Pesë çështje prioritare që duhen adresuar pas 25 prillit

Pesë çështje prioritare që duhen adresuar pas 25 prillit

Shqipëria si një vend me territor dhe popullsi relativisht të vogël ka shumë më tepër probleme seç duhet të kishte, dhe më tepër sesa mund të përballojë. Në mënyrë që të bëjmë një kqyrje sa më të mirë të situatës do të duhet dhe do të mundohemi që në analizë të shqyrtojmë sa më shumë aspekte dhe zëra të ndryshëm. Shtyllat për të mbajtur një shtet funksional në këmbë janë të paktën pesë, të cilat mund të renditen në forma të ndryshme por mbeten vitale dhe bazike, dhe përkatësisht janë:

1.   Ekonomia: Si paraqitet ekonomia shqiptare për momentin? A ishin PPP (Partneritet Publik Privat) një gabim i pafalshëm që shkaktuan dëme të parikuperueshme në ekonominë tonë? Evazioni fiskal? PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) është më i lartë apo më i ulët në 3 vjeçarin e fundit? Ndikimi i pandemisë në mbylljen e shumë bizneseve? Taksa progresive? Borxhi publik tejmase i lartë si ndikon në ekonominë tonë? Turizmi? Të gjitha këto çfarë shkaktojnë në ekonominë e shqiptarëve? A janë ata më të varfër apo më të pasur sot? 

2.   Shëndetësia? Në ç´gjendje ndodhet shëndetësia e shtetit shqiptar sot? Çfarë nxorri në pah pandemia? Korrupsioni në shëndetësi a është kthyer në gangrenë të pandreqshme? Menaxhimi i pandemisë? Menaxhimi, blerja dhe administrimi i vaksinave po tregon paaftësi apo efikasitet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë? Ikja e infermierëve dhe mjekëve specialistë drejt Bashkimit Europian, pra mungesa e burimeve njerëzore, çfarë po i shkakton sistemit shëndetësor?  A mund dhe si mund të reformohet sistemi ynë shëndetësor?   

3.   Drejtësia, rendi dhe qetësia; A është reforma në drejtësi një sukses? Ngritja e Gjykatës Kushtetuese së fundmi pas vitesh jofunksionale tregon vullnet politik apo ushtrim presioni nga ndërkombëtarët, dhe çfarë nuancash pozitive po sjell? A po funksionojnë Gjykata Kushtetuese, vetingu dhe reforma në drejtësi? Çështja e Krujës një shfaqje politike parazgjedhore apo një shenjë e reformës së re të drejtësisë? Ministra të brendshëm, dhe krerë policie të dyshuar të përfshirë ose të lidhur me krimin, si ndikon kjo në besimin në publik dhe në institucionet përkatëse kur më tepër se njëherë rastet janë vërtetuar me fakte si të vërteta? A do ketë fryte drejtësia e re?

4.   Arsimi: Si paraqitet gjendja në arsim sot? Çfarë nxori në pah pandemia, mësimi online dhe mungesa e infrastrukturës? Si ishte përditësimi i stafit universitar dhe studentëve me kushtet e reja? Po atij parauniversitar? A po rezulton e suksesshme mësimnxënia  gjatë periudhës pandemike? Ku po na çon kjo metodë e re mësimdhënie? Çfarë pasojash solli vënia në krye e ministres Besa Shahini? Evis Kushi po rezulton një ministre e suksesshme apo thjesht një ndjekëse besnike e reformave dhe platformave të paraardhëseve? Cilat janë gangrenat që kanë kapur sferën e arsimit që e bëjnë të çalojë? Cilat janë sfidat që i paraqiten arsimit parauniversitar dhe atij universitar në 4 vjeçarin e ardhshëm? Si mund ti zgjidhim?      

5.   Bujqësia dhe infrastruktura: Projekti 100 fshatrat një premtim elektoral fiktiv  apo një  sukses turistik ndër të tjera? Si paraqitet gjendja e bujqësisë në vendin tonë? Subvencionet dhe grantet për fermerët ekzistojnë dhe si bëhet administrimi i tyre momentalisht? Sa % e PBB vjen nga bujqësia? A është bujqësia sot e lënë në harresë? Tregjet, rregullatorët, kërkesë-oferta, eksportet në fushën e bujqësisë si paraqiten? A mund të shndërrohet bujqësia në një aset të rëndësishëm për të mbuluar të gjitha nevojat e konsumatorit vendas? A mund të transformohet bujqësia në një aset ekonomik? Cilat janë shkaqet që bujqësia ndodhet në këtë stad dhe çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar? Shpopullimi, apo ajo që deklarohet si i tillë, çfarë pasojash sjell për bujqësinë?


Ngrita këto pyetje për tu përpjekur për ti dhënë një lloj përgjigje dhe për të bërë një lloj bilanci për të kuptuar ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të mbërrijmë. U përpoqa, si një i ri i angazhuar, të merrja prenoncime për të gjitha pyetjet e mësipërme por “ekspërtët“ shfaqën një lloj mosinteresimi ose mungesë angazhimi për tu përgjigjur për çështjet e ngritura për shtyllat e një shteti dhe për pasojë  edhe pesë prioritete (ose fusha) emergjente në të cilat duhet ndërhyrë.

Mbi çështjet e arsimit dhe pyetjet e ngritura për to u morën përgjigje të detajuara nga një pjesëtar i OJF-së Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi, aktivist, dhe njohës i mirë i arsimit shqiptar dhe sidomos ligjit për arsimin e lartë, më poshtë ju lëmë përgjigjet:

Si paraqitet gjendja në arsim sot? Çfarë nxori në pah pandemia, mësimi online dhe mungesa e infrastrukturës?

Sistemi ynë arsimor ka kohë që po kalon kohë të vështira, kjo për shkak të tranzicionit por edhe qeverive, shto këtu ngërçin e krijuar prej 5 vitesh prej miratimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili do ketë mjaft kosto për gjeneratat e së tashmes por edhe të së ardhmes. Pandemia nxori në pah dobësitë e një sistemi të brishtë, një sistemi të rrënuar së brendshmi dhe së jashtmi. Më thelbësoret, siç janë metodologjia dhe infrastruktura mësimore u vendosën në një sfidë, ku për ne si monitorues të këtij sistemi, vlerësojmë se është një sfidë në kufijtë e ekzistencës. Për pasojë studentët në vitin e 2-të të mësimit online po humbin kohë të çmuar për të përfituar një kualifikim të papërditësuar me tregun e punës dhe shumë më pak efektiv sesa kualifikimet në rajon apo Europë.

Si ishte përditësimi i stafit universitar dhe studentëve me kushtet e reja? Po atij parauniversitar?

Izolimi dhe shoku që erdhi me të ishte për të gjithë një ngjarje e madhe dhe e papritur. Universitetet në vend e zhvendosën mësimin nga offline në online me shumë vonesë, ndryshe nga Universiteti i Prishtinës qe iu desh vetëm tre ditë pune për të bërë tranzicionin nga offline në online. Shumica e universiteteve e nisën mësimin online 2-3 javë pas izolimit, kjo i la pedagogët dhe studentët në një terr informativ.

Ndërkohë UT, universiteti më i madh në vend, e nisi mësimin online pas 4 javësh. Kjo solli probleme të tjera, edhe pse online nuk u përdorën sisteme të brendshme apo platforma të unifikuara për mësimdhënien. Barrë që i kaloi pedagogëve, ata duhej të gjenin dhe zgjidhnin mënyrën/at e komunikimit me studentët. Ndërkohë investimet për dixhitalizim dhe komunikim në universitetet shqiptare çdo vit janë me miliona euro por rezultatet nuk gjenden gjëkundi.

A po rezulton e suksesshme mësimnxënia  gjatë periudhës pandemike?

Studentët e vlerësojnë me notën 6, në sondazhin e fundit të kryer nga QQ, efektivitetin e mësimit online. Vlerësojmë që 40% e të pyeturve nuk kanë pasur mundësi të ndjekin rregullisht mësimin prej rrethanave të jashtme dhe shpesh prej mungesës së infrastrukturës. Sipas Bankës Botërore tregohet se para pandemisë eficienca e universiteteve në vend arrinte 64%, tani paramendoni se ku ka mbërritur kjo cilësi nga fillimi i kalimit në mësim online deri më sot. 

Ku po na çon kjo metodë e re mësimdhënie? 

Do ndaj një bindje personale, kjo formë mësimi po e kthen universitetin dhe mësimdhënien ose mësimmarrjen në një skemë piramidale, mashtrimi ku familjet dhe të rinjtë harxhojnë para, humbin kohë dhe njëkohësisht të ardhmen, kjo skemë është më e theksuar në ato profile studimesh që kanë praktikë bazë mësimdhënien, pra mësuesët e ardhshëm apo degët profesionale, sidomos ato 2-vjeçare.

Çfarë pasojash solli  vënia në krye e ministres Besa Shahini? Evis Kushi po rezulton një ministre e suksesshme apo thjesht një ndjekëse besnike e reformave dhe platformave të paraardhësve?

Shahini besoj se nuk e njihte realitetin e arsimit shqiptar dhe as situatën në të cilën ndodhej, apo situatën në të cilën e la paraardhësja, për pasojë e ka pasur të humbur betejën për të adresuar prioritetet dhe shqetësimet e vërteta.

Ndërkohë Evis Kushi ka një handikap të jashtëzakonshëm, ajo është akuzuar për plagjiaturë në punimet e saj shkencore, fakti që ajo nuk ka gjetur në asnjë rast kohën për të sqaruar këto zëra, apo qoftë edhe palët e interesuara apo publikun, e ben zonjën Kushi jo të besueshme në çështjet e adresimit të prioriteteve siç është cilësia e arsimit, e cila vjen drejtpërdrejtë si rezultat i titujve të shumtë plagjiaturë, (të cilët i zotërojnë jo pak akademikë të denoncuar dhe provuar publikisht plagjiatorë nga Vladimir Kola, sidomos gjatë protestës së dhjetorit 2018). Ministria e Arsimit dhe Sportit është institucioni i cili duhet të jetë shembull dhe drejtues i një procesi pastrimi, vlerësimi dhe transparence, qoftë edhe duke sakrifikuar drejtuesen e vetë institucionit.

Cilat janë gangrenat që kanë kapur sferën e arsimit që e bëjnë të çalojë? Cilat janë sfidat që i paraqiten arsimit parauniversitar dhe atij universitar në 4 vjeçarin e ardhshëm? Si mund ti zgjidhim?

Me Qëndresën kemi përpiluar një seri kërkesash drejtuar edhe forcave politike. Ne kemi sugjeruar për çështjen e plagjiaturës:

•Kontrollin e ligjshmërisë së titujve dhe gradave shkencore në vend;

•Kontrollin dhe rishikimin e kurrikulave universitare, duke pastruar sistemin arsimor nga tekstet e kopjuara dhe të vjetëruara;

•Kontrollin e pasurisë për të gjithë drejtuesit e universiteteve në aspektin akademik dhe administrativ;

•Kontrollin anti–plagjiaturë për të gjitha punimet shkencore të stafeve akademike në vend.

Per ligjin e arsimit të lartë kemi propozuar:

•Rritjen e peshës së votës studentore nga 10% në 30%;

•Rritjen e autonomisë në hartimin e kurrikulave nga ana e stafeve akademike nga 20% në 40%;

•Ligjërim i “distance learning” sipas standardeve më të mira ndërkombëtare;

•Aplikimin e Kredisë Studentore;

•Vlerësimin real të pedagogëve nga studentët

Mendoj se këto ndërhyrje mund të krijojnë një përmirësim të shpejtë dhe cilësor për jetën universitare akademike në vend.  Sigurisht që vetëm me fushën e arsimit mund të nxiren më tepër se 5 prioritete, fakti që i sjell përgjigjet e plota është për shkak të gjërave të vlefshme, të qëndrueshme dhe të paanshme që Migeni përcjell dhe padyshim një pjesë e tyre janë të ardhura nga studimi në terren dhe sondazhet që ka bërë Qëndresa Qytetare. Ka gjëra të cilat mund të debatohen apo kontestohen, dhe nëse ndodh, le të shërbejë ky artikull edhe për këtë. Nga debatet e shëndetshme dhe konstruktive shoqëria përfiton vetëm të mira.

Të tjerë që iu përgjigjën thirrjes tonë ishin dy kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, Alfred Muharremi që garoi nën siglën e Partisë Socialiste, një i ri i rritur në fshatin SOS, i rritur pa kujdes prindëror gjë të cilën e ka shndërruar në kauzë personale por edhe profesionale. Si një i ri me integritet dhe profesionist i cili vjen nga sektori bankar na thotë që prioritetet e tij janë të shumta, i lutur të zgjedhë vetëm disa në rang kombëtar ai përgjigjet duke na thënë:

Pesë çështjet prioritare në rang kombëtar që unë do ndërmerrja po të kisha mundësinë dhe fuqinë do të ishin:

•Ulja e nivelit të papunësisë dhe mbështetja e të rinjve;

•Rritja e ndihmës ekonomike;

•Zbutja e varfërisë dhe ndërmarrja e programeve mbështetëse për fuqizimin e familjeve në nevojë;

•Mbështetja e biznesit të vogël;

•Mbështetja e bujqësisë

Këtë përgjigje e pasoi një tjetër pyetje në lidhje me prioritetet e zonës ku ai kandidoi:

•Shërbime më të aksesueshme nga komuniteti;

Subvencioni me grante të vazhdueshme për idetë e reja të sipërmarrjes;

Dyfishim të buxhetit për rininë;

Rishikim të kredisë së butë duke kërkuar financim 100% të vlerës së apartamentit

Të njëjtat pyetje iu bënë edhe një kandidati tjetër i cili garoi në qarkun e Durrësit nën siglën e Partisë Demokratike, Aulon Kalasë. Aulon Kalaja është gazetar, aktivist dhe vjen nga radhët e shoqërisë civile, i pyetur për prioritetet në rang kombëtar ai preferoi të mos përgjigjej drejtpërdrejtë pasi siç ai  tha, prioritetet në rang kombëtar përcaktohen nga një shumicë. Por ai u përgjigj mbi prioritetet në qarkun e Durrësit dhe rrethin e Krujës, të cilat janë më tepër një plan i detajuar i asaj që duhet bërë. 

Qarku i Durrësit ka nevojë emergjente për ndërhyrje:

Duhet ti jepet një zgjidhje përmbytjeve të vazhdueshme të zonave që shkaktohen nga lumenjtë e Ishmit, Gjoles, Zezës dhe Erzenit. Këta lumenj janë kthyer në një problem të vazhdueshëm për banorët dhe bizneset e tyre që janë mjeti i vetëm i mbijetesës për ta;

Rishikimi i dëmeve nga tërmeti, një vlerësim i pavarur nga institucionet shtetërorë pasi kemi marrë shumë denoncime që janë bërë padrejtësi ndaj shumë familjeve. Rindërtimi i të gjitha shtëpive në kohë më të shpejtë sepse kushtet në të cilat po jetojnë familjet në çadra janë shume të rënda.

Sa i përket rrethit të Krujës, duhet të ndërtohet një qendër e re spitalore, ndërtimi i një biblioteke, një pallati të ri kulture dhe hapja e disa qendrave ose parqeve ku fëmijët dhe të moshuarit të kenë mundësi ku të kalojnë kohën e lirë;

Rindërtimi në kohë sa më të shpejtë të shtëpive që janë prishur nga tërmeti në zonën e Bubqit, Thumanës dhe të gjitha zonave të tjera në këtë rreth. Rindërtimi dhe restaurimi i objekteve të rëndësisë së veçantë siç janë objektet e kultit;

Ndërhyrje emergjentë në zonën e Murqinës, njësia administrative Bubq, e cila është përmbytur 5 herë vetëm në këtë dimër, banorët kanë mbetur në mëshirën e fatit, blegtoria dhe bujqësia nuk po sjellin më të ardhura sepse tokat janë të zëna nga uji dhe është shumë e vështirë që të punohen nga çmimet e larta të naftës, por edhe të farave dhe pesticideve për ti mbrojtur prodhimet e tyre;

Një rrugë e re për qytetin e Fushë Krujës në mënyrë që të eleminohet trafiku. Qyteti ka nevojë për një arterie të re ndërlidhëse me zonën e Krujës;

Duhet të jetë prioritet që taksat e bizneseve të vogla të jenë 9%, kjo do ti jepte atyre frymëmarrje dhe do të stimulonte hapjen e vendeve të reja të punës. Ulja e çmimit të  naftës dhe të energjisë elektrike. Po ashtu, ulja e çmimit të biletave të transportit publik ose pajisja e studentëve, nxënësve dhe grupeve të tjera në nevojë me abone.            

Sigurisht artikulli nuk është i plotë, por ka disa zëra dhe mbase edhe disa alternativa të cilat mund të vihen në punë fare lehtë, mjafton vullneti, dëshira e mirë dhe sigurisht puna. Shqipëria në momentet ku ndodhet ka një shumësi prioritetesh: Daljen nga pandemia, reformimin e  shëndetësisë, rindërtimin pas tërmetit, riaktivizimin e ekonomisë, riaktivizimin e bujqësisë, uljen e borxhit publik, frenimin e ikjes  së burimeve njerëzore dhe profesionistëve, rritjen e cilësisë në arsim dhe reformimin e sistemit arsimor, funksionimin e drejtësisë së re dhe organeve të reja kushtetuese, e njëmijë të tjera.

 

Adrian Zalla, maj 2021

*Adrian Zalla është diplomuar nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, në degën Gjuhë-Letërsi. Freelancer prej një kohe të gjatë, aktivist si edhe pjesëmarrës në disa konkurse kombëtare ku është shpallur fitues i çmimeve të para apo të dyta. Artikull-shkrues në disa portale lokale mbi tema të ndryshme. Përfshirja e fundit në media ka qenë me revistën WHO me një rubrikë sociale, Adrian´s Journal.

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk