Zgjedhjet presidenciale në SHBA, impakti në ekonominë globale dhe atë europiane

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, impakti në ekonominë globale dhe atë europiane

Sipas statistikave, pas mbylljes së përgjithshme në muajin mars të këtij viti, sipërmarrjet e vogla u mbyllën në gjithë kontinentin amerikan. Në prill raportoheshin mbi 23 milionë amerikanë që nuk kishin vende pune, duke e ngritur në 14.7% papunësinë në krahasim me 3.5% sa ajo raportohej në janar të vitit 2020 (Deutsche Welle, 2020). Kjo ishte dhe norma më e ulët e papunësisë në 50 vitet e fundit që i dha dhe titullin “Presidenti i punësimit” Donal Trump-it. Pavarësisht kësaj, gjatë fushatës së tij Trump nënvizonte se ishte i vetmi president i cili mund të bënte të mundur një frymëmarrje për ekonominë krahasuar me programin elektoral të Biden “Building BACK”, sipas të cilit synohet rinovimi i kontratës sociale mes shtetit dhe punonjësit dhe familjet punëtore amerikane si thelbi dhe esenca e gjithë kohëve dhe jo vetëm në kohë krize (Biden, 2020). Duket sikur me premtimet në fushën shëndetësore, por edhe i ndikuar nga humbjet e jetës dhe katastrofa humanitare që po shkakton Covid-19, Biden është edhe më i prirur të besojë se një “Obama Care” më e mirëstrukturuar do të ishte zgjidhja kryesore për SHBA-në në kushtet aktuale, duke vendosur në vend të parë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve dhe më pas përfitimet ekonomike të bizneseve dhe sipërmarrjeve. Nëse ky premtim i Biden do të kërkonte implementimin e një programi të tërë strategjik socio-ekonomik, nga ana tjetër Trump synonte të arrinte të njëjtin qëllim nëpërmjet uljes së taksave dhe rritjen e pagave të punonjësve që punojnë nga shtëpia duke siguruar kështu vendet e punës.

Impakti në ekonominë amerikane me zgjedhjen e Biden do të jetë i menjëhershëm, pasi në përputhje me planin 10-vjeçar të investimeve që ai ka shpallur, do të rimbursojë një pjesë të investimeve kryesore duke bërë që të realizohen shërbime më cilësore për qytetarët amerikanë, por nga ana tjetër do të kërkojë rishikimin e sistemit të tatim taksave, duke rritur taksat për korporatat dhe bizneset e mëdha nga 21% në 28%, dhe rritur taksat për të gjithë ata që fitojnë më shumë se 400.000$ në vit. Të gjitha këto pritet të ndihen për një periudhë kohore në bursat ndërkombëtare dhe tregtinë transnacionale dhe atë evropiane deri sa të arrihet një stabilizim i situatës ekonomike amerikane.

Siç dhe pritej, politikat e Biden do jenë komplet të kundërta në karahasim me ato të Trump. Biden synon uljen deri në 8.5% të sigurimeve shëndetësore dhe rritjen e pagës minimale me 15 $ për orë, e deri në ndërtimin e 1.5 milion banesave të qëndrueshme, ndalimin e prodhimit të armëve dhe shitjes së tyre etj., pika të forta këto që do shkaktojnë pakënaqësi tek korporatat e mëdha, të cilat do të tkurrin produktin e tyre e për pasojë dhe eksportet drejt BE-së dhe më gjerë.

Këto katër vite bizneset dhe korporatat e mëdha ishin mësuar me një president “biznesmen” i cili u jepte fitimet e duhura kompanive të mëdha, por edhe hapte vende pune dhe taksa të ulëta që deri diku kënaqnin dhe masën e qytetarëve me vendet e punës të hapura. Ndërsa reforma sociale e Biden edhe pse me impakt afatgjatë sidomos për rritjen e shanseve të barabarta si dhe ruajtjen e interesave të familjeve të mesme dhe të varfra amerikane, në një fazë të parë do të krijojë luhatje të mëdha në bursat ndërkombëtare dhe në ekonominë vendase duke krijuar pakënaqësi tek shtresa e pasur e cila me siguri do të provojë të krijojë dhe stimulojë një opinion publik të pakënaqur që me aksesin e pakufizuar në media pritet të përhapë dizinformim dhe mjegull, deri në rezultatet e para të prekshme të reformës Biden.

Besoj se edhe ne rastin kur aktualisht kemi kandidatin Biden të deklaruar fitues me votë popullore shumë më para se Donald Trump, por edhe nëse do të fitonte përmes gjykatës ky i fundit, sërisht politikat për frymëmarrjen e ekonomisë duhet të jenë sociale ku përveç buxhetit të korporatave dhe bizneseve të vogla do të tkurret edhe Rezerva Federale ndërsa stimulantët financiarë për ruajtjen e vendeve të punës dhe rimëkëmbjen e bizneseve të vogla do të jenë thelbësore, deri sa ekonomia botërore por edhe ajo amerikane të kalojë dhe dimrin pandemik, e të gjendet një vaksinë e efektshme që në horizont të shfaqet një port i sigurt për njerëzimin edhe ekonominë botërore.

Por si do të ndikojnë konkretisht zgjedhjet në tregjet ndërkombëtare?

Nëse rikthehemi në retrospektivë natën e zgjedhjes së Trump në 2016, çmimi i naftës si dhe kursi i këmbimit të dollarit ra ndjeshëm; korporatat dhe investitorët u tronditën si me zgjedhjen e Trump por edhe me lajmin për Brexit të Mbretërisë së Bashkuar për të rigjetur forcën dhe rifuqizuar gjatë administratës së Trump më shumë se kurrë.

Duket sikur pavarësisht situatës së paparashikueshme ekonomike për shkak të Covid-19 korporatat dhe investitorët janë më të përgatitur, me Trump e dinë që do kenë një aleat afatgjatë ndërsa me Biden një rikthim në vitet e presidencës Obama me fokus në mirëqenien sociale dhe taksa më të larta për invesitorët si burim të ardhurash për programet sociale të shpallura. Përpos sa më sipër, duhet marrë parasysh që ekonomia globale dhe shkëmbimi i mallrave do të lehtësohet me ardhjen e Biden, i cili nuk ka politika represive karshi Kinës apo Bashkimit Europian, përkundrazi ka një qasje më të hapur dhe mbështetëse ndaj organizmave transnacionalë, fakt ky që në vitet në vijim do të nxisë fuqizimin e kalimit të kapitalit dhe mallrave dhe do të kontribuojë në rimëkëmbjen ekonomike jo vetëm të SHBA por edhe të shteteve të tjera në rang global.

Duke qenë se ekonomia shpeshherë dikton politikën ose edhe kur nuk ka forcë ta diktojë ajo e mbikqyr apo sugjestionon politikën, ekonomistët amerikanë që prej zgjedhjeve të vitit 1789 kanë filluar të testojnë dhe mbështesin idenë e ciklit elektoral katër vjeçar duke studiuar sjelljen e tregjeve kryesisht në vitet elektorale. Studiuesit arrijnë në konkluzionin se në përgjithësi ekonomia dhe korporatat në dy vitet e para të një mandati presidencial regjistrojnë rezultate më të dobëta se sa rendimenti i dy viteve të fundit, i cili kryesisht është mbi mesataren. Sipas Jurrien Timmer, drejtor i përgjithëm i Global Macro Fidelity Management (Fidelity) “gjëja më e rëndësishme e një cikli zgjedhor 4 vjeçar, pavarësisht problematikave që ka shënuar tregu në 2 vitete e para, situata stabilizohet dhe çdo pengesë zhduket në vitin e katërt që është dhe viti zgjedhor”.

Sipas të njëjtit burim, cikli presidencial dhe impakti i tij mbi tregun dhe korporatat paraqitet sipas këtij grafiku: 

Untitled

Me qëllim konfimimin e tezës së mësipërme në tabelën e mëposhtme do të vini re se si ka evoluar tregu në vitet e zgjedhjeve presidenciale dhe cilat kanë qenë shifrat që kanë regjistruar bursat ndërkombëtare për periudhën 1992-2016 (Admiral Markets, 2020):

Viti zgjedhor

Kandidatët për president

Fituesi

Indikatori Standard&Poor 500

Mbi zhvillimin e bursës dhe tregjeve

2016

Donald Trump vs. Hilary Clinton

Donald Trump (Republikan)

11.9%

2012

Barack Obama vs. Mitt Rommey

Barack Obama (Demokrat)

11.9%

2008

Barack Obama Vs, John McCain

Barack Obama (Demokrat)

16%

2004

George W.Bush vs. John Kerry

George W.Bush (Republikan)

10.9%

2000

George W.Bush vs. Al Gore

George W.Bush (Republikan)

-9.1%

1996

Bill Clinton vs. Bob Dole

Clinton (Demokrat)

23%

1992

Bill Clinton vs. George W.Bush

Clinton (Demokrat)

7.6%

Sipas ekspertëve mund të përfitohet më së miri nga kjo situatë, konkretisht në këto fusha:

  1. Investime në sektorët më të fuqishëm dhe kompanitë, kryesisht në vitin e tretë dhe të katërt të ciklit elektoral;
  2. Investime në indikatorin e përgjithshëm të tregut të bursës në vitin e tretë dhe të katërt të ciklit elektoral;
  3. Investime në afat të shkurtër 1-2 vitet e para elektorale tek sektorët me performancë më të dobët dhe tërheqja nga tregu menjëherë;

Sa më sipër janë vetëm disa nga manovrat e që mund të kryejnë manjatët ekonomikë në tregun ndërkombëtar.

Gjithsesi duhet pasur parasysh se një sërë teorish në SHBA analizojnë dhe ndikimin e ekonomisë dhe të elementëve si GDP, stanjacion, inflacion, rritje ekonomike në zgjedhjet presidenciale. Një nga studiuesit ekonomist më në zë në SHBA, Gerald Kramer pohonte se shpeshherë ishin të ardhurat dhe kapitali social i çdo zgjedhësi që influenconin rezultatin e zgedhjeve më shumë se vetë premtimet elektorale për ulje taksash, rritje GDP apo rritje vendesh pune (Hager R. W, 1995).

Një studim tjetër i kryer nga Bloom the Price në 1975 pohonte se votuesit i përgjigjen dhe reagojnë ndaj ndryshimeve negative në ekonomi por jo ndaj ndryshimeve pozitive në ekonomi, duke pohuar më tej se efekti i luhatjeve të të ardhurave në votim do ishte më i madh në kohën e zgjedhjeve paraprirë nga një rënie e të ardhurave vetjake të amerikanëve (Kiewiet, Roderick and Rivers, 1985) që do të ndikonte drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor dhe kandidatin fitues.

Si do të ndikojnë zgjedhjet në SHBA në ekonominë e BE?

Deri më tani kemi të njohur qëndrimin e Trump i cili nëse me anë të gjykatave, gjë që ka pak gjasa, do të shpallet fitues, ai do të rishpallë luftën tregtare me Europën, pasi sipas tij Europa e ka trajtuar SHBA-në më keq se vetë Kinën. Pritet që një luftë tregtare midis dy kontinenteve të sjellë pasoja më negative për Europën pë shkak të rritjes së tarifave doganore për eksportet e saj drejt SHBA se sa për këtë të fundit (Eurostat, 2019)*.

Nga ana tjetër, fitorja e Biden sërish do të vinte në provë tregun global dhe atë europian, pasi rritja e taksave dhe rregullimet ligjore të tepërta të forcës dhe tregut të punës do të ndikojnë direkt në eksport-importet e SHBA-së në ekonominë globale. Duke qenë se ekonomia globale lidh shtetet mes tyre me fije të padukshme, një ulje apo dobësim i ekonomisë amerikane do të ndikonte drejtpërdrejtë në tregun evropian duke favorizuar Kinën të shtrijë akoma më shumë produktet e saj në Europë.

Nga ana tjetër, më të prekurit do të ishin gjigandët amerikanë të teknologjisë, Apple dhe jo vetëm, të cilët arrijnë një fitim të konsiderueshëm nga shitjet në tregun e BE-së.

Në konkluzion, vë re se trinomi ekonomi vetjake dhe interesa korporative, reforma sociale dhe faktori ndërkombëtar do të jenë vendimmtarë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe sidomos në mënyrën e implementimit të reformave të premtuara nga kandidati fitues.

 

Elona Bano, nëntor 2020

*DR.LLM. Elona Bano, ka kryer studimet doktorale në shkencat juridike pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Znj. Bano ka një eksperiencë 12 vjeçare në mësimdhënie në fushën e së drejtës ndërkombëtare publike dhe private si dhe në fushën e të drejtave të njeriut. Ajo ka mbajtur prozicione të larta drejtuese si Këshilltare Ligjore e Presidentit të Republikës, Drejtoreshë e përgjithshme e Burimeve njerëzore, Drejtore Kabineti pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Drejtore Ekezekutive e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, aktualisht është pedagoge me kohë të plotë pranë Universitetit Marin Barleti.

Bibliografi:

https://www.dw.com/ro/alegeri-preziden%C8%9Biale-%C3%AEn-statele-unite-cele-5-probleme-principale/a-55470509

https://joebiden.com/build-back-better/

https://www.fidelity.com/learning-center/live-PI, një trust ekonomik I cili mbikqyr kursimet e më shume se 23 mil njerëve  me anë të mbi 10.000 këshilluesve në gjithë botën dhe mbi 20.000 biznesesh

https://admiralmarkets.com/ro/education/articles/alegeri-sua/alegerile-prezidentiale-sua

Hager R.W, “The impact of Economic conditions on Presidential Elections”, (1995), Honors Theses, Paper 5-1995; link: https://core.ac.uk/download/pdf/60526352.pdf

Kiewiet, Roderick, and Douglas Rivers. 1985. "A Retrospective on Retrospective Voting." Economic Conditions and Electoral outcomes. ed. Michael Lewis-Beck and Heinz Eulau. New York: Agathlon

*Sipas Eurostatit për vitin 2019 BE kishte një tepricë prej 153 miliardë euro, ekuivalent I 180.3 miliardë dollar nga eksportet me SHBA që do të thotë se eksporton më shumë se sa SHBA importon. Eksportet e BE-se në SHBA për vitin 2019 ishin me vlerë rreth 384 miliardë euro ndërsa importet e SHBA-së në BE ishin me vlerë rreth 232 miliardë euro.

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk