Qëndrimet e vendeve të BE-së ndaj migracionit dhe politikës së përbashkët europiane

Qëndrimet e vendeve të BE-së ndaj migracionit dhe politikës së përbashkët europiane


Konflikti në Siri vazhdon të jetë epiqendra kryesore e migracionit. Por dhuna e vazhdueshme në Afganistan, Irak, abuzimet dhe varfëria në vendet e Afrikës po udhëheqin gjithashtu njerëzit për të shtegtuar drejt Europës. Si do të trajtohen emigrantët pa dokumente, kryesisht afrikanë, që vazhdojnë të rrezikojnë jetën në Mesdhe, me shpresën për të filluar një jetë të re në Bashkimin Europian?

Fluksi i emigrantëve vazhdon, pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një krizë të përmasave si ato të vitit 2015. Por, tensionet në lidhje me emigrantët, që tani po ndalohen të hyjnë në portet italiane, e kanë vendosur çështjen sërish nën projektorë.  Kur vjen puna te migrimi dhe refugjatët, disa nga qeveritë e BE-së duket se kanë tjetër qasje dhe flasin me tjetër ton, ndryshe nga institucionet europiane.

V4 – Blloku i Visegradit vazhdon të mos jetë ’mikpritës’ me emigrantët
Qeveritë e Vishegradit (V4) flasin bashkarisht: “Bashkimi Europian duhet të braktisë çdo ide për një mekanizëm të detyrueshëm për zhvendosjen e refugjatëve”. Është e qartë se politika e migracionit ishte dhe është një lidhje e fortë për Grupin e Vishegradit dhe siç duket tema e migracionit, për një kohë të gjatë, do të jetë alarmante në axhendën europiane sipas Euractiv.

Megjithëse kriza e migracionit nuk ka goditur ndonjë nga vendet e V4, migrimi ka filluar të konsiderohet si një çështje sigurie me përmasa të gjera për ta çka ka bërë që shtetet e V4 të propagandojnë gjithmonë e më shumë kundër saj. V4 thekson nevojën për të mbrojtur sovranitetin e tyre kombëtar, të cilin ata thonë se Bashkimi Europian përpiqet ta shkelë nëpërmjet kuotave të detyrueshme. Sistemi i kuotave nënkupton që secili shtet i BE-së duhet të pranojë një numër të caktuar azilkërkuesish nga vendet më të goditura si Greqia apo Italia.

Austria – e ngurtë në ofrimin e zgjidhjeve për kuotat e refugjatëve

Edhe pse Bashkimi Europian po përballet ende me ndarje të mëdha politike mbi reagimin e vendeve anëtare të bllokut në fluksin masiv të emigrantëve dhe azilkërkuesve, të cilat nisën në 2015 deklaratat e Visegradit për të shmangur migracionin po mbështeten dhe nga Austria . Qeveria e djathtë që mori edhe presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Europian nga 1 korriku, ka po ashtu një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve. Sikundër grupi i Vishegradit, edhe Austria refuzon skemën e BE për kuota refugjatësh.

Austria nuk planifikon të marrë asnjë nga 450 emigrantët që kanë zbritur në Siçili, ku Agjencia e Shtypit Austriak raportoi se Kancelari i vendit Sebastian Kurz në letrën e tij drejtuar Kryeministrit italian Giuseppe Conte, ka përmendur faktin se nga pikëpamja e popullsisë, Austria ka pranuar më shumë kërkesa për azil se "shumë vende të tjera të BE", që nga viti 2015 duke e parë si të pamundur vazhdimin e strehimit të emigrantëve që do të përbenin rrezik për popullsinë vendase.

Italia – po fillon të zbusë qëndrimin e saj kundër?

Duke qenë për shumë vite vendi i parë i pritjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, që niseshin për në Europë duket se shteti Italian ka ndryshuar qasje dhe mund të vërehet që ka dhe një zbutje të qëndrimit të saj, kundër emigrantëve.

Në një konferencë të përbashkët shtypi më 22 korrik 2018 në Berlin, Ministri italian i Punëve të Jashtme, Enzo Moavero Milanesi si edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas deklaruan se Italia u pajtua për të vazhduar pranimin e emigrantëve të shpëtuar në det, të paktën derisa të përcaktohet një strategji më e gjerë e Bashkimit Europian për të trajtuar shpërndarjen e emigrantëve. Kjo ndryshon kryekëput me qëndrimin e mëparshëm të ministrit të brendshëm italian dhe autoriteteve italiane që nuk pranuan në port anijen me rreth 200 emigrantë nga Libia.

Ai u shpreh gjithashtu se shtetet partnerë të Bashkimit Europian si Franca apo Gjermania do të kërkonin një zgjidhje mbi politikën e migracionit brenda pesë javëve të ardhshme.  Italia dëshiron që shtetet e tjera të BE të hapin portet e tyre për anijet nga misioni detar i Sofjes në Mesdhe. Është masa e fundit e Romës për të grumbulluar presion mbi shtetet e BE për të ndarë barrën e emigrantëve. Por ai shtoi se Roma e sheh si prioritet "për të rishikuar protokollet e shpëtimit në raste emergjence në mënyrë që të shmangin të gjithë njerëzit e shpëtuar të grumbullohen në një vend të vetëm".

Gjatë pesë viteve të fundit Roma ka marrë rreth 650 000 emigrantë të ardhur me anije , duke nxitur ndjenjën e anti-emigracionit në Itali dhe duke nxitur forcimin të së djathtës ekstreme që ka krijuar trazira politike në vend e sot është në qeveri.

Spanja – mbështet emigrantët dhe parashikon rritjen e numrit të tyre në vend

Po ashtu edhe shteti Spanjoll mban një qëndrim krah emigranteve ku kryeministri i ri i vendit Pedro Sanchez deklaroi se do të marrë fonde të BE-së për të ndihmuar rritjen e ardhjes së emigrantëve në vendin e tij. Spanja do të marrë një nxitje në fondet e Bashkimit Europian për të ndihmuar emigrantët dhe vendet tranzitore, një politikë që synon të trajtojë krizën në tërësi.

Kohët e fundit, kryeministri i ri spanjoll u zotua, se qeveria e tij është e gatshme të heq gardhet e telave duke ekspozuar Madridin ndaj fenomenit të migracionit pavarësisht rënies së migracionit në Evropë, Spanja po merr një numër gjithnjë e më të madh të shtetasve maroken në kufijtë e saj.
Kjo mund të jetë një pikë kthese për Partinë e Sanchez, dhe përfundimisht për të ardhmen e demokracisë socialiste në Bashkimin Europian.

Gjermania – politika e ‘dyerve të hapura’ në rrezik?

Gjithashtu për Gjermaninë Migracioni dhe siguria kombëtare kanë qenë temat kryesore, pas vendimit të Merkelit për të hapur dyert për refugjatët dhe emigrantët në vitin 2015. Sipas CNN në fund të verës 2015, ndërsa dhjetëra mijëra refugjatë po vinin në brigjet e Europës dhe po udhëtonin për në veri për të gjetur një shtëpi të re, Kancelarja gjermane Angela Merkel, tashmë në pushtet për një dekadë, bëri dy vendime që do të vinin për të përcaktuar mandatin e saj .

E para erdhi më 25 gusht 2015, kur Merkel zgjodhi të lejonte refugjatët sirianë që kishin regjistruar tashmë diku tjetër në Bashkimin Europian për të hyrë në Gjermani dhe të regjistroheshin atje, duke pezulluar përkohësisht një ligj të BE që kërkon që azilkërkuesit të kthehen në vendin e parë që kanë hyrë .
Që atëherë, politika e ashtuquajtur e refugjatëve ‘me dyer të hapura’ Merkel është përshëndetur si epitomi e një politikbërje liberale dhe të mëshirshme ndaj migracionit

Express UK raporton se kohët e fundit Angela Merkel po përballet me protesta nga nacionalistët gjermanë ku mediat lokale kanë raportuar 'situata të frikshme' mes fushatës parazgjedhore kur demonstruesit kërkonin largimin e Merkel-it.

Pakënaqësia e vendasve vjen si pasojë e mbështetjes për fluksin e emigrantëve drejt Gjermanisë ku kancelarja gjermane Angela Merkel vazhdimisht ka bërë thirrje për një përkrahje të gjerë nga Bashkimi Europian dhe llogaritet se që nga viti 2015, Gjermania ka marrë më shumë se 1.4 milion njerëz nën ligjin e migracionit të hapur.

Qeveria gjermane ka nxitur që azilkërkuesit të zhvendosen nga vendet si Italia dhe Greqia në shtetet e tjera anëtare të BE, për të ndarë barrën përgjatë bllokut. Nëse vendet e Mesdheut po kërkojnë solidaritet europian atëherë Gjermania është e përgatitur, "të marrë përgjegjësinë e vet" në negociatat për të reformuar operacionin ushtarak europian.

Në samitin e jashtëzakonshëm të nivelit të lartë të BE për migrimin dhe azilkerkuesit me 24 qershor në Bruksel, Merkeli pohoi se ajo synon të arrijë "marrëveshje dypalëshe dhe trepalëshe me dobi reciproke". Bëhet fjalë si mund ta "ndihmojnë shtete të veçanta anëtare njëra-tjetrën" dhe jo të presin ‘gjithmonë për të 28 (shtetet anëtare)’”.

Merkeli para Samitit te Bashkimit Europian deklaroi se migracioni është një sfidë që do ta bëjë ose zhbëjë Bashkimin Europian. Sipas saj, fati i BE varet nga aftësia e Unionit për të përballuar këtë sfidë. Ajo u shpreh se nëse Gjermania nuk arrinte dot në një marrëveshje gjithëpërfshirëse me shtetet pro emigracionit në Bashkimin Europian , ajo kundërshton një plan për të kthyer në kufijtë gjermanë çdo azilkërkues tashmë të regjistruar në një vend tjetër të BE.

Me politikën e saj të hapur ndaj migrantëve, Gjermania ka një reputacion të shkëlqyeshëm ku gjithashtu flitet se qeveria gjermane ka në plan të krijojë qendra transferimi për të futur në proces emigrantët në kufirin austriak. Një nga argumentet në lidhje me këto qendra është se ata do të shpejtojnë vendimet e azilit dhe deportimet. Por, sipas Rregullores së Dublinit, aplikimi për azil nxjerr një sërë problematikash. Së pari, duhet të përcaktohet juridiksioni. Pasi të jetë vendosur juridiksioni, të dy vendet e përfshira duhet të arrijnë një marrëveshje për deportimin e azilkërkuesve.

Në bisedimet urgjente në Bruksel, një grup prej 16 vendesh, kryesuar nga Franca dhe Gjermania, debatuan se kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për emigrantët që mbërrijnë në Europë. Numri i të ardhurve në Europë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme këtë vit (2018), por trazirat politike në bllok në lidhje me këtë çështje janë rritur. V4 dhe si dhe partitë anti emigrantë kanë ushqyer frikën e publikut nga të huajt dhe kanë fituar mbështetje duke e bërë këtë.

Tensionet në BE janë rritur për shkak të barrës jo-proporcionale me të cilën përballen këto vende, veçanërisht vendet ku mbërrijnë shumica e emigrantëve. Nga pikëpamja statistikore, problemi i migrimit i migrantëve jashtë Bashkimi Europian që lëvizin nga një vend në një tjetër brenda BE-së për arsye ekonomike ose për të përmirësuar shanset e tyre për t'u dhënë azil duket shumë më i vogël se politikanët dhe mediat kanë sugjeruar kohët e fundit. Në vitin 2015, vendet e BE ofruan azil për 292 540 refugjatë. Në të njëjtin vit, më shumë se një milion emigrantë kanë aplikuar për azil - megjithëse kërkesa për azil mund të jetë një procedurë e gjatë, kështu që shumë prej atyre që kanë statusin e refugjatit mund të kenë aplikuar në vitet e mëparshme.

                                                                                                                    Stafi i EuroSpeak, korrik 2018 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk