Mesazhi politik në mjedisin dixhital, media dhe opinioni publik

Mesazhi politik në mjedisin dixhital, media dhe opinioni publik

Vitet e fundit me zhvillimin e internetit mjedisi mediatik ka ndryshuar ndjeshëm kudo në botë. Përveç mediave tradicionale rol të rëndësishëm në informimin dhe dhënien e informacionit kanë mediat e reja sociale, të cilat i kanë dhënë mundësi publikut të jetë marrës dhe dhënës në të njëjtën kohë. Epoka dixhitale ka sjellë një ndryshim në trinomin media-politikë-audiencë. Studiuesja Diana Owen vlerëson se “mediat e reja kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë qeveritë, institucionet, si komunikojnë aktorët politikë dhe mënyrën si angazhohen qytetarët” (Owen, 2017).

Komunikimi direkt në rrjetet sociale është instrumenti kryesor i politikanëve për të ndikuar opinionin publik. Ekspertë të komunikimit besojnë se aktorët politikë janë kthyer në prodhues të përmbajtjes ndërsa media ka humbur funksionin e saj, duke i shërbyer interesave politikë. Drejtuesi i Qendrës Shqiptare MediaLook, Elvin Luku, shprehet se: “përdorimi i hapësirës mediatike si altoparlant i qëllimit politik ka krijuar një krizë, sepse media është zhvendosur në boshtin e saj nga interesi publik, te interesi politik” (Luku, 2021).

Politika në mjedisin e ri dixhital - ndikimi në media dhe opinionin publik shqiptar

Pavarësisht numrit të madh të mediave që operojnë në ekosistemin mediatik shqiptar, për shumë qytetarë në Shqipëri dhe Kosovë rrjetet sociale janë kthyer në burim kryesor të informacionit. Në pyetësorin e realizuar me 110 qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova në funksion të këtij publikimi, mbi 55% e qytetarëve kanë deklaruar se informohen përmes rrjeteve sociale. Këto të dhëna tregojnë se audiencat sot janë në rrjet dhe kanë qasje më të shpejtë ndaj marrjes së informacionit, por edhe në të njëjtën kohë transmetimin e tij. “Secili ka shtypshkronjën e vetë (blog), stacionin e tij radiofonik (podcast), apo televezionin e tij (YouTube). Secili kontribuon në një ekran të quajtur Facebook! Secili do të thotë dhe të ndajë ç’ka di! Secili është bërë një media!” (Scherer, 2012).

Duke i qëndruar këtij argumenti, aktorët politikë kanë shfrytëzuar potencialin që japin rrjetet sociale dhe mediat horizontale për të dominuar sferën e komunikimit publik. Në pyetjen “A mendoni se rrjetet sociale i kanë dhënë mundësi politikanëve të jenë vetë prodhues të përmbajtjeve?” rreth 91% e të anketuarve janë përgjigjur me po, ndërsa vetëm 9% kanë thënë jo.

Rritja e komunikimit në rrjete sociale ka sjellë një centralizim të informacionit nga zyrat e komunikimit të aktorëve politikë dhe vështirësi në punën e gazetarëve. Qeveritë që dikur ishin vetëm palë rregullatore në qëllim të interesit  publik janë kthyer në kontrollues dhe dominues të komunikimit online për të realizuar qëllimet e tyre në axhendën mediatike.

Isa Myzyraj, gazetar prej disa vitesh në Shqipëri, tregon se në muajt e parë të përhapjes së pandemisë Covid-19, publiku është informuar përmes profilit në rrjetin social Facebook të kreut të qeverisë shqiptare, ndërsa  këtë kohë nuk ka pasur asnjë konferencë për shtyp me gazetarët. Sipas tij, nga 9 marsi i vitit 2020 deri më 9 prill të vitit 2020, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, ka publikuar vetëm në Facebook 407 publikime me një normë ditore prej 13 postimesh në 24 orë (Myzyraj, 2021).  “Komunikimi në rrjetet sociale i politikanëve është masiv, ndërsa kërkesat për informacione nga institucionet, kanë vonesa, nuk vijnë të plota, e shpeshherë nuk vijnë kurrë”, ka thënë ndër të tjera Myzyraj.

Në anën tjetër edhe politikanët kosovarë shfrytëzojnë mjedisin dixhital për dhënien e mesazheve të tyre ndërsa anashkalojnë komunikimin me gazetarët. Gazetarja e politikës në Kosovë, Halide Rexhepi, shprehet se: “Politikanët i shprehin mendimet dhe qëndrimet në rrjetet sociale pa pasur interaktivitet dhe pa pasur nevojën që të ballafaqohen direkt e kjo ka shkaktuar problem pasi thuhet vetëm ajo që dëshiron vet politikani” (Rexhepi, 2021)

Pavarësisht sfidave të punës së gazetarëve dhe mungesës së komunikimit nga aktorët politikë, studiuesit dhe ekspertët e komunikimit besojnë se media dhe politika janë në marrëdhënie simbioze, ku axhenda politike dominon atë mediatike. “Media vepron si një zëdhënës për liderët politikë duke publikuar fjalët dhe veprimet e tyre edhe kur vlera e tyre si lajme është e diskutueshme” (Owen, 2017).

Kjo qasje mbështetet edhe nga të dhënat e mbledhura me të anketuarit në kuadër të këtij publikimi. Mbi 66% e të anketuarve mendojnë se hapësira mediatike në Shqipëri dhe Kosovë është e dominuar tërësisht nga informacionet mbi politikën dhe aktualitetin ndërsa nga 110 të anketuar vetëm 7 prej tyre mendojnë se politika ndikon pak në pavarësinë e mediave.

Këto të dhëna tregojnë se në Shqipëri dhe Kosovë, politika është kthyer në kontrolluese të informacionit publik ndërsa media vetëm në transmetuese të mesazhit politik. “Media është thjesht vetëm një transmetues i deklaratave, qëndrimeve, konferencave dhe nuk shkon përtej tyre, në raportimin e thelluar, në investigim” (Luku, 2021).

Politizimi i informacionit dhe komunikimi masiv në rrjet nga aktorët politikë kanë sjellë një krizë të medias në Shqipëri dhe Kosovë dhe ndikim më të madh të opinionit publik. Vetëm 13% e të pyeturve janë shprehur se  mesazhet politike nga rrjetet sociale nuk ndikojnë në informimin tyre.

Sistemi mediatik në Shqipëri dhe Kosovë përballë politikës

Skena mediatike në Shqipëri dhe Kosovë përgjatë viteve i është nënshtruar ndryshimeve të mëdha. Masiviteti mediatik, ndikimi politik në axhendën e mediave, statusi i gazetarëve, shprehja e lirë është një problematikë që ka sjellë ngjashmëri dhe dallime në modelin mediatik të të dyja vendeve.

Sipas Lukut, në raportet ndërkombëtare të “Reporterët pa Kufij”, Kosova është 14 vende më sipër sa i takon lirisë së medias, por të dyja janë pjesë e një kategorie, si vende me media pjesërisht të lira. Në një vlerësim nga 1 (pak) deri në 5 (shumë) për pavarësinë e sistemit mediatik në Shqipëri dhe Kosovë, 44 % kanë vlerësuar me 3 gjendjen e medias në Kosovë (13% me 1, 20% me 2, 23% me 4 dhe 1% me 5) ndërsa 32% e të anketuarve vlerësojnë me 3 gjendjen e medias në Shqipëri (22% me 1, 28% me 2, 15% me 4 dhe 2% me 5).

Ndërkohë, gazetarja Halide Rexhepi kur pyetet si e sheh gjendjen e medias në Kosovë dhe Shqipëri shprehet se: “Në Kosovë gëzohet më shumë pavarësi mediatike ndërsa në Shqipëri ekziston një lloj vetëcensure mediatike për temat të cilat prekin sidomos politikën”. Një mendim të tillë ndan edhe gazetari nga Shqipëria, Isa Myzyraj, i cili thotë: “Media në Kosovë është më e pavarur, informacioni nuk është i centralizuar, politikanët nuk sulmojnë mediat, kaq shumë sa në Shqipëri”.

Konkluzione

Mbështetur në analizën e të dhënave sasiore dhe cilësore të trajtuara në këtë studim, mund të themi se masiviteti mediatik dhe shpërthimi i komunikimit në rrjet ka ndikuar në keqfunksionimin e mediave dhe fuqizimin e komunikimit të aktorëve politikë.

Mesazhet politike në mjedisin dixhital arrijnë të depërtojnë direkt te audienca. Në këtë kohë, marrëdhënia media-politikë konsiderohet si një marrëdhënie simbioze, ku media e ka humbur rolin kryesor të raportimit në interes të publikut duke i shërbyer politikës.

Sipas të dhënave të mbledhura, media është kthyer në transmetuese të mesazhit politik të përgatitur nga zyrat e shtypit gjë që ka ndikuar në mungesën e besimit të qytetarëve në informacionet që ju serviren. Në krahasimin mes dy vendeve, sistemin mediatik në Kosovë është më i pavarur ndërsa në Shqipëri është më i varur dhe censura është më e lartë.

Rigon Harxhi, maj 2021

*Rigon Harxhi është profesionist dhe studiues i ri në fushën e komunikimit. Ai ka përfunduar studimet Bachelor në Gazetari dhe Komunikim, dhe ato Master në Marrëdhënie me Publikun, Universiteti i Tiranës. Ka patur eksperienca pune deri më tani si specialist në kabinetin e Ministrit të Shtetit për Diasporën në Tiranë dhe po ashtu si gazetar në projektin Ballkan Booster, të medias ndërkombëtare “Deutsche Welle”. Aktualisht, merret me shkrimin e artikujve shkencorë dhe joshkencorë në fushën e komunikimit. Ai ka marrë pjesë në projekte, konferenca dhe trajnime të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit. Fusha me interes për të janë komunikimi dixhital, gazetaria telefonike (MoJo) dhe diplomacia publike.

 

 

Referenca:

Luku, E. (2021, February 26). Ndikimi i politikës në media dhe opinionin publik. (R. Harxhi, Intervieëer)

Myzyraj, I. (2021, February 26). Ndikimi i politikës në media dhe opinionin publik. (R. Harxhi, Intervieëer)

Owen, D. (2017). The New Media’s Role in Politics. The Age of Perplexity: Rethinking the World We Knew. Retrieved from

https://www.bbvaopenmind.com/wp-content/uploads/2018/03/BBVA-OpenMind-Diana-Oëen-The-Neë-Medias-Role-in Politics.pdf

Rexhepi, H. (2021, February 26). Ndikimi i politikës në media dhe opinionin publik. (R. Harxhi, Intervieëer)

Scherer, E. (2012). A na duhen më gazetarët? Tiranë: Botimet Papirus.

Zguri, R. (2017). Marrëdhëniet mes medias dhe politikës në Shqipëri. Tirana: Friedrich-Ebert-Stiftung. Retrieved from

https://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/14000.pdf

 

 

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk