A ka nevojë demokracia sot në Shqipëri për ndihmë?

A ka nevojë demokracia sot në Shqipëri për ndihmë?

Duke marrë parasysh zhvillimin historik të vendit tonë, mund të themi me bindje të plotë se Shqipëria pas viteve 1990 e deri në ditët e sotme ka bërë hapa pozitiv drejt demokracisë, si një vlerë e rëndësishme për shoqërinë tonë.
Vetë shqiptarët si popull e kanë pranuar demokracinë , duke e parë këtë regjim si sistemin ideal politik. Kushtetuta e vendit tonë e miratuar në 1998 dhe me ndryshimet e fundit në 2016 ka të mishëruar në përmbajtjen e saj qeverisjen demokratike , ndarjen e pushteteve dhe mbrojtjen e respektimin e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, vetë perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian, i jep Shqipërisë shtysa të forta drejt miratimit të akoma më shumë reformave demokratike.

Por, pavarësisht këtyre aspekteve pozitive, pas 29 viteve, demokracia në Shqipëri ka ende nevojë të fuqizohet. Kjo sepse parë dhe në vështrim krahasimor me ish vendet e Bllokut Sovjetik Shqipëria vlerësohet ulët për treguesit e demokracisë. Faktorë që ndikojnë në nivelin e ulët të demokracisë aktualisht janë : periudha e vështirë e sistemit komunist dhe trashëgimisë që ajo la pas , procesi zgjedhor jo në standartet e duhura ,problematikat në fushën ekonomike, korrupsioni i përhapur gjerë në veprimtarinë shtetërore, situata politike e tensionuar, drejtësia me problemet e saj. Të gjithë këto faktorë tregojnë që demokracia në vendin tonë ka nevojë për ndihmë.

Mendoj që duhen bërë disa hapa konkretë për forcimin e kësaj vlere në shoqërinë ku jetojmë, në këto aspekte:
Së pari, është shumë e rëndësishme të respektohet pavarësia e institucioneve shqiptare nga pushtetet e tjera në mënyrë që të arrihen standartet ndërkombëtare në lidhje me demokracinë. Efektiviteti i performancës së politikave të këtyre institucioneve është i kushtëzuar me nivelin e pavarësisë që gëzojnë nga degët e tjera të pushtetit, Aktualisht situata në këtë drejtim, në vendin tonë nuk është dhe aq pozitive . Kjo sepse po të shohim mënyrën se si procedohet në zgjedhjen e drejtuesve të këtyre institucioneve, është e dukshme se integriteti dhe pavarësia e institucioneve cënohet pasi emërimet politike janë dominante. Po ashtu dhe personat që punësohen në këto institucione reflektojnë bindjet e kreut të tyre,gjë e cila cënon paanësinë dhe objektivitetin e gjithë institucionit. Kështu nevojitet patjetër një ndryshim në këtë drejtim. Mendoj që nëpërmjet reformave të reja që duhen miratuar do arrihet të shkohet tek një shkëputje nga varësia politike e këtyre institucioneve .Në këtë mënyrë do arrihet dhe rritja e besimit të qytetarëve tek institucionet e tyre publike. Në të njëjtën kohë do arrihet të realizohet një sistem institucionesh që forcojnë bazat e një demokracie funksionale.

Së dyti, theksoj që shoqëria civile duhet të ketë një rol më aktiv në jetën publike .Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje është një element kyҫ për demokracinë e një vendi. Por në vendin tonë ky aspekt ende mbetet problematikë për shkak të : informimit të pakët , kuptimit që qytetarët kanë për të drejtat e tyre dhe përgjegjësitë e tyre , pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në proceset e hartimit,zbatimit dhe monitorimit të ligjeve. Përfshirja e shoqërisë civile duhet të jetë më e madhe në fusha dhe veprimtari që prekin drejtëpërdrejtë interesat e individëve. Po ashtu mendoj që duhen bërë ndryshime të tjera në legjislacion në mënyrë që të ketë më shumë dispozita që rregullojnë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në vendimmarrje duke e bërë në mënyrë dhe më obligative si proces.

Së treti, debati politik duhet të jetë gjithnjë në nivel konstruktiv dhe klasat politike duhet të bashkëpunojnë më tepër me njëra-tjetrën , duke mos u bazuar vetëm në interesat partiake afatshkurtra, por duke vënë interesat kombëtare në plan të parë. Duke parë dhe situatën aktuale politike,e cila po ndikon vetëm negativisht për pozitën e Shqipërisë në procesin e integrimit, e konsideroj të rëndësishme që bashkëpunimi midis forcave politike në vend të rritet dhe procesi i reformave të shoqërohet nga një dialog politik konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës parlamentare pasi është përgjegjësi e të dyja palëve.

Së katërti, që demokracia të zhvillohet duhet që populli shqiptar duhet të ketë besim si në procesin zgjedhor ashtu dhe në rezultatin e zgjedhjeve . Siҫ e kemi vënë re proceset zgjedhore që janë zhvilluar deri më tani në vendin tonë kanë pasur problematika në aspektet e dekriminalizimit, listat e zgjedhjeve me parregullësi, manipulimit të votave e më tej. Duhet patjetër një ndryshim me rezultate positive, kryesisht në administrimin e zgjedhjeve duke u forcuar kontrolli e llogaridhënia ligjore dhe jo politike e administratës zgjedhore . Ktu dua të shtoj dhe të drejtën e votës për qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë e cila duhet të vihet sa më shpejt në zbatim, pasi mendoj që ky faktor do të sillte përmirësim të demokracisë funksionale.

Duhet një ndryshim efektiv, sa më shpejt në këto katër aspekte, që sipas mendimit tim janë problematike  në mënyrë që të vijnë rezultate pozitive për demokracinë shqiptare.

Pra si përfundim, demokracia në Shqipëri ka nevojë për ndihmë dhe forcimi i saj në nivel kombëtar mund të arrihet, kur tërësinë e rregullave të së drejtës e përvetëson populli në mënyrë të qytetëruar dhe ligjërisht ato vlera i përcjell te brezi i ri që vjen. Kjo nënkupton kultivimin e vlerave demokratike në ndërtimin e një demokracie të fuqishme duke u rritur standarti i zgjedhjeve , duke u respektuar shteti i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve, po ashtu institucionet shtetërore të përmirësohen në veprimtarinë e tyre, duke u luftuar krimi dhe korrupsioni si dhe duke u zhvilluar një ekonomi tregu për të sjell mirëqenie për popullin shqiptar. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi rritje të standartit të demokracisë në vendin tonë.

                                                                              Herlina Muҫa, Finaliste e Konkursit "Democracy Alive" 2019

 

Burimet që kanë ndihmuar për punimin e artikullit :
• Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut 2017 – Shqipëria
• Raporti i Freedom House për demokracinë 2019 : Shqipëria dhe Kosova
• Raport i Kuvendit mbi pjesëmarrjen e publikut në procesin e vendimarrjes 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk