Kriza e migracionit: rregullorja e re europiane e kthimit dhe modeli shqiptar

Kriza e migracionit: rregullorja e re europiane e kthimit dhe modeli shqiptar

Viti 2026 erdhi me shumë sfida në arenën botërore, përsa i përket të drejtës ndërkombëtare, luftrave, energjisë, migracionit, etj. Sfida të mëdha e presin dhe Bashkimin Europian, ndërsa Pakti i ri për Migracionin dhe Azilin hyn në fuqi në qershor të këtij viti. Ky pakt, i prezantuar nga Komisioni Europian më 23 shtator 2020, synon të menaxhojë më me efikasitet të ashtuquajturën “kriza e refugjatëve” që pati kulmin e saj në vitin 2015. Pakti ka për qëllim të zvogëlojë konfliktin që ka përfshirë në mënyrë të përsëritur shtetet anëtare të BE-së, përmes: (1) një sistemi më të qartë rregullash për azilantët, (2) monitorimit të rreptë, (3) krijimit të mekanizmave të solidaritetit për ndarjen e barrës së kërkesave për azil mes shteteve anëtare. Me gjithë vullnetin e mirë të institucioneve të BE-së, ky pakt ka disa mangësi. Sistemi i solidaritetit nuk është efektiv, pasi duket e mundshme që shumica e vendeve anëtare do të zgjedhin solidaritetin financiar në vend të pranimit të azilkërkuesve në territorin e tyre. Shumë organizata të të drejtave të njeriut kanë ngritur alarmin se rregullat e reja rrezikojnë ta bëjnë menaxhimin e flukseve migratore më të vështirë për refugjatët, të cilët do mbyllen në vende të izoluara për një kohë të gjatë, ndërsa kërkesat e tyre të shqyrtohen. Emigrantët do të monitorohen dhe survejohen dhe nëse kërkesat e tyre nuk do të aprovohen, mund të dërgohen në një “vend të tretë të sigurt” (Kosho, 2024). Si përgjigje ndaj kritikave të organizatave të ndryshme, por edhe presionit të shumicës nga vendet anëtare, Komisioni Europian, në mars 2025, propozoi një qasje të përbashkët ndaj kthimeve të emigrantëve të paligjshëm. E konsideruar si ‘pika që mungonte’ e paktit të migracionit, kjo qasje e re, lejon krijimin e ‘qendrave të kthimit’, në vendet që nuk janë anëtare të BE-së, për të menaxhuar flukset e emigrantëve, të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil, ose që nuk kanë të drejtë ligjore për të qëndruar në union (Euroactiv, dhjetor 2025).

Por, çfarë janë saktësisht qendrat e kthimit dhe si inkuadrohen ato në politikat e Bashkimit Europian mbi migracionin, si dhe strategjisë së eksternalizimit?


1. Rregulli i ri europian mbi migracionin: qendrat e kthimit


Qendrat e kthimit janë pjesë e politikës së BE-së për kthimin e azilkërkuesve, propozuar në mars 2025 nga Komisioni Europian. Kjo politikë krijon një zgjidhje të re për kthimin e individëve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE dhe për të cilët është marrë një vendim përfundimtar kthimi, për t’u dërguar ‘në një vend të tretë të sigurt’, bazuar në një marrëveshje të lidhur mes BE-së dhe vendit të destinacionit. Një marrëveshje ose rregullim i tillë, mund të lidhet me një vend të tretë që respekton standardet dhe parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e mos-kthimit (Komisioni Europian, maj 2025). Rregullorja e kthimit do të prezantojë një Urdhër Europian Kthimi (European Return Order - ERO), një formular të cilin shtetet anëtare do ta përdorin për të prezantuar vendimin e kthimit të emigrantëve të paligjshëm. Vendet anëtare do të duhet ta integrojnë ERO-n në Sistemin e Informacionit Shengen - sistemin e ndarjes së informacionit për sigurinë dhe menaxhimin e kufijve në BE. Këto rregulla, mendohet se do të lehtësojnë njohjen e ndërsjelltë, pasi shtetet anëtare do të kenë informacionin e nevojshëm për të njohur vendimin e kthimit të një shteti tjetër anëtar. Nëse një person, i cili është urdhëruar të largohet nga BE-ja, zhvendoset në një shtet tjetër anëtar, ai vend do të jetë në gjendje të zbatojë drejtpërdrejt vendimin e kthimit të lëshuar nga shteti i parë anëtar, bazuar në Urdhrin Europian të Kthimit (Këshilli i BE-së, 8 dhjetor 2025).

Rregullat e reja janë edhe më strikte dhe të ashpra se më parë, kjo dhe si pasojë e presionit të madh nga shumë shtete anëtare. Një grup vendesh të BE-së i bënë thirrje Komisionit Europian që të realizojë shpejt të ashtuquajturat ‘zgjidhje inovative’ për migracionin, duke përfshirë qendrat e kthimit jashtë Bashkimit Europian për azilkërkuesit e refuzuar. Në një letër të përbashkët të datës 15 dhjetor 2025, ministrat nga 19 vende të BE-së, i kërkuan Komisionit që të zhvillojë një kornizë të qartë financimi për të mbështetur nisma të tilla (InfoMigrants, dhjetor 2025). Rregullat e reja konsistojnë në:

• Hapjen e qendrave jashtë kufijve të Bashkimit Europian, ku do të dërgohen migrantët, kërkesat për azil të të cilëve janë refuzuar; këto janë të ashtuquajturat ‘qendra kthimi’.

• Dënime më të ashpra për emigrantët që refuzojnë të largohen nga territori europian, duke përfshirë edhe periudha më të gjata ndalimi.

• Dërgimin e migrantëve në shtete që nuk janë vendet e tyre të origjinës, por që Europa i konsideron si ‘vende të treta të sigurta’.

Ministrat e BE-së kanë rënë dakord të caktojnë Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë si vende të sigurta origjine. Të gjithë kandidatët për anëtarësim në BE, përgjithësisht i plotësojnë kriteret për klasifikim si vende të sigurta origjine. Megjithatë, ka përjashtime, si kur një vend është në luftë - siç është aktualisht rasti i Ukrainës - ose kur ekzistojnë sanksione ndaj vendit nga shtetet anëtare të BE-së. Shtetet anëtare të unionit ranë dakord gjithashtu për ndryshime në konceptin e ‘vendeve të treta të sigurta’. Në kundërshtim me rregullat e përcaktuara më parë, një lidhje e drejtpërdrejtë midis azilkërkuesit dhe vendit të tretë të sigurt nuk do të kërkohet më. Një vend i tretë kategorizohet si i sigurt, në rastin kur me të ekziston një marrëveshje që respekton standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Koncepti i ‘vendit të tretë të sigurt’ u lejon shteteve anëtare të BE-së të refuzojnë një kërkesë për azil si të papranueshme (domethënë pa shqyrtuar thelbin e saj) kur azilkërkuesit mund të kishin kërkuar - dhe nëse plotësonin kriteret - të merrnin mbrojtje ndërkombëtare në një vend jashtë BE-së që konsiderohet i sigurt për ta (Këshilli i BE-së, dhjetor 2025).

Sa efektiv pritet të jetë rregulli i ri i politikave europiane të kthimit? A i adreson ai shqetësimet e grupeve të ndryshme të interesit, apo thjesht pasqyron kërkesat dhe presionin e vendeve anëtare të BE-së?

Grupet për të drejtat e emigrantëve dhe organizatat humanitare e kanë kritikuar rregullin e ri të kthimit, duke paralajmëruar se qendrat e kthimit dhe kontrollet e eksternalizuara të migracionit mund të dëmtojnë të drejtat për azil, si dhe të dobësojnë mbrojtjet për njerëzit që përballen me kthimin (Mellersh, dhjetor 2025). Shoqëria civile e denoncoi rregulloren e kthimit dhe e konsideroi të rrezikshëm. "Ky propozim i ri mbart shenjat dalluese të një shteti policor", paralajmëroi Silvia Carta, nga Platforma për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Personat e Padokumentuar (Euroactiv, dhjetor 2025).

Studjuesit në fushën e migracionit, Zeynep Şahin Mencütek dhe Soner Barthoma, në shkrimin e tyre ‘Why the EU’s migrant 'return hubs' are doomed to fail’, shpjegojnë pse ky plan nuk do të funksionojë. Sipas tyre, qasja e re e BE-së nuk arrin të trajtojë problematikën se si shtetet anëtare do të zbatojnë masat mbrojtëse në praktikë. Sipas këtij urdhri kthimi, shtetet anëtare dhe Frontex rrezikojnë të shkelin të drejtat e njeriut gjatë transferimit të të kthyerve në qendrat e përcaktuara. Kjo sepse qendrat e kthimit kanë gjasa të aplikojnë masa të rrepta kontrolli dhe kufizimi, të cilat shpesh shkelin të drejtat e njeriut. Sipas dy studjuesve, marrëveshje të tilla dëmtojnë besueshmërinë e BE-së. Hulumtimi i Mencütek dhe Barthoma mbi kthimet e azilkërkuesve, evidenton rrezikun e mundshëm që marrëveshjet e vendeve të treta të krijojnë efekte anësore negative. Këto efekte përfshijnë forcimin e korrupsionit ose shndërrimin në mundësi gjenerimi të të ardhurave për aktorë të shumtë shtetërorë dhe jo-shtetërorë (Mencütek & Barthoma, 2025).

Analistja e çështjeve të migracionit, Gaia Mastrosanti, eksperte në Institutin Italian për Studime Politike Ndërkombëtare, mendon se nisma e BE-së për qendrat e kthimit dhe vendet e treta të sigurta, nuk përmbush ‘zgjidhjet inovative’ që unioni ka nevojë aktualisht. Sipas saj, këto politika rrezikojnë të fragmentojnë në vend që të unifikojnë qasjen e BE-së, duke institucionalizuar praktikat konfliktuale, në vend që të nxisin kohezionin. Qendrat e kthimit mund të bëhen objekt i llojit të solidaritetit që shtetet anëtare zgjedhin të ofrojnë sipas Paktit të Ri, duke mos marrë përgjegjësi reale për të ndarë barrën e azilkërkuesve. Dhe më e rëndësishmja për Mastrosantin, ka të bëjë me faktin se këto rregulla nuk adresojnë sfidën kryesore: krijimin e një bashkëpunimi kuptimplotë dhe të qëndrueshëm me vendet e treta, i cili mbetet thelbësor për suksesin e çdo politike kthimi. Sipas analistes italiane, nëse BE-ja nuk mund të sigurojë partneritete të qëndrueshme me vendet e origjinës, qendrat e kthimit rrezikojnë të bëhen më shumë një simbol politik sesa një zgjidhje praktike (Mastrosanti, 2025).

Një tjetër zë kundër rregullores së re të kthimit, është dhe ai i gazetarëve europianë dhe globalë. Federata Europiane e Gazetarëve, bashkë me disa organizata ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, i bëjnë thirrje BE-së që të rishqyrtojë menjëherë efektet e mundshme negative të politikave të saj të kthimit, si dhe t'i japë përparësi mbrojtjes së atyre që kërkojnë azil sepse rrezikojnë persekutimin në vendet e tyre të origjinës. Sipas tyre, politika e re e kthimit e BE-së mund të rrezikojë jetën e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut që jetojnë në mërgim. Si e tillë, ajo minon parimet dhe vlerat themelore, mbi të cilat BE-ja është ndërtuar dhe pretendon se i mbron përmes politikave të saj (Federata Europiane e Gazetarëve, dhjetor 2025). 


2. Qendrat e kthimit dhe modeli ‘shqiptar’: një zgjidhje apo një devijim?


Marrëveshja e migracionit mes Italisë dhe Shqipërisë, e nënshkruar nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu shqiptar Edi Rama në nëntor 2023, ka si qëllim transferimin e barrës së azilkërkuesve, në shenjë solidariteti mes dy vendeve. Marrëveshja u konsiderua nga liderët kryesorë të BE-së, si një model i mundshëm për politikën europiane të migracionit; e megjithatë, kjo marrëveshje është përballur me sfida të konsiderueshme ligjore dhe me një shqetësim të rritje nga organizatat e të drejtave të njeriut. ‘Qendrat e kthimit’ të paktit të migracionit të BE-së dhe marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë kanë të përbashkët përpunimin e kërkesave për azil jashtë kufijve të BE-së, për të përshpejtuar kthimet dhe për të reduktuar barrën nga shtetet që përballen të parat me flukset migratore, edhe pse ndryshojnë në një aspekt: azilkërkuesit që do dërgoheshin në qendrat shqiptare, nuk e kishin marrë akoma përgjigjen për kërkesat e tyre; me fjalë të tjera, do qëndronin në këto qendra derisa kërkesat e tyre të shqyrtoheshin; ndërsa qendrat e kthimit, si qasje e re e politikave europiane të azilit, janë të vlefshme për ata azilkërkues, të cilëve u është refuzuar në mënyrë të prerë qëndrimi në BE, por që mund të dërgohen në një vend të tretë të sigurt. Sidoqoftë, duke shqyrtuar shkrimet, njoftimet për shtyp dhe analizat e shumta që po i bëhen rastit, i ashtuquajturi ‘modeli shqiptar’, apo siç e kam cilësuar në një studim të mëparshëm, pakti Rama-Meloni (Kosho, 2025), duket sikur ka frymëzuar qasjet e reja të liderëve të BE-së lidhur me qendrat e kthimit. Pakti Rama-Meloni, i lejon Italisë të krijojë dhe të operojë qendra migracioni brenda Shqipërisë, që do jenë nën juridiksionin italian dhe që do strehojnë deri në 3000 azilkërkues. Kjo është një formë e re eksternalizimi, pasi synon të parandalojë aksesin e migrantëve në territorin e BE-së dhe mbështetet në bashkëpunimin me një vend të tretë.

Marrëveshja mes Kryeministrit të Shqipërisë dhe homologes së tij italiane, është parë si problematike, duke krijuar debate pro dhe kundër, në shumë qarqe politike, juridike dhe në fushën e të drejtave të njeriut, si në nivel rajonal dhe europian (AP, BiEPAG, The Guardian, 2024). Disa aktorë të rëndësishëm politikë, si Kryeministri britanik, apo Kancelari gjerman, e kanë mbështetur këtë marrëveshje, duke kërkuar që vendet e tjera ta zgjerojnë këtë skemë solidariteti (Euronews, 2023; The Guardian, 2024). Por, nga ana tjetër, të gjitha organizatat e të drejtave të njeriut dhe shumë qarqe politike italiane dhe shqiptare, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për legjitimitetin dhe koston financiare të kësaj përpjekjeje. Agjencia e OKB-së për refugjatët ka ngritur shqetësime në lidhje me cënimin e mundshëm të të drejtave të njeriut, ndërsa opozita në Itali i ka quajtur qendrat si "Guantanamo e Italisë" (InfoMigrants, 2024). Sipas Inga Agatha Broerse (Vrije Universiteit), zhvendosja e azilkërkuesve në qendra ndalimi, në një shtet tjetër (jo-anëtar të BE-së) me qëllim përcaktimin e statusit të tyre atje, mund të konsiderohet si formë kulminante e kontrollit të migracionit të jashtëm. Ajo ngre zërin se kjo qasje politike mund t'i ‘lërë refugjatët përtej fushës së drejtësisë’ dhe të krijojë ‘zona pa të drejta’ jashtë territorit të shtetit të strehimit (Broerse, 2024: 10-12).

Studjuesit Eva Baluganti dhe Francesco Ferri, në analizën e tyre “The ‘Albanian Model’ and the ‘Return Hubs’”, shtrojnë disa shqetësime mbi Rregulloren e re të Kthimit dhe për marrëveshje të ngjashme me paktin Rama-Meloni. Sipas tyre, në muajt që çuan në propozimin e ri të Komisionit Europian për qendrat e kthimit, modeli Itali-Shqipëri u përmend vazhdimisht si shembull. Pavarësisht kritikave dhe dështimeve të shumta të modelit shqiptar, Komisioni Europian e ka mbështetur planin dhe ka theksuar rëndësinë e gjetjes së të ashtuquajturave zgjidhje 'inovative' për menaxhimin e migracionit. Dy studjuesit theksojnë se modeli shqiptar dhe rregullorja e kthimit janë mjete të krijuara për të qeverisur flukset e migrantëve jashtë garancive të zakonshme ligjore. Në këtë rast, eksternalizimi përdoret si një mjet për zhvendosjen e njerëzve dhe përgjegjësive diku tjetër, duke u dhënë mundësinë shteteve anëtare të paraqiten si subjekte neutrale, ndërsa i shkarkojnë pasojat e politikave të tyre në territore të tjera. Baluganti dhe Ferri sjellin në kujtesë se, kur u prezantua propozimi për Rregulloren e Kthimit, Komisioneri për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, përsëriti me vendosmëri se qendrat e kthimit nuk janë aspak si qendrat në Shqipëri, sepse ato nuk do të jenë qendra për përpunim të eksternalizuar, por vende për të dërguar ata që tashmë kanë marrë një vendim kthimi. Por, qeveria italiane miratoi një ligj që dha miratimin për transferimin në Gjadër të migrantëve që mbaheshin tashmë në Qendrat Italiane të Përhershme për Riatdhesim (CPR). Nëse paralelet midis propozimit të Komisionit dhe modelit të Shqipërisë ishin tashmë të dukshme, pas vendimit të fundit të qeverisë italiane, të dy rastet duken edhe më të përafërta (Baluganti & Ferri, 2025).

 Nga analiza e disa artikujve, raporteve, deklaratave dhe reportazheve në mediat kryesore në nivel lokal dhe ndërkombëtar, mbi paktin Rama-Meloni (nëntor 2023 – shkurt 2025), kam vërejtur se media globale ka qenë përgjithësisht e balancuar në mbulimin e paktit dhe e pasojave të tij. Media europiane ishte më e angazhuar, duke krijuar disa polarizime midis palëve në favor të marrëveshjes dhe atyre që ishin kundër saj. Mediat italiane ishin më të shqetësuara për faturat financiare të paktit dhe kuadrin ligjor; ndërkohë që mediat shqiptare ishin të interesuara për ndikimin që kjo marrëveshje do të kishte tek siguria e njerëzve që jetojnë pranë kampeve, manovrimet politike prapa skenave dhe koston njerëzore të këtij eksperimenti human dhe politik (Kosho, 2025: 83-84).


Përfundime


Qasja e re europiane e kthimit është pjesë kyçe e paktit të BE-së për migracionin, me synim përshpejtimin e deportimeve të migrantëve pa të drejtë qëndrimi, duke krijuar një kornizë të përbashkët me rregulla më të ashpra, ndalim më të gjatë dhe marrëveshje me vendet jo-anëtare të BE-së, duke iu përgjigjur presionit të shteteve anëtare për kontroll më të rreptë dhe norma më të larta kthimi. Regullat e reja konsistojnë në: (1) hapjen e ‘qendrave të kthimit’ jashtë kufijve të Bashkimit Europian, ku do të dërgohen migrantët, kërkesat për azil të të cilëve janë refuzuar; (2) dënime më të ashpra për emigrantët që refuzojnë të largohen nga territori europian, duke përfshirë dhe periudha më të gjata ndalimi; (3) dërgimin e migrantëve në shtete që nuk janë vendet e tyre të origjinës, por që unioni i konsideron si "vende të treta të sigurta"; (4) aplikimin e Urdhrit Europian të Kthimit (ERO), i cili siguron që shtetet anëtare të njohin urdhrat e deportimit të njëri-tjetrit, duke lehtësuar zbatimin ndërkufitar. 

Rregullorja e re e BE-së për kthimin e azilkërkuesve dhe qendrat e kthimit, po përballen me kritika të konsiderueshme, sepse shfaqin mangësi të dukshme, në lidhje me të drejtat e njeriut, fizibilitetin praktik dhe efektivitetin e dyshimtë. Pakti Europian i Migracionit dhe Azilit shihet nga BE-ja si një mjet kyç për menaxhimin e migracionit, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut e shohin atë si një hap të rrezikshëm që mund të mos e zgjidhë krizën e migracionit, por të krijojë probleme të reja humanitare. Rregullorja e re është e diskutueshme dhe problematike, me mbështetësit që shpresojnë se do shtojë numrin e kthimeve dhe do reduktojë kostot për shtetet anëtare, si dhe me kritikët që u tremben një krize të re humanitare.

Ideja për ndërtimin e qendrave të kthimit në vendet jashtë kufijve të unionit, duket se është frymëzuar nga modeli shqiptar, apo ndryshe nga pakti Rama-Meloni. Marrëveshja e shumë diskutuar dhe kritikuar mes Italisë dhe Shqipërisë, bëri të mundur krijimin në territorin shqiptar të dy qendrave për dërgimin e azilkërkuesve që mbërrinin në brigjet e Italisë, në formë solidariteti mes këtyre vendeve, por edhe si një përgjigje ndaj mungesës së solidaritet mes shteteve anëtare të BE-së, për ndarjen e barrës së emigrantëve. I ashtuquajturi ‘modeli shqiptar’ duket se ka shumë të përbashkëta me ‘qendrat e kthimit’, që parashikohen në qasjen e re të unionit për zgjidhjen e problemeve të BE-së, jashtë kufijve të saj. Studjues dhe akademikë të ndryshëm të ligjit, medias apo të drejtave të njeriut, janë skeptikë për qasjen e re europiane, duke parashikuar dështimin e saj. Të zgjidhësh krizën e migracionit, duke e postuar problemin nga vetja, drejt qendrave të kthimit jashtë kufijve të BE-së, apo drejt vendeve të treta të sigurta, është një qasje e rrezikuar të dështojë. 


                                                                                                                 Joana Kosho, mars 2026                                                                                                                                  


*Joana Kosho është doktore shkencash në ‘Studime europiane dhe integrim europian’. Ajo është pedagoge e komunikimit dhe medias në universitetet ‘A. Xhuvani’ dhe ‘A. Moisiu’. Joana ka botuar disa tekste universitare, monografi, si dhe një numër të konsiderueshëm studimesh shkencore në fushën e medias, migracionit, genderit, studimeve europiane, opinionit publik, etj. Ajo është bërë pjesë e disa projekteve kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare me fokus migracionin dhe median.



Referencat


Baluganti, E. & Ferri, F. (qershor 2025). The ‘Albanian Model’ and the ‘Return Hubs’: Different Configurations of a Common Strategy. ActionAid International Italia; https://actionaid.org/sites/default/files/publications/Italy-Albania%20analysis_ENG%20version.pdf

Broerse, I.A. (2024). The Italy-Albania Agreement: externalizing asylum procedures in violation of human rights. Migration Law Series, Amsterdam Centre of Migration and Refugee Law. 10.71881/51abe5cb-92a2-4de9-8395-9323bdc7f75c

Euronews, (2023). Albania to host migrants arriving to Italy pending processing of asylum applications; https://www.euronews.com/2023/11/07/albania-to-host-migrants-arriving-to-italy-pending-processing-of-asylum-applications

European Federation of Journalists, (dhjetor 2025). EU’s dangerous ‘Return Hubs’ policy: a threat to journalists in exile; https://europeanjournalists.org/blog/2025/12/12/eus-dangerous-return-hubs-policy-a-threat-to-journalists-in-exile/

European Newsroom, (dhjetor 2025). Solidarity and deportation: EU moves to get a grip on migration as pressure mounts. ENR Key Story; https://europeannewsroom.com/solidarity-and-deportation-eu-moves-to-get-a-grip-on-migration-as-pressure-mounts/

Heinikoski, S. (prill 2025). Reforming EU return policy. Proposed tools appear counterproductive for the Union’s external relations. Briefing Paper 411. Finnish Institute of International Affair; https://fiia.fi/wp-content/uploads/2025/04/BP411_EU-return-policy.pdf

InfoMigrants, (2024). What is the Italy-Albania deal on migration?; https://www.infomigrants.net/fr/post/59313/what-is-the-italyalbania-deal-on-migration

Ionta, N. (dhjetor 2025). The three files rewriting the EU’s asylum rulebook and what they mean. Euractiv; https://www.euractiv.com/news/the-three-files-rewriting-the-eus-asylum-rulebook-and-what-they-mean/

Komisioni Europian, (maj 2025). An effective, firm and fair EU return and readmission policy. Migration and Home Affairs; https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/migration-and-asylum/irregular-migration-and-return/effective-firm-and-fair-eu-return-and-readmission-policy_en

Komisioni Europian, (mars 2025). New Common European System for Returns. Directorate-General for Migration and Home Affairs; https://home-affairs.ec.europa.eu/news/new-common-european-system-returns-2025-03-11_en

Kosho, J. (2024). Pakti i ri i Migracionit dhe Azilit, një zgjidhje për krizën e emigrantëve? EuroSpeak. https://www.eurospeak.al/news/dossier/pakti-migrimit-dhe-azilit/

Kosho, J. (2025). Solidarity and the EU Migration Crisis: Rama–Meloni Pact through the Media Lens. Institute of Criminological and Sociological Research, Vol. 44. 1–2, 73–88. DOI: 10.47152/ziksi2025124

Këshilli i Bashkimit Europian, (dhjetor 2025). Council clinches deal on EU law about returns of illegally staying third-country nationals. Press Release; https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2025/12/08/council-clinches-deal-on-eu-law-about-returns-of-illegally-staying-third-country-nationals/pdf/

Mastrosanti, G. (nëntor 2025). How Return Hubs Became Europe’s Answer to the Migration Return Challenge. Italian Institute for International Political Studies; https://www.ispionline.it/en/publication/how-return-hubs-became-europes-answer-to-the-migration-return-challenge-224644

Mellersh, N. (dhjetor 2025). EU states press Commission to fund 'return hubs' outside the bloc. InfoMigrants; https://www.infomigrants.net/en/post/68783/eu-states-press-commission-to-fund-return-hubs-outside-the-bloc

Mencütek, Z.S. & Barthoma, S. (2025). Why the EU’s migrant 'return hubs' are doomed to fail. The Loop; https://theloop.ecpr.eu/why-the-eus-migrant-return-hubs-are-doomed-to-fail/

The Guardian, (2024). Blow to Meloni’s Albania deal as court orders asylum seekers’ return to Italy; https://www.theguardian.com/world/2024/oct/18/blow-to-melonis-albania-deal-as-court-orders-asylum-seekers-return-to-italy






1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk