Route 28 – Të vizitosh shtetet e Europës pa lëvizur nga vendi yt

Route 28 – Të vizitosh shtetet e Europës pa lëvizur nga vendi yt


Në këto rrugica, në pjesë të caktuara të tyre të konsideruara "stacione" mund të njihesh me një element të caktuar që secili shtet përfaqëson. Pjesëmarrësve p.sh. i jepet mundësia të dëgjojnë muzikë franceze, të shijojnë gatimet polake, të shikojnë një film gjerman, një vepër arti italiane, të njihen me elemente tradicionale apo një aspekt tjetër që përfaqëson apo simbolizon secili vend i Europës. Në këtë mënyrë në një rrugë të vetme gjithsecili mund të njihet dhe të shkëmbejë kulturën me disa vende europiane pa iu dashur të udhëtojë drejt tyre.

Me anë të kësaj nisme synohet që Europa të vijë më pranë njerëzve. Numri 28 lidhet me numrin e shteteve anëtare në Bashkimin Europian dhe pse tashmë si rrjedhojë e referendumit Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e saj. Pas daljes së Britanisë nga BE-ja u diskutua që të kishte ndryshime dhe në emër, por gjithsesi ai nuk ndryshoi duke qenë se aktiviteti është organizuar dy herë deri më tani dhe ishte kthyer tashmë në traditë.
Route 28 është testuar për herë të parë në 2016 me pesë vende dhe në vitin 2017 aktiviteti u zgjerua dhe më shumë duke bërë që njerëzit të frymëzohen nga traditat që qëndrojnë akoma gjallë, në mënyrë që të inkurajohen ti shikojnë ngjarjet më nga afër.

Më 29 prill 2016, u zhvillua në Vjenë versioni pilot i Route 28 ku rreth 200 pjesëmarrës vizituan pesë nga stacionet më të rëndësishme europiane si Britania e Madhe, Polonia, Suedia, Spanja dhe Rumania. Pas ekspozimit të suksesshëm të pesë vendeve europiane ky projekt vazhdoi më 6 maj 2017, ku në ngjarjen e parë të madhe publike po në Vjenë, 800 pjesëmarrësit ishin në gjendje të vizitonin 15 vende duke u futur në shtatë rrugë të ndryshme. Në një ditë të vetme vizitorët "udhëtuan" në të gjithë Europën pa lënë qendrën e Vjenës. Interesant sa i përket organizimit të vitit 2017 në Vjenë, është që nuk morën pjesë vetëm shtetet e BE-së, por edhe shtete të tjera si Zvicra. Synohet që në organizime të tjera numri i stacioneve që simbolizojnë dhe që përfaqësojnë shtetet europiane në këto rrugica të shkojë në 30-40 në mënyrë që të përfaqësohet e gjithë Europa. Përfaqësimi i këtyre vendeve do të shërbejë si bazë për bashkëpunim, solidaritet dhe paqe.

Për të qenë pjesë e kësaj ndjesie siç e konsiderojnë dhe themeluesit e Route 28 mjafton që për një ditë të vetme ndjesinë e të qenit europianë mos ta festojnë me tullumbace apo fjalime, por brenda një pasditeje nga ora 13:00-21:00 secili të zgjedhë grupin e udhëtimit dhe një shoqërues që do ti udhëheqë pjesëmarrësit nga njëri vend në tjetrin. Distancat mes stacioneve janë nga 5-20 minuta dhe pas udhëtimit nëpër këto stacione grupet kthehen në orën 18:00 për të festuar. Në këto shtatë rrugë pjesëmarrësit në secilën prej tyre kishin mundësinë të vizitonin tre shtete sipas dëshirave të tyre. Për të rinjtë rekomandohej Suedia, Bullgaria dhe Italia, për familjarët Holanda, Zvicra dhe Portugalia, për aktorët Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Hungaria dhe për ata që duan pak nga të gjitha Irlanda, Italia dhe Spanja.

Të ndihesh europian është në qendër të projektit ndaj e gjithë kjo nismë lidhet me ndjenjat pasi shpesh mund të ndodhemi përballë dilemave: Pse duhet të ndihemi europianë? Pse është diçka kaq pozitive? Ajo çka synohet me anë të kësaj iniciative është që çdo ndryshim kulturor mes njerëzve të shihet si diçka pozitive që do të shërbejë për të pasuruar individët emocionalisht. Secili vend pasqyron ndjenjat, emocionet, përjetimet e njerëzve dhe pikërisht kjo gjë duhet të tregohet dhe përcillet nga njëri vend në tjetrin.

Çdo njeri i cili ka udhëtuar në vende të tjera, ka studiuar jashtë vendit apo ka miq përtej kufijve e di çdo të thotë kënaqësia e të vizituarit të një vendi të ri, entuziazmin për të panjohurën e re dhe argëtimin. Për vitin e ardhshëm Route 28 akoma nuk është vendosur se ku do të organizohet dhe pse një mundësi është që ky projekt të organizohet jo vetën në një shtet, por të zhvillohet si një tur në të gjithë Europën, pse jo dhe në Britaninë e Madhe. Atje ka akoma njerëz që ndihen Europianë dhe për ata që nuk ndihen të tillë të shërbejë si një shtysë për tu njohur me Europën dhe pse nuk janë më pjesë e BE-së.

Duke qenë se Europa është duke u ndarë disi, iniciativa të tilla vijnë në ndihmë për të përmirësuar situatën e krijuar, duke krijuar një ndjenjë që të shfaqet dhe të të shoqërojë për një periudhë kohe të gjatë. Gjendja e tanishme e kontinentit është një thirrje zgjimi për Europën, dhe synohet që me anë të kësaj nisme të mbështetet ideali europian. Europa nuk e ka humbur rrugën e saj, vizioni vazhdon, ka akoma shumë njerëz entuziastë në Europë. Route 28 nuk ndjek një qëllim politik, por social pasi vetëm në qoftë se ne kemi një interes të përbashkët, ne mund të zgjidhim sfidat e kohës sonë.

                                                                                                                      Stafi i EuroSpeak, qershor 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk