Një BE pa Mbretërinë e Bashkuar...

Një BE pa Mbretërinë e Bashkuar...

Sipas opinionit tim, Bashkimi Europian është duke funksionuar më së miri tani. E vetmja e humbur në këtë mes është Anglia e cila do e kuptoj më vonë dëmin që i ka shkaktuar vetvetes nga ky autogol i saj. Kur Europa është e bashkuar, pra të gjitha shtetet janë në unitet, ajo është më e fuqishme, qoftë si ekonomi ashtu dhe përsa i përket sigurisë në këto periudha të vështira.

Disa ekspertë kanë paralajmëruar se për ishullin britanik do të duhen vite për të bërë shkëputjen e plotë nga BE. Rinegociimi i një marrëdhënieje të re mes ish-anëtarit rebel dhe Unionit të ofenduar nuk do jetë i lehtë. Për britanikët më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër do të ketë marrëdhëna me tregun e përbashkët. Braktisja e këtij tregu ishte çfarë i bënte të ngurronin. Ekonomia angleze ka përfituar shumë nga heqja e tarifave në tregtinë me kontinentin. Një raport i ri nuk do të jetë i lehtë, ndonëse sipas argumentit të ‘Largimtarëve’ tregu europian ka po aq nevojë për britanikët sa ata për europianët. Në Traktatin e Lisbonës, ka një Nen 50 që aktivizohet në momentin që një vend anëtar i BE-së shpall largimin. Që këtej janë dy vjet afat që të negociohet dalja.. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Vitet që përmenden shumë janë 2018 dhe 2019. Të paktën deri atëherë, BE do të vijojë të ketë 28 shtete anëtare. Por nuk do të jetë më një marrëdhënie normale.

A do të ketë më Mbretëri të Bashkuar?

Një shprehje e re tani është Mbretëria e Pabashkuar. Portreti është i qartë. Anglia ka votuar fuqimisht për të dalë nga BE. Skocia ka votuar fuqimisht për të qëndruar në BE. Udhëheqësit skocezë e kanë thënë ‘copë’ se nuk dalin nga BE dhe nëse anglezët i detyrojnë që të dalin, ata do të dalin nga Mbretëria. Skocia sapo e pati referendumin ku fitoi propozimi për të qëndruar në Mbretëri. Por kushtet tani po ndryshojnë, dhe skocezët po ankohen se janë detyruar të votojnë pa e ditur që po i nxjerrin jashtë Europës.

Ndërkohë Shin Fein, një emër që nuk shfaqej prej dy dekadash në lajmet botërore, ka deklaruar se Irlanda e Veriut tani duhet të bëjë një referendum që të bashkohet me Irlandën. A do të cenohet paqja përsëri aty? Uellsi shihet si tradhtari më i madh duke anuar papritmas nga ‘Ikja prej BE-së’. Çfarë do të ndodhë me uellsianët, nëse skocezët dhe irlandezo-veriorët largohen?

Në fund të fundit është thënë disa herë se referendumi për daljen nga BE ka qenë në thelb ngritja e nacionalizmit anglez. Anglia do të rishfaqet në hartën e botës, për ta mbyllur të plotë ciklin e jashtëzakonshëm historik që e pa në majat e veta si sundimtare e mbarë botës.

A do të ketë më Bashkim Europian?

BE do të vijojë të ketë 27 vende anëtare, por pa Britanikët nuk do të jetë më kurrë njësoj. Ndoshta më mirë për të gjitha palët? Me gjithë kërcënimet e mëdha se çfarë do t’u ndodhte britanikëve po të dilnin nga BE dhe frika se çfarë do të ndodhte me BE-në po të hapej dera nga largimi i një vendi, ka mundësi që shkëputja të jetë një ndryshim pozitiv. Kriza greke, si një skaj i problemeve me Euron, kriza e refugjatëve dhe problemet e sigurisë në kufijtë lindorë, negociatat ndërkombëtare të tregtisë me fuqitë botërore të gjitha nënvizojnë diçka: BE do të ishte shumë më efektive nëse do të ishte më shumë si një lloj Shtetesh të Bashkuara të Europës, një lloj federalizmi i ngjashëm me atë amerikan. Në mos atë, atëherë një formë tjetër më hierarkike se kjo që është sot. Njëfarësoj, ambicia europiane për më shumë bashkim do të ishte gjithnjë në konflikt me ambicien britanike për më shumë mëvetësi. Në fund të fundit, në dy dekadat e fundit, Londra është përpjekur të sabotojë të gjitha zhvillimet e mëdha të BE-së. Refuzoi të merrte pjesë në Schengen, refuzoi të futej në Eurozonë dhe së fundi ka marrë garanci të mëdha se do të përjashtohej nga vendime të ardhshme më centralizuese. Pa Britaninë, BE mund të thyejë rezistencën e vendeve me pikëpamje të ngjashme (në mos të bëjë të largohen edhe nja dy).

Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi më pro-amerikan në BE. Shqipëria ndan të njëjtën sentiment dhe në këtë kuptim kjo ikje nuk është mirë për ne. Mbretëria e Bashkuar e ka shtyrë BE-në fuqimisht që të njohë të plotë Kosovën e që të jetë më e angazhuar në Ballkan. Aleate e madhe në Bruksel e Strasburg, ashtu si do të vijojë të mbetet, shpresojmë në OKB. Nga ana tjetër: BE është një shembull për një menaxhim të suksesshëm konfliktesh, si dhe ekzistenca e saj bazohet në vlera themelore për mbrojtjet e të drejtave të njeriut, drejtësisë social-ekonimike dhe lirisë. Le të jetë mësimi i largimit të Mbretërisë së Bashkuar një shembull i mirë për pak autokritikë të BE-së dhe forcimin e mëtejshëm të saj. Si dhe rishikimi i politikave të tyre. Të shërbejë si shembull dhe për vendet që presin të anëtarësohen në mënyrë që të kemi një zhvillim kontinental që është shumë i rëndësishëm në kontekstin e atij global.

Punoi Arlis Alikaj
Konkursi i Artikullit: Si do të jetë BE në 2025?
EU Day 2017

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk