Menjëherë pas konsolidimet të institucioneve të Komunitetit Ekonomik Europian (sot Bashkimi Europian) dhe zgjerimit me tre anëtarë të rinj (Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Irlanda në vitin 1973), lindi nevoja për të krijuar një instrument të posaçëm (Eurobarometër), që do të mundësonte matjen e prirjeve të opinionit publik europian për çështje me natyrë politike, sociale, si dhe do të kishte qëllim kryesor nxjerrjen e të dhënave të sakta. Ky projekt u ideua në vitin 1974 nga Jacques-René Rabier, i cili vinte nga radhët e Komisionit Europian[1]. Që nga ky moment, Eurobarometër ka vijuar me zhvillimin e sondazheve si një mjet i standardizuar, i cili paraqet informacion të besueshëm dhe të qëndrueshëm për qëndrimet e qytetarëve të shteteve kandidate. Në pjesën më të madhe të tyre, sondazhet eurobarometër janë realizuar nga Komisioni Europian, por që prej vitit 2007, kjo nismë vjen edhe nga Parlamenti Europian, duke u fokusuar kryesisht rreth çështjeve që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve në Europë.[2] Sondazhi më i fundit i Eurobarometër u zhvillua mes shkurtit dhe marsit 2025, dhe u publikua më 2 shtator të po këtij viti. Në të morën pjesë dhe shprehën opinionet e tyre rreth 26300 qytetarë nga 27 shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga  vendet kandidate. Gjatë zhvillimit të sondazheve u pyetën 1000 individë, te të cilët u përdor metoda e kampionimit të shtresëzuar në dy faza. Ky kampionim u bazua tek intervistat ballë për ballë, të zhvilluara ndërmjet majit dhe qershorit të këtij viti.[3]
Ky artikull synon të përshkruajë shkurtimisht rezultatet e sondazhit duke filluar nga pikëpamjet e qytetarëve të pyetur të shteteve anëtare e atyre kandidate për zgjerimin e BE-së në të ardhmen, deri te imazhi i krijuar nga qytetarët e vendeve kandidate, rolin që BE-ja duhet të luajë në përmirësimin e aspekteve të caktuara të jetës së përditshme të tyre e jo vetëm.
Qytetarët e BE-së mbështesin zgjerimin 
Me largimin e pandemisë COVID-19, duket se po ndryshojnë edhe qëndrimet e qytetarëve të BE-së lidhur me mundësinë e një zgjerimi tjetër në të ardhmen. Kjo vjen si rrjedhojë e përpjekjeve të shteteve të Ballkanit Perëndimor e jo vetëm për të kryer reforma në fusha të ndryshme, me qëllim përafrimin e shpejtë të legjislacioneve të tyre me atë të BE-së. Në sondazhin e publikuar në shtator të këtij viti, 56% e qytetarëve të BE-së u shprehën pro zgjerimit të mëtejshëm të kësaj organizate. Mbështetja më e madhe vihet re më shumë te të rinjtë e moshave 15-39 vjeç (rreth dy të tretat), të cilët u shprehën se vendet kandidate duhet t’i bashkohen BE-së sapo të plotësojnë të gjitha kushtet e vendosura.[4] Mbështetësit e konsiderojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së të domosdoshëm për vendet e tyre, duke nxjerrë në pah këto avantazhe: forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e ekonomisë, duke sjellë shtimin e vendeve të punës dhe zgjerimin e bizneseve të BE-së dhe rritjen e ndikimit në botë.[5] Sipas qytetarëve të pyetur, Ukraina është më afër integrimit në BE (52%), ndjekur nga Mali i Zi me 41%, ndërsa Shqipëria dhe Kosova mbeten pak më mbrapa. Pavarësisht këtij rezultati pozitiv, qytetarët e pyetur kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me migracionin, korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe koston e zgjerimit. Ata theksojnë se vendet kandidate duhet të sigurojnëforcimin e shtetit të së drejtës , të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe të garantojnë mbrojtjen e të drejtave themelore për të gjithë qytetarët. Megjithatë, sondazhi na tregon se një pjesë e madhe e të anketuarve (67%) e ndjejnë veten të painformuar për zgjerimin. Pas përfundimit të sondazhit, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos u shpreh se së bashku me shtetet anëtare, do të angazhohenpër të adresuar të gjitha ankesat e qytetarëve, e të tregojnë se zgjerimi sjell paqe, mirëqenie dhe një Europë më të bashkuar.[6]
Perceptimi në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Partneritetit Lindor
Për krijimin e një panorame më të qartë për imazhin e BE-së e jo vetëm, Eurobarometri ka vijuar me zhvillimin e sondazheve edhe në vendet kandidate si Shqipëria, Serbia, Turqia, Ukraina, Gjeorgjia, etj. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Shqipëria kryeson me 91% të popullsisë në favor të integrimit, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 69%. E kundërta ndodh në Serbi, ku vetëm 33% e popullsisë janë pro integrimit. Krijimi i imazhit pozitiv për BE-në vihet re në Turqi dhe pjesërisht në shtetet që dikur kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Dëshirën më të madhe për t’u integruar e kanë shprehur gjeorgjianët me 74% të popullsisë pro nëse do të zhvillohej një referendum i mundshëm,[7] të ndjekur nga Ukrainasit me 70%,[8] Moldavët 58%[9] dhe Turqit 50%. Për Armeninë dhe Azerbajxhanin marrëdhëniet me BE-në janë të rëndësishme, por nuk e shohin me prioritet integrimin në këtë organizatë në të ardhmen. Qytetarët e pyetur shprehen se BE duhet të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës, bujqësisë dhe mjedisit, në luftimin e korrupsionit dhe rritjen e zbatueshmërisë së ligjit, zhvillimin e projekteve në fushën e kulturës dhe arsimit, mbrojtjen e shtresave vulnerabël, përmirësimin e sistemit shëndetësor, etj. Gjithashtu, vihet re se qytetarët e pyetur të vendeve kandidate, kërkuan të kishin më shumë informacion për Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së dhe funksionet që kryejnë.
Analizë e përgjithshme
Të dhënat e përftuara nga Eurobarometri i këtij viti, tregojnë se shumica e qytetarëve të shteteve anëtare apo ata të vendeve kandidate janë shprehur pro zgjerimit të BE-së në të ardhmen në momentin kur këto të fundit të jenë gati. Mirëpo, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Serbinë dhe disa shtete të tjera të ish-bllokut lindor. Kjo vjen kryesisht edhe si rrjedhojë e rritjes së ndikimit të faktorëve të tjerë jashtë BE-së në to. Sa i përket besueshmërisë së krijuar ndaj BE-së, Serbia radhitet si shteti me përqindjen më të ulët, e justifikuar nga  lidhjet e ngushta të krijuara gjatë gjithë historisë së saj me Federatën Ruse. Mjafton të kujtojmë këtu takimet e shpeshta të presidentëve të dy vendeve për të kuptuar ndikimin e madh që kanë në opinionin serb programet desinformuese që vijnë nga Rusia për BE-në e organizata të tjera partnere me të. Po aq i rëndësishëm për Serbinë është edhe niveli i lartë i besueshmërisë së treguar ndaj Kinës, që vjen për shkak të shtimit të investimeve atje. 
Pengesat e mundshme 
Marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e grupkapitujve nuk nënkupton anëtarësimin në BE brenda një periudhe të shkurtër. Duke pasur parasysh këtë, të gjitha shtetet që aspirojnë të bëhen anëtare me të drejta të plota në të ardhmen, i pret një rrugë e gjatë dhe një numër i madh kushtesh për t’u arritur deri në fund. Fillesat e këtij rrugëtimi për shtetet e Ballkanit Perëndimor e jo vetëm, i kemi që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por problemet e hasura gjatë gjithë viteve ’90 në Ballkanin Perëndimor, bënë që vetëm një numër i vogël shtetesh ta vazhdonin më tej këtë rrugëtim. Megjithëse mund të flasim për një situatë shumë më të mirë se në të kaluarën, mbeten ende disa pengesa që vendet kandidate duhet t’i kapërcejnë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota. Sipas sondazhit të fundit të Eurobarometër, 53% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni i përhapur në çdo nivel të administratës publike e më gjerë është pengesa kryesore në rrugëtimin tonë drejt integrimit në BE, pasuar nga krimi i organizuar i përhapur në të gjithë vendin 34% dhe nga mungesa e vullnetit politik 30%.[10] Përveç korrupsionit dhe krimit të organizuar të përhapur, për Maqedoninë e Veriut vërehen edhe disa pengesa të tjera si: mungesa e themelevetë forta të shtetit të së drejtës , sistemi i drejtësisë është joefikas dhe mospajtueshmëritë e shpeshta midis etnive shtetformuese (maqedonasit dhe shqiptarët përbëjnë shumicën).[11] Ky qëndrim vlen edhe për Bosnje-Hercegovinën, ku jo rrallë herë është vënë në rrezik edhe ekzistenca e këtij shteti. Pengesat e përmendura më lart, të kombinuara edhe me situatën jo shumë të mirë ekonomike, kanë bërë që të mbeten ende në pritje shumë vende të tjera kandidate si Serbia, Turqia, Gjeorgjia, Moldavia, etj.
Përfundimi 
Për të kuptuar më mirë prirjet e qytetarëve europianë rreth zgjerimit të mundshëm në të ardhmen mjafton të ndalemi te sondazhet Eurobarometër të zhvilluara vazhdimisht nën drejtimin e Komisionit Europian. Janë pikërisht këto sondazhe që kanë nxjerrë në pah skepticizmin e qytetarëve të shteteve anëtare lidhur me anëtarësimet e reja. Eksperienca jo shumë e mirë që patën Rumania dhe Bullgaria në vitet e para të anëtarësimit me krimin e organizuar dhe korrupsionin, bëri që qytetarët e BE-së të shpreheshin shpesh herë kundër anëtarësimeve të reja, duke e arsyetuar këtë qëndrim se shtetet kandidate duhet të angazhohen fillimisht në plotësimin e disa kushteve të posaçme me qëllim që të jenë gati e të mos i sjellin problemet e tyre të brendshme në BE kur të jenë bërë anëtare me të drejta të plota. Megjithatë, me kalimin e kohës duket se qytetarët e shteteve anëtare nuk janë më aq euro-skeptikë siç ndodhte në vitet 2010 e në vijim. Zhvillimi i sondazheve Eurobarometër edhe në shtetet kandidate na tregon se në pjesën më të madhe të tyre mbizotëron dëshira për t’u anëtarësuar në BE në të ardhmen dhe pohojnë se integrimi në BE do të sjellë më shumë avantazhe sesa disavantazhe. 
                                                                                                                  Vilson Hoxha, tetor 2025
Vilsoni ka përfunduar studimet universitare Bachelor dhe Master në Histori pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Gjithashtu, ai është diplomuar edhe në Bachelor & Master në Marrëdhenie Ndërkombëtare pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë gjatë viteve 2020-2025. Studimi i këtyre dy degëve e ka ndihmuar të jetë aktiv në konferenca dhe trajnime që zhvillohen nga organizata apo institucione që funksionojnë brenda vendit.
Referenca
About Eurobarometer, në: https://europa.eu/eurobarometer/about/eurobarometer
Annual Survey 2025: Georgia – EU neighbours east, në: https://euneighbourseast.eu/news/publications/annual-survey-2025-georgia/
(Annual Survey 2025 – North Macedonia Perceptions towards the European Union). https://webalkans.eu/wp-content/uploads/2021/05/WEBALKANS_Annual-Survey_Spring-2025_Factsheet_NORTH_MACEDONIA_EN.pdf
Annual Survey 2025), Serbia Perceptions towards the European Union: https://webalkans.eu/wp-content/uploads/2021/05/WEBALKANS_Annual-Survey_Spring-2025_Factsheet_SERBIA_EN.pdf
Attitudes towards EU enlargement, në: https://europa.eu/eurobarometer/surveys/detail/3413
Majority of EU citizens support further EU enlargement, në: https://enlargement.ec.europa.eu/news/special-eurobarometer-and-perception-surveys-2025-09-02_en
Moldovans see increasingly good relations with EU, në: https://euneighbourseast.eu/news/opinion-polls/moldovans-see-increasingly-good-relations-with-eu-opinion-poll-finds/
Most Ukrainian see good relations with EU and would vote for accession, në: https://euneighbourseast.eu/news/opinion-polls/most-ukrainians-see-good-relations-with-eu-and-would-vote-for-accession-poll-finds/
Sondazhi i fundit i Eurobarometrit tregon se të rinjtë europianë janë ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit të BE-së, në: https://sq.eureporter.co/enlargement/2025/09/04/latest-eurobarometer-survey-shows-that-young-europeans-are-among-the-strongest-supporters-of-eu-enlargement/
(Sondazhi vjetor 2025, Kosova: perceptimet ndaj BE-së. https://webalkans.eu/wp-content/uploads/2021/05/WEBALKANS_Annual-Survey_Spring-2025_Factsheet_ALBANIA_AL.pdf
(Sondazhi vjetor 2025, Shqipëria: perceptimet ndaj BE-së). https://webalkans.eu/wp-content/uploads/2021/05/WEBALKANS_Annual-Survey_Spring-2025_Factsheet_ALBANIA_AL.pdf
Special Eurobarometer and perception surveys – Enlargement and Eastern Neighborhood, në: https://enlargement.ec.europa.eu/news/special-eurobarometer-and-perception-surveys-2025-09-02_en
[1]https://www.gesis.org/en/eurobarometer-data-service/about (aksesuar 20 tetor 2025)
[3]Special Eurobarometer and perception surveys – Enlargement and Eastern Neighborhood, në: https://enlargement.ec.europa.eu/news/special-eurobarometer-and-perception-surveys-2025-09-02_en
[5]Sondazhi i fundit i Eurobarometrit tregon se të rinjtë europianë janë ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit të BE-së, në: https://sq.eureporter.co/enlargement/2025/09/04/latest-eurobarometer-survey-shows-that-young-europeans-are-among-the-strongest-supporters-of-eu-enlargement/
[6]Majority of EU citizens support further EU enlargement, në: https://enlargement.ec.europa.eu/news/special-eurobarometer-and-perception-surveys-2025-09-02_en
[7]Annual Survey 2025: Georgia – EU neighbours east, në: https://euneighbourseast.eu/news/publications/annual-survey-2025-georgia/
[8]Most Ukrainian see good relations with EU and would vote for accession, në: https://euneighbourseast.eu/news/opinion-polls/most-ukrainians-see-good-relations-with-eu-and-would-vote-for-accession-poll-finds/
[9]Moldovans see increasingly good relations with EU, në: https://euneighbourseast.eu/news/opinion-polls/moldovans-see-increasingly-good-relations-with-eu-opinion-poll-finds/
[10](Sondazhi vjetor 2025, Shqipëria: perceptimet ndaj BE-së, 2). https://webalkans.eu/wp-content/uploads/2021/05/WEBALKANS_Annual-Survey_Spring-2025_Factsheet_ALBANIA_AL.pdf









.jpg)



.png)























