Epoka e Luftës së Gazit dhe e ardhmja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Epoka e Luftës së Gazit dhe e ardhmja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Situata u ashpërsua aq shumë me akuza të ndërsjellta mes të dyja palëve, si pasojë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ukrainës dhe BE-së përsa i përket modernizimit të tubacione ukrainase të gazit. Rusia, duke e shfrytëzuar faktin se është eksportuesi më i madh i BE-së për naftën gazin natyror, vazhdimisht ka kërcënuar për mbylljen e rubinetave të saj të gazit. Por roli i Rusisë në konfliktin në Ukrainë, sidomos pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së vazhdueshme të separatistëve prorusë, ka prekur dhe dëmtuar marrëdhënien BE – Rusi. Menjëherë si pasojë e përfshirjes ruse në ngjarjet në Ukrainën Lindore, Këshilli u detyrua të marrë vendimin për sanksione ndaj Rusisë duke sjellë edhe kundërgjigjen ruse me të njëjtën mënyrë. Sidoqoftë, BE-ja e konsideron sot Rusinë në pozitat e një kundërshtari sesa të një partneri strategjik.

Konflikti BE – Rusi për gazin favorizon projektin TAP

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), që do të sjellë gaz për Europën nga Azerbajxhani, është një alternative e Bashkimit Europian për të shmangur dominancën ruse në tregun europian të gazit, duke reduktuar në këtë mënyrë varësinë e saj nga Rusia. Ky projekt, si pjesë e Korridorit Jugor, pritet të marrë një dimension të ri në rajonin e Ballkanit dhe në Europë pas bllokimit të projektit rus “South Stream”, i cili përfshinte një rrugë të ngjashme. Gjatë vizitës së tij dyditore në Turqi, në datat 16 dhe 17 mars, për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të gazsjellësit Trans Anatolian (TANAP) së bashku me Presidentët Erdogan dhe Alijev si edhe në Dialogun e Nivelit të Lartë pë Energjinë BE-Turqi, Komisioneri Europian për Energjinë, Maroš Sefcovic, e konsideroi projektin TAP me rëndësi politike dhe ekonomike për Europën për rritjen e sigurisë së energjisë në vendet e Ballkanit. Ndërkohë, një zyrtar i lartë i kompanisë azere të naftës SOCAR, Elshad Nasirov u shpreh se TAP nuk të konkurrojë me asnjë projekt tjetër ekzistues.

Përfshirja e mundshme e Iranit në projektin TAP

Në mesin e partnerëve të Bashkimit Europian në Korridorin Jugor të Gazit aktualisht janë Azerbajxhani, Turkmenistani, Gjeorgjia, Kazakistani, Turqia, Iraku dhe Egjipti. Drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të këtij projekti janë shprehur mëse të gatshëm për mundësinë e hapjes së dyerve ndaj vendeve të tjera, ku kandidatët më potencialë janë vende si Irani dhe Uzbekistani si një vlerë e shtuar strategjike. Zëdhënësja e projektit e Gazsjellësit TAP, Lisa Givert, konfirmoi zërat për një interesim të mundshëm të Iranit për t’u përfshirë në këtë projekt kaq ambicioz, i cili është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit me gjatësi mbi 4000 km, për shpërndarjen e gazit nga Kaukazi për në Europë. Megjithatë ende nuk dihet nëse Irani do të kërkojë të bëhet pjesë vetëm me anë të investimeve apo do të kërkojë të shesë edhe gazin që prodhon vetë përmes tubacioneve të Gazsjellësit Trans Anatolian (TANAP), që lidhet me rrjetin TAP në kufirin turko – grek për të transportuar gazin nga Azerbajxhani drejt jugut të Italisë, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik. Gjithashtu znj.Givert shtoi se gjithçka do të kryhet në bazë të ligjeve dhe rregullave të Bashkimit Europian si edhe vetëm pas heqjes së sanksioneve ndaj këtij vendi. Edhe zyrtarët azerbajxhanas gjithashtu nuk përjashtojnë mundësinë se Irani mund t’i bashkohet projektit të eksportit të një miliard metrave kub (BCM) gazi në vit nga fusha e Shah Deniz II në Detin Kaspik deri në Europë përmes përdorimit të tubacionit TANAP. Ndërtimi i TAP pritet të fillojë në vitin 2016 dhe gazi i parë pritet të rrjedhë në vitet 2019–2020. Aksionerët e TAP janë BP (20%), kompania e Azerbaixhanit shtetërore SOCAR (20%), Statoil i Norvegjisë (20%), FLUXYS Belgjikës (19%), Enagás i Spanjës (16%) dhe Axpo me qendër në Zvicër (5%).

Përdorimi gjeopolitik i “Turkish Stream”

Korridori Jugor duket më premtues në krahasim me projektet e tjerë Nabucco dhe “South Stream”, që të dyja të financuara nga kompania ruse e gazit Gazprom, të cilat nuk dolën të suksesshme. Projekti është realist dhe mund të ekzekutohet në afat të mesëm në një kohë kur Europa Lindore po kërkon të lidhet me rrjetet e furnizimit të gazit. Situata në favor të TAP-it është përshpejtuar edhe pas deklaratave të BE-së se projekti “South Stream” nuk është në përputhje me ligjet e BE-së për konkurrencën. Si pasojë e presionit të BE-së, Bullgaria i ka pezulluar punimet e South Stream në territorin e saj, veprim ky që solli edhe deklaratat e ashpra prej Kremlinit ndaj Europës për kundërshtimet e saj të vazhdueshme ndaj këtij projekti. Gjatë vizitës në Turqi, në dhjetor 2014, Presidenti rus Vladimir Putin bëri të ditur se në vend të “South Stream” do të ndëtohet gazsjellësi “Turkish Stream” në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë, duke anashkaluar Ukrainën dhe Bullgarinë, i cili më pas do të përdoret për furnizimin me gaz të Europës Qendrore dhe Lindore.

Lidhur me këtë, në datën 7 prill, në Budapest u zhvillua takimi ministerial pesëpalësh mes Ministrave të Punëve të Jashtme të Greqisë, Maqedonisë, Serbisë, Hungarisë dhe Ministrit të Çështjeve Europiane të Turqisë për të diskutuar rreth thellimit të bashkëpunimit në fushën e energjisë, në politikën e fqinjësisë së mirë në marrëdhëniet mes vendeve dhe qytetarëve të tyre si edhe për pjesëmarrjen e tyre të mundshme në projektin e Rusisë për ndërtimin e gazsjellësit “Turkish Stream”.

Pas këtij takimi, ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët ku krahas rritjes së bashkëpunimit në sistemin e tyre të gazit si edhe mbështetjes së tyre për krijimin e një rruge dhe burimi për shpërndarjen e gazit nga Turqia në territoret e vendeve të tyre drejt vendeve të Europës, parimisht shfaqën interesin dhe treguan gatishmërinë e tyre për t’u bërë pjesë e këtij projekti. Gjithashtu, ministrat e vendeve ballkanike kërkuan asistencën financiare të BE-së për garantimin e fondeve në infrastrukturën e gazit natyror të këtyre vendeve, me pretendimin se tubacioni do të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e përgjithshme të energjisë së Europës dhe për këtë arsye duhet të jetë një përgjegjësi e përbashkët e Bashkimit Europian. Palët nënshkruese ranë dakort se projekti në fjalë duhet të verifikohet ligjërisht nga Turqia, Rusia dhe Brukseli për shmangien e problemeve me projektin tjetër të South Stream. Në takimin e ardhshëm në korrik do të ftohen edhe Ministrat e Punëve të Jashtëm të Bosnjë – Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Por ngjarjet e fundit në Ukrainë, nga njëra anë i përkeqësuan marrëdhëniet mes Rusisë dhe Europës, nga ana tjetër i intesifikuan kundërshtimet për ndërtimin gazsjellësit e ri rus. Maroš Sefcovic e ka kritikuar projektin në fjalë, duke e konsideruar në qarqet e BE-së si një projekt politik që ka si qëllim për të dobësuar Ukrainën si edhe mbi të gjitha për të rritur varësinë e BE-së nga Rusia.

“South Stream” dhe synimet e Rusisë

Si shumë vendime të tjera të Presidentit rus, edhe ky për bllokimin e “South Stream” ka qenë mjaft befasues për të gjithë. Analistët mendojnë se ai e ka gjetur një zgjidhje ndoshta më të mirë dhe më të lirë për dërgimin e gazit në Europë, duke i mëshuar edhe synimeve gjeopolitike të Ukrainës. Por në një kohë që Brukseli e ka shumë të nevojshëm gazin rus, po bën një rezistencë të madhe për dominimin e mëtejshëm të tregut nga Moska, për të shmangur edhe ndikimin rus në zemër të Europës. Për sigurimin e alternativave të tjera, Europa po studion planet për ndërtimin e 24 terminaleve të gazit të lëngshëm me një kapacitet prej më shumë se 140 miliardë metra kub. Vizita e fundit e kryeministrit të Greqisë në Moskë, Aleksis Tsipras, vërtetoi dhe tregoi edhe njëherë tjetër brishtësinë apo ndasinë e 28 vendeve të Bashkimit Europian sidomos pas vendimit për sanksionet ndaj Rusisë. Ndërkohë që marrëdhëniet e ngushta midis Serbisë dhe Rusisë, sidomos pas vizitës së Presidentit Putin në Beograd, nuk ndikojnë në mënyrë direkte në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por ndikojnë të gjitha sjelljet dhe vendimet politike siç mund të jetë edhe pjesëmarrja e ushtrisë serbe në Paradën e Ditës së Fitores në Rusi, në ndryshim nga ushtritë e vendeve të BE-së. Por sot në marrëdhëniet ndërkombëtare është shumë e vështirë të tregohesh asnjanës pasi urat lidhëse të dikujt janë zakonisht ato që vuajnë më shumë.

Kryeministri i Hungarisë Victor Orban pati deklaruar kohët e fundit se mungesa e një furnizimi të larmishëm nga rrugët e gazit dhe të naftës përbën një gabim srategjik jo vetëm për Hungarinë por edhe për vetë BE-në. Megjithatë nuk përbën habi fakti se Moska po përpiqet ta përdori gazin për të rritur ndikimin në vendet e rajonit të Ballkanit. Greqia dhe Hungaria, si vende anëtare të BE-së, janë vendet më të rrezikuara ndaj ndikimit të Kremilinit për të krijuar një ndarje brenda BE-së. Nga ana tjetër Bullgaria dhe Rumania kanë si qëllim të rrisin eksplorimin në Detin e Zi ndërsa Izraeli po përpiqet të bindë BE-në të mbështesë ndërtimin e një tubacioni për të ofruar gaz nëpërmjet Qipros. Sllovakia, nga ana tjetër, përmes kryeministrit Robert Fico, ka mbështetur një propozim për ndërtimin e një tubacioni prej 570 kilometrash, për të lidhur Ballkanin dhe vendet baltike. Bllokimi i projektit “South Stream” ka cënuar sigurinë energjetike si edhe ka zeruar përfitimet monetare që mund të kishin disa vende të Ballkani të tilla si Bullgaria, Serbia dhe Maqedonia. Përfituesi më i madh për momentin duket se është Turqia pas marrëveshje midis Putinit dhe Erdoganit. Presidenti turk po e përdor kartën e gazit rus për t’i bërë presion Europës, duke rritur në këtë mënyrë influencën reale, sesa të presë në dyert e BE-së për të prekur ëndrrën e anëtarësimit. Nëpërmjet gazit Putini synon ta bëjë Rusinë gravitet botëror,duke e forcuar këtë rol edhe më tej pas marrëveshjes për furnizimin me gaz me Kinën, për pesë vitet e ardhshme.Kurse liderët e Çekisë dhe të Sllovakisë në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në Paradë po tregohen disi të dyzuar. Por dhe TAP nuk mund të zgjidhë problemin europian të furnizimit me gaz, pasi ka vetëm një të gjashtën e kapacitetit të “South Stream”.

E ardhmja e burimeve të gazit

Burimet energjetike në Kaspik përbëjnë një mundësi të jashtëzakonshme për Europën në përballimin e sfidave të saj energjetike, për të përmbushur kërkesën e saj afatgjatë për burime të reja gazi. Duke qenë se tashmë ka rrugë furnizimi që lidhin tregjet europiane me furnizime nga Rusia, Afrika dhe Deti i Veriut, korridori i ri energjetik nga Kaspiku, do të sigurojë diversitet të furnizimit me gaz dhe do të ulë rrezikun e varësisë së tepërme nga një burim i vetëm furnizimi. Shumë vende në Europën Juglindore, duke qenë se janë të lidhura vetëm me një burim për furnizimin e tyre me gaz, janë tejet të prekshme nga ndërprerjet në furnizim dhe çmimet jokonkurruese. Rëndësia e Korridorit Jugor të gazit qëndron edhe në faktin se do të ndihmojë në hapjen e një linje të re ndërlidhëse transporti përmes vendeve të rajonit të Ballkanit, në realizimin e synimit të BE-së për furnizimin me gaz të Europës Juglindore, si edhe do të ofrojë një burim të ri gazi për Europën. TAP-i do të hapë rrugën që burime të reja energjie të hyjnë në këto tregje dhe ndërkohë do të promovojë zhvillimin e sektorëve të tyre energjetike. Duke pranuar kontributin thelbësor për qëllimin strategjik të përforcimit të diversitetit dhe të sigurisë energjetike të Europës, Komisioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin ndërtimin e TAP-it. Megjithatë, integrimi dhe diversifikimi i furnizimit me gaz për BE-në nuk është vetëm një synim i politikave strategjike. Duke përmirësuar likuiditetin dhe konkurrencën e tregjeve energjetike europiane, TAP-i do të sigurojë gjithashtu një marrëveshje më të mirë për prodhuesit e energjis dhe për konsumatorët. Konsorciumi i Shah Deniz-it ka nënshkruar marrëveshje për shitjen e gazit me blerës nga Europa, përfshirë kompani energjetike në Greqi dhe Bullgari ndërsa qeveritë e Shqipërisë, Bosnjë – Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi në mbështetje të TAP-it. Të njëjtat vende kanë rënë gjithashtu dakord të mbështesin Gazsjellësin e propozuar Jonian Adriatik, që planifikohet të lidhet me TAP-in në Shqipëri, duke e bërë këtë vend nyje për kalimin e gazit Kaspik drejt Ballkanit Perëndimor. Tregjet e tjera me kërkesa të larta energjetike në rajon si Bullgaria, Sllovenia, Hungaruia, Serbia dhe Maqedonia, gjithashtu mund të përfitojnë nga TAP-i.
                                                                                                                                      Punoi: Ardi Meçi

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk