Prioritetet e rinisë drejt aderimit në Bashkimin Europian

Prioritetet e rinisë drejt aderimit në Bashkimin Europian


Sipas “Pew Research Center”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE në vitin 2015, shihet një tendencë e lartë e të rinjve për të emigruar. Qendra kërkimore tregon se 80% e azilkërkuesve shqiptarë në vitin 2015 ishin femra të moshës 20-34 vjeç, ndërsa 49% ishin meshkuj të kësaj grupmoshe.

Përveç kësaj, po shndërrohemi në një shoqëri gjithnjë e më të globalizuar. Globalizimi ka ndikuar shumë kombe në mënyra të ndryshme; ekonomikisht, politikisht dhe në marrëdhëniet shoqërore. Në kontekstin e një sërë veprimtarive rinore që mund të bëhen për nxitur anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane janë:

• Promovimi i qytetarisë aktive
• Nxitja e solidaritetit dhe tolerancës
• Promovimi i mirëkuptimit të përbashkët mes rinisë shqiptare dhe të rinjve nëpër botë përmes dialogut dhe mbështetjes në aktivitete specifike, si trajnime, shkëmbime rinore dhe mbledhje
• Promovimi i sipërmarrjes, punësimit, mundësive edukative dhe vullnetarizmin e rinisë shqiptare në shoqërinë perëndimore
• Inkurajimi i bashkëpunimit mes kërkuesve të rinj shqiptar dhe kërkuesve të vendeve të tjera.

Arsimi dhe shkëmbimet kulturore

"Arsimi është metodë bazike e përparimit dhe e reformimit social"- John Dewey. Shtylla kryesore ku merr fillesat një qytetari aktive është arsimimi. Me marrjen e statusit kandidat në BE, Shqipëria përveç progresit në fusha të ndryshme, ka hedhur hapa të rëndësishëm edhe në arsim. Mundësitë që janë krijuar i kanë dhënë arsimit një dimension tjetër.

Në këtë drejtim, Bashkimi Europian po investon 14.7 miliard euro për Erasmus+, një program i ri për arsimin, formimin profesional, rininë dhe sportin për periudhën 2014-2020 . Fokusi i politikbërjes dhë reformës së arsimit në arsimin profesional është një nismë e vlefshme për shoqërinë dhë rininë në veçanti. Gjithashtu, mundësitë për përfshirje në shkëmbime rinore ndërkombëtare, trajnime apo praktika pune të paguara jashtë vendit janë hapësira që janë mundësuar rishtazi. Ajo që mungon nga ana e të rinjve është ambicia, përkushtimi e vullneti për të përfituar nga këto mundësi.

Informacioni ekziston, është aty. Ajo çka vihet re, gjithnjë e më shumë, organizohen sesione informuese nga ana e organizatave jo-fitimprurëse për trajnime apo praktika jashtë vendit për studentët e sapodiplomuar si dhe mundësi për angazhim vullnetar në OJF brenda dhe jashtë vendit. Ajo që mungon është pjësëmarrja. E nësë ka, është e niveleve të ulëta.

Të rinjtë nuk duhet të mbeten në pritje të mundësive që krijohen nga programet qeveritare, por duhet të vihen në kërkim të mundësive dhe të shfrytëzimit të tyre nëpërmjet aplikimeve individuale dhe përfshirjes në trajnime, seminare, praktika pasi mundësojnë formim dhe përvojë jashtë vendit, praktikimin e gjuhëve të huaja, njohje ndërmjet kulturave të ndryshme që janë një vlerë e shtuar për formimin profesional e kulturor të kujtdo.

Studim por jo vetëm, ndërveprim dhe shkëmbim kulturor, bashkëpunim midis kërkuesve të rinj shqiptar dhe atyre të huaj për krijimin e një klime frytdhënëse - kjo është motoja e arsimit të ditëve të sotme në Shqipëri.

Pjesëmarrja në politikë 

Përveç arsimit, trajnimeve, shkëmbimeve rinore e vullnetarizmit, një fushë tjetër e rëndësishme është pjesëmarrja në politikë. Me pjesëmarrje në politikë i referohem kuptimit të rëndësisë së problematikave të përditshme dhe ngritja e zërit për përmirësimin e kushteve të jetesës, arsimit, kulturës dhe mjedisit ku jetojmë. Nuk e kam fjalën për anëtarësim në parti politike për të mbushur salla e për të duartrokitur në mënyrë të pavetëdijshme për pushtetin aktual, as për të mbushur klubet e natës më me emër të Tiranës apo Jalës, por për reflektim, diskutim e marrje përgjegjësie.

Përgjegjësi është të kuptosh realitetin ku jeton dhe njëkohësisht të mos pranosh të mbetesh i nënshtruar ndaj tij. Përgjegjësi është të ‘zgjohesh’, dhe ‘të shkundësh’ miqtë e tu sepse beson se Shqipëria, mund të bëhet një vend më i mirë për ne dhe fëmijët tanë. Të rinjtë duhet të ndjekin aktualitetin dhe politikën njëkohësisht me modën e hitet më të fundit muzikore. Në këtë mënyrë informacioni e vetëdija janë në nivele më të larta dhe arrijnë e bëhen selektive deri analizuese.

Kështu, një i ri, i mirëinformuar, i njohur me struktura organizative, i ‘rrahur’ nga përditshmëria e ka më të thjeshtë për t’iu afruar debatit publik, angazhimit në struktura politike asnjëanëse apo qoftë me bindje politike si dhe në mbrojtje të kauzave të caktuara si të drejtat e grave, minoriteteve, ambjentaliste etj. Rinia shqiptare duhet të përfshihet në proçesin e integrimit europian duke krijuar figurën e qytetarit europian me vlera tradicionale shqiptare duke i mbivënë vlerat europiane. Respektimi dhe zbatimi i secilës garanton arritjen e objektivave tona për anëtarësim në familjen e madhe qytetare europiane.  Pra, arsimimi, shfrytëzimi i mundësive të BE-së në kuadër të projekteve në shoqërinë civile e pjesëmarrja në politikë jane shanset tona drejt trenit europian.

                                                                                                                             Përgatiti: Jonida Gjuzi
                                                             Artikull i përzgjedhur i Konkursit “Dritare për të Rinjtë dhjetor 2016”

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk