Një rajon i mirë fillon nga… një angazhim i mirë

Një rajon i mirë fillon nga… një angazhim i mirë


Ndaj dhe diskutimet kryesore të këtij forumi u fokusuan tek tematikat e dialogu midis të rinjve, nën sloganin “Një rajon më i mirë fillon me një rini të mirë", "Krijimi i vizioneve: potencialet dhe vizionet e të rinjve në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor", "Perspektivat e ardhshme mbi: demokratizimin, kushtet e jetesës dhe pajtimin" etj. Si rrjedhojë, përfundimet dhe konkluzionet e nxjerra nga grupet e punës dhe workshop-eve të mbajtura gjatë ditëve të forumit, përbëjnë një pjesë kyçe të Samitit të Londrës. Mesa duket, të rinjtë tashmë janë bërë pjesë e pandashme e procesit të madh reformues, pajtues dhe integrues në rrugëtimin europian të vendeve dhe shoqërive të tyre. Entuziasmi, energjia dhe idetë e pamunguara që karakterizojnë shpirtin rinor duket se ushqejnë shpresën se shumë shpejt edhe në trojet e tyre dhe përreth do të mund të gjendet bashkëpunimi dhe mirëkuptimi aq shumë i munguar ndër dekada.

Në këtë kuadër duke marrë parasysh gjithë vëmendjen dhe rëndësinë mediatike dhe jo vetëm, që iu kushtua këtij aktiviteti të mbajtur në Novi Sad, qytetit të njohur për tolerancën, respektin dhe mirëkuptimin e treguar siç dhe Kryetari i Bashkisë së Novi Sadit pranoi me krenari për qytetin e tij i cili në vitin 2019 do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe në 2021 do të mbajë dhe titullin si Kryeqyteti Europian i Kulturës; si pjesëmarrëse por më tepër si pjesë e këtij grupi rinor dhe si një qytetare e një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, më lind natyrshëm dëshira të ndaj disa shqetësime të cilat lidhen me fuqizimin e të rinjve si dhe me atë çfarë pritet të ndodhë pas përfundimit të forumit.

inva picNisur dhe nga vetë moto e këtij aktiviteti: “Një rajon i mirë fillon me një rini të mirë” çdokush do të mendonte se ne të rinjtë kemi me të vërtetë një rol thelbësor dhe të pacenueshëm në demokratizimin dhe evropianizimin e shoqërive, dhe duhet thënë që nuk janë vënë në asnjë moment në pikëpyetje aftësitë dhe mundësitë që ka rinia në përgjithësi për të sjellë ndryshime të vërteta, por ajo që më shqetëson është se sa dëgjohet nga vendimmarrësit zëri i tyre. “Si mund t’ia dalim që zëri ynë të dëgjohet nga organet kompetente si dhe nga vendimmarrësit?” ishte një nga shqetësimet dhe pyetjet e ngritura gjatë forumit drejtuar panelistëve të ditës së parë, ku ndër ta gjendej kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic; Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian, Genoveva Ruiz Calavera, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal te Bashkëpunimit (RCC), Majlinda Bregu.

A do ti marrin ata parasysh shqetësimet tona? A do ti marrin ata parasysh zgjidhjet që ne propozojmë për të arritur objektivat në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët tanë? Kjo mbase mbetet dhe sfida kryesore e të gjithë të rinjve të cilët përballen dita-ditës me pengesat e shumta që zëri të dëgjohet vërtet dhe që mbas organizimeve të tilla të dedikuara ekskluzivisht për rininë dhe nga rinia, idetë, përpjekjet dhe entuziasmi të mos mbesë i shkruar vetëm në letër.

"Duhet të jem optimiste për rajonin. Mendoj se ka shumë shanse dhe mundësi para nesh. Sigurisht, ky është një rajon interesant, plot histori, kulturë dhe traditë, por gjithashtu është plot me njerëz të rinj krijues. Ka shumë projekte interesante, kështu që unë besoj se nëse jemi politikisht të zgjuar dhe nëse të gjithë ju, të rinj, aktivizoheni mjaftueshëm- mendoj se gjërat e mëdha janë të mundshme ", u shpreh Ana Brnabić, Kryeministrja e Serbisë gjatë forumit. Por sidoqoftë, është pikërisht kjo histori, kulturë e traditë që në një mënyrë apo tjetrën ka penguar vazhdimisht pajtimin dhe çtensionimin e konflikteve dypalëshe që ekzistojnë në rajon. “Mjaft folëm për të shkuarën,” - u shpreh një vajzë nga Bosnja Hercegovina, e cila në vendin e saj përballet vazhdimisht me hijet e së kaluarës së dhimbshme që ende e mban shoqërinë të ndarë.

Megjithatë, unë mendoj se në fakt, ne kurrë nuk kemi folur siç duhet për të shkuarën dhe ca më pak të kemi folur mjaftueshëm për të. Përkundrazi, mendoj që është koha të flasim sa më shumë për të, për historinë tonë, për të kuptuar vërtet këtë histori që edhe pse bën fjalë për të njëjtat ngjarje, ka ende interpretime dhe qasje të ndryshme që nuk lejon mundësinë për pajtueshmëri. Duke folur për të shkuarën, i shërbejmë së tashmes duke na lënë të kuptojmë se ku jemi dhe se çfarë mund të bëjmë, për mos të lejuar që të njëjtat gabime të përsëriten në të ardhmen. Nëse nuk flasim për të, dyshoj shumë të mund të ulemi e të flasim shtruar për pajtim, bashkëpunim e prosperitet në rajon.

forumi 22Tek diskutonim mes njëri-tjetrit më kujtohet një aktivist i cili me shumë të drejtë shprehej se edhe pse jetojmë në një rajon që ka një kulturë dhe traditë shumë të ngjashme, sërish jemi shumë të ndryshëm sidomos nëse i referohemi të shkuarës, ndaj i gjithë ky homogjenizim apo ‘rajonalizim’ i Ballkanit në kuadër të rrugëtimit drejt integrimit në BE, nuk mund të vazhdojë më, pasi nuk na lejon që të kuptojmë njërit-tjetrin. E tek dëgjoja këtë mu kujtua ajo shprehja e famshme europiane e epokës në të cilën jetojmë sot: “Të bashkuar në diversitet”, e cila nënkupton se si europianët janë bashkuar, nën ombrellën e BE-së, për të siguruar paqe dhe zhvillim, në të njëjtën kohë duke pranuar dhe respektuar kulturat, traditat e gjuhët e ndryshme të kontinentit. Por a vlen edhe kjo për Ballkanin Perëndimor? A duhet që edhe ne përpara se te flasim për paqe, zhvillim, bashkëpunim dhe pajtim, të pranojmë njeri-tjetrin dhe gjithë diversitetin që ekziston mes nesh? Të pranojmë diferencat që ekzistojnë duke hapur një kapitull të ri mirëkuptimi të përbashkët mes nesh, që na bën të mundur të kalojmë bashkë sfidat apo pengesat e shumta të gjendura në rrugëtimin tonë për të përqafuar vlerat perëndimore? A nuk është ky çelësi për të hapur një derë të re mundësie për vendet tona përkatëse? Kjo është detyra jonë - e rinisë, e aktivistëve, e shoqërisë e kështu me radhë. Një rajon i mirë fillon nga një angazhim i mirë, dhe ky angazhim përfshin të gjithë aktorët të cilët me punën, aktivitetin dhe vullnetin e tyre bëjnë të mundur arritjen e objektivave tone të përbashkëta europiane.

Ne të rinjtë e bëmë hapin tonë, me organizimin e Forumit Rinor Rajonal në Novi Sad, vendosëm një gur, e zërin tonë kërkuam të na dëgjohet deri në Londër, e tani presim që ata më ‘të mëdhenjtë’ të fillojnë të veprojnë gjithashtu.

                                                           Inva Nela, korrik 2018
                                                          Qendra për Studime të Evropës Juglindore, Universiteti i Grazit, Austri
                                                          Mbështetëse e EMA-s

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk