Pagat Minimale dhe ndikimi i tyre në mirëqenie

Pagat Minimale dhe ndikimi i tyre në mirëqenie

Pagat në BE

Pagat dinjitoze janë thelbësore për të siguruar kushte të punës dhe standarde të larta jetese për punëmarrësit europianë. Hartimi i ligjeve për pagat minimale ndihmon dhe mbron punonjësit me paga të ulëta nga varfërimi. Cituar në parimet europiane mbi të drejtat sociale të pagave të cilat zbatohen në të gjitha vendet anëtare të BE, punonjësit kanë të drejtë të kenë paga të cilat mundësojnë një standard normal jetese dhe këto paga duhet të mundësojnë jetesën normale në bazë të ekonomisë së vendit dhe gjendjes sociale të punëmarrësit dhe familjes së tij. Pagat në vendet anëtare të BE duhet të jenë transparente dhe të parashikueshme në bazë të praktikave vendase dhe të respektojnë autonominë e partnerëve socialë. Praktika të ndryshme të zbatuara nga vendet anëtare për arritjen e standardeve kanë ndikuar në një iniciativë të re të BE për të krijuar një standard të ri europian.

Në bazë të Nenit 151, 153 (5) dhe 154 (2) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian (TFEU) dhe çështjeve në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, nismat e BE-së në fushën e pagave minimale nuk tentojnë të harmonizojnë drejtpërdrejt nivelin e pagave minimale në të gjithë BE-në. Nëpërmjet kësaj iniciative nuk synohet të krijohet një mekanizëm i njëjtë për pagat minimale ose përcaktimin e nivelit të pagës, pasi kjo prek lirinë e partnerëve socialë në një nivel kombëtar dhe bën pjesë në kompetencat përkatëse të Shteteve Anëtare. Për këtë arsye pagat minimale do të vazhdojnë të përcaktohen përmes marrëveshjeve kolektive ose dispozitave ligjore, në respekt të kompetencave kombëtare dhe lirisë kontraktuale. BE kërkon që të vendoset një pagë fikse në shtetet të cilat përdorin kontratat kolektive dhe pagat të rregullohen prej tyre. Nëpërmjet këtij rregullimi do të arrihet një përmirësim në ekonominë sociale të tregut të BE-së dhe implementimin e parimeve të BE.

Rëndësia e pagave minimale

Pagat në vendet anëtare të BE kanë pësuar rritje në dekadën e fundit por situata e punonjësve me paga të ulëta është përkeqësuar ndjeshëm duke bërë që të ketë një disnivel të lartë midis pagave. Pothuajse një në gjashtë punëtorë në BE fiton një pagë të ulët, trend i cili është në rritje. Gjatë periudhës 2006 deri në 2014 ky trend u rrit përafërsisht nga 16.7% në 17.2%. Punëtorët me nivel të ulët arsimor, në profesione të lidhura me shërbime, preken më shumë se ata me arsim të lartë ose ata që punojnë në profesione të tjera. Për më tepër, ndërmarrjet e vogla kanë tendencë të punësojnë një përqindje më të lartë të punëtorëve me paga minimale. Personat me forma jo standarde të punësimit janë të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë.

Ka patur një rritje në punësimet jo standarde (përfshirë punësimin e përkohshëm, punën me kohë të pjesshme, si dhe punën e përkohshme në agjenci) në shumë Shtete Anëtare si rezultat i të rritjes së shërbimeve në ekonomi, ndryshimeve teknologjike dhe shfaqjes së modeleve të reja të biznesit të cilat mund të sjellin rritjen mundësive për varfërimin e punëtorëve. Punëtorët në fjalë kanë tendencë të fitojnë paga më të ulëta se punëtorët e përhershëm me kohë të plotë, kjo kontribuon në pabarazinë e pagave. Pagat minimale mbrojnë punëtorët me paga të ulëta dhe ata me sindikata dhe kontrata kolektive të dobëta. Gjithashtu pakësohet pabarazia në paga dhe varfërimi gjatë punësimit. Duke vështruar dhe pagat e marra vërehet se femrat kanë paga pothuajse minimale ose minimale në krahasim me meshkujt. Rregullimi i pagave minimale për këtë arsye do të ndikonte pozitivisht në barazinë gjinore. Reforma të tjera duhet të ndërmerren për zhdukjen e kësaj pabarazie, por kjo iniciativë e BE është një hap para drejt arritjes së një standardi të përbashkët.

Shtetet Anëtare kanë praktika të ndryshme për pagat. Disa prej tyre kanë caktuar pagën minimale ligjore dhe 6 të tjerë kanë paga të përcaktuara përmes negociatave kolektive. Sot përqindja e punëtorëve që fitojnë pagën minimale në BE vlerësohet në nivele që ndryshojnë nga nën 5% (p.sh. në Belgjikë dhe Maltë) deri në rreth 20% (në Portugali dhe Rumani).

Ndryshimet

Pagat minimale konsiderohen të mjaftueshme nëse ato janë të drejta përkundrejt shpërndarjes së pagave në vend dhe nëse sigurojnë një standard të mirë jetese. Përcaktimi i pagës minimale duhet të vlerësohet në lidhje me kushtet ekonomike të secilit vend, duke vërejtur se si niveli i pagave minimale lidhet me shpërndarjen e pagave. Në 2018, ndryshimi i pagës më të lartë dhe pagës mesatare u vërejt në shtetet me sistem negociues kolektiv (Danimarka dhe Italia afër 80%) ndërsa në vendet e tjera paga minimale shkon kryesisht midis 40% dhe 60%. Vende të tjera me paga minimale të larta janë Bullgaria, Franca dhe Portugalia, ndërsa vende me paga minimale më të ulëta janë Çekia, Estonia dhe Spanja .

Kur flasim për pagat duhet të konsiderojmë edhe ndikimin që kanë taksat dhe kontributet sociale. Gjatë 2018 paga bruto dhe paga neto ndryshonin nga 15% deri në 45% në pagat minimale. Taksat kanë një ndikim në shumën e pagës që punëtorët kanë në dispozicion dhe në pagën minimale, por edhe në punësimin. Në shumë raste punëtorët pranojnë vendet e punës në bazë të pagës neto dhe të ardhurat nga burime të tjera për të gjykuar nëse do të pranojnë apo jo një ofertë pune.

Papunësia në BE dhe në zonën Euro

Shkalla e papunësisë në zonën e euros ka pësuar një rënie duke zbritur në 7.4% në dhjetor 2019, nga 7.5% që ishte në nëntor 2019 dhe nga 7.8% në dhjetor 2018. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në zonën e euros që nga maji i vitit 2008. Papunësia në BE ka qenë 6.2% në dhjetor 2019, nga 6.3% në nëntor 2019 dhe nga 6.6% në dhjetor 2018. Eurostat përfshiu në statistika 15.475 milion meshkuj dhe femra, nga të cilët 12.251 milion ishin të papunë në dhjetor 2019. Në krahasim me nëntorin 2019, numri i personave të papunë u ul me 80 000 në zonën e BE dhe për 34 000 në zonën euro. Në krahasim me dhjetorin 2018, papunësia ra me 747 000 në BE dhe me 592 000 në zonën e euros.

Ndërmjet Shteteve Anëtare të BE, niveli më i ulët i papunësisë për periudhën e dhjetor 2019 u regjistruan në Çeki (2.0%), si dhe në Gjermani dhe Holandë (3.2%). Shkalla më e lartë e papunësisë është vërejtur në Greqi (16.6% në Tetor 2019) dhe Spanjë (13.7%). Në krahasim me një vit më parë, shkalla e papunësisë ra në 21 shtete anëtare, dhe mbeti e njëjtë në Danimarkë. Papunësia u rrit në Qipro (nga 7.4% në 7.6%), Slloveni (nga 4.4% në 4.6%), Lituani (nga 5.8% në 6.1%), Portugali (nga 6.6% në 6.9%), Luksemburg (nga 5.2% në 5.6%) dhe Suedi (nga 6.5% në 6.9%). Rëniet më të ndjeshme u regjistruan në Greqi (nga 18.5% në 16.6% midis tetor 2018 dhe tetor 2019), Bullgari (nga 4.7% në 3.7%) dhe Kroaci (nga 7.3% në 6.4%).

Papunësia në radhët e të rinjve

Në dhjetor 2019, 3.155 milion të rinj (nën 25 vjeç) ishin të papunë në BE, nga të cilët 2.213 milion ishin në zonën e euros. Krahasuar me dhjetorin 2018, papunësia e të rinjve u ul me 143 000 në BE dhe me 129 000 në zonën e euros. Në dhjetor 2019, shkalla e papunësisë së të rinjve ishte 14.1% në BE dhe 15.3% në zonën e euros, krahasuar me 14.6% dhe 16.2% respektivisht në dhjetor 2018. Në dhjetor 2019 normat më të ulëta u vërejtën në Çeki (4.3%), Gjermani (5.8%) dhe Holandë (6.7%), ndërsa më të larta u regjistruan në Greqi (35.6% në Tetor 2019), Spanjë (30.0%) dhe Itali (28.9%).

Stafi i EuroSpeak, shkurt 2020

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk