Derogimi i të drejtave të njeriut në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme

Derogimi i të drejtave të njeriut në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) është një nga instrumentat bazë të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Të drejtat e parashikuara në këtë konventë janë të drejta pozitive, të cilat shtetet kanë detyrimin ti zbatojnë. Gjithashtu KEDNJ ofron garancitë minimale për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pra shtetet mund të ofrojnë garanci të tjera më të mëdha për shtetasit, por nuk mund të ulin zbatimin e këtyre të drejtave nën minimumin e të drejtave të vendosura nga Konventa. Në raste të jashtëzakonshme, ku për shkak të situatave shtetet mund të mos kenë mundësi për t’i garantuar këto të drejta, shtetet mund të përdorin mekanizmin e derogimit nga të drejtat e njeriut, një e drejtë kjo që ua garanton vetë KEDNJ.

Derogimi nga të drejtat e njeriut në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme është një e drejtë që u është dhënë shteteve përkatësisht nga neni 15 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ):

“1. Në rast lufte ose rreziku tjetër publik që i kanoset jetës së kombit, çdo Palë e Lartë Kontraktuese mund të marrë masa që iu shmangen detyrimeve të parashikuara nga kjo Konventë, veçse në shkallën më të vogël që e kërkon situata, me kusht që këto masa të mos jenë të papajtueshme me detyrimet e tjera sipas të drejtës ndërkombëtare...”

Derogimi apo shmangia nga të drejtat e njeriut nënkupton të drejtën e shteteve nënshkruese të konventës për të hequr dorë nga detyrimet që u ngarkon vetë konventa, por me kushtin që shmangia të jetë propocionale me nevojën që e ka diktuar atë. Shtetet duhet të kenë parasysh që masat që marrin nuk duhet të bien në kundërshtim me detyrimet e tjera që mund të burojnë nga traktatet apo konventat e tjera ndërkombëtare.

Shtetet ndjekin një procedurë të veçantë për të aplikuar nenin 15 të KEDNJ e cila përcaktohet në legjislacionin e brendshëm të vetë shteteve. Detyrimi që u lind shteteve në planin ndërkombëtar është fakti se duhet të mbajnë të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të gjitha masat e marra, arsyet që i kanë çuar ato të ndërrmarin këto masa si dhe datën kur masat humbasin fuqinë dhe shtetet do të nisin sërish zbatimin e plotë të Konventës.

Shtetet nuk duhet të shkelin detyrimet e tjera që u lindin në bazë të ligjeve të tjera ndërkombëtare (ECHR, 2021).

Në nenin 170 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet:

 

“1. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.

 2. Parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj.

3. Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme.

 4. Aktet që ndërmerren si pasojë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit....”.

Neni i sipërcituar dikton nevojën për marrjen e masave jashtëzakonshme në tre raste: në rast lufte, në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe në rastet e fatkeqësive natyrore. Ky parashikim i kushtetutës është në koherencë të plotë me KEDNJ për sa i takon faktit se masat e jashtëzakonshme zgjasin për sa kohë zgjat gjendja e shkaktuar si dhe janë në propocion të drejtë me të. Marrja e këtyre masave të jashtëzakonshme përcaktohet vetëm me ligj, kjo për shkak të rëndësisë që kanë të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe efekti i aplikimit të masave në jetën e qytetarëve në veçanti si dhe në rendin publik në përgjithësi.

Gjendja e luftës nënkupton rastet e luftës me shtetet e tjera, luftës civile apo konflikteve të armatosura në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Nga ana tjetër me “Fatkeqësi natyrore” kuptohen fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet tektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe në det, zjarret masive në pyje, sëmundjet infektive masive dhe dukuri të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin (ligji nr. 45, 2019). Gjëndja e fatkeqësisë natyrore në ndryshim nga gjëndja e jashtëzakonshme vendoset me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Pandemia globale Covid-19 ka sjellë pasoja të mëdha shëndetësore, ekonomike, sociale, arsimore etj. Shtetet të gjendura përballë situatave të tilla të pazakonta janë gjetur të papërgatitura dhe ju është dashur të ndërmarin një sërë masash për të menaxhuar situatën, të tilla si: izolimi, karantina, kufizimi i lëvizjeve brenda dhe jashtë vendit, mbyllja totale/pjesërisht e ekonomisë, vendosja e orës policore, ndalimi i tubimeve apo grevave, mbyllja e shkollave, detyrimi për të mbajtur maska etj.

Të ndodhur përballë një situate të tillë Shqipëria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 23 datë 24.03.2020. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë gjendja e fatkeqësisë natyrore mund të vendoset nga Këshilli i Ministrave për një periudhë 30 ditore në një pjesë apo në të gjithë territorin e vendit dhe zgjatja e kësaj periudhe bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit (neni 174 i KRSH, 2016).

Gjithashtu një sërë shtetësh si: Estonia, Gjeorgjia, Moldavia, Letonia, Rumania, Armenia, Maqedonia e Veriut, Serbia, San Marino apo Shqipëria (Lebret, 2020), gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga Covid-19,  kanë aplikuar të drejtën e shmangies nga të drejtat e njeriut bazuar në nenin 15 të KEDNJ.

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike nuk lejon shmangien nga nenet: 6 e drejta e jetës, neni 7 ndalimi i torturёs, dёnimeve ose trajtimeve mizore, çnjerёzore dhe poshtëruese, neni 8/1 ndalohet mbajtja në robëri, neni 8/2 ndalimi i gjendjes së nënshtrimit, neni 11 ndalohet burgosja në rastet kur nuk mund të shlyen detyrimet kontraktore, neni 15 ndalohet dënimi pёr veprime ose mosveprime tё cilat nuk kanë qenë vepra penale sipas tё drejtёs kombёtare ose ndёrkombёtare nё kohёn kur janё kryer, neni 16 e drejta për t’u njohur personaliteti juridik si dhe neni 18 e drejta lirisё sё mendimit, ndёrgjegjes dhe fesё (neni 4/2, PNDCP). Pra shtetet nuk mund të kufizojnë në asnjë rast  të drejtat e sipërcituara, pasi do të kryenin shkelje të të drejtave të njeriut.

Me aktin normativ nr. 243, datë 24.3.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, Republika e Shqipërisë ka kufizuar të drejtat kushtetuese të parashikuara nga nenet: 37- paprekshmëria e banesës, ndalimi i kontrollit vetjak jashtë procesit penal, neni 38-e drejta e vendbanimit dhe e lëvizjes së lirë, neni 41, pika 4- shpronësimet kundrejt vlerës së drejtë, neni 49- e drejta e punës dhe neni 5- e drejta e grevës (Avokati i Popullit, 2020).

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë parashikohen dhe të drejtat të cilat nuk mund të kufizohen në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo në rastet e gjendjes së luftës të tilla si: fakti që të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme, të padhunueshme dhe të pandashme, barazia para ligjit dhe mosdiskriminimi, barazia e pakicave kombëtare, e drejta e jetës, e drejta e fesë, ndalimi i dënimit dhe trajtimit mizor, çnjerëzor e poshtërues, ndalohet dënimi pa ligj, prezumimi i pafajësisë, garancitë proceduriale në gjykimet penale si: e drejta për mbrojtës, përkthyes, të paturit dëshmitarë, të kontaktojë familjen etj.

Gjithashtu ndalohet detyrimi për të dëshmuar kundër vetës dhe familjes, ndalohet deklarimi fajtor në bazë të provave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, ndalohet dënimi/gjykimi dy herë për të njëjtën vepër, ndalohet dëbimi i shtetasve nga territori, prona private është e garantuar përveçse kur ajo shpronësohet në bazë të një shpërblimi të drejtë, garantimi i procesit të rregullt ligjor, e drejta e ankimit, mundësia për t’ju drejtuar organeve publike, trajtimi i veçantë i grave dhe fëmijëve si kategori e veçantë si dhe të drejtën për kujdes shëndetësor.

Gjithashtu disa norma të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare ose të drejta të ligjshme, të cilat sipas Konventës së Vjenës mbi ligjet e traktateve përjashtojnë çdo lloj derogimi.

Rast tjetër kur Shqipëria ka përdorur të drejtën që i jep KEDNJ për derogimin nga të drejtat e njeriut në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme ka qënë në 24 korrik 1997 pas miratimit të ligjit nr. 8195, datë 3.03.1997 “Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme” (ligji nr.8195, 1997). Derogimi është bërë si pasojë e gjendjes së luftës civile të shkaktuar në Shqipëri në atë kohë. Ky derogim përfundoi me njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm në 24 tetor 1997.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Lawless kundër Irlandës ka përcaktuar një sërë kushtesh dhe kriteresh që lidhen me aplikimin e nenit 15 të KEDNJ (GjEDNj, 1960).

-        Së pari, është e nevojshme ekzistenca e gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së luftës apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Pra në raste të tilla kur është në rrezik jeta e qytetarëve, siguria publike apo sovraniteti i shtetit. Në rast se shteti nuk është përballë njërës nga këto situata nuk mundet në asnjë rast të aplikojë derogimin nga të drejtat e njeriut.

-        Së dyti, masat e marra duhet të lidhen në mënyrë direkte me nevojën që i ka diktuar ato. Pra masat që ndërmarrin shtetet duhet të lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet shteti si dhe këto masa të jenë propocionale.

-        Së treti, shteti duhet tëplotësojë detyrimet e tij ndërkombëtare që burojnë nga zbatimi i Konventës, përkatësisht në nenin 15/3 të KEDNJ, ku parashikohet se:

Çdo Palë e Lartë Kontraktuese që ushtron këtë të drejtë derogimi e mban plotësisht të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të gjitha masat e marra dhe arsyet pse ato janë marrë. Gjithashtu, ajo duhet të informojë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për datën në të cilën këto masa kanë humbur fuqinë dhe dispozitat e Konventës vihen sërish në zbatim të plotë”.

Në këto kushte, GJEDNJ e ka vënë theksin në zbatimin e detyrimit që kanë shtetet për të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës mbi masat e marra dhe arsyet për marrjen e tyre në rastet e derogimit, si dhe datën kur këto masa humbasin fuqinë.

Për sa më sipër, derogimi nga të drejtat e njeriut është një mekanizëm mjaft i rëndësishëm i cili u është dhënë shteteve për ta përdorur në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së luftës apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke nënkuptuar kështu shmangien nga detyimi për të garantuar zbatimin e të drejtave të njeriut. Por ajo që është thelbësore është fakti që kjo shmangie duhet të kryhet në përputhje me kushtet e parashikuara nga vetë Konventa e të Drejtave të Njeriut përkatësisht me nenin 15 të saj.

Derogimi nga të drejtat e njeriut duhet të jetë propocional me gjendjen që e ka diktuar dhe të zgjasë për sa kohë që ekziston kjo gjendje. Shtetet duhet të jenë të vëmendshme në rastet e dergomit në mënyrë që të kufizojnë ato të drejta të cilat mund të kufizohen dhe nuk janë ndaluese nga akte të tjera ndërkombëtare siç mund të jenë ndalimet nga derogimi që parashikohen në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Ina Hasankolli, maj 2021

*Ina Hasankolli ka mbaruar studimet Bachelor dhe Master në e Drejtë Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Aktualisht punon si Juriste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Gjatë këtyre viteve ka marrë pjesë në një sërë trajnimesh dhe konferencash dhe po ashtu është autore e disa publikimeve. Interesat e saj përfshijnë fusha të tilla si: e drejta penale, e drejta ndërkombëtare, të drejtat e njeriut etj.

Referenca:

https://www.echr.coe.int/documents/fs_derogation_eng.pdf

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 170

Ligji nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”

Kushtetetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 174

Audrey Lebret , “COVID-19 pandemic and derogation to human rights”, Copenhagen University, Faculty of Law, CeBIL, Copenhagen, Denmark, fq.3

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, neni 4/2

Rekomandim për marrjen e masave të menjëherëshme, për moscënimin joproporcional të së drejtës për hyrë në territor të shtetasve shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar në kufirin tokësor me shtetin grek dhe shtetin malazez, për shkak të masave të veçanta administrative të marra gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, fq.4.

Ligji nr.8195, datë 3.03.1997 “Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme”, Fletore Zyrtare nr.2, fq. 44.

LAWLESS v. IRELAND, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, 14 Nëntor 1960, Nr. 1.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk