Ese Dita e Europës 2014- Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, efektet ligjore dhe institucionale në Shqipëri

Ese Dita e Europës 2014- Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, efektet ligjore dhe institucionale në Shqipëri

Viti 1991 hap siparin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Komuniteti Ekonomik Evropian e cila do të vazhdohej më tej me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit(MSA) më 12 qershor 2006.  Kjo marrëdhënie, nënkupton dialog dhe partneritet, për zhvillimin e politikave institucionale, ligjore, ekonomike dhe sociale vendase në përputhje me ato europiane. Kështu, nga njëra qëndron, angazhimi i aktorëve shqiptarë, për të përafruar dhe zbatuar legjislacionin e brendshëm në sektorët përkatës me atë të Komunitetit Europian, dhe nga ana tjetër gatishmëria e këtij të fundit, për të dhënë një mbështetje vendimtare si aktor i jashtëm për zbatimin e reformave dhe për të përdorur për këtë qëllim, të gjitha mekanizmat e mundshme, me synim forcimin e demokracisë, stabilitetit politik, ekonomik dhe institucional. Vendi ynë, duhet të provojë se pranon standartet europiane dhe shpreh vullnetin e plotë për të përmbushur detyrimet e lindura nga kjo marrëveshje. Në këtë formë, nënshkrimi i MSA-së për Shqipërinë, sjellë një sërë efektesh ligjore dhe institucionale të shkrira shpesh herë me njëra-tjetrën.
        Para së gjithash, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga formulimi i Nenit 122/3 , nuk e trajton MSA-në si një marrëveshje të çfarëdoshme, por përkundrazi nga formulimi i këtij neni, e diferencon nga ato, duke i dhënë ndër të tjera një rol parësor. MSA-ja është një marrëveshje e ratifikuar me ligj, e përthithur nga e drejta e brendshme, dhe me një epërsi të veçantë ndaj kësaj të fundit. Duke qënë se e drejta e brendshme duhet të përafrohet me atë komunitare, kjo do të thotë se kjo e fundit i imponohet të parës. Kuvendi duhet të bëjë shumë kujdes në rastin e nxjerrjen e ligjeve, pasi  nëse një ligj i zakonshëm nuk pajtohet  me MSA-në, ajo gëzon përparësinë e njohur në nenin 122 dhe 123  të Kushtetutës. Kjo pasi, ndër të tjera, e drejta vendase dhe ajo komunitare nuk janë në pozita të barabartë ndërmjet tyre, por kemi të bëjmë me një marrëdhënie integrimi, një integrim i kësaj të fundit në të drejtën e brendshme. Për shkak të gëzimit të supermacisë, dhe formulimit “ e drejtë e brendshme”, mund të thuhet se edhe nëse e drejta komunitare interferon me Kushtetutën e Republikë së Shqipërisë,  si kulmi i piramidës normative vendase, ajo që do prevaloj është pikërisht e para.
        Në acquis communautaire që do të përafrohet në legjislacionin vendas bën pjesë legjislacioni parësor i BE-së (Traktatet themeluese dhe marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Bashkimi Europian është palë), legjislacioni dytësor (rregulloret, direktivat, vendimet dhe rekomandimet), vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë, si dhe politikat Komunitare dhe parimet e përgjithshme të së drejtës në Bashkimin Evropian. Gjyqtari shqiptar, nëse do jetë përballë interferimit të normave komunitare dhe atyre të brendshme, do duhet të aplikoj atë komunitare, pikërisht  për shkak, të aplikimit të drjetpërdrejt të saj (të përmendur më sipër).
        Fillimisht, Shqipëria duhet të sigurojë që ligjet e saj ekzistuese dhe legjislacioni i ardhshëm të përafrohen gradualisht me acquis communautaire, duke siguruar në të njëjtën kohë që legjislacioni ekzistues dhe i ardhshëm të zbatohet në mënyrën e duhur. Kjo, ka të bëj me hallkën e parë të shtetit të së drejtës, me garancinë juridike. Por, një garanci e tillë duhet të jetë jo vetëm e shkruar e zezë në të bardhë, por edhe e përkthyer në një  vullnet politik të të gjithë hallkave institucionale vendase. Ky proces zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, përafrimi do të përqëndrohet në elementët thelbësorë të acquis së Tregut të Brendshëm ashtu si dhe në fusha të tjera të rëndësishme si: konkurenca; të drejtat mbi pronësinë intelektuale, industriale dhe tregtare; prokurimi publik; standardet dhe certifikimi; shërbimet financiare; ligji për shoqëritë tregtare; mbrojtja e konsumatorit; mbrojtja e të dhënave personale; shëndeti; siguri në punë dhe shanse të barabarta. Faza vijuese, ka në thelb të gjitha fushat të papërfshira në të parën.
         Mesa duket, fjalët kyçe rreth së cilave vërtitet  dhe merrë jetë procesi i  stërgjatë i integrimit të Shqipërisë në familjen  europiane janë:  vullnet, bashkëpunim, besim, ndërgjegjësim.
         Nuk mjafton vetëm një përafrim i verbër i legjislaconit, por duhet punë, vepër. Duhet që të gjitha palët të shprehin qëndrimin e tyre. Dhe me palë, duhet nënkuptuar jo vetëm ato politike, por edhe Avokati i Popullit, shoqëria civile, mbi të gjitha edhe qytetari. Nëse fryma e bashkëpunimit është e mbytyr nga arroganca e pashoq, nga mungesa e informimit, nga mungesa e vetëdijes për pasojat e asaj çka është dhe asaj çka zëvendëson, atëherë procesi i integrimit do të jetë akoma më i stërgjatë se kaq. Nëse reformimi ligjor shoqërohet pa reformim në mënyrën e të vepruarit dhe të përzgjedhjes së punonjësve në administratë larg faktorit politik, në mënyrën e të punuarit,  në mënyrën e trajtimit të qytetarit, atëherë nuk nënkupton veçse një reformim rraskapitës por  sizifian.
     Në bazë të progres raportit të Komisionit Europian të 2013 , thuhet se Shqipëria ka vazhduar të përafrojë legjislacionin me acquis në një sërë fushat të rëndësishme por ende i mbetet shumë punë për të bërë. Në veçanti, përparime shënohen në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes. Megjithatë, për sa i përket masave të sigurisë, ende nuk është firmosur marrëveshja e sigurisë me BE-në për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar. Nga ana tjetër përpos, zhvillimeve në fushën e bashkimit doganor mbetet shumë punë për tu bërë për sa i përket përputhshmërisë së sistemit TIK me procedurat e BE-së, me lehtësimin e tregtisë dhe thjeshtimin e procedurave. Duhen zbatuar procedura unifikuese në të gjithë vendin me qëllim që nëpunësit doganorë të kenë më pak hapësira interpretimi. Kodi i ri Doganor ende nuk është miratuar. Sektori shëndetësor mbetet thellësisht me mungesë financimi dhe mungesë personeli, duke vështirësuar zbatimin e duhur të legjislacionit dhe politikave, veçanërisht në fushën e kujdesit parësor. Nga ana tjetër, vështirësi paraqet dhe siguria e konsumatorit rreth cilësisë së produkteve. Pavarësisht se është krijuar Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, informimi dhe ndërgjegjësimi i pakët, si dhe mungesa e Inspektoriatit të Tregut ka sjellë, një numër të vakët të ankesave, duke e lënë në kushtet e joefektivitetit, luftën për mbrojtjen dhe sigurinë e konsumatorit. Ҫështja e mjedisit,  është po në të njëjtin nivel me të parat. Pavarësisht masave dhe vullnetit të shprehur nga Ministria e Mjedisit, prerja e pyjeve,cilësia e dobët e karburantit dhe hedhja e mbeturinave në zona në banuara,e aq më keq, në grykëderdhjen e lumenjve, vazhdon të jetë në shifra alarmante. Mungojnë masa reale, ndaj njerëzve të biznesit, dhe kujtdo tjetër i cili me veprimet ose mosveprimet e tij ndikon direkt ose indirekt në ndotjen e klimës dhe mjedisit. Nga ana tjetër, delikate është edhe çështja e shëndetësisë në vend. Spitale në mungesë të plotë të medikamenteve, pagesë e ulët e bluzave të bardha, korrupsioni në radhët e tyre, një ndërgjegjësim i ulët i publikut,  shënohen si faktor  të cilët bëjnë që cilësia e kujdesit shëndetësor të jetë larg simotrave europiane. Gjithashtu, integrimi i komuntetit rom, është  në hapa mbrapa edhe për sa i përket kësaj çështje. Shqipëria mbetet një vend burimi për trafikimin e qënieve njerëzore, përfshi lypjen e detyruar nga fëmijët. Kultivimi dhe trafikimi i kanabis sativa  përbënë një kërcënim serioz dhe një luftë të dobët. Këto, janë në fakt, edhe problematikat më të mëdha që kanë shoqëruar Shqipërinë për më tepër se 2 dekada dhe për të cilat vazhdohet të ngulmohet për  zgjidhje.
       Përmbushja e detyrimeve të rrjedhura nga nënshkrimi i MSA- së dhe plotësimi i boshllëqeve ligjore , ka të bëj para së gjithave, me nevojshmërinë e  shkrirjes të  diferencimeve të mundshme në trajtimin e një qytetari vendas e të huaj, duke vënë si kriteri lidhëz, vetëm qënien e një shtetasi eruropian.
       Në nenin 78 të MSA-së nënvizohet vëmendja e veçantë që i kushtojnë palët forcimit të shtetit të së drejtës, dhe forcimit të institucioneve në të gjitha nivelet në fushën e administratës në përgjithësi, si edhe imponimit të ligjeve e administrimit të drejtësisë në veçanti.
       Është tejet e vështirë të përcaktosh nëse është politika ajo që ndikon në ekonomi apo anasjelltas, por gjithsesi mund të pohohet pa frikë  se pasojat e tyre shfaqen drejtëpërdrejt në jetën e çdo qytetari. Andaj, ashtu si theksohet shpesh herë nga ndërkombëtarët, shteti i së drejtës përbëhet nga tre element zinxhirë siguri politike-siguri juridike dhe siguri ekonomike. Përafrim i  shpejt dhe i duhur i legjislacionit kushtëzohet nga vullneti i aktorëve politik, në gatishmërinë e tyre për të marrë masat e duhura për të ndëshkuar çdo shkelës të ligjit, mbi të gjitha nëse një i tillë është funksionar publik (qoftë edhe i qeverisjes vendore). Ekzistenca e institucioneve larg interesave vetjake por të udhëhequra nga profesionistë, sidomos nëse të tilla janë ato administrative dhe gjyqësore, shërben në rikthimin e besimit dhe në mënjanimin e paragjykimit (nëse është vërtetë i tillë) për funksionimin e tyre. Bashkëpunimi synon veçanërisht në fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe në përmirësimin e efikasitetit të tij, në përmirësimin e funksionimit të policisë dhe organeve të tjera të imponimit të ligjeve duke siguruar trajnime të mjaftueshme dhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.      
      Qeveritarët shqiptar kanë theksuar shpesh herë se duhet cilësi dhe siguri në dhënien e drejtësisë si shërbim ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit ligjor nëpërmjet formimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet, aftësi dhe cilësi të larta profesionale dhe etike. Por jo vetëm kaq, efekti i një ligji të shkruar dhe zbatuar drejtë, shfaqet edhe kundrejt të huajve. Janë jo të pakta rastet, kur biznese të mëdha europiane, të mbërritura në vend me qëllim investimi, janë kthyer të zhgënjyera herë nga proceset e tenderit me fitues të përcaktuar që në ngjizje, e herë nga njerëzit e drejtësisë, të mbërthyer nga etja për pushtet apo të dorëzuar ndaj atyre që kërcënojnë pavarësinë. Vullneti i palëve, përkthehet në pasoja zinxhir në funksionimin e shoqërisë shqiptare. Kështu, mjaftojmë të themi se  kthimi i besimit në institucionet vendase, sidomos atij gjyqësor, bënë që të përthithet interesi i bizneseve të huaja, këto të fundit sjellin hapjen e vendeve të reja pune, uljen e papunësisë, dhe si kurorëzim, rritjen e mirëqënies.
       Për tu bërë vend anëtar i bashkimit europian, duhet të marri jetë konceptimi i shtetit të së drejtës, me gjykata të pavarura dhe të paanshme, media e lirë larg politikës dhe biznesit, ekonomi funksionale.
      Për tu bërë anëtar i bashkimit europian, nuk mjafton vetëm dëshira dembele për të përfituar nga frytet e pjesëmarrjes, por duhet bashkëpunim dhe vullnet i përbashkët për të marrë përsipër përgjegjësitë në përmbushjen sa më parë të detyrave.
      Për tu bërë anëtar i bashkimit europian, duke të kapërcesh më në fund, nga faza e tranzicionit në instalimin e një demokracie të vërtetë.  E gjitha kjo, arrihet jo në emër të një përfaqësimi a përfitimi politik,  por në emër të qytetarëve shqiptar me sytë nga Europa sa afër po aq larg.

Punoi: Romena Qamo

Ese Finaliste e Konkursit në Kuadër të Ditës së Europës 2014

 

 


     

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk