Çfarë mësojmë nga reagimi i Bashkimit Europian gjatë procesit të Brexit?

Çfarë mësojmë nga reagimi i Bashkimit Europian gjatë procesit të Brexit?

Në vitet e fundit, Bashkimi Europian është përballur me shumë kriza dhe sfida që kanë vënë në pikëpyetje funksionalitetin, por edhe ekzistencën e tij. Nga kriza financiare tek kriza e migracionit, një nga sfidat kryesore mbetet padyshim Brexit. Si një rast i paprecedent, Brexit i referohet një fenomeni që nuk është parashikuar në traktatet e BE-së deri më 1 dhjetor 2009, shumë vite pas themelimit të Bashkimit Europian. Vota e 52% të popullsisë britanike për të lënë Bashkimin Europian, shpesh referohet si një tronditje (shock)  që solli në vëmendje dilema të ndryshme për Londrën, Brukselin por edhe pjesën tjetër të botës. Reagimi i menjëhershëm që passolli vota për tu larguar nga BE, ishte se Brexit do të replikohej edhe në vende të tjera anëtare, si një efekt domino, çka do të shkaktonte një shpërbërje të Bashkimit Europian.

Por cilat janë mësimet që mund të nxirren nga reagimi i BE-së gjatë procesit të Brexit? 

Pas Brexit, Bashkimi Europian filloi të shihej si nga perspektiva e 'integrimit', ashtu edhe nga perspektiva e 'shpërbërjes' (desintegrimit). Megjithatë, çka vihet re është se Bashkimi Europian në mënyrën se si e trajtoi kërcënimin real nga Brexit, reflekton një nivel tepër të lartë uniteti dhe kohezioni të të gjithë shteteve anëtare, çka ka ndikuar në integrimin e mëtejshëm të tij, ndryshe nga sa u parashikua në krye të herës, por ndryshe edhe në raport me mënyrën se si BE ka menaxhuar kriza të tjera në të shkuarën.

Rezultati i Brexit: Debati Integrim vs Desintegrim

Në vitet e fundit, debati për një desintegrim europian është rritur midis studiuesve, veçanërisht në frymën e disa krizave që kanë tronditur bazat e Bashkimit Europian. Manifestimet më të dukshme të këtij desintegrimi janë vënë re në disa fusha ku politikat janë prekur nga këto kriza. Sipas Schramm Brexit mund të konsiderohet si shenja më e qartë e desintegrimit europian(Schramm, 2019). Desintegrimi sjell rreziqe të larta politike dhe përbën një kërcënim për procesin e integrimit dhe projektit europian, pasi përmban shumë dinamika të panjohura dhe të pakontrollueshme, ashtu si në rastin e Brexit. Efekti i desintegrimit si pasojë e Brexit,  argumentohet edhe nga Krastev, i cili në librin e tij "Pas Europës" pohon se: "Nëse shpërbërja/desintegrimi i BE-së konsiderohej e paimagjinueshme, pas Brexit duket pothuajse e pashmangshme". Sidoqoftë, asnjë nga këto qëndrime nuk është provuar; ato kanë qenë thjesht reagimi i menjëhershëm i akademikëve, reagim i cili gjeti mbështetje të madhe edhe në media.

Uniteti dhe kohezioni i Bashkimit Europian gjatë Brexit

Debati për integrimin dhe desintegrimin europian fiton vëmendje të veçantë sidomos në kohë krizash. Menaxhimi i krizave të mëparshme si kriza e eurozones apo kriza e migracionit dhe interesat e ndryshëm të BE-së dhe vendeve anëtare të saj kishin hedhur bazat se nëse një krizë e ngjashme do të ndodhte në të ardhmen, një shpërbërje e BE-së do të ishte skenari më i mundshëm. Kështu, ngjarjet e kaluara kishin dhënë mjaft arsye për të pritur që do të ishte e vështirë për BE-në të ruante unitetin midis vendeve anëtare në trajtimin dhe menaxhimin e një rasti të tillë të paprecedent të një vendi anëtar që largohej nga blloku europian.

Sidoqoftë, qasja e BE-së ndaj Brexit tregon se Bashkimi Europian ishte i vendosur që një ngjarje e tillë nuk duhet të përkthehej në desintegrim të mëtejshëm. Përkundër shumë parashikimeve për efektin domino që do të sillte Brexit, shumë studiues kanë treguar se BE demonstroi një ndjenjë të jashtëzakonshme uniteti. Një unitet i tillë u tregua që nga fillimi, menjëherë pas votës për Brexit. Natyrisht, reagimi i menjëhershëm i BE-së do të ishte retorik, që do të thotë se uniteti i BE-së do të ishte i pranishëm në të gjitha deklaratat dhe komunikimet lidhur me rezultatin që solli referendumi në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Laffin diskutimet për Brexit kanë pasqyruar katër aspekte të rëndësishme të BE-së: së pari unitetin e saj, së dyti angazhimin për vazhdimësinë e BE-së, së treti konsiderimin e Mbretërisë së Bashkuar si një vend i tretë (ashtu si vendet kandidate) dhe jo me një pozicion ndryshe si një ish-anëtare e BE-së dhe së katërti referimin dhe nxjerrjen në pah të procedurës ligjore parashikuar në Traktatin e Lisbonës (neni 50) për largimin e shteteve anëtare (Laffin, 2019). 

Pavarësisht se uniteti në këtë drejtim erdhi si një surprizë, sipas Mc Tague, Këshilli Europian ishte përgatitur për një rezultat të tillë dhe presidenti i atëhershëm Tusk kishte lobuar me udhëheqësit e BE27** për të mbajtur një front të bashkuar pavarësisht rezultatit të referendumit (Mc Tague, 2019). Nga ana tjetër, u përpiluan paralelisht përgjigjet e BE-së për të dy skenarët: si për qëndrimin ashtu edhe për largimin e ishullit. Duke patur parasysh krizat e vazhdueshme që kanë vënë në pikëpyetje efektivitetin e Bashkimit Europian, ky i fundit e konsideroi Brexit si një mundësi për të treguar solidaritet dhe kohezion midis vendeve të saj anëtare në kohë të vështira (Caliandro, Simunjak 2020). Kjo qasje do ta vinte BE-në në një pozitë më të favorshme, qoftë në negociatat me Mbretërinë e Bashkuar, siç u provua, po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare në përgjithësi. Uniteti duket se ka mbetur me BE-në gjatë gjithë katër viteve të epokës pas Brexit. Kohët e fundit kjo është treguar edhe në deklaratat e kryenegociatorit Michel Barnier i cili, ka deklaruar se: "ky unitet i 27 shteteve anëtare dhe Parlamentit nuk është i rastësishëm, nuk ka rënë nga qielli, ne po punojmë çdo ditë për këtë".

Interesant është gjithashtu edhe studimi i Chopin i cili tregon se as afërsia apo interesat politike të vendeve anëtare me Mbretërinë e Bashkuar nuk ndikuan në unitetin e demonstruar nga BE, ndryshe nga sa ndodh gjatë procesit të pranimit të shteteve të reja kandidate, ku janë të zakonshme qëndrimet individuale të shteteve të caktuara***(Chopin, 2019). Përkundrazi, pavarësisht nga marrëdhëniet që secili prej vendeve anëtare kishte me Mbretërinë e Bashkuar****, shtetet e mbetura të BE-së treguan kohezion në tërësi, për të patur një pozicion të vetëm e të përbashkët në negociimin e çështjeve të tilla si (i) tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor; (ii) lëvizja e lirë e personave; (iii) kontributi britanik në buxhet etj. Ky reagim mendohet të ketë ardhur edhe me qëllimin për të “dënuar” vendin i cili po largohej nga BE dhe për të mos krijuar një precedent që mund të përsëritej në të ardhmen.

Por a është e vërtetë dhe e sinqertë kjo frymë uniteti dhe kohezioni? A do të vazhdojë ajo edhe pas Brexit?

Kur analizohen parashikimet në nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, mund të argumentohet deri diku se uniteti dhe kohezioni i shteteve anëtare u imponuan ligjerisht. Kuadri rregullator i siguron Këshillit Europian autoritetin për të negociiuar me shtetin i cili dëshiron të largohet dhe jo shteteve anëtare individuale. Në këtë drejtim, mungesa e unitetit drejt negociatave me një palë të tretë nuk do të ishte një mundësi reale. Sidoqoftë, në të ardhmen, kohezioni i BE-së mbetet për t'u studiuar, dhe nëse një unitet i tillë vazhdon do të matet duke marrë në konsideratë se si do të jetë Mbretëria e Bashkuar jashtë bllokut europian, apo se si do të performojë BE pa një shtet anëtar shumë të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, etj. Përveç kësaj, argumentohet se për momentin, BE reflekton stabilitet nga krizat që ka kaluar. Sidoqoftë, përkundër stabilizimit të këtyre krizave, sipas Webber BE nuk ka arritur të krijojë instrumente që do të sillnin një zgjidhje të qëndrueshme për to, duke çuar më tej argumentin e saj se nëse kriza të tilla ndodhin përsëri, e cila ka shumë të ngjarë, ose nëse kriza të reja shpërthejnë, atëherë do të ketë një ndjenjë të shtuar anti-europiane që do ta bëjë Brexit përsëri të dukshëm dhe do të inkurajojë largime të tjera nga BE, duke imponuar kështu një natyrë tjetër të bashkëpunimit midis vendeve anëtare (Webber, 2020).

Brexit dhe opinioni publik në BE27

Ashtu si uniteti i BE27 në nivel qeveritar nuk ishte parashikuar pas Brexit, një aspekt tjetër i rëndësishëm që ishte parashikuar gabimisht ishte ndikimi që Brexit do të kishte në opinionin publik. Një rritje e euroskepticizmit, kërkesat për referendume të ngjashme dhe mungesa e mbështetjes për BE-në do të ishin rezultatet e Brexit në opinionin publik të vendeve të tjera anëtare. Sidoqoftë, çuditërisht, ky nuk ishte skenari që ndodhi. Në studimin e kryer nga Stephanie Walter mbi "Si i shikon publiku i BE-27 negociatat për Brexit", të dhënat tregojnë se opinioni publik në vendet anëtare mbështet qasjen e BE-së në negociatat e Brexit. Për Chopin ky reagim është një rezultat logjik duke marrë parasysh që qeveritë, elitat dhe partitë politike ndikojnë në mënyrën se si opinioni publik e percepton BE-në (Chopin, 2019). Prandaj, në periudhën pas Brexit, qasja publike ka qenë në të njëjtën linjë me atë të qeverive, për të pasqyruar një pozicion të kundërt me Brexit dhe për të rritur mbështetjen për Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, sondazhet e kryera pas referendumit britanik tregojnë se opinioni publik në të gjitha vendet anëtare është në favor të anëtarësimit dhe integrimit në BE, përfshirë  edhe opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar (Bertelsmann Stiftung, 2016). Për më tepër, në sondazhet e fundit nga Eurobarometer për të ardhmen e Europës, të kryera në korrik-gusht 2020 (Fig 1), 60% e të anketuarve pasqyrojnë optimizëm në lidhje me të ardhmen e Europës, duke treguar një rritje pozitive krahasuar me periudha të mëparshme, sidomos në krahasim me mendimin për të ardhmen e Europës që publiku kishte në 2016 kur u bë referendumi për Brexit. Nga ana tjetër, pesimizmi ndaj së ardhmes së Europës mbeti më i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit, me një përqindje të lartë pesimizmi pikërisht në vitin 2016.

 

Fig 1: Opinioni publik në 27 vendet anëtare mbi të ardhmen e BE-së (Verë 2020)

Përfundime:

Duke e konsideruar si një fenomen të paprecedent, Brexit ka fituar vëmendjen për ndikimin e tij edhe nga perspektiva e BE-së dhe jo vetëm nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Kështu, ai ka inkurajuar debatin nëse do të kontribuonte në integrimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian ose shpërbërjen e mundshme të tij për shkak të efekteve që mund të kishte largimi i një vendi anëtar në të ardhmen. Duke u përqëndruar në reagimin e 27 vendeve anëtare ndaj Brexit, ne mund të arrijmë në përfundimin se një mësim i qartë që dikush nxjerr nga BE27 është uniteti dhe kohezioni i jashtëzakonshëm që ka treguar, duke reflektuar në një formë të unifikuar interesat e përbashkëta të të gjitha vendeve anëtare të mbetura me synimin për të siguruar dhe mbrojtur integritetin e tregut të përbashkët - atë për të cilin u krijua dhe qëndron projekti europian.

Uniteti i BE27 ka qenë i qëndrueshëm dhe i demonstruar në nivel retorik dhe në praktikë, në nivel qeveritar dhe mes qytetarëve europianë. Në këtë drejtim, parashikimet mbi efektin domino që do të kishte Brexit, si për largimet e mundshme të vendeve të tjera anëtare, por edhe për rritjen e euroskeptizmit, kanë rënë poshtë. Mbështetja e publikut ndaj BE dhe të ardhmes së saj ka pësuar një rritje, veçanërisht pas referendumit për Brexit. Për këtë qëllim, uniteti i Bashkimit Europian gjatë negociatave për Brexit gjen mbështetje të përgjithshme nga opinioni publik që nënkupton një front të unifikuar në të dy nivelet, atë qeveritar dhe në nivelin e qytetarëve.

 

Rovena Vuksani, qershor 2021

*Rovena Vuksani ka studiuar Drejtësi, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, si dhe në Masaryk University në Republikën Ҫeke si përfituese e bursës Erasmus+, financuar nga Komisioni Europian. Pas një eksperience profesionale pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, aktualisht ajo është studente në London School of Economics and Political Science (LSE), ku po studion në nivel master për Politika Publike Europiane dhe Ndërkombëtare (European and International Public Policy). Gjatë periudhës së studimeve universitare është angazhuar në aktivitete të ndryshme ekstrakurrikulare si trajnime, konferenca, forume, si dhe praktika profesionale.

 

**BE27 është një akronim referuar shteteve të Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar

***Për shembull në rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të zakonshme janë deklaratet e shteteve si Hollanda, Franca, Gjermania dhe jo vetëm të Komisionit apo Këshiliit Evropian

****Si psh Gjermania në aspektin ekonomik, apo Malta e Qipro në aspektin ideologjik

 

Referenca:

Laffan, B. (2019) How the EU27 Came to Be. JCMS: Journal of Common Market Studies

Leruth, B., Gänzle, S., and Trondal, J. (2019) Differentiated Integration and Disintegration in the EU after Brexit: Risks versus Opportunities. JCMS: Journal of Common Market Studies

Thierry Chopin & Christian Lequesne (2020) Disintegration reversed: Brexit and the cohesiveness of the EU27, Journal of Contemporary European Studies

Frank Schimmelfennig (2018) Brexit: differentiated disintegration in the European Union, Journal of European Public Policy, 25:8, 1154-1173

Jensen, M. D., and Kelstrup, J. D. (2019) House United, House Divided: Explaining the EU's Unity in the Brexit Negotiations. JCMS: Journal of Common Market Studies

Matague, T. (2019), How the UK lost the Brexit battle

Šimunjak M, Caliandro A. Framing #Brexit on Twitter: The EU 27’s lesson in message discipline? The British Journal of Politics and International Relations. 2020;22(3):439-459.

Hocaoğlu Bahadır, N . (2020). European Union's Solidarity, Unity in Diversity and Free Movemennt in the Coronavirus Crisis . Gaziantep University Journal of Social Sciences , 19 (COVID-19 Special Issue) , 671-686 . DOI: 10.21547/jss.784414

Guerra, S. (2020). Brexit: The EU27’s Momentary Lapse of Unity. Political Insight11(2), 34–36. 

Schnapper, Pauline. (2017). Brexit and the Risk of European Disintegration.

Krastev, I. (2017). After Europe.

Webber, D. (2020) Why Brexit has not and will not trigger EU disintegration: https://theconversation.com/why-brexit-has-not-and-will-not-trigger-eu-disintegration-130719

Standard Eurobarometer 93 – Summer 2020 “Public opinion in the European Union, First results" https://ec.europa.eu/commfrontoffice/publicopinion/index.cfm

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk