë e Maliqit planifikohet përdorimi i ish depove të Rezervave të Shtetit në Lozhan, ndërsa në bashkinë e Pustecit janë identifikuar tre zona të tjera, që përfshijnë njësinë Zaroshkë dhe dy fusha sportive. Në total, në qarkun e Korçës parashikohen të ngrihen dhjetë pika potenciale akomodimi.
Imigracioni i paligjshëm përmes territorit shqiptar dhe disa vendeve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, drejt vendeve të BE-së, nuk është më thjesht pasojë e luftërave apo e varfërisë globale. Ai është shndërruar në një fenomen të toleruar, ku boshllëqet ligjore, zbatimi selektiv i ligjit dhe mungesa e vullnetit institucional kanë krijuar një terren të favorshëm për trafikantët dhe rrjetet kriminale. Ligji ekziston, por zbatohet në mënyrë të pabarabartë. Kufiri kontrollohet, por vetëm deri aty ku nuk preken interesat e rrjeteve të ngritura në heshtje. Moszbatimi i dispozitave të Kodit të Procedurës Penale për kthimin e sendeve të sekuestruara, mbajtja e mjeteve pa vendim përfundimtar dhe hetimet e mangëta për përfitimin financiar nuk janë thjesht shkelje procedurale. Ato përbëjnë cenim të shtetit të së drejtës dhe minojnë besimin e qytetarëve te drejtësia. Ndërkohë që pavarësisht rasteve të izoluara, kur banorë të zonave kufitare dhe jo vetëm, kanë njoftuar policinë nëpërmjet celularit apo rrjeteve sociale, kur kanë konstatuar imigrantë ilegalë, kërkohet rritja e bashkëpunimit të policisë me banorët për dekonspirimin e planeve për kontrabandimin e imigrantëve të parregullt. Nëse Shqipëria synon realisht integrimin europian, lufta kundër imigracionit të paligjshëm nuk mund të kufizohet në statistika mujore apo aksione sporadike policore. Ajo kërkon ndëshkim real të organizatorëve, hetim financiar të thelluar, transparencë institucionale dhe respekt strikt të ligjit. Çdo natë që kufiri i gjelbër mbetet i depërtueshëm, çdo mjet që kalon “pa u vënë re”, çdo mjet që sekuestrohet padrejtësisht dhe çdo trafikant që nuk identifikohet, është një provë tjetër se problemi nuk është mungesa e ligjit, por mungesa e guximit për ta zbatuar atë deri në fund. Ky është momenti kur institucionet duhet të zgjedhin: të vazhdojnë të administrojnë pasojat ose të përballen me shkaqet. Çdo vonesë tjetër është bashkëfajësi.
Fatos Puto, shkurt 2026
**Fatos Puto është gazetar dhe drejtues mediash me mbi katër dekada përvojë në median e shkruar dhe audiovizive, si dhe në menaxhimin e projekteve mediatike dhe të shoqërisë civile. I diplomuar në Histori–Filologji dhe me specializim pasuniversitar në Media Elektronike Rurale në Gjermani, ai ka mbajtur pozicione drejtuese si Drejtor Ekzekutiv i shoqatës “Gazetarë Profesionistë Rajonalë”, Drejtor i gazetës “Antikorrupsioni”, si dhe Kryeredaktor i Radio-Televizionit Publik “Gjirokastra”. Ka drejtuar projekte të financuara nga Bashkimi Europian dhe donatorë ndërkombëtarë, me fokus në median, transparencën, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin lokal. Aktualisht ushtron profesionin si gazetar i lirë.




.jpg)



.jpg)



.png)























