Konflikti i vazhdueshëm BE- Poloni/Hungari për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës

Konflikti i vazhdueshëm BE- Poloni/Hungari për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës

Projekti i Bashkimit Europian, edhe pse në fillesat e tij një projekt me karakter ekonomik, ka arritur ta kthejë kontinentin e vjetër nga një kontinent lufte në një kontinent paqeje duke luajtur një rol stabilizues midis vendeve anëtare dhe duke shtyrë përpara kauzat e paqes, pajtimit dhe demokracisë. Garantimi i demokracisë liberale qëndron në thelb të axhendës së integrimit. Kjo është e rregulluar edhe tek dy kushtet e para të kritereve të Kopenhagenit për anëtarësimin në BE, ku vendet që aplikojnë për anëtarësim duhen të kenë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës (Kelemen 2020, f: 481).

Traktati për Bashkimin Europian (TBE) identifikon demokracinë si një gur themeli të Bashkimit, duke theksuar në nenin 2 se, “Bashkimi Europian bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektit për të drejtat e njeriut” … (Kelemen 2020, f: 481). TBE madje përfshin një mekanizëm (neni 7) për të sanksionuar shtetet që përfshihen në një ‘shkelje serioze dhe të vazhdueshme’ të vlerave të nenit 2 (Kelemen 2020, f: 481).

Pavarësisht mekanizmave të sipërpërmendura, krizat e vazhdueshme ekonomike dhe politike në vitet e fundit kanë tronditur themelet bazë të BE-së. Gjatë largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, u krijua një pritshme ri te krijimi i një efekti domino për pjesën tjetër të vendeve anëtare. Për më shumë se dy vjet, media të shumta, akademikë dhe figura të rëndësishme të opinionit publik në BE, po artikulojnë tezen e një largimi të mundshëm të dyshes problematike të Vishegradit: Polonisë dhe Hungarisë. Por ndryshe nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar, i cili u shkaktua kryesisht nga arsye ekonomike dhe ato të politikës së brendshme, ideja për një Pol- apo Huexit është rritur si pasojë e shkeljeve që të dyja vendet anëtare kanë bërë gjatë viteve të fundit në raport me garantimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës. Por përveç shkeljeve të vazhdueshme nga Polonia dhe Hungaria ndaj shtetit të së drejtës, shqetësuese për Brukselin kanë qenë edhe vetot e pajustifikueshme ndaj buxhetit të BE-së të cilat janë konsideruar si provokim, si p.sh. buxheti i fundit për rikuperimin nga Pandemia e Covid-19 (Sieradzka et. al 2020).

Komisioni Europian është duke u përpjekur të krijojë mekanizma kontrollues por deri tani kanë rezultuar të pasuksesshëm, konsideruar faktin që shkeljet nga Hungaria dhe Polonia por edhe nga vende të tjera anëtare kanë qenë të vazhdueshme për më shumë se një dekadë.

 

Rasti i Hungarisë - Problematikat me të drejtat e njeriut dhe kapja e shtetit

Menjëherë pas fitimit të zgjedhjeve parlamentare të 2010, qeveria e udhëhequr nga Partia Fidesz ndërmori hapat e parë për të kapur Gjykatën Kushtetuese (Halmai 2013). Hapi i parë në këtë drejtim ishte ndryshimi i ligjit për të propozuar gjyqtarë kushtetues, propozim i cili më parë realizohej me një komitet të përbërë nga anëtarë të grupeve parlamentare të përfaqësuar në mënyrë të barabartë. Sipas rregullores së re të propozuar nga Fidesz, grupi parlamentar në pushtet duhet të ishte në gjendje të emëronte gjyqtarë të rinj dhe të votonte me shumicë  prej dy të tretave. Më tej Fidesz rriti numrin e gjyqtarëve kushtetues nga 11 në 15 në mënyrë që partia në pushtet të emërojë shtatë gjyqtarë të rinj. Kryetari i gjykatës në këtë mënyrë zgjidhet gjithashtu nga parlamenti me një shumicë prej dy të tretave, ndërsa në të kaluarën, ishin gjyqtarët ata që zgjidhnin kreun e Kushtetueses  nga radhët e tyre (Halmai 2013).  Por përveç tentativave për të kontrolluar Gjykatën Kushtetuese, qeveria e Orban tentoi të zvogëlojë pavarësinë e bankës qendrore hungareze hungareze duke emëruar në krye të bankës krahun e tij të djathtë, një lëvizje që u kritikua nga Banka Qëndrore Europiane(Schlipphak et al. 2016, f: 7). Gjithashtu qeveria e Orban ka ndërmarrë një sërë masash për kontrolluar median. Gjatë fillimit të pandemisë qeveria hungareze akuzoi mediat e pavarura për disinformim, duke i kërcënuar me një ligj për kriminalizimin e lajmeve të rreme. Një tjetër rast flagrant ka qenë Index, një faqe interneti lajmesh nga e cila pothuajse të gjithë gazetarët dhanë dorëheqjen pasi u ble nga aleatët e Orban, dhe Klubrádio, një radio kritike ndaj qeverisë të cilës iu hoq frekuenca e transmetimit (Tamas 2021).

Për më tepër gjatë fillimit të pandemisë në 2020, parlamenti hungarez i dha dritën jeshile qeverisë të udhëheq me fuqi të pakufizuar për një kohë të pacaktuar, duke i dhënë mundësinë kryeministrit Orban  të pezullojë çdo ligj ekzistues dhe të hartojë dhe zbatojë ligje të tjera, pa shqyrtim parlamentar ose gjyqësor, një manovër që u cilësua sipas Human Rights Watch si një leje drejt autoritarizmit. Në vitin 2019, Hungaria u bë shteti i parë anëtar i BE -së, i cili sipas raportit të Freedom House u cilësua si një shtet “pjesërisht i lirë,’’ (Freedom House, 2019, f. 13). Raportet për vitin 2020 dhe 2021 kanë vazhduar të jenë negativë, ku për vitin 2021 Hungaria ka humbur një pozicion në klasifikimin e Freedom House mbi lirinë në botë (Freedom House 2021).



Rasti i Polonisë – Cenimi i  parimeve të Shtetit të së Drejtës

Modeli i krijuar nga Hungaria për të marrë nën kontroll pushtetin gjyqësor, por edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm si media apo shoqëria civile është ndjekur edhe në Poloni. Menjëherë pas fitores për zgjedhjet parlamentare polake në tetor të 2015 nga partia e djathtë konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS) e udhëhequr nga Jaroslaw Kaczynski, miratoi një ligj që kërkonte të zëvendësonte pesë gjyqtarë të gjykatës kushtetuese të emëruar nga qeveria e mëparshme (Schlipphak et al. 2016). Në fund të dhjetorit 2015, parlamenti miratoi një ligj për të kontrolluar dhe dobësuar Gjykatën, duke kërkuar, mes dispozitave të tjera, që të paktën 13 nga 15 gjyqtarët e tij të jenë të pranishëm për të shqyrtuar shumicën e çështjeve, që një shumicë prej dy të tretave të jetë e nevojshme për një vendim , dhe se Gjykata duhet të vendosë për rastet sipas rendit të mbërritjes (pa asnjë aftësi për t'i dhënë përparësi rasteve sipas rëndësisë). Në Mars 2016, Gjykata Kushtetuese i hodhi poshtë këto reforma si jo-kushtetuese, por qeveria PiS deklaroi se gjykata nuk ka autoritet të vendosë mbi ligjin dhe refuzoi vendimin e saj (Gera 2016). Ndryshe nga qeveria hungareze, e cila ka nën kontroll shumicën legjislative të nevojshme për të ndryshuar kushtetutën e vendit të saj, qeveria polake nuk ka pasur kontrollin i plotë për ndryshimet kushtetuese por gjithsesi ajo ka shpërfillur hapur parimet e shtetit të së drejtës dhe ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese për të arritur qëllimet e saj (Keleman 2017, f. 229). Përveç krizës kushtetuese, qeveria e PiS zbatoi një reformë në media, e cila i mundësonte qeverisë të punësonte dhe shkarkonte drejtuesit e mediave publike.  Gjithashtu, qeveria polake ka iniciuar dhe një sërë ligjesh të cilat cenojnë të drejtat e njeriut, si ligji kundër abortit, ligj i cili u shoqërua me protesta nga shoqëria civile, si dhe rezoluta që kundërshton aktivitetet publike që synojnë promovimin e ideologjisë së lëvizjeve LGBTQI.

 

Kundërpërgjigjja e BE-së - sanksione financiare dhe kufizime 

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit BE ka “kërcënuar” disa herë Poloninë dhe Hungarinë me ndërprerjen e fondeve për politika të ndryshme ekonomike, por deri më tani pa arritur ti detyrojë qeveritë e vendeve përkatëse të bëjnë hapa mbrapa në axhendat e tyre politike. Në fillim të 2021 hyri në fuqi mekanizmi i shtetit të së drejtës të BE-së. Në terma nominalë, ky mekanizëm synon t'i shërbejë BE -së për të sanksionuar shtetet anëtare nëse ata devijojnë nga vlerat themelore të Bashkimit Europian dhe parimet e shtetit të së drejtës (Verceck 2021).  Me mekanizmin e ri shkeljet ndaj parimeve të shtetit të së drejtës tani e tutje duhet të dënohen financiarisht. Sipas rregullores së re, pagesat nga buxheti i BE -së për vendet si Hungaria dhe Polonia mund të zvogëlohen ose fondet nga Fondet Strukturore të ngrihen. Mekanizmi i ri i shtetit të së drejtës është një shtesë e "procedurës së nenit 7 TBE". Parlamenti Europian është institucioni që mund të iniciojë mekanizmin parandalues ​​duke i kërkuar Këshillit të BE -së të përcaktojë nëse ekziston rreziku i shkeljes së vlerave të BE -së. Sanksioni më i ashpër në rast të një shkeljeje të rëndë dhe të vazhdueshme është pezullimi i të drejtave të votimit të shtetit anëtar. Përcaktimi i ekzistencës së një shkeljeje kërkon unanimitetin e krerëve të shteteve dhe qeverive ndërsa shteti anëtar në fjalë nuk merr pjesë në votime.

Gjithsesi ky implementimi i këtij mekanizmi nuk ka ndaluar që qeveria e Hungarisë të miratojë së fundmi një ligj për të ndaluar aksesin në përmbajtje të librave që përshkruajnë ose përhapin të ashtuquajturat "identitete të ndryshme nga gjinia e caktuar në lindje, ndryshimi gjinor ose homoseksualiteti" për personat nën moshën 18 vjeç, ose qeverinë polake për miratimin e rezolutës kundër aktiviteteve publike të organizuara nga komuniteti LGBTQI, veprime të cilat janë konsideruar nga Komisioni Europian diskriminuese ndaj minoriteteve dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Unionit, duke e detyruar këtë të fundit të fillojë procedurat ligjore kundër Hungarisë dhe Polonisë për shkeljen e të drejtave themelore të komunitetit LGBTQI (Komisioni Europian, 2021).

Se sa produktive ka për të qenë kjo procedurë mbetet për tu parë, por deri tani të gjitha veprimet e ndërmarra nga BE nuk kanë arritur rezultat. Një tjetër mekanizëm kontrollues i propozuar nga aktorë të rëndësishëm politikë të BE-së është ndërprerja e fondeve financiarë për këto qeveri. Për shumë vite, Bashkimi Europian, përmes fondeve të ndryshme, është përpjekur që vendet anëtare të lindjes t’i afrohen nivelit ekonomik të vendeve të vjetra anëtare. Por sipas Kelemen, këto fonde shpesh kanë ndihmuar rritjen e korrupsionit dhe klientelizmit në këto vende. Megjithatë, për të arritur pezullimin e fondeve të BE -së, nevojitet një vullnet politik, për të cilin aktualisht mungon unanimiteti i vendeve të tjera anëtare . Kjo ndodh sepse shumë shtete anëtare mendojnë se një ditë ky mekanizëm mund të përdoret edhe kundër tyre (Kelemen 2020, F: 490). Gjithashtu, presioni financiar mbi shtetet anëtare mund të shërbejë për të rritur më tej euro-skepticizmin dhe frymën nacionaliste në këto vende, duke forcuar më tej udhëheqësit autokratikë si Orban ose Kaczynski. Përkundër faktit se fondet europiane të zhvillimit mund të jenë keqpërdorur nga korrupsioni në Europën Lindore, sanksionimi ose kushtëzimi i tyre do të theksonte më tej diferencën ekonomike midis shteteve të ashtuquajtuara të reja anëtare dhe atyre të vjetra. Për më tepër, sanksionet nuk garantojnë mbrojtjen e parimeve demokratike, pasi në këtë mënyrë qeveria nuk goditet drejtpërdrejt, por përfituesit e programeve të BE -së të cilët nuk janë përgjegjës për sjelljen e gabuar të qeverisë. Drejtuesit aktualë të vendeve ku shkelen parimet e shtetit të së drejtës kanë arritur të krijojnë një frymë të tillë elektorale ku çështja në qendër është euro-skepticizmi dhe shkelja e sovranitetit nga BE. Nëse Bashkimi Europian do të kushtëzojë fondet financiare kundër këtyre vendeve, ka shumë të ngjarë që pozicionet e autokratëve të forcohen edhe më shumë dhe të krahasohen me ato të autokratëve në vende si Rusia dhe Turqia (Keleman 2017).

Konflikti i fundit midis Brukselit me Varshavën dhe Budapestin mund të rezervojë për të ardhmen të paktën në teori skenarë më radikale si vet-largimi i Hungarisë dhe Polonisë nga Unioni, edhe pse në praktikë kjo gjë konsiderohet e vështirë që të ndodhë. Por liderët e të dy vendeve anëtare deri më tani nuk kanë artikuluar në publik lëvizje të ngjashme si ato në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2016. Edhe sondazhet kanë treguar vazhdimisht se qytetarët e Hungarisë dhe Polonisë mbështesin qëndrimin në BE. Vetëm 39% e polakëve dhe 28% e hungarezëve besojnë se vendet e tyre mund të përballen më mirë në të ardhmen jashtë BE-së, sipas një studimi të Eurobarometrit 2020-2021 (Bayer et al. 2021). Kjo shifër edhe pse në minorancë është tregues i shkallës së lartë të Euroskepticizmit në këto vende, fenomen i cili ndihmon konsolidimin e pushtetit të Fidesz dhe PiS.

Nisur nga kjo dhe dështimet në raport me rritjen e autoritarizmit në këto shtete gjatë dekadës së fundit, Brukseli duhet të tregohet i kujdesshëm në strategjinë që ka për të ndjekur gjatë muajve të ardhshëm kundrejt Hungarisë dhe Polonisë.

 

Agri Hysenj, Stafi i Eurospeak, gusht 2021

 

 

REFERENCAT

 

·       Bayer Lili, & Wanat, Zosia (2021): 5 ways the EU’s democracy crisis could end. Politico.eu Retrieved from https://www.politico.eu/article/five-ways-the-eus-democracy-crisis-could-end/

·       Gera, V. (2016), ‘Polish Constitutional Court Strikes Down New Rules on Court

·       Europaeische Kommission  (2021): Grundwerte der EU: Kommission eröffnet Verfahren gegen Ungarn und Polen wegen Verletzung der Grundrechte von LGBTIQ

·       Freedom House. (2019). Freedom in the World 2019. Retrieved from https:// freedomhouse.org/sites/default/files/Feb2019_FH_FITW_2019_Report_ForWebcompressed.pdf

·       Halmai, Gabor, (2013) Ungarns Verfassungsgericht: Das Imperium schlägt zurück. Verfassungsblog

·       Kelemen, R. D., & Pech, L. (2019). Of red lines and red herring. Verfassungsblog

·       Kelemen, Daniel R, (2020) The European Union's authoritarian equilibrium, Journal of European Public Policy, 27:3, 481-499

·       Kelemen, Daniel R, (2017) Europe’s Other Democratic Deficit: National Authoritarianism in Europe’s Democratic Union

·       Scheppele, K. (2018). Autocratic legalism. University of Chicago Law Review, 85(2), 545–583

·       Schlipphak, Bernahrd & Treib, Olivier (2016): Playing the blame game on Brussels: the domestic political effects of EU interventions against democratic backsliding, Journal of European Public Policy

·       Sieradzka, Monika and Verseck, Keno, (2021):  Polens und Ungarns Veto gegen den EU-Haushalt: Ist es gerechtfertigt? Deutsche Welle. Retrieved from https://www.dw.com/de/polens-und-ungarns-veto-gegen-den-eu-haushalt-ist-es-gerechtfertigt/a-55788154

·       Tamas, Fabian,(2021)Orbán’s influence on the media is without rival in Hungary. Euractiv.com Retrieved from https://www.euractiv.com/section/digital/news/orbans-influence-on-the-media-is-without-rival-in-hungary/

·       Verseck, Keno, (2021): Was taugt der EU-Rechtsstaatsmechanismus? Deutsche Welle. Retrieved from https://www.dw.com/de/was-taugt-der-eu-rechtsstaatsmechanismus/a-56441093

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk