Shqipëria dhe nevoja për europianizim të vërtetë

Shqipëria dhe nevoja për europianizim të vërtetë

Europianizimi dhe demokratizimi shpesh herë janë konsideruar si procese identike dhe si mënyra e vetme për të hedhur pas të kaluarën diktatoriale. Për dekada me radhë dhe ende sot perspektiva e integrimit në BE vazhdon të jetë shtytësi kryesor i ndërmarrjes së reformave sa i takon institucioneve të brendshme dhe sistemit të drejtësisë. Duke qenë se Bashkimi Europian, ndër të tjera, është një “klub” demokracish të avancuara, integrimi në këtë union lidhet edhe më shumë me procesin e demokratizimit. Rrjedhojë logjike e kësaj është që pranimi në një bashkësi ekskluzive demokracish do të mundësojë që anëtari i ri të jetë gjithashtu demokratik.

Europianizimi dhe Shqipëria: Një kuadër i shkurtër historik

Europianizimi është procesi nëpërmjet të cilit norma dhe besime përkufizohen dhe konsolidohen fillimisht në diskursin politik të BE-së dhe më pas përfshihen në diskursin, strukturën institucionale dhe politikëbërjen e brendshme të shteteve anëtare apo kandidate. Praktikisht i referohet të gjitha hapave dhe reformave të iniciuara nga shtetet anëtare dhe veçanërisht vendet kandidate për t’u përshtatur me BE-në, duke iu përafruar legjislacionit europian, nëpërmjet përmbushjes së kushteve dhe standardeve të përcaktuara (Bogdani & Loughlin 2007).

Në rastin e Shqipërisë, thyerja që pësoi regjimi diktatorial me eksodin e fillim viteve ‘90 risjell në vëmendje kërkesa politike të artikuluara dekada më parë, por ende të parealizueshme. Ato përmblidhen në parullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Shqipërisë së viteve 1990 i mungonin shumë prej parakushteve që duhet të plotësojë një vend për të adaptuar modelin perëndimor të modernitetit. Por, para se gjithash Shqipërisë i mungonte përvoja demokratike.

Megjithatë, Shqipëria e përqafoi herët dhe fort perëndimin, duke aplikuar zyrtarisht për t’u pranuar në NATO në vitin 1992 dhe duke e projektuar të ardhmen e saj si e atashuar ndaj Euvropës demokratike (Gjevori 2018). Anëtarësimi në NATO më 1 Prill 2009 dhe hapja e negociatave më 25 Mars të vitit 2020 janë tregues se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme politike, por cikli i tranzicionit vazhdon të mbetet i hapur.

 

Reformimi i sistemit të drejtësisë dhe pengesat

Në diskursin publik “integrimi” perceptohet si një seri recetash të gatshme që vijnë nga Bashkimi Europian dhe kërkojnë vullnet politik për t’u implementuar. Por koha ka treguar se vullneti mungon ose ai është i pamjaftueshëm për të plotësuar kushtet dhe standardet e vendosura nga BE-ja, të cilat do të penalizonin veprimtarinë korruptuese, klienteliste dhe lidhjet e forta me krimin e organizuar. Reforma kryesore që po kërkon BE-ja nga vendet e rajonit dhe veçanërisht nga Shqipëria, ishte reforma në drejtësi, e hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar me qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë (Komisioni Europian 2020).

Kushtetuta e Shqipërisë, përmban një sërë mekanizmash të institucionalizuara me synim profesionalizmin dhe pavarësinë e gjyqësorit. U krijua Këshilli i Lartë i Drejtësisë si një organ i pavarur kushtetues që administronte gjyqësorin, pranimin dhe promovimin e gjykatësve. Mirëpo, reforma gjyqësore u paraqit në një mënyrë tejet të politizuar. Çdo herë që forcat politike kanë kaluar nga pushteti në pozitë, edhe reforma e gjyqësorit ka kaluar nga apolitike në e uzurpuar politikisht apo anasjelltas.

Një rol të qenësishëm në këtë proces ka pasur elementi i komunizmit. Ekziston një dakortësim se gjyqësori gjatë komunizmit ishte i politizuar, u përdor për të ndëshkuar kundërshtarët dhe për t’i mundësuar regjimit mbajtjen e pushtetit. Me kalimin e kohës dhe me zbehjen e kujtimeve personale për regjimin e mëparshëm, komunizmi bëhet një “koncept etiketë”, dhe një simbol jo vetëm i një gjyqësori të politizuar, por i çdo gjëje të keqe të së shkuarës. Për këtë arsye, akuzat për tendenca apo mentalitet komunist janë përdorur nga të dyja palët për të de-legjitimuar reformën gjyqësore (Gjevori 2018).

Politizimi i reformës dhe humbja e besueshmërisë tek institucionet

Abuzimi me pushtetin është një element që lidhet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe ky i fundit lidhet me politizimin e gjyqësorit. Korrupsioni është paraqitur si një mjet i qeverisë për të kontrolluar gjyqësorin dhe për ta mbajtur peng atë.Si një prej tre pushteteve, pushteti gjyqësor, ka një rol thelbësor në aderimin e Shqipërisë në BE (Beshku & Milori 2018). Edhe pse drejtësia duhet të jetë institucioni kyç i shtetit të së drejtës, në Shqipëri situata është e tillë që qytetarët shqiptarë nuk ndjejnë se po jetojnë në një vend demokratik me standarde europiane. Përkundrazi pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare është e mendimit se jeton në një demokraci të pjesshme apo në atë që në literaturën politike për tranzicionin pas-komunist, njihet me termin ‘regjim hibrid’ (Revista Europa 2018).

Korrupsioni nuk është vetëm marrja e parave, por korrupsion do të thotë gjithashtu se shumë vendime gjyqësore merren për shkak të influencave politike. Korrupsion është sa herë merren vendime të pabazuara në ligj, por në interesa të tjera të papërputhshme me ligjin. Këto dy elemente përjashtuan mundësinë e të qenurit një partner legjitim në reformën gjyqësore. Të gjithë me qëndrime pro-europiane, pro-BE dhe pro-reformës dhe njëkohësisht të gjithë të korruptuar dhe bashkëfajtorë. Ngjashmërisht me Bosnjën, ky ngërç i krijuar, pas reformës në drejtësi në 2016 i jepte politikës mundësinë e heqjes së fajit nga vetja (Gjevori 2018).

Partitokracia - shkaktare e mungesës së zhvillimit dhe stabilitetit?

Nëse e shohim në një plan krahasues rastin e Shqipërisë me shtetin boshnjak, Bosnja u europianizua në sipërfaqe me ligje në dukje në përputhje me BE-në, të cilat fshihnin vazhdimësinë e strukturave të vjetra të pushtetit që bënin të pamundur demokratizimin real të shoqërisë. Në Shqipëri, reforma në drejtësi ndoqi një rrugëtim të ngjashëm. Elitat politike të painteresuara në një reformë të mirëfilltë të drejtësisë që kërcënonte pushtetin e tyre e politizuan qëllimisht debatin për të bllokuar progresin. Ato gjithashtu brendasuan diskursin e BE-së mbi reformën që të krijonin dukjen e të qenit në favor të reformës për të evituar koston e dështimit të saj, sidomos përpara votuesve të tyre pro-BE. Në Shqipëri edhe nën ndikimin e presionit ndërkombëtar, elitat politike ranë në kurthin e vetë retorikës së tyre dhe u detyruan ta kalonin reformën (Beshku & Milori 2018).

Duket se disa fenomene që dikur shiheshin si dukuri kalimtare të lidhura me tranzicionin, tashmë mund të thuhet se janë kthyer në tipare permanente të shoqërisë shqiptare, të cilat përbëjnë pengesa serioze për zhvillimin e vendit dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. I tillë është niveli i lartë i mosbesimit të qytetarëve për institucione jetike për funksionimin normal të një shoqërie dhe një demokracie, si Gjykatat apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Hendeku ndërmjet ligjit të shkruar dhe zbatimit të tij në praktikë vazhdon të mbetet problematik. Ndërsa sot Shqipëria s’ka më problem mungesën e institucioneve demokratike, apo të një kuadri ligjor bashkëkohor, problemi qëndron tek keqpërdorimi i ligjeve dhe institucioneve për përfitime personale apo politike, çka ndikon drejtpërdrejt në mbarë mjedisin politik, ekonomik e social të vendit (Revista Europa 2018).

Bashkimi Europian nuk është thjesht një bashkim ekonomik e politik, por është para së gjithash një bashkim vlerash. Detyrimet që burojnë nga Kapitulli 23, përfshijnë fushën e gjyqësorit, anti-korrupsionin, të drejtat themelore dhe shtetin ligjor. Pavarësisht strukturës në dukje europiane të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në realitet ajo është një fasadë që mbulon një sistem të politizuar dhe partitokracia është një ndër deformimet më të mëdha, ku prej vitesh dominon një sistem ku partitë kanë prirjen ta njësojnë veten me shtetin, duke ndikuar në çdo vendimmarrje institucionale e publike. (Gjevori 2018)

Përfundime

Perspektiva e integrimit europian për dekada me radhë është paraqitur nga drejtuesit e BE-së dhe elitat lokale si rruga më e mirë për të institucionalizuar demokracinë, shtetin e së drejtës, konsoliduar paqen në Europë dhe shpërndarë sa më shumë prosperitet në kontinent. Mospërmbushja e reformave të nevojshme për anëtarësim dhe ecja pas në demokratizim duhet analizuar edhe në spektrin e interesave të ngushta të elitave politike. Ëndrra e kahershme për tu bërë pjesë e ‘Europës’, do të bëhet vërtet realitet vetëm atëherë kur vetë shoqëria shqiptare do të jetë ‘europianizuar’, pra vetëm pasi të ketë ndryshuar shumëçka që deri më sot s’ka funksionuar apo ka funksionuar keq.

Sugjerime

Ky artikull synon të dallojë dy procese në dukje të ngjashme sikurse është europianizimi dhe demokratizimi. Kjo pasi europianizimi i vendeve kandidate për në BE, jo domosdoshmërisht përkthehet në demokratizim të tyre. Ekziston rreziku që ky proces të përdoret nga elitat lokale për të inskenuar një demokraci fasadë apo europianizim pa demokraci. Bazuar në mbështetjen e fortë popullore për integrimin në BE dhe nga ana tjetër legjitimitetin e dobët të klasave politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor, europianizimi si demokratizim gjithnjë e më tepër u konsiderua si e vërteta e pakontenstueshme. Por premisa e europianizimit si demokratizim është vendosur në pikëpyetje. Aktualisht, Ballkani Perëndimor është më afër BE-së se në çdo moment tjetër të historisë së tij dhe njëkohësisht po aq larg standardeve demokratike të trupëzuara tek ky entitet ekonomiko-politik i komplikuar dhe unik, i cili ndikon në mënyrë direkte tek qytetarët e tij.

 

Eranda Zorba, qershor 2021

*Eranda Zorba ështl studente në vitin e parë Master Shkencor në degën Studime Rajonale Politike, në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Politike pranë të njëjtit fakultet gjatë periudhës 2017-2020. Eranda është e angazhuar në nisma dhe trajnime  workshope mbi politikat rinore dhe aktivizmin publik. Fushat e saj të interesit janë siguria rajonale, marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia dhe lidershipi.

Bibliografia:

Albania is ready to start negotiating membership chapters with the EU, marrë nga: https://europeanwesternbalkans.com/2020/09/25/greco-albania-is-ready-to-start-negotiating-membership-chapters-ëith-the-eu/ (vizituar më 29.04.2021)

Beshku, K. & Milori, Dh. (2018): Shtetformimi, Demokratizimi dhe Europianizimi i Ballkanit Perëndimor, Tiranë: Edlora

Bogdani, M. & Loughlin, J. (2007): Albania and the European Union, London: I.B. Tauris

Gjevori, E. (2018): Democratisation and institutional reform in Albania, Palgrave Macmillan

Komisioni European (2020): “Progress Raport for Albania”, Strasburg

https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/albania_report_2020.pdf

Komisioni Europian për Efikasitetin e Drejtësisë, marrë nga:

https://rm.coe.int/komisioni-evropian-per-efikasitetin-e-drejtesise-cepej-keed-keshillat-/1680788383 (vizituar më 26.04.2021)

Revista Europa (2018): “Shqipëria dhe BE – Rruga e vështirë përpara”


1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk