Mesazh për Europën nga jetimët e saj!

Mesazh për Europën nga jetimët e saj!


Ajo që duhet theksuar përpara Europës, është roli i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Sa na ngroh zemrat ky nocion -Ballkani Perendimor- është bashkohor, i pranueshëm, i pëlqyeshëm, sinonim i afrimit me zhvillimin, emancipimin, ndryshimet afatëgjata e progresiste. Pasi termi ekzistues-Ballkani- që ne njohim, ngjan me një nocion shumë të largët sikur nuk flitet për ne, na kujton ngjarje të hidhura si luftrat ballkanike, probleme nacionale,komunizmin, është më afër lindjes sesa perëndimit. Kemi nevojë sa më shumë për perëndimin, jo perëndimin e diellit që i lë vend errësirës së thellë, por perëndimin si termi që na sjell ndërmend zhvillimin, frymën europiane. A nuk jemi ne vetë që shohim perëndimin si sinonim të asaj që mund të mirëarsimohemi, emancipohem; perëndimin ku zhvillimi dhe revolucionet kanë qenë frymëzuese dhe për qenësinë tonë, nga perendimi nga ku kanë ardhur ndryshimet e mëdha, i është dhënë formë periodizimeve historike?
Shqiptarët duan të jenë perëndimor, s‘ka gjë, edhe Ballkanas Perëndimor, por europian përbrenda e jo europian të perënduar.

Por s’duhet të harrojmë që e kaluara jonë historike na ka lënë shije të hidhur nga perëndimi, jemi ndarë si me thikë me të, edhe pse gjeografikisht jemi kaq afër, por e pamjaftueshme për të tërhequr vemendje. Për këtë kanë ndikuar dhe përqafimet e mendësive lindore në kohë të ndryshme. Por, ka shumë fajtorë në këtë mes, përveç mendësive lindore,është dhe Europa vetë, e kaluara jonë, ne etj.

Jo për tu viktimizuar por shpesh jemi konsideruar si si jetimet e Europës, e si jetim jemi braktisur, copëtuar, harruar përqeshur, injoruar nga familja Europiane. U braktisëm në kongrese, konferenca ambasadorësh, u lamë qëllimisht kështu me mendimin se do asimiloheshim vetvetiu e do mbetemi thjesht një nocion gjeografik. U harruam dhe në traktate ndërkombëtare, edhe aleancat e mëdha na dolën kundër.

Ne, plaçka e tregut e europianëve u degdisëm si të tillë në 4 shtete, e mjaftoi kjo që Ballkani të quhet –fuçi baruti-. Ne nuk jemi jetim, dhe s’duhet të quhemi si të tillë. Ne i përkasim realitetit europian, jemi pjesë e saj dhe aderimi në familjen Europiane është një detyrim si ndjesë nga Europa që të shlyejë padrejtësitë historike që na ka shkaktuar.  Ekuilibri në Ballkan mund të vendoset duke afruar shqiptarët, sepse neve nuk na lidhë asgjë me lindjen europiane e perëndimin aziatik.  Europës i duhen shqiptarët për të ndezur apo për të fikur vatrat e zjarrit nacionalist.

Ne nuk jemi më emigrantët tranzitor, por kemi diasporën e konsoliduar që ka nxjerrë përfaqësues të denjë. Europa e shek.XXI duhet ta shohë gotën gjysmë plot për shqiptarët dhe të mësojë nga e kaluara e hidhur. Ne jemi Europian sepse i kemi dhënë asaj perandor, strateg ushtarak, udhëheqës shpirtëror e humanistë mbarëbotërorë, e pa harruar njerëz të shkencës, artit e letërsisë. Jemi ndër popujt më të hershëm, me një gjuhë e identitet unik.

Ne e mbrojtëm Europën nga pushtimi otoman, e ajo i shpëtoi islamizmit ndërsa ne jo. Ne u treguam human dhe i mbrojtëm hebrenjtë si vëllezërit tanë, kur Europa po heshtte për genocidin ndaj tyre, e heshtja ishte miratim. Ndërkohë ne nuk shpëtuam dot veten nga genocidi komunist shqiptar e ne nuk kishte kush të na mbronte. Ne nuk jemi njerëz të dorës së dytë, as jetimët e Europës por bijtë e saj legjitim dhe meritojmë vlerësim, madje dhe kërkim falje... dhe koha është tani.

Europa nuk duhet të bëjë më shurdh-memecin me ne, le të riparojë gabimet e së shkuarës për të hapur një kapitull të ri. Shqiptarët i kanë rezistuar dy luftrave botërore e një lufte të ftohtë por lufta e ftohtë me vetveten po i kalon parashikimet dhe ne nuk ia dalim dot pa JU, pa Europën, për të na kthyer besimin dhe shpresën.

                                                                                                                     Leonora Laçi, studiuese historie

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk