Artikull Dita e Europës 2016: Shqiptarët dhe BE-ja: perceptimi dhe realiteti !

Artikull Dita e Europës 2016: Shqiptarët dhe BE-ja: perceptimi dhe realiteti !

Me po të njëjtin entuziazëm dhe dashamirësi u prit edhe marrja e statusit kandidat. Mediat rendnin kush e kush të jepte lajmin e para. Sepse në fakt me çdo hap që kemi marrë drejt Europës, na janë rritur shpresat edhe më shumë. Kur bëhet fjalë për Europën shpresat e shqiptarëve janë: për një jetë më të mirë, për të udhëtuar dhe për të shijuar Europën, ashtu si çdo Europian tjetër në fund të fundit. E sigurisht që kjo mënyrë reagimi nuk është aspak e re për shqiptarët.

Nga pikëpamja gjeografike Shqipëria ndodhet aty, mu në zemër të Europës. Dhe pavarësisht gjithçkaje, vitet ‘90 i mirëpritëm kryesisht me parullat me shkrim dore: “Ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa”. Për ne ky ishte ngazëllimi më i madh i fillim viteve ‘90, krahas pantallonave xhins. Dëshira jonë për të qenë në Europë është shumë më e thellë. Nëse ka diçka që historia mund të na mësojë janë pikësëpari rrënjët tona. Në Shqipëri mbizotërojnë “vlerat e mungesës”.

Izolimi për një kohë të gjatë, mungesa e kontaktit me Europën, dhe mbi të gjitha mungesa e mundësive për të përjetuar Europën, të gjitha ndikojnë nga pak në mënyrën sesi shqiptarët mendojnë për Europën. Prandaj sa herë që flitet për Europën, të gjithë jemi në dëlir –gjithë sy e vesh nga Brukseli. E vërteta e madhe është se Europa për ne është epiqendra e botës. Në fund të ditës mund të mos kemi ç’të hamë e ç’të veshim por ama lajmet nga Europa i mirëpresim me kërshëri të madhe. Edhe ata pak analistë që bëjnë “avokatin e djallit” në fund të ditës prapë janë pro BE-së. Sepse BE-ja është gati-gati feja jonë universale që na bashkon, që na sjell gjithmonë vetëm të mira dhe është qëllimi ynë final - atje ku duam të mbërrijmë. Kur diskutohet mbi raportin e Shqipërisë me BE-në i gjen të gjithë në tryezë: politikanë, ekonomistë, analistë, OJQ etj. etj.

E kështu, pensionisti në Tiranë e nis ditën duke sheqerosur kafenë e duke lexuar në gazetë për BE-në. Kurse liderët e BE-së takohen në Bruksel, për të diskutuar mbi BE-në. Cila është e ardhmja e BE-së? A ka vërtetë një të ardhme? Si t’i përgjigjemi krizave? Sepse e vërteta është që BE-ja dhe projekti Europian ndodhen në udhëkryq. Ngjarjet e vitit 2015 pohuan qartazi se BE-ja nuk është përgatitur për t’ju përgjigjur krizave. Periudha e post-krizës ekonomike, situata me Greqinë, refugjatët që i largohen vendit të tyre për shkak të luftës, si dhe terrorizmi përbëjnë një kërcënim të dukshëm për themelet e BE-së.

Të gjitha këto zhvillime mbi të gjitha pohojnë se BE-ja ka një strukturë gati -gati “të ndryshkur”. Pikëpyetja më e madhe që shtrohet sot përpara liderave të BE-së është: si të vazhdojmë përpara, kur e ardhmja është e pasigurt? Referendumi i Holandës për marrëdhënien Ukrainë – BE ishte një vulë për “zgjerimin”. A do të ketë një Brexit? Çfarë do të ndodhë më pas? Në fund fare, BE-ja merret me emergjencat, pastaj me ç’të vijë. Dhe kur bëhet fjalë për çështjet emergjente, faktet janë se ato janë të shumta. Mungesa e qartë e lidershipit që mund t’i adresohemi në raste krizash, e vë në rrezik BE-në. Procedurat e komplikuara vendimmarrëse nuk i japin të njëjtin “zë” kujtdo njësoj në BE. Ndërtimi i një strukture institucionale Europiane me përfaqësues të shteteve kombëtare që vendosin interesin e tyre të ngushtë mbi atë Europian, vë në pikëpyetje BE-në.

Reformat, ndryshimet institucionale, mungesa e legjitimitetit të përfaqësuesve të Parlamentit me qytetarët që votojnë, burokracia, iniciativat apo edhe politikat e dështuara - e ekspozojnë BE-në përpara sfidave të mëdha. Mungesa e një identiteti të qartë Europian, rritja e Euroskepticizmit dhe mungesa e interesimit për BE-në; janë probleme serioze. Zgjedhjet e fundit të Parlamentit Europian të vitit 2014 treguan pjesëmarrjen më të ulët të qytetarëve në të gjithë historinë e zgjedhjeve europiane. European Citizen’s Initiative që synon t’i japë më shumë “zë” qytetarëve Europianë, është aq e komplikuar sa në fund janë kompanitë ato që fshihen pas qytetarëve. Europa po shkon drejt 2020, me një politikë strategjike Europe 2020 që gati po dështon, sikundër edhe paraardhësja e saj, strategjia e Lisbonës. Zgjerimi nuk është prioritet i Presidentit të ri të Komisionit Europian, sepse BE-ja është në një udhëkryq të madh. Dhe tani është momenti i duhur për të marrë vendimet.

Herë pas here zhvillohen samite, takime, konferenca ku thërriten lidera, ekspertë dhe të rinjtë e Europës. Të gjithë diskutojnë mbi të ardhmen e Europës dhe mbi atë se çfarë do të ndodhë më pas. Historia ka treguar se shpeshherë ndodhin ngjarje të paparashikueshme. Unë nuk e di se çdo të ndodhë, por do vazhdoj të ndjek nga afër se ç’thuhet për Shqipërinë në BE, këtu në Bruksel – ku informacioni vjen i akullt, pa ngjyrime emocionale, i zymtë, ashtu si Brukseli vetë.

                                                                                                                         Përgatiti: Marsida Bandilli

                                                            Artikull i përzgjedhur i Konkursit në Kuadër të Ditës së Europës 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk