Vendet e Vishegradit paralajmërojnë një plan alternativ për trajtimin e krizës së refugjatëve

Vendet e Vishegradit paralajmërojnë një plan alternativ për trajtimin e krizës së refugjatëve

Në deklaratën e tyre të përbashkët vendet e V4 u shprehën se do të propozojnë masa alternative për rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor nëse dështojnë masat aktuale të propozuara nga Komisioni Europian për frenimin e valës migratore në kufijtë ndërmjet Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, duke i lënë si afat kohor samitin e 17 marsit. Gjithashtu, këto vende deklaruan se do t’i ofronin mbështetje Bullgarisë dhe Maqedonisë për të mbyllur dhe forcuar kufirin e tyre me Greqinë si masë për të frenuar fluksin e refugjatëve. Ata bënë thirrje për ngritjen e shpejtë të Rojes së Përbashkët Kufitare dhe Bregdetare Europiane si edhe për arritjen e rezultateve konkrete nga marrëveshja me Turqinë.

Plani B (alternativ) për Migracionin

Në përfundim të Samitit Kryeministri çek Sobotka theksoi se vendet e V4+2 ranë dakord për nevojën e zbatimit të marrëveshjes BE-Turqi, mbështetjen e përpjekjeve të Greqisë për të plotësuar kushtet e Shengenit. Por, në Samit u ra dakord dhe për nevojën e përgatitjes të një “Plani B” alternativ, për krijimin e nje kufiri Shengen rezervë në jug të Hungarisë. Sipas Sobotkas BE duhet të mbështesë më shumë Bullgarinë dhe Maqedoninë për zbatimin e masave të mbrojtjes së kufirit.

Kryeministrja polake Szydlo thekson se ky plan nuk është kundër ndonjë vendi të Bashkimit Europian, por kjo e fundit duhet të vendosë kontrollin mbi valën migratore. Ajo u shpreh se pret që Këshilli Europian të miratojë masa efektive në këtë drejtim dhe zgjidhja duhet të bazohet në një qëndrim të përbashkët.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban theksoi se në këtë valë migratore BE ka më shumë nevojë për V4 sesa në kohën kur këto vende u anëtarësuan në BE. “Hungaria mbështet plotësisht praninë e Bullgarisë në zonën Schengen, pasi ajo ka dëshmuar aftësi në mbrojtjen e kufijve të saj”-, shprehet Orban, i cili gjithashtu mbështet “një diskutim të arsyeshëm” për hyrjen e Maqedonisë në Union.

Presidenti maqedonas Ivanov u shpreh se barra që po mban vendi i tij në këtë krizë migratore është më e rëndë se ajo që po mbajnë disa vende të BE, me këtë rast ai kërkoi garanci ekonomike dhe politike nga BE për një zgjidhje që përfshin dhe Greqinë.

Kryeministri slovak Robert Fico hodhi poshtë kritikat që i ishin adresuar V4, për “mungesë solidariteti” dhe “qëndrim joeuropian” në krizën migratore, duke theksuar se V4 kishte evidentuar rreziqet e sigurisë muaj më parë, në një kohë kur politikanët europianë dëshmuan mungesë realizmi; prandaj V4 duhet të luajë një rol domethënës në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian.

Megjithatë disa ditë pas vizitës së Merkelit, në prag të Samitit V4+2, Ministri i Jashtëm çek, Zaoralek vizitoi Turqinë, Greqinë dhe Maqedoninë, ku ofroi ndihma logjistike për identifikimin e refugjatëve. Publikisht ai ripërmendi mundësinë e “Planit B, - një vije e re kontrolli në linjën Bullgari-Maqedoni, nëse Greqia dështon në vendosjen e kontrollit mbi valën migratore, megjithese, sipas tij, ishte ende shpejt të flitej për këtë “Plan B”.


Qëndrimi ndaj Integrimit Europian

Ky Samit, i mbajtur vetëm pak javë para takimit të Këshillit Europian, vlerësohet shumë i rëndësishëm për unifikimin e qëndrimeve të V4, përballë mundësisë së shfaqjes në horizont të një Europe me dy shpejtësi, e vendeve themeluese dhe vendeve të Europës Qëndrore që i janë bashkuar më vonë BE-së.

Ndryshe nga fryma që mbizotëron aktualisht në vendet themeluese të BE-së kundër procesit të zgjerimit, Samiti ritheksoi rëndësinë që V4 i kushton zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, që po dëshmojnë aftësi në përballimin e një peshe të konsiderueshme të valës migratore.

“Ne kemi mbështetur zgjerimin e BE-së, si një mjet për rritjen e hapësirës së stabilitetit dhe begatisë. Duhet konsideruar si një detyrë e jona morale, si vende që kanë përdorur mundësitë e krijuara nga anëtarësimi jonë, për të mbajtuar hapur dyert e BE-së për anëtarët e ardhshëm. Ne duam të vazhdojmë ofrimin e njohurive dhe përvojës tonë, të kontributit tonë financiar për transformimin e vendeve të tjera në tranzicion, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit Lindor”, thuhet në deklaratën Samitit të V4.

Përplasja me Merkel

Revista gjermane “Der Spiegel” shkruan se V4 me “Planin B” del kundër planit të Kancelares gjemane Merkel, që bazohet në bashkëpunimin me Turqinë. Mësohet se Merkel është shprehur kundër “një sistemi kufitar rezervë”, të hartuar nga vendet e Vishegradit, duke paralajmëruar Kryeministrin e Bullgarisë t’i referohet qëndrimit të BE-së në vend që të kërkojë zgjidhje alternative.

Mbetet për t’u parë nëse ky qëndrim i V4 do të reflektohet dhe në Këshillin Europian. Kujtojmë se në Këshillin Europian të mbajtur në shtator 2015, Polonia dhe Republika Çeke në çastet e fundit, ndryshuan qëndrim lidhur me rishpërndarjen e kuotave të emigrantëve mes vendeve anëtare të BE-së.

                                                                                                                               

Euractiv, shkurt 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk