Liria e shprehjes dhe medias, testi i vërtetë i integrimit europian për Shqipërinë

Liria e shprehjes dhe medias, testi i vërtetë i integrimit europian për Shqipërinë

Shqipëria negocion sot anëtarësimin në një Bashkim Europian që po forcon mekanizmat për mbrojtjen e medias. Kjo e bën debatin mbi lirinë e medias jo thjesht çështje të brendshme, por pjesë integrale të standardit europian që vendet kandidate pritet ta përkthejnë në praktikë (European Union, 2012). 

Kur flitet për procesin e zgjerimit, këto parime nuk mund të trajtohen vetëm si standarde teknike që duhen harmonizuar në letër, por si kushte themelore që tregojnë nëse një vend është realisht i gatshëm të bëhet pjesë e Unionit. Kur gazetarët përballen me presione, sulme, qasje të kufizuar në informacion dhe mungesë reagimi nga institucionet, kjo tregon se reformat demokratike humbasin besueshmërinë e tyre. Në kontekstin e negociatave për anëtarësim, liria e medias përbën një tregues kyç të zbatimit të parimeve themelore të procesit të zgjerimit, të strukturuara kryesisht në Kapitullin 23 dhe Kapitullin 24. Ndërsa këta kapituj përcaktojnë kornizën dhe ritmin e negociatave, liria e medias ofron pasqyrën më të qartë të funksionimit real të demokracisë.


Kuadri europian si një standard i panegociueshëm

Kuadri europian për lirinë e shprehjes është i qartë dhe i mirëpërcaktuar. Ai nuk përqëdrohet vetëm te mungesa e censurës, por kërkon kushte konkrete që media të funksionojë në mënyrë të pavarur. Jurisprudenca europiane e përkufizon median si “rojtar publik”, sidomos në çështje që prekin interesin publik, si korrupsioni dhe keqqeverisja (European Court of Human Rights, 2023). Ky rol nuk është teorik; ai është funksional dhe, për rrjedhojë, kërkon mbrojtje konkrete.

Në këtë kuadër, BE-ja ka forcuar strukturën rregullatore për median përmes European Media Freedom Act (European Union, 2022) dhe European Democracy Action Plan (European Commission, 2020). Këto iniciativa nuk synojnë të krijojnë rregulla të reja, por të adresojnë probleme të njohura si ndërhyrjet nga faktorët politikë, mungesën e transparencës së pronësisë dhe presionet me karakter financiar mbi redaksitë.

Në Ballkanin Perëndimor, raportet ndërkombëtare tregojnë se presioni ndaj medias nuk është sporadik. Ai shfaqet në forma të ndryshme: nga kërcënimet direkte te paditë për shpifje, sulmet online dhe deri te mungesa e ndjekjes penale. Këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një klime që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si gazetarët investigojnë dhe raportojnë temat me interes publik. SafeJournalists Network raporton se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 30 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias në rajon, me pak vendime gjyqësore përfundimtare dhe procedura të zgjatura, duke rritur rrezikun e përsëritjes së shkeljeve (SafeJournalists Network, 2025). Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se problemi nuk është vetëm siguria individuale e gazetarëve, por efekti i përgjithshëm mbi debatin publik. Kur temat e ndjeshme shmangen, publiku humbet informacionin që i nevojitet për të kërkuar llogari.


Shqipëria, hendeku mes reformës dhe realitetit

Presionet ndaj medias janë problem i përhapur në gjithë rajonin dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Përkundrazi, ajo ofron një pasqyrë të qartë të mënyrës se si standardet europiane për lirinë e shprehjes mund të zbatohen në letër, por vihen në pikëpyetje në praktikë.

Më 15 dhjetor 2025, Kuvendi zhvilloi konsultime publike mbi amendamente në Kodin Penal “Për Mbrojtjen e Gazetarëve”, që synojnë rritjen e mbrojtjes ndaj dhunës dhe kërcënimeve si dhe zhvendosjen e fyerjes dhe shpifjes në sferën civile (Kuvendi i Shqipërisë, 2025). 

Ky është një hap pozitiv, por rëndësia e tij do të matet nga zbatimi real, jo vetëm nga miratimi formal. Sipas Media Landscape-December 2025 Brief (SCiDEV & SafeJournalists Network, 23 dhjetor 2025), gjatë dhjetorit 2025 janë regjistruar dy raste shkeljesh ndaj gazetarëve dhe organizatave mediatike. Edhe pse në dukje raste numerikisht të kufizuara, këto duhen parë në kontekstin e reagimit institucional dhe efektit intimidues mbi gazetarët.

Zhvillimet e dokumentuara gjatë dhjetorit 2025 e bëjnë situatën në Shqipëri veçanërisht domethënëse. Regjistrimi i rasteve të shkeljeve ndaj gazetarëve, debati mbi dekriminalizimin selektiv të shpifjes dhe konsultimet parlamentare për mbrojtjen penale të gazetarëve tregojnë se vendi ndodhet në një moment ku vendimmarrjet politike kanë peshë reale. Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2025 vëren se, edhe pse janë ndërmarrë disa hapa formalë për përafrimin e kuadrit ligjor, në praktikë liria e shprehjes dhe e medias mbetet problematike. Gazetarët vazhdojnë të përballen me presione politike, padi si dhe me mungesë ndëshkueshmërie për kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre. Raporti thekson gjithashtu pengesa të vazhdueshme në aksesin e informacionit publik, i cili shpesh mbetet i kufizuar ose selektiv. Sipas Komisionit, progresi në këto fusha ka qenë i kufizuar dhe kërkohen rezultate konkrete, veçanërisht në hetimin e rasteve të dhunës dhe intimidimit ndaj gazetarëve, rritjen e transparencës mbi pronësinë e medias dhe zbatimin real të së drejtës për informim. (European Commission, 2025)

Në dhjetor 2025, debati publik u përqendrua te ideja e dekriminalizimit të shpifjes vetëm për gazetarët, duke ruajtur përgjegjësi penale për aktorë të tjerë të debatit publik. Shumë organizata të shoqërisë civile e kundërshtuan këtë qasje, duke theksuar se standardet europiane mbështesin dekriminalizim të përgjithshëm, pasi përjashtimet profesionale krijojnë pabarazi dhe pasiguri ligjore (SCiDEV, 2025). Ky kundërshtim përputhet me rekomandimet e Komisionit Europian në Raportin për Shqipërinë 2024, ku kërkohet dekriminalizim i plotë i shpifjes dhe rritje e transparencës së pronësisë së medias (European Commission, 2024). Edhe në raportin për vitin pasëardhës Komisioni thekson sërish se dekriminalizimi i shpifjes duhet të realizohet plotësisht dhe në përputhje me standardet europiane të lirisë së shprehjes. Ky institucion paralajmëron se qasjet selektive ose zgjidhjet e pjesshme, si ato të ndjekura deri më tani, rrezikojnë të krijojnë pasiguri juridike dhe të kenë një efekt frenues mbi median dhe debatin publik. (European Commission, 2025)


Transparenca dhe e drejta për informacion

Në praktikën e përditshme të raportimit në Shqipëri, hendeku mes kuadrit ligjor për të drejtën e informimit dhe zbatimit të tij bëhet veçanërisht i dukshëm. Pavarësisht se ekziston një kuadër ligjor për të drejtën e informimit, është vërejtur një centralizim i fortë i informacionit publik, ku komunikimi institucional realizohet kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe deklaratave të njëanshme, ndërsa informacioni i plotë dhe i dokumentuar mbetet shpesh i paarritshëm për median dhe publikun.

Ky problem u evidentua qartë edhe gjatë Konferencës së VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në dhjetor 2025, ku u theksua se “…pavarësisht një kuadri ligjor relativisht të avancuar, mungon një program funksional transparence që ta bëjë informacionin publik realisht të aksesueshëm për gazetarët dhe qytetarët…” (Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, 2025). Vetë ky institucion përballet jo pak herë me refuzim edhe nga ana e institucioneve, kur vjen fjala për të shërbyer si urë lidhëse mes tyre dhe gazetarëve ose qytetarëve që kërkojnë informacion.

Raporti “Monitorimi i zbatimit të së drejtës për informim 2025” i Institutit Shqiptar të Medias dokumenton se një pjesë e konsiderueshme e kërkesave të depozituara nga gazetarë dhe qytetarë mbeten pa përgjigje ose marrin përgjigje të pjesshme dhe jashtë afateve ligjore, pavarësisht detyrimeve të përcaktuara në ligjin për të drejtën e informimit. Raporti evidenton gjithashtu raste kur institucionet publike nuk zbatojnë vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke e kthyer mekanizmin mbikëqyrës në formal dhe joefektiv (Instituti Shqiptar i Medias, 2025).

Vetë gazetarët dhe organizata të shoqërisë civile kanë raportuar në mënyrë të vazhdueshme vonesa, refuzime ose përgjigje të pjesshme ndaj kërkesave për informacion mbi çështje me interes të lartë publik, përfshirë kontratat koncesionare, përdorimin e fondeve publike dhe vendimmarrjen në sektorë si shëndetësia dhe mjedisi. Në disa raste, informacioni është bërë publik vetëm pas presionit mediatik ose procedurave gjyqësore, duke e kthyer të drejtën për informim nga një standard ligjor në një proces të lodhshëm dhe të pasigurt.

Në terma europianë, kjo nuk është çështje “komunikimi”; është çështje e sundimit të ligjit: nëse institucionet nuk zbatojnë detyrimet e transparencës, atëherë kontrolli publik dobësohet dhe hapësira për abuzim rritet.


Liria e medias dhe negociatat: pse Kapitujt 23 & 24 janë thelbësorë

Liria e medias lidhet drejtpërdrejt me Kapitujt 23 dhe 24, të cilët përbëjnë thelbin e kuadrit themelor të negociatave për anëtarësim dhe përcaktojnë ecurinë dhe ritmin e tyre (European Commission, 2023). Në nivel politik, deklaratat e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor kanë riafirmuar se procesi i integrimit mbetet i bazuar në meritë dhe varet nga arritja e rezultateve konkrete në fushën e demokracisë dhe të drejtave themelore.

Kjo do të thotë se Shqipëria nuk do të vlerësohet vetëm për përputhjen e ligjeve, por për funksionimin real të demokracisë, ku disa nga pyetjet për të cilat pritet përgjigje konkrete janë: A mbrohen gazetarët kur kërcënohen? A është e drejta për informim e zbatueshme në praktikë?

Në kuadër të Kapitullit 23, liria e medias dhe mbrojtja e gazetarëve lidhen drejtpërdrejt me garantimin efektiv të të drejtave themelore, funksionimin e pavarur të gjyqësorit dhe proporcionalitetin e ndërhyrjeve shtetërore. Përdorimi i padive për shpifje, zgjatja e proceseve gjyqësore, mungesa e standardeve të qarta mbi interesin publik dhe dështimi për të hetuar kërcënimet ndaj gazetarëve janë elemente që BE i konsideron tregues të dobësive strukturore në sundimin e ligjit.

Kapitulli 24 e lidh lirinë e medias me dimensione më të gjera të sigurisë demokratike. Siguria fizike dhe digjitale e gazetarëve, mbrojtja nga kërcënimet dhe dhuna, si dhe aksesimi i barabartë në informacion publik janë thelbësore për një mjedis ku qytetarët mund të informohen lirshëm dhe ku institucionet mund të mbahen përgjegjëse. Në këtë drejtim, dështimi për të ndjekur penalisht sulmet ndaj gazetarëve ose tolerimi i presionit sistematik krijojnë jo vetëm rrezik individual, por edhe cenim të sigurisë publike në kuptimin demokratik të fjalës. Liria e medias është e ndërthurur drejtpërdrejt me këta kapituj, pasi ajo reflekton njëkohësisht funksionimin e drejtësisë, respektimin e të drejtave themelore dhe nivelin e sigurisë për gazetarët dhe aktorët e debatit publik. Një sistem gjyqësor i pavarur dhe funksional duhet të jetë në gjendje të mbrojë gazetarët nga kërcënimet, paditë abuzive dhe presionet politike; po ashtu, institucionet e sigurisë duhet të reagojnë në mënyrë efektive kur liria e shprehjes vihet në rrezik.


Përfundime dhe rekomandime

Analiza tregon se liria e medias dhe transparenca në Shqipëri mbeten tregues kyç të cilësisë demokratike dhe besueshmërisë së reformave. Pa gazetarë të lirë dhe të mbrojtur, asnjë reformë tjetër nuk mund të jetë plotësisht e besueshme.

Integrimi europian synon transformim real, jo vetëm përafrim formal, për të cilin nevojiten hapa konkretë si:

1.Mekanizma ligjorë të veçantë për trajtimin e rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve, me afate të përcaktuara dhe transparencë mbi ecurinë e çështjeve.

2.Harmonizim i plotë i qasjes ndaj shpifjes me standardin europian dhe shmangie e zgjidhjeve selektive që krijojnë pabarazi juridike.

3.Masa kundër padive abuzive në përputhje me frymën e nismave europiane.

4.Zbatim real i së drejtës për informim, përfshirë respektimin e vendimeve të autoritetit mbikëqyrës.

5.Transparencë e pronësisë si kusht i pluralizmit dhe pavarësisë editoriale.

Procesi i integrimit europian ofron mjetet, standardet dhe presionin e nevojshëm për ndryshim. Por suksesi i tij do të varet nga aftësia e institucioneve shqiptare për të kaluar nga retorika te masat konkrete dhe nga vendosmëria e shoqërisë për të mbrojtur një nga të drejtat më themelore: të drejtën për të folur lirshëm dhe për të informuar pa frikë.


Inva Hasanaliaj, mars 2026


*Inva Hasanaliaj është gazetare dhe studiuese në fushën e komunikimit dhe medias, me fokus në lirinë e shprehjes, politikat europiane dhe sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka përfunduar studimet master në Gazetari (MA Journalism) në Falmouth University, Mbretëri e Bashkuar, ku është specializuar në gazetari analitike, kërkimore dhe etike, me theks në raportimin mbi politikat publike dhe çështjet e interesit publik. Më herët, ajo ka përfunduar studimet bachelor në Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim në Universitetin Europian të Tiranës. Ajo është themeluese e Slow Media Albania, një iniciativë e pavarur që zhvillon gazetari të thelluar dhe analiza mbi transparencën institucionale, të drejtën për informim dhe standardet demokratike të medias. Përvoja e saj profesionale përfshin punën si gazetare fact-checking, gazetare ekonomike dhe konsulente për media dhe komunikim në organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunime me iniciativa ndërkombëtare në fushën e antikorrupsionit dhe qeverisjes demokratike. Aktiviteti isaj kërkimor dhe editorial ndërthur metodologjitë e gazetarisë investigative me analizën e politikave publike dhe kuadrit ligjor europian, duke e trajtuar median si një komponent thelbësor të funksionimit të demokracisë dhe të procesit të integrimit europian.





1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk