A duhet që vendet e Ballkanit të ndjekin Europën me dy shpejtësi?

A duhet që vendet e Ballkanit të ndjekin Europën me dy shpejtësi?

Koncepti i një Europe me dy shpejtësi është një model i integrimit të diferencuar në të cilin vendet ndjekin synime të përbashkëta duke zbatuar veprimet dhe politikat e njëjta, jo në të njëjtën kohë, por në periudha të ndryshme kohore. Kjo do të thotë që ato vende që janë të afta dhe të gatshme, vazhdojnë me integrimin e mëtejshëm në disa segmente, ndërsa ato që nuk janë të gatshme për më shumë integrim, i ndjekin këto politika më vonë. Plani europian me dy shpejtësi do të përmirësonte dhe shpejtonte procesin e integrimit për disa nga shtetet kandidate.

Dy nga sfidat më të vështira për pranimin e këtyre shteteve në anëtarësinë europiane janë vullneti politik ndërmjet shteteve anëtare ekzistuese të BE-së dhe kriteret e forta të anëtarësimit. Pjesa më e madhe e popullsisë europiane e kundërshton zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Sipas Eurobarometrit, i cili përcakton trendet e mbështetjes së zgjerimit në opinionin publik, 49% e europianëve janë kundër zgjerimit të mëtejshëm; në Francë dhe Gjermani, numrat janë edhe më të larta, përkatësisht 67% dhe 68%. Kundërshtuesit e zgjerimit thonë se ka çështje të tjera prioritare për BE-në, si për shembull BREXIT dhe raportet pas saj. Mosplotësimi i të gjitha kritereve nga anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në BE duket sikur i ka lodhur europianët nga një zgjerim i mëtejshëm. Kjo edhe për faktin se në këto vende nuk u ndërmorën reforma të mirëfillta strukturore për të plotësuar kushtet e anëtërasimit, por vetëm sa u simuluan disa të tilla.

Procesi i zgjerimit është një proces strikt, i gjatë dhe shumë i komplikuar. Për shembull Serbia po përballet me negocimin e 35 kapitujve, shumë më tepër se çdo anëtar tjetër i BE-së nga Europa Qendrore apo Lindore. Duke parë dhe eksperiencat e Bullgarisë e Rumanisë, pyetja që lind natyrshëm është “a do të arrijnë vendet e Ballkanit Perëndimor të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga BE-ja?” Në kushtet e tanishme është disi e vështirë të japësh një përgjigje, por duhet thënë se duhet që të jetë një klimë më bashkëpunuese dhe disa nga këto kushte duhet që të jenë më të përshtatshme për anëtarësim, duke mos i vendosur këto vende në situata jo të favorshme.

Ideja e Europës me dy shpejtësi duhet që të ekzistojë në faktin që të arrihet një situatë win-win. Kështu vendeve të cilat kanë një progres më të ngadaltë do t’i kërkoheshin kritere që janë themelore për ta, një politikë të jashtme të konsoliduar dhe një ekonomi të fortë e progresive. Në këtë mënyrë edhe negociatat do të ishin më të shpejta dhe vendet do të ishin gati për shpejtësinë tjetër.

Ballkani Perëndimor vuan nga papunësia, e theksuar kjo edhe më shumë te të rinjtë. Çdo vit dhjetëra mijëra qytetarë largohen nga këto vende, për shkak të mungesës së sundimit të ligjit, korrupsionit, papunësisë, etj. Perspektiva ekonomike e këtyre vendeve nuk duket që të jetë dhe aq pozitive duke pasur parasysh edhe faktin që një grup i madh i personave të arsimuar po largohen nga këto vende. Anëtarësimi në këto vende duket sikur ka ngecur dhe për të arritur një nivel të përafërt me vendet e tjera europiane anëtarsimi do të ishte zgjidhje.

Përveç kësaj, një Europë me dy shpejtësi do të lejonte dhe monitorimin e BE-së në këto vende, mbi institucionet dhe progresin për integrimin e mëtejshëm. Kjo nuk është gjë e re, pasi një mekanizëm i tillë i bashkëpunimit dhe verifikimit u zbatua për sundimin e ligjit në Rumani dhe Bullgari pas anëtarësimit të tyre, për shkak se ato nuk kishin bërë progress në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Strategjia e BE-së duhet të rishikohet edhe në kuadrin e Gjeopolitikës dhe politikës së jashtme, kjo edhe për shkak të rritjes së ndikimit rus, kinez e turk mbi këtë rajon. Gjithashtu marrëdhëniet e tensionuara të BE-së me Presidentin e SHBA-së Trump, nuk tregojnë nëse interesat mbi Ballkanin Perëndimor janë të së njëjtës linjë me ato të SHBA-së. Së fundmi, Britania e Madhe ka përgatitur një ofensivë diplomatike për këtë çështje pas BREXIT, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

Në qoftë se zbatohet një plan për një Europë me dy shpejtësi, procesi i anëtarësimit do të ishte më i shpejtë dhe do të zgjaste me vite sesa me dekada. Lehtësimi i kushteve dhe kritereve do t’i jepte mundësinë vendeve për përparim në të gjitha sektorët, si vende me vlerë në BE. Zbatimi i reformave thelbësore në strukturën e BE-së mund të ringjallë politikën e zgjerimit, si një nga instrumentet kryesore të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke forcuar aftësitë e Bashkimit Europian për të projektuar fuqinë dhe për të formuar rezultatet në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

                                                                                                             European Western Balkans, maj 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk