Këshilli i Bashkimit Europian mbetet simbol i ndërqeveritarizmit, në të zhvillohen mbledhje në nivel ministrash në varësi të çështjes që diskutohet. Presidenca e Këshillit të Bashkimit Europian është përgjegjësi e të gjithë shteteve anëtare. Veprimtaria e shtetit që mban presidencën e Këshillit udhëhiqet nga parimet e përgjithshme të së drejtës administrative europiane ku shumë prej tyre ndihmojnë në vazhdimësinë e punës së Bashkimit Europian. Vazhdimësia garantohet prej “treshes” kryesuesi aktual, me paraardhësin dhe pasardhësin. Është detyrë e shteteve anëtare që mbajnë presidencën të punojnë ngushtësisht së bashku në grupe. Sistem i cili u parashikua nga Traktati i Lisbonës në vitin 2009. Treshja cakton synime afatgjata dhe përgatit një axhendë të përbashkët, duke përcaktuar temat dhe çështjet kryesore që do të trajtohen nga Këshilli gjatë një periudhe 18-mujore. Bazuar në këtë program, secili nga tre vendet përgatit programin e vet më të detajuar 6-mujor. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe shteti anëtar që i takon presidenca ka të drejtën të mbajë takime të çdo niveli. Treshja aktuale përbëhet nga presidenca e Spanjës, ajo e Belgjikës dhe Hungarisë. (Council of the European Union, 2023)
Presidenca për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 i takon Spanjës, vendi iberik e merr presidencën nga Suedia. Qëllimi kryesor i Spanjës në ushtrimin e kësaj detyre është përmirësimi i jetës së qytetarëve. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez bën të qartë se Spanja është një vend thellësisht europian dhe se "marrin Presidencën me një ndjenjë të dyfishtë mirënjohjeje dhe përgjegjësie". (MARTÍN, 2023) Presidenca Spanjolle e Këshillit Europian ka në fokus riindustrializimin, tranzicionin mjedisor, ndryshime në forcimin e unitetit të brendshëm, si dhe promovimin e drejtësisë sociale e ekonomike.
Një nga shtyllat e Presidencës Spanjolle mbulon riindustrializimin e Europës përmes inovacionit, integrimin e thellë të tregut të vetëm dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare me vende të treta duke synuar forcimin e zinxhirëve të furnizimit europian. Në terma praktikë, ajo do të promovojë dokumentet ligjore që lejojnë promovimin e zhvillimit të industrive dhe teknologjive strategjike në Europë, si dhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, duke i dhënë rëndësi të veçantë Samitit të BE-CELAC. Nga ana tjetër, ajo do të propozojë një strategji të orientuar përpara dhe të plotë për të siguruar sigurinë ekonomike dhe udhëheqjen globale të BE-së deri në vitin 2030, duke i ofruar vazhdimësi institucioneve europiane. Ky synim mund të përfshijë bashkëpunimin për zgjidhjen e sfidave globale, promovimin e vlerave europiane, si dhe zhvillimin e nismave të ndryshme që ndihmojnë në rritjen ekonomike dhe politikat e qëndrueshme. Në përgjithësi, këto qëllime theksojnë përpjekjet e Presidencës Spanjolle për të ndihmuar në ndërtimin dhe përforcimin e Europës si një aktor kryesor në arenën ndërkombëtare, duke punuar në bashkëpunim me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Prioriteti i dytë është zbatimi i një tranzicioni ekologjik që përkrah arritjen e neutralitetit klimatik dhe synimeve të vendosura nga institucionet Europiane, duke kursyer para dhe duke krijuar mundësi të reja pune. Në përmbushje të këtij prioriteti, Spanja në krye të Këshillit synon të promovojë një reformë në tregun e energjisë elektrike me qëllim përshpejtimin e shpërndarjes së energjive të rinovueshme, uljen e çmimeve të energjisë elektrike dhe përmirësimin e stabilitetit të sistemit. Ndërtimi i transportit dhe infrastrukturës së qëndrueshme mund të ndihmojnë në reduktimin e emetimeve të gazrave që ndikojnë në ndryshimet klimatike.Zhvillimi i një ekonomie qarkulluese, e cila minimizon prodhimin e mbeturinave dhe promovon përdorimin e produkteve të ricikluara, është një aspekt i rëndësishëm i tranzicionit ekologjik.
Gjithashtu do të punojë për të përshpejtuar dosjet e lidhura me "Fit for 55" apo pakon e gazit dhe hidrogjenit. Për më tepër, synohet ndërgjegjësimi për marrjen e masave për uljen e mbetjeve dhe mikroplastikës, përdorimin e produkteve të qëndrueshme dhe prodhimin e karburanteve të gjelbra.Mbrojtja e shumëllojshmërisë së bimësisë dhe faunës është një pjesë e rëndësishme e tranzicionit ekologjik. Zbatimin e masave të mbrojtjes së ambientit dhe rehabilitimin e zonave të dëmtuara mund të ndihmojnë në ruajtjen e biodiversitetit.Ndarja e informacionit dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve rreth rëndësisë së trajtimit të mirë të mjedisit mund të ndihmojë në ndryshimin e sjelljes dhe zgjedhjeve të tyre për të promovuar praktika të qëndrueshme.
Një qëllim tjetër i shpallur nga Presidenti Sánchez është të konsolidohet shtylla sociale, duke luftuar padrejtësinë ekonomike përmes "vendosjes së standardeve të minimumit për taksat e biznesit në të gjitha Shtetet Anëtare”, veçanërisht në sferën digjitale, dhe për të luftuar shmangien e taksave, evazionin fiskal dhe përdorimin e kompanive fantazmë. Presidenca Spanjolle do të ndërmarrë nisma për të vendosur standarde minimale të përbashkëta për tatimin e korporatave në të gjitha Shtetet Anëtare dhe do të luftojë kundër evazionit fiskal nga korporatat e mëdha multinacionale, i cili kushton BE-së 1.5% të PBB për çdo vit - pra, të njëjtën shumë që ajo shpenzon për strehimin dhe mbrojtjen mjedisore.Përmirësimi i konkurrencës në nivel ndërkombëtar është një qëllim kyç. Kjo mund të përfshijë inkurajimin e inovacionit dhe zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja, si dhe mbështetjen e sektorëve me potencial rritjeje. Zhvillimi i infrastrukturës së nevojshme për të përmirësuar lidhjet e tregtisë dhe shërbimet ndërmjet vendeve, si dhe investimi në sektorët strategjikë si energjia, teknologjia, dhe transporti mund të ndihmojë në rritjen ekonomike dhe konkurrencën ndërkombëtare.Qëllimi i promovimit të rritjes ekonomike nuk duhet të përjashtojë përgjegjësinë sociale dhe mjedisore. Presidenca Spanjolle mund të inkurajojë zhvillimin e ekonomisë në një mënyrë të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit, duke përfshirë praktika të qëndrueshme të prodhimit dhe konsumit. Gjithashtu, Spanja do të punojë në zgjerimin e të drejtave të punonjësve në disa fusha, veçanërisht për grupet “vulnerabël” si fëmijët, gratë që vuajnë nga dhuna dhe njerëzit me aftësi ndryshe. Kriza e fundit e pandemisë COVID-19, agresioni rus në Ukrainë dhe ndikimet e tyre ekonomike dhe sociale, kanë goditur veçanërisht këto grupe duke nxjerrë në pah pabarazitë strukturore që këta të bien në situata rreziku veçanërisht për sa i përket mundësive materiale, varfërisë energjetike, shëndetësisë apo dhe mirëqenies.
Në përfundim, prioriteti i katërt është forcimi i uniteti Europian, duke përmirësuar kështu instrumentet komunitare, si fondet e BE-së për gjeneratën e ardhshme, dhe reforma të brendshme për shembull një pakt të ri për migracionin dhe azilin. Presidenca Spanjolle mund të inkurajojë bashkëpunimin dhe dialogun mes vendeve anëtare të BE-së për të adresuar çështje të ndryshme dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Kjo përfshin të përmirësojë koordinimin ndërmjet qeverive dhe të inkurajojë bashkëpunimin e thellë në fusha të ndryshme. Promovimi i vlerave europiane të demokracisë, lirisë, barazisë, dhe të drejtave të njeriut është një mjet i rëndësishëm për të forcuar unitetin. Inkurajimi i përparimit të përbashkët, përfshirë zhvillimin ekonomik, shkëmbimet kulturore dhe arsimore, dhe inovacionin, mund të krijojë një ndjenjë të përbashkët të arritjes së qëllimeve dhe të një të ardhmeje të ndritur për të gjithë qytetarët e BE-së. Përmes ndarjes së vlerave të përbashkëta, mund të ndërtohet një ndjenjë e përbashkët identiteti europian. Përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje mund të krijojnë një ndjenjë të sigurisë së përbashkët dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.
Gjithashtu një trajtim të veçantë i kushtohet zgjerimit ndërkohë që detyra më e rëndësishme për Spanjën mbetet mbështetja për Ukrainën dhe përballimi i agresionit rus. Ende nuk dihet se si mund të përdoret zgjerimi për të arritur diçka, kjo varet jo vetëm nga vendet kandidate por edhe nga vullneti për të zbatuar reformat e nevojshme, në mënyrë që BE të mbetet e aftë të veprojë edhe me më shumë anëtarë. (Gazeta Shqiptare, 2023) Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares Bueno premton se Spanja dëshiron të vazhdojë me reformat që do ta çojnë në një nivel tjetër integrimin. Një shembull i kësaj do të ishte koordinimi më i mirë në politikën e jashtme ose atë fiskale.
Një çështje me interes mbetet procesi i integrimit së Kosovës në BE ndërkohë që ajo ka dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim më 15 dhjetor 2022.Presidenca e atëhershme Çeke nuk ka pasur kohë ta shqyrtojë atë kërkesë, por vetëm i ka njoftuar vendet anëtare për dorëzimin e saj. Më vonë atë dosje në duar e ka pasur Presidenca suedeze. Mbetet e paqartë se si do të vazhdohet puna lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim gjatë gjashtëmujorit të presidencës së Spanjës, si një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. (Radio Evropa e Lirë, 2023) Spanja ka qenë e kujdesshme në lidhje me çështjen e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian. Për të ndihmuar në integrimin e Kosovës, Spanja dhe vendet e tjera të BE-së janë të përfshira në përkrahjen dhe monitorimin e zhvillimeve në Kosovë. Kosova është në një fazë të procesit të stabilizim-associmit me BE-në, që është një hap fillestar drejt anëtarësimit. Kjo fazë përfshin angazhimin e Kosovës për të ndjekur reforma në fusha të ndryshme, përfshirë drejtësinë, shtetin e së drejtës, ekonominë, dhe të drejtat e njeriut. Gjithashtu, përshkohet një dialog mes Kosovës dhe Serbisë, të mbikëqyrur nga Bashkimi Europian, për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe të favorshme për të dyja palët.
Në përgjithësi, presidenca është përgjegjëse që të mbikëqyrë dhe të ndërhyjë në rast se nevojitet për pothuajse 195 grupe pune të Këshillit të BE-së, duke përfshirë Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) i përbërë nga një përfaqësues nga çdo shtet anëtar, i cili përgatit punën e 6 konfigurimeve të Këshillit: bujqësia dhe peshkimi; konkurrueshmëria; arsimi, rinia, kultura dhe sporti; punësimi, politika sociale, shëndetësia dhe çështjet e konsumatorit; mjedisi; transporti, telekomunikacioni dhe energjia.
Në këtë udhëheqje, bashkëpunimi i ndërsjellë është kyç për të arritur qëllimet e përbashkëta. Promovimi i vlerave europiane, zbatimi i reformave të nevojshme, dhe përqendrimi në sfida globale tregon një përkushtim të përbashkët për të ndikuar në zhvillimet ndërkombëtare. Qytetarët europianë e mirëpresin Presidencën spanjolle, duke qenë të gatshëm ta mbështesin në zbatimin e axhendës së saj duke e shndërruar atë një instrument të dobishëm për të përmirësuar jetën e tyre. (Presentation of the political priorities of the Spanish Presidency, 2023)
Xhon Muslli, stafi i EuroSpeak, gusht 2023
Xhon Muslli ka përfunduar studimet e larta në Drejtësi pranë Universitetit Europian të Tiranës. Pasi përfundoi studimet me rezultate të kënaqshme, Xhoni u punësua në sektorin publik si specialist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke mbështetur punën e zyrës me praktika të ndryshme ligjore në lidhje me pasuritë e paluajtshme në territorin e Korçës. Aktualisht, ai është në përmbyllje të studimeve të nivelit Master Shkencor në të Drejtën Publike pranë Fakultetit të Drejtësisë. Ai gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në edicionin e pestë të konkursit kombëtar "Sipërmarrësit e së nesërmes", që vlerëson aftësitë sipërmarrëse. Që nga viti 2018, Xhoni është pjesë e grupit të vullnetarëve në Bashkinë e Tiranës. Ai ka njohuri të gjuhës angleze dhe italiane, pëlqen sportet aktive dhe ato taktike.
Bibliografia
Council of the European Union. (2023, July 7). The presidency of the Council of the EU
Concil of the Europian Union. (2023). Health leaders of the EU pledge to make progress in building the European Health Union. Retrieved from https://spanish-presidency.consilium.europa.eu/en/news/informal-ministerial-meeting-epsco-health-28-july-las-palmas/
Council of the Europian Union. (2023). EU ministers boost research for a more autonomous, self-sufficient Europe. Spanish Presidency of the Council of the European Union. Retrieved from https://spanish-presidency.consilium.europa.eu/en/news/informal-ministerial-meeting-competitiveness-research-santander-28-july/
COUNCIL OF THE EUROPIAN UNION. (2023). Priorities. Spanish Presidency.
Gazeta Shqiptare. (2023). Spanja merr kryesimin e Bashkimit Europian. Retrieved from http://gazetashqiptare.al/2023/07/01/spanja-merr-kryesimin-e-bashkimit-europian-por-cilin-kryeminister-dw-ne-fund-te-korrikut-mbahen-zgjedhjet-e-parakohshme-si-ndikoje-nje-lidership-ri/
MARTÍN, J. L. (2023). España marca sus prioridades para la Presidencia de la UE. CMM.
Muharremaj, E. (2022). Cikël leksionesh mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Presentation of the political priorities of the Spanish Presidency. (P. Sánchez, Interviewer)
Radio Evropa e Lirë. (2023, July 01). Retrieved from https://www.evropaelire.org/a/spanja-merr-presidencen-be-nuk-ndryshon-qendrim-kosove/32484880.html