Roli i sektorit privat në proceset negociuese dhe anëtarësuese të vendit

Roli i sektorit privat në proceset negociuese dhe anëtarësuese të vendit Roli i sektorit privat në proceset negociuese dhe anëtarësuese të vendit

Procesi i Integrimit Europian të vendit është një proces dinamik, kompleks si dhe transformimi e reformimi të brendshëm, kryesisht në aspektin ligjor, ekonomik dhe atë të mirëqeverisjes, duke kërkuar domosdoshmërisht rolin dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë në nivel qendror e lokal, sipas sektorëve dhe grupeve të interesit. Kjo, duke ofruar mbi të gjitha informacion për procesin, paralelisht me rritjen e ndërgjegjësimit e kuptimit më të mirë të tij, si dhe identifikimit të roleve të aktorëve, përtej rolit të qeverisë qendrore si një aktor udhëheqës.

Deri më tani, roli i sektorit privat dhe bizneseve në këtë proces është artikuluar jo mjaftueshëm, jo në një mënyrë eksplicite dhe kësisoj analizuar pak, duke mos pasur një tablo të qartë, nga njëra anë e interesit të sektorit privat në procesin negociues dhe anëtarësues të Shqipërisë në BE dhe nga ana tjetër e ndikimit që ky proces ka mbi sektorin privat sipas fazave, në nivel kombëtar/Europian.  

Kjo qasje e re në analizën e këtij procesi për Shqipërinë mbetet sot e rëndësishme për tre arsye kryesore: (1) BE dhe anëtarësimi që prej origjinës konsistojnë në një bashkim ekonomik, ngritjen dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët, harmonizimin e politikave ekonomike dhe të tregjeve, (të gjitha këto me ndikime direkte në sektorin privat), (2) dinamika të shumta në nivel ekonomish të veçanta dhe BE-je, kanë cënuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik; dhe (3) sektori privat është subjekt dhe kontributor kyç në përmbushjen e kritereve ekonomike në nivel kombëtar, duke lehtësuar dhe nxitur procesin në kohë, si dhe ndihmuar pozitivisht balancën kosto-përfitime në momentin e anëtarësimit. Prandaj, sektorit privat i dedikohet automatikisht një rol kyç, duke kontribuar në proceset e brendshme transformuese dhe përshtatur me “rregullat e reja të tregjeve”.

Analizë

Procesi i negocimit dhe anëtarësimit në BE ka një ndikim të jashtëzakonshëm në aktivitetin e çdo kompanie të vetme dhe qytetari të thjeshtë në nivel ekonomie/shoqërie. Është detyrë e qeverisjes qendrore të informojë sektorin privat mbi ndryshimet që do të pasojnë MSA dhe procesin negociues, në mënyrë që sektori të përgatitet për mundësitë dhe sfidat e reja. Akoma më tej, sa më të forta e të zhvilluara organizatat e biznesit dhe bashkimet tregtare, aq më shumë mund të kontribuojnë ato në këtë proces (Mayhew, 2005). 

Nga njëra anë, ky është një proces kompleks që kërkon planifikim strategjik dhe ripërcaktim të prioriteteve kombëtare, si dhe një proces dinamik, që kërkon fleksibilitet dhe përgjigje efektive ndaj sfidave të reja, sidomos në përballjen me sfidat e ristrukturimit të institucioneve ekonomike dhe politike për të përmbushur kushtet e anëtarësimit. Nga ana tjetër, përfshirja sistematike e aktorëve joshtetërorë (veçanërisht shoqërisë civile dhe sektorit privat) në proceset negociuese ndihmon me ekspertizë dhe të dhëna përcaktimin e pozitës negociuese dhe periudhave tranzitore që vendi do të kërkojë, për të bërë funksionale politikat e BE.

Pikat e lidhjes mes integrimit në BE dhe sektorit privat

Në nivel Europian, përmes instrumenteve të informimit-konsultimit-përfshirjes-bashkëpunimit-fuqizimit, mbështetet përmirësimi i klimës së biznesit, sidomos për kompanitë e vogla dhe të mesme, si dhe prioritizimi i reformave, duke angazhuar sektorin privat nëpërmjet një dialogu privat-publik në formulimin e politikave, veçanërisht drejt sektorëve me potencial për rritje dhe punësim (EC, 2014).

EESC vlerëson se në të gjitha vendet e BP, sektori privat është i vogël edhe krahasuar me ekonomitë e vogla të tranzicionit, tashmë pjesë e BE (EESC, 2018). Vendet e rajonit dominohen nga një prezencë e lartë e shtetit në ekonomi, korrupsion i lartë, mungesë e kuadrit konkurrencial, mungesë e standardeve, si dhe akses i ulët në financë dhe tregje (Serbos, 2008). Tregjet lokale të BP janë të hapura për kompanitë Europiane, por liberalizimi i plotë i tyre nuk ka ende ndikim në jetën ekonomike të vendeve, për shkak të mungesës së konkurrueshmërisë së kompanive vendase (Gordana and Nikola, 2013). Përfitimi i sektorit privat ndaj ekonomive të shkallës në tregun e përbashkët Europian do të varet nga aksesi në instrumentet financiare, një forcë pune më cilësore, dhe orientimi drejt inovacionit (Simoneti et al., 1996).

Proceset integruese për BP lidhen me axhendat e transformimit të vendeve në ekonomi tregu funksionale të afta për t’u integruar plotësisht në tregun e përbashkët Europian, duke nxitur punësimin dhe mundësitë e sipërmarrjes, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, nxitur zbatimin e ligjit, duke forcuar kapacitetet institucionale dhe duke zbatuar politika Europiane të luftimit të korrupsionit në tregje (Budak and Rajh, 2013). Të gjitha këto do të ishin thelbësore për të nxitur ekonomitë vendase dhe sektorin privat dhe përshpejtuar konvergjencën e nevojshme me BE (EC, 2020).

Shqipëria ka bërë progres në terma të përgatitjes për përballimin e presionit konkurrencial dhe forcave të tregut në nivel unioni. Konkurrueshmëria e vendit cënohet nga njohuritë e sipërmarrjes dhe teknologjisë, shpenzime të ulëta për kërkim-zhvillim-inovacion, hendek i madh i aftësive, institucione të dobëta, integrim rajonal dhe eksporte nën potencial, nivel i ulët i investimeve dhe infrastrukturë jocilësore (EC, 2020).

Eksperienca e vendeve të ngjashme

Aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë të vendeve në tranzicion kanë qënë të dobët për të bashkëpunuar gjatë proceseve të negocimit dhe anëtarësimit, e sidomos kultura e dobët e sektorit publik për gjithëpërfshirje të aktorëve në proceset politikëbërëse kushtëzoi shumë fuqizimin e tyre dhe rritjen e kapaciteteve, përtej thjesht dhe vetëm përshtatjes me “acquis communautaire”. Por, përfshirja e aktorëve joshtetërorë në këto procese ka qenë në fokus të KE për të rritur efektivitetin e politikave Europiane, si dhe adresuar kriticizmin mbi deficitin demokratik të BE, duke nxitur përfshirjen e shoqërisë civile dhe sektorit privat nga vendet anëtare të EQL në organizata të nivelit Europian (Borzella and Buzoga, 2010).

Vende si Hungaria, Polonia apo Rumania ofrojnë shumë pak evidenca të bashkëpunimit të qëndrueshëm midis aktorëve gjatë proceseve integruese, duke mos i parë ata si partnerë apo kontributorë të qendrueshëm. Legjislacioni, fondet dhe ekspertiza e BE e kanë potencialin për të fuqizuar aktorët joshtetërorë për proceset integruese të këtyre vendeve, por këta nuk ishin të aftë për të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e reja të ofruara nga BE (Borzella and Buzoga, 2010). Serbia ka vlerësuar se për të përdorur maksimalisht mundësitë e integrimit, përfituesit potencialë nga sektori privat do të duhet të kenë njohuri mbi institucionet Europiane dhe kombëtare të përfshira, si dhe të zhvillojnë njohuritë për përthithjen e fondeve të para-anëtarësimit, duke marrë pjesë në mundësitë e biznesit në rajon dhe më gjerë (Gov. of Rep. of Serbia, 2011). Estonia ofron eksperiencën e trajnimeve lidhur me marrëveshjet tregtare, si dhe instrumentet e ekonomisë së tregut, të cilat përgatitën qeverinë dhe sektorin privat për negociatat me BE (Lumiste et al., 2008).

Një nga avantazhet e Kuadrit Negociator të Kroacisë ishte qasja e gjerë e negociatave, duke ndjekur praktikat e mira të vendeve të zgjerimit të 5-të, ku Grupet e Punës për përgatitjen e negociatave sipas kapitujve përfshinë një numër përfaqësuesish nga sektori privat. Parimi i gjithëpërfshirjes u ndoq edhe gjatë procesit të screening, me qëllim kryesor familjarizimin me kërkesat e “acquis communautaire” dhe me parakushtet për zbatimin e plotë të tyre, duke rezultuar po ashtu në një transparencë të plotë të procesit dhe ndarje të informacionit dhe arritjeve në çdo fazë. Ndërkohë, në Malin e Zi, përfshirja e aktorëve joshtetërorë në grupet negociatore u praktikua vetëm në hapat e para, duke pasur një lloj përjashtimi të tyre në kohë nga puna me kapitujt, edhe pse strukturat e grupeve nuk ndryshuan (Becici, 2014).

Shqipëria

Paralelisht me një informacion të vazhdueshëm, të qartë dhe të aksesueshëm mbi çështjet me interes publik, bashkëpunimi me të gjithë partnerët e interesuar kërkon një mekanizëm koordinues eficient, të qëndrueshëm, funksional, të përshtatshëm me sistemin politik kombëtar, kulturën administrative dhe kapacitetet institucionale. Decentralizimi i këtij bashkëpunimi përtej një zyre të vetme do ti shërbente diversifikimit të nevojave dhe mundësive për bashkëpunim mes ministrive të ndryshme dhe aktorëve joshtetërorë sipas fushave të politikëbërjes (Jano, 2015). 

Plani Kombëtar për Integrimin në BE dhe baza ligjore për ngritjen e strukturave negociuese e koordinimit qendror mes strukturave janë plotësuar me ngritjen e Platformës së Partneritetit për IE, ku monitorimi i politikave publike gjatë procesit dhe dhënia e ekspertizës në fusha të ndryshme të acquis communautaire, është e hapur për aktorët joshtetërorë sipas fushave përkatëse të kompetencës. Organizimi në praktikë i kësaj strukture këshillimore bazuar në analiza të mira dhe evidenca do të duhet të kërkojë një vëmendje të veçantë për t’u shfrytëzuar maksimalisht në çdo fazë dhe arritur rezultate.

Gjetje

Sektori privat do të duhet të shihet qartësisht si subjekt, por edhe kontributor, nëpërmjet këtyre elementëve: (1) harmonizimi i legjislacionit sipas “acquis communautaire” dhe kapitujve, (2) harmonizimi i politikave ekonomike duke rregulluar sektorët dhe tregjet konkurrenciale, veçanërisht lidhur me tregtinë dhe tregun e punës, (3) dinamikat në rritje në kuadër të integrimit rajonal dhe ndërkombëtarizimit, përgjigjes ndaj kërkesave të tregut dhe konkurrueshmërisë, por edhe përfitimit nga ekonomitë e shkallës, (4) analiza e kostove-përfitimeve nga anëtarësimi në nivel mikro dhe makro, (5) kapacitetet për përthithje të fondeve të asistencës para-anëtarësimit, të kohezionit, strukturore si dhe zgjerimit të investimeve, orientuar drejt inovacionit teknologjik (R&D), (6) sigurimi i një mjedisi të brendshëm mundësues për të bërin biznes dhe investuar, (7) avancimi i shpejtë në kërkesat për standardizim dhe arritje të standardeve Europiane, si dhe (8) zhvillimi i elementëve të tjerë bashkëshoqërues të politikave në nivel Europian, si psh. dialogu dhe partnerët socialë, ulja e korrupsionit, mbrojtja e konsumatorit, mbrojtja e mjedisit, të drejtat e pronësisë intelektuale, politikat e taksimit, etj.

Aktualisht sot, në nivel politikëbërës dhe po ashtu studimor/kërkimor: (1) nuk ka një analizë të nivelit të informimit të sektorit privat mbi BE, institucionet, politikat dhe procesin integrues, reformat, kostot-përfitimet; (2) nuk ka një vlerësim të perceptimeve të sektorit mbi vështirësitë dhe potencialet, si dhe pritshmëritë e tij në nivel politikëbërës kombëtar dhe Europian, në mënyrën se si anëtarësimi do të ndikojë tregun e brendshëm dhe ekonominë; (3) nuk ka një vlerësim të kapaciteteve aktuale të bizneseve për t’u përballur me sfidat dhe potencialet e BE, si dhe për tu hapur ndaj një tregu më të madh rajonal dhe Europian; (4) nuk ka një identifikim të plotë dhe diskutim të mjaftueshëm të rolit dhe kontributit që mund të vijë në çdo fazë të negocimit nga sektori privat, aq më pak të strukturuar përmes mekanizmave, dhe (5) nuk ka një qasje optimale, të paktën evidente, për sigurimin e përfshirjes kontribuese të sektorit privat në këtë proces, në konsultimet sipas sektorëve dhe kapitujve.

Nisja e një diskutimi publik gjithëpërfshirës mbi pikat lidhëse midis procesit të integrimit Europian dhe sektorit privat është i nevojshëm në këtë “momentum” të vendit, duke ndihmuar politikëbërjen/procesin me një analizë të fokusuar në kapacitetet aktuale të sektorit, pritshmëritë dhe hapësirat/instrumentet për përfshirje dhe kontribut, si dhe duke e ngritur në formën e një debati publik gjithëpërfshirës mes tërësisë së aktorëve, nëpërmjet një qasjeje ndër-sektoriale, konsultimesh ndër-institucionale dhe ndërmarrjes së nismave të përbashkëta.

 

Elena Polo, shkurt 2021

*Elena Polo është Asistent-Lektore me kohë të plotë në Institutin e Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës. Paralelisht me një formim akademik për rreth 10 vjet, ajo po ndjek studimet në FE për një doktoraturë në Ekonomiks duke u përqëndruar në politikat makroekonomike në nivelin kombëtar dhe nivel BE. Ajo është gjithashtu e angazhuar në sektorin e shoqërisë civile, duke udhëhequr dhe koordinuar projekte kërkimore për një Think Tank.

 

Referenca

Becici, (2014), Montenegro Coordination Requirements and Institutional Set-up in the EU Accession Process and Negotiations, Background Paper for the Regional Workshop of the Network of EU Integration Offices in South East Europe, 23-25 April 2014;

Borzella T., and Buzoga A., (2010), Governing EU accession in transition countries: The role of non-state actors, Macmillan Publishers Ltd. 0001-6810, Vol. 45, 1/2, 158–182;

Budak J., and Rajh E., (2013), Corruption as an obstacle for doing business in the Western Balkans: A business sector perspective, International Small Business Journal 0(0) 1–18, Reprints and permissions: sagepub.co.uk/journals, DOI: 10.1177/0266242613498882

European Commission, (2019), Progress towards Meeting the Economic Criteria for EU Accession, Institutional Paper 109, July 2019, The EU Commission’s 2019 Assessments;

European Commission, (2020), Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions, Communication on EU enlargement policy;

European Commission, (2020), Enhancing the accession process - A credible EU perspective for the Western Balkans, Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions, Zagreb Summit, May 2020;  

European Economic and Social Committee, (2018), Opinion of the European Economic and Social Committee on ‘Economic and social cohesion and European integration of the Western Balkans — challenges and priorities’ (exploratory opinion) (2018/C 262/03);

European Commission, (2014), A Stronger Role of the Private Sector in Achieving Inclusive and Sustainable Growth in Developing Countries, Communication from the Commission to the European Parliament, The Council, The European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions;

European University Institute, (2019), Big Business and the EU: Asserting the role of the private sector in regional integration;

Gordana D., and Nikola M., (2013), EU enlargement policy framework for the Western Balkans: six "c" principles and the new negotiating rules;

Government of the Republic of Serbia, EU integration Office, (2011), Manual for private sector on EU Pre-accession assistance;

Jano D., (2015) Albanian CSO involvement at EU accession negotiations: Best practices from previous accession, Occasional Policy Paper, November 2015;

Lumiste R., Pefferly R., and Purju A., (2008), Estonia’s Economic Development: Trends, Practices, and Sources, Commission on growth and development, Working paper no.25;

Mayhew A., (2005), The Preparation of Countries in South East Europe for Integration into the European Union, Sussex European Institute University of Sussex United Kingdom December 2005;

Serbos S., (2008), European Integration and South-Eastern Europe: prospects and challenges for the WB, UNISCI Discussion Papers, Nº 18 (October 2008), ISSN 1696-2206 95;

Simoneti M., Rojec M., and Rems M., (1996), Slovenia: Enterprise sector restructuring and EU accession.

9,455 Ndjekës
56,743 Ndjekës
43,501 Ndjekës
16 Abonues