Kina premton 10 miliardë dollarë për projekte infrastrukture dhe energjetike në Ballkan

Kina premton 10 miliardë dollarë për projekte infrastrukture dhe energjetike në Ballkan

Ky samit u zhvillua në një kohë kur Rusia, një shtet që ka pasur një ndikim mjaft të madh e të vazhdueshëm në Ballkan, po përballet me probleme të shumta ekonomike si pasojë e vendosjes së sanksioneve prej Bashkimit Europian për shkak të ngjarjeve të ndodhura në Ukrainë. Eventi shërbeu gjithashtu si për Europën dhe Kinën për të gjetur mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet tyre lidhur me përfitimet e tyre reciproke në dekadat që do të vijnë. 

Gjatë këtij samiti, i cili u drejtua prej kryeministrave kinez Li Keqjiang dhe atij serb Aleksandar Vuçiç, u bë i ditur kijimi i Këshillit të Biznesit mes Kinës dhe vendeve të Europës Juglindore dhe Qendrore, si një hap i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik, e cili ishte në fakt në qendër të axhendës gjatë këtij forumi të katërt ekonomik.

“Bashkëpunimi mes Kinës dhe EQJL-së duhet të jetë i një niveli më të lartë dhe më frytdhënës dhe për këtë Kina do të krijojë një fond të ri investimesh me vlerë tre miliardë dollarë. Ne presim modele të reja bashkëpunimi si partnershipi privat-publik, pasi ka shumë mundësi për të rritur, madje dyfishuar volumin tregtar mes Kinës dhe EQJL-së. Vitin e kaluar arritëm rezultate të mira: Mali i Zi i dyfishoi eksportet në Kinë, ndërkohë që vende të tjera si Republika Çeke dhe Rumania i rritën këto eksporte në 20-30%. Vendi im uron që Europa të jetë e fuqishme dhe e pavarur. Kina kërkon ta shohë euron si një monedhë të fortë”- deklaroi kryeministri kinez në hapjen e Forumit Ekonomik në Beograd.

Ndërsa kryeministri serb Vuçiç u shpreh se ky samit shërben si një një vend takimi mes ekonomive të Lindjes me ato të Perëndimit.“Objektivi i këtij rajoni janë investimet dhe ne kemi nevojë për një injeksion besimi dhe force.” u shpreh ndër të tjera Vuçiç.

Gjatë diskutimeve, si shenjë e e synimeve që ka Kina në këtë rajon, një vend të rëndësishëm zuri premtimi i kryeministrit kinez për lëvrimin e një fondi prej 10 milionë dollarësh në formë huaje për projektet e energjisë dhe të infrastrukturës. Kryeministri Li Keqijang në ditën e parë të qëndrimit 4-ditor është takuar me disa nga udhëheqësit e 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, ku qëllimi i këtyre të fundit është tërheqja e sa më shumë fondeve të shtetit kinez. Keqjang ka mbajtur edhe një serë takimesh dypalëshe në Beograd, duke u takuar më pas edhe me kryeministrin e Sllovenisë, Letonisë, Malit të Zi, Republikës Ceke, Bosnjë Hercegovinës dhe të Rumanisë. Pas takimit, kryeministri i Malit të Zi tha se fokusi i bisedimeve me kryeministrin kinez ishte infrastruktura dhe transporti. Mali i Zi zgjodhi një kompani kineze për të ndërtuar autostradën që i lidh me Serbinë në vlerën e 800 milionë eurove. Keqjiang do të qëndrojë në Beograd për të inaguruar një urë me vlerë 226 milionë dollarëshe , investimi më i madhe infrastrukturor i Kinës, krahas investimeve në projektet e impianteve energjetike në Serbi dhe në Bosnjë.

Në samitin me fokus rritjen e investimeve në Ballakanin Perëndimor mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dhe ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj. Ndërkaq para nisjes në Beograd kryeministri Edi Rama ka njoftuar firmosjen në Tiranë të memorandumit të bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze Sipas Ramës, ky është projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kinës dhe do të jetë “Rruga e Arbrit” që do të nisë vitin e ardhshëm.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, është shprehur se me qeverinë kineze dhe përfaqësuesit e kompanive kineze është diskutuar edhe për projektet në zhvillimin e sistemit hekurudhor shqiptar. “Pati një evolim cilësor edhe sa i takon projekteve konkrete me Shqipërinë, pasi u nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi për programet në përgjithësi dhe duke përfshirë edhe Rrugën e Arbërit në veçanti. Sipas tij, në këtë samit u konsolidua edhe mekanizmi që do të shqyrtojë këto projekte dhe u vu re në mënyrë të qartë se vendet janë në gjendje që të paraqesin projekte të përbashkëta me njëri-tjetrin me qëllim që të rrisin atraksionin e tyre për t’u mbështetur sa më mirë nga fondi ekzistues kinez, por edhe nga fondi që do të hapet shumë shpejt pikërisht për këto projekte të rajonit”.

Dita e dytë e samitit pati takime dypalëshe të kryeministrave të Kinës dhe Serbisë me shefat e qeverive pjesëmarrëse. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçic, zhvilloi takime me homologun hungarez, Viktor Orban, atë të Rumanisë Victor Ponta dhe atë të Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Zoti Vuçiç u takua gjithashtu edhe me homologët e Polonisë, Sllovakisë, Malit të Zi si edhe Bosnjë Hercegovinës. Me interes të veçantë u prit takimi i Vuçiqit me kryeminstrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili pati si qëllim kujdesin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë nën qeverisjen serbe, ku ndër të tjera të dy Kryeministrat morën pjesë edhe në nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe mbi njohjen e ndërsjellët të lejeve të drejtimit, marrëveshje e nënshkruar nga Ministri i Brendshëm i serb Nebojša Stefanoviç dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Kryeministri Li Keqiang i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu kënaqësinë për takimin e tretë brenda një viti me Kryeministrin shqiptar. Në emër të Qeverisë kineze, Kryeministri Li Keqiang shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen e vendit tonë me akset kryesore në Ballkan dhe Europën Juglindore. Kryeministri Rama ftoi Kryeministrin Li Keqiang për të vizituar Shqipërinë në një moment të afërt e të përshtatshëm.

Një moment mjaft i rëndësishëm në forumin e katërt ekonomik ishte nënshkrimi i një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Serbisë, Kinës dhe Hungarisë lidhur me ndërtimin e një linje hekurudhore 370 km (230 milje), e cila do të lidhë Budapestin me Beogradin, duke e shkurtuar mjaft kohën ndërmjet të dyja vendeve nga tetë në më pak se 3 orë. Me anën e këtij projekti, i cili do të mundësojë vendosjen e një korridori ndërmjet Kinës dhe Europës nëpërmjet kalimit nga porti grek i Pireut, i cil I është dhëne me konçension për 35 vjet kopmanisë kineze të prodhimit të anijeve Cosco, duke krijuar kështu një rrugë të shpejtë tokësore dhe detare, Pekini po kërkon të shtrijë depërtimin e ekonomisë së vendit aziatik në një terren të ri në Europë jashtë vendeve të bllokut europian në kuadër të një strategjie të miratuar në vitin 2012. Kostoja e këtij projekti nuk u deklarua zyrtarisht por mendohet se mund të kapë shifrat prej 1.9 deri në 3.1 billionë dollarë (1.5 deri në 2.5 bilionë euro), e financuar nga Chinese Development Bank dhe që do të zbatohet prej kompanie shtetërore kineze. Ky projekt, i cili mendohet se do të zgjasi deri në dy vjet, synon zgjerimin më tej në qytetet greke të Selanikut dhe të Athinës si dhe me përfshirjen e mundshme në të ardhmen edhe të Maqedonisë, ku parashikohet edhe zgjatjen deri në Shkup.

Kjo linjë do të mbulojë një popullsi prej rreth 32 milionë njerëzish dhe do të bëhet pjesë e linjës së re hekurudhore për tregtinë mes Kinës dhe Europës. Tregtia ndërmjet Kinës dhe Ballkanit është pesëfishuar që nga viti 2003, ndërkohë që në dhjetë muajte parë të vitit 2014 tregtia bilaterale ndërmjet vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore dhe Kinës kapi shifrën e 50 – 60 bilionë dolarrëve, duke shë nuar një rritje prej 10 për qind me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Li Keqiang vuri në dukje se BE-ja është partneri më i madh tregtar i Kinës dhe se potenciali i bashkëpunimit të investimeve dhe të tregtisë është shumë i madh.“Në situatën kur rimëkëmbja e ekonomisë globale është e dobët, nxitja e liberalizimit të tregtisë dhe lehtësimit të investimeve është një metodë e përshtatshme për t’i rezistuar presionit të uljes ekonomike. Kina shpreson ndërtimin e më shumë linjave ekspres mes Kinës dhe Europës, për të zgjeruar bashkëpunimet kino-europian.
                                                                                                             Stafi i EuroSpeak, dhjetor 2014

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk