Menaxhimi i pandemisë Covid-19 dhe implikimet që ajo po sjell

Menaxhimi i pandemisë Covid-19 dhe implikimet që ajo po sjell

Ndaj, për vetë karakteristikat e artikullit jam mbështetur në metodën cilësore të analizimit të çështjeve të trajtuara në të, e cila përfshin brenda saj metodën hulumtuese, përshkruese, interpretuese dhe krahasimore duke analizuar historinë, shkaqet dhe pasojat e COVID-19, fenomenit më të rëndësishëm të momentit që po përcakton një rend të ri botëror. Çështjet e ngritura në këtë artikull, të cilat janë edhe problematikat më të nxehta do të marrin përgjigje përmes intervistave të realizuara me z. Pëllumb Pipero, Mjek Infeksionist, Magjistrat Besnik Maho, Pedagog në Universitetin “Luarasi” dhe z. Xhavit Shala, Drejtor në Qendrën e Kërkimeve Shkencore në “Akademinë e Sigurisë”.

***

Një virus i ri tashmë ka gjunjëzuar botën! Sirenat e alarmit u dëgjuan për hërë të parë në Wuhan të Kinës, por askush nuk besoi se ky virus i quajtur COVID-19 do të përhapej nga një shtet në tjetrin apo nga një kontinent në tjetrin me shpjetësinë e dritës. Për shkak të këtij armiku të heshtur, i cili i lidhi duart si kurrë më parë njerëzimit, bota u detyrua të ndalojë.

COVID-19 është akronim i COronaVIrus Disease of 2019. Për nga gjenetika ky virus përngjan me virusin SARS, të cilin bota e njohu në vitin 2003, por ndryshe nga SARS për COVID-19 nuk ka kurë, vaksinë apo një trajtim specifik, ndaj pacienti që diagnostikohet me këtë virus trajtohet në bazë të simptomave që shfaq.

Situata kaotike, pasojat e virusit, numri i madh i viktimave në një kohë të shkurtër, forca e përhapjes së tij bëri që Organizata Botërore e Shëndetësisë të shpallë gjendjen e pandemisë botërore. Aktualisht shifrat e të prekurve në të gjithë botën arrijnë në 1,378,937 të infektuar, ndërsa numri i vdekjeve përllogaritet rreth 78,110 viktima, shifra që janë çdo ditë në rritje.

Sipas mjekut kinez Li Wenliang ky virus u shfaq për herë të parë në Kinë në nëntor të 2019, por autoritetet kineze e fshehën informacionin dhe vetëm më 31 dhjetor 2019 informuan zyrtarisht OBSH se një grup prej 41 pacientësh u identifikuan me simptoma të ngjashme me ato të pneumonisë. Pacientët kishin një pikë të përbashkët, tregun e kafshëve në Wuhan të Kinës që cilësohet si pikëorigjina e përhapjes së COVID-19.

Ndonëse u lokalizua fillimisht në Wuhan, virusi i kaloi kufijtë e një qyteti, e një shteti duke raportuar shumë shpejt rastin e parë në Tajlandë. Më pas më 20 janar 2020 në Uashington, SHBA raportohet rasti i parë. Pothuaj një muaj më vonë, në muajin shkurt në Itali, në rajonin e Venetos u shënuan dy viktimat e para. Italia në një periudhë shumë të shkurtër u kthye në vatrën e coronavirusit, duke u cilësuar vatër e përhapjes së infeksionit në shumë shtete të kontinentit Europian, si Spanja, Greqia, Gjermania, Franca etj., që po përballen më një numër të madh rastesh dhe vdekjesh.

Për ta përballuar këtë situatë autoritetet kineze ndaluan tregtinë e kafshëve të gjalla dhe jo të gjalla në të gjitha tregjet, restorantet, shitjen online dhe supermarkete. 60 milionë banorë u karantinuan, transporti tokësor, ujor dhe ajror u ndalua kategorikisht. Masat e marra ishin ekstreme duke iu kundërpërgjigjur me shpejtësi virusit, përmendim këtu distancimin social, rritjen e kapaciteteve për shëndetësinë, spitalet e reja, shtimin e numrit të shtretërve, rritjen e numrit të mjekëve, si dhe përmirësimin me shpejtësi të protokollit të diagnozës dhe trajtimit të virusit.

Ndonëse kishin shembull përhapjen e virusit nga një qytet i Kinës në tjetrin apo nga Kina në Tajlandë Europa dhe SHBA reaguan me vonesë. Jeta vazhdoi normalisht për qytetarët dhe bizneset, sistemi i transportit publik po ashtu, madje u zhvilluan të gjitha aktivitetet publike të planifikuara, kufijtë vazhdonin ende të hapura për miliona turistë. Kur Europa apo SHBA reaguan duke ashpërsuar masat, mbyllur shkollat, baret, restorantet, duke ndaluar aktivitetet e parashikuara bëri që paniku të rritej te njerëzit, të cilët u dyndën nëpër supermarkete dhe metro duke rritur kontaktin mes tyre dhe virusi të përhapej shumë më shpejt. Sistemi shëndetësor arriti në fazën që duhet të zgjidhte se cilin pacient të mbante në jetë, praktikisht ra në kolaps.

Duket e pabesueshme, por ky armik i ashpër dëmtoi rëndë themelet e sistemit të shëndetësisë kudo në botë. Prof. Ass. Dr. Pëllumb Pipero, mjek infeksionist i pyetur posaçërisht për këtë artikull na sqaron se sa i përgatitur ishte sistemi shëndetësor në botë për të përballuar këtë situatë. Duke renditur një sërë arsyesh z. Pipero sqaron pse asnjë sistem shëndetësor në botë nuk ishte dhe nuk është i përgatitur të përballonte këtë pandemi. Sipas tij arsyeja e parë është se virusi ka shumë të panjohura, së dyti virusi ka ritëm transmetimi mjaft të lartë, pra një person i infektuar mund të infektojë shumë persona, Ro 1:2,5. Arsyeja e tretë sipas z. Pipero është se ende nuk kemi një vaksinë apo medikament anti COVID-19. Ai gjykon se ka dhe një arsye tjetër ndoshta më madhore, që lidhet me politikbërësit në botë, të cilët harruan pandemitë dhe orientuan politikat shëndetësore te individi, jo te komuniteti. Në gjykimin e tij doktori thotë se urbanizimi, vaksinat, higjenizimi, antibiotikët e shpëtuan përfundimisht botën nga viruset dhe mikrobet e tjera dhe kësisoj reduktuan në maksimum buxhetet për shëndetësinë, kërkimin shëndetësor dhe ngritjen e kapaciteteve për përballimin e epidemive. Dr. Pëllumb Pipero beson se post epidemia do flasë ndryshe dhe bota do të veprojë e përgjigjet ndryshe.

Përsa i përket përcaktimit të njerës prej superfuqive si menaxhuese më e mirë e situatës dhe organizimit më të mirë të sistemit të shëndetësisë mjeku infeksionist Pipero beson se nuk ka definicione, por mendon se Kina është një menaxhuese më e mirë për shkak të organizimit të saj politik duke e përballuar dhe menaxhuar më mirë. Por, sipas tij kjo nuk do të thotë se sistemet “totalitare” nëse Kinën do ta quajmë të tillë janë më të afta, por më me rëndësi në këtë lloj pandemie vendimtare është bindja e qytetareve për të qëndruar në shtëpi.

Ekspertët në fushën e shëndetësisë këshillonin distancimin social, qeveritë morën masa të rrepta për izolimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre, mbyllën kufijtë, bizneset, institucionet arsimore, palestrat, institucionet financiare etj. Shkelja e këtyre dispozitave kategorizohej vepër penale dhe ndëshkohej me gjobë, sekuestro apo heqje lirie. Të gjitha këto bënë që të ngrihej një diskutim i madh mbi faktin se masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit dhunuan të drejtat e njeriut. Për sa i përket bashkësisë globale, pjesa më e madhe e saj nuk është ende e gatshme, për të zbatuar masat që janë përdorur për të përmbajtur COVID-19. Megjithatë, masat e ndërmarra nga qeveri të ndryshme treguan se janë të vetmet masa që aktualisht janë vërtetuar se ndërpresin ose minimizojnë zinxhirët e transmetimit te epidemisë tek njerëzit.

Për këtë çështje duhet patjetër gjykimi i një eksperti, ndaj kontaktuam Magjistrat Besnik Maho, i cili lidhur me këtë çështje na sqaron se masat e kufizimit të drejtave dhe lirive të qytetarëve të miratuara nga qeveria italiane dukshëm kanë një ndikim të madh jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në jetën e përditshme. Po ashtu z. Maho na informon se shumica e të drejtave të njeriut nuk janë absolute dhe mund të kufizohen, gjithmonë në proporcion me situatën që ka diktuar një gjendje të tillë dhe pa cenuar thelbin e këtyre të drejtave (njësoj si neni 17/2 i Kushtetutës të vendit tonë). Pra, sipas tij kufizimet e lirive dhe të drejtave me karakter jo-absolut duhet të përcaktohen me ligj, në përputhje me një qëllim të ligjshëm, kur një kufizim i tillë është i nevojshëm në një shoqëri demokratike dhe duhet të jenë në përpjesëtim me qëllimin legjitim që ato synojnë të realizojnë.

Shembulli italian do të tregojë dhe se masa të tilla të rrepta kontrolli që kanë kufizuar përkohësisht të drejtat dhe liritë e individëve mund dhe duhet të merren nga qeveritë e tjera demokratike në Europë dhe gjetkë, duke respektuar plotësisht ligjin për të drejtat e njeriut në përputhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, tha z. Maho.

Në SHBA, Magjistrati Maho cilëson pozitiv faktin se krahas masave që ka ndërmarrë qeveria Federale dhe e shteteve përkatëse ku dukshëm janë rritur kufizimet e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, është vënë në plan të parë roli pozitiv që duhet të luaj secila degë e pushtetit.

Me konkretisht z. Maho sqaron se në websitet e Qeverisë Federale secili departament shpjegon në mënyrë transparente masat e mara që kanë prekur lirinë dhe të drejtat e qytetarëve amerikane ku për secilën fushë sikurse është shëndeti publik, arsimi, punësimi, financat, biznesi, taksat etj shpjegohen hollësisht masat, impakti kufizues dhe mbi të gjitha roli pozitiv i qeverisë duke minimizuar këtë situatë të vështirë dhe të pazakontë në favor të secilit grup shoqëror.

Z. Maho vlerëson pozitivisht faktin se krahas masave shtrënguese që kufizojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve bëhet transparente online nga secili departament sipas fushës së kontrollit dhe përgjegjësie se ku qëndrojnë kufizimet por njëkohësisht të drejtat dhe mënyra e aplikimit të secilit qytetar dhe grup shoqëror për të përfituar nga mbështetja e Qeverise Federale apo shtetërore. Ky informacion i plotë ruan parimin e proporcionalitetit të masave kufizuese të marra në funksion të realizimit të interesit publik nga njëra anë që është mbrojtja e shëndetit të të gjithë popullit, por pa cenuar thelbin e të drejtave dhe lirive të shtetasve amerikanë që për ta janë aq të shenjta dhe mbrohen me Kushtetutë, tha ai.

Edhe pse ishte shpallur gjendja e pandemisë, bota po përballej me një emergjencë ndërkombëtare SHBA bëri gabime të ngjashme me Europën, madje në këtë situatë të vështirë kanë lindur edhe debate mes Kinës, SHBA dhe BE-së. Kina akuzon SHBA si krijues i COVID-19, ndërsa Europa akuzon SHBA që po bëhet pengesë për vaksinën kundër këtij virusi, pasi president i SHBA-ve po bën të pamundurën që kjo vaksinë të jetë ekskluzive për SHBA duke krijuar kështu përplasje me qeverinë Gjermane. Po ashtu, pak ditë më parë qeveria amerikane bllokoi dhe konfiskoi maskat mjekësore me destinacion Gjermaninë. Nga ana tjetër Italia ka kërcënuar se pas përfundimit të pandemisë do të veprojë njësoj si Britania e Madhe, duke u larguar përgjithmonë nga BE-ja duke dobësuar unionin, duke i dhënë mundësi SHBA-së të avancojë për të realizuar planet në fushën tregtare e më gjerë.

Përveçse duket qartë se është ndezur një luftë mes superfuqive, në pikëpyetje vendoset edhe siguria njerëzore, koncept që ka në qendër garantimin e sigurisë së individit, territorit ku ai jeton dhe punon, sigurinë e territorit ndaj një kërcënimi të jashtëm apo sulmi global.

Por, a mund të themi se Covid-19 theu mitin se BE, Kina dhe SHBA janë superfuqi përsa i përket sektorit të sigurisë? Për këtë çështje dashamirësisht na përgjigjet Dr. Xhavit Shala, Drejtor në Qendrën e Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë, si dhe ekspert në fushën e sigurisë.

Gjithnjë i jemi referuar BE-së, SHBA-së dhe Kinës si superfuqi në sektorin e sigurisë, por tashmë duket se virus i ri e theu këtë mit. Lidhur me këtë polemikë z. Shala thekson se COVID-19 theu mitin e superfuqive nëse mund t’i quajmë të tilla BE-në dhe Kinën, duke veçuar SHBA-në. Ai thekson se po të bëjmë një llogari të thjeshtë sulmi më i egër terrorist me më shumë viktima në SHBA mbahet mend ai i 11 Shtatorit 2001 nga ALKAEDA, ku humbën jetën rreth 3 000 persona. Ndërkohë në vetëm 24 orët e fundit nga ky virus kanë humbur jetën 1 400 qytetarë amerikanë, pra humbjet janë shumë më të mëdha. Profesori thekson se terrorizmi ngjall panik frikë dhe viktima në atë vend ku ndodh akti, ndërsa COVID-19 ngjalli panik, frikë e viktima pothuajse në pjesën më të madhe të shteteve të botës. Pra, coronavirus po e lë pas edhe terrorizmin në radhën e kërcënimeve për sigurinë kombëtare, rajonale dhe globale, tha z. Shala.

Po ta shohim këtë fenomen në fushën e sigurisë, bazuar në konceptet e sigurisë apo mendimeve e ekspertëve vëmë re se dimensionet e sigurisë janë lëkundur. Në qendër të një shteti është siguria njerëzore dhe në plan të dytë siguria kombëtare, e cila nënkupton mbrotjen e territorit, politikave të nje shteti apo mbrojtjen e strukturave politike .Aktualisht shtetet janë tejet të shqetësuar për dimensionet e sigurisë njerëzore.

Për këtë problematikë Dr. Xhavit Shala i përgjigjet pyejtjes së radhës duke na qartësuar se cili dimension i sigurisë njerëzore u cenua më së shumti dhe nëse do të jenë të larta kostot në fushën e sigurisë që duhet të paguajnë këto superfuqi.

Ai bën me dije se COVID-19 ka cenuar sigurinë kombëtare, rajonale dhe atë globale, në përmasa dhe intensitet të panjohur me parë. Sipas tij reagimi i shteteve, ndryshe nga kërcënimi i terrorizmit pas 11 shtatorit, që nxiti krijimin e një koalicioni botëror antiterror, ishte më shumë individual dhe jo bashkëpunues mes shteteve çka bëri që fitues deri tani të jetë COVID-19 dhe jo shtetet. Z. Shala gjykon se pas kësaj, bota nuk do të jetë me si më parë. Ashtu siç 11 shtatori i 2001 ndryshoi shumë koncepte në fushën e sigurisë, ashtu do të ndodhë edhe pas COVID-19. Nëse do ta thjeshtojmë paksa se cilat dimensione të sigurisë janë prekur mund të përmendim shumë prej dimensioneve të njohura deri tani, e sidomos siguria shëndetësore, siguria ekonomike. Madje përveç humbjes së jetëve pasojat ne fushën ekonomike do të jenë shumë të mëdha dhe në përfundim siguria është cenuar në të gjitha dimensionet e saj, tha z. Shala.

Tashmë kemi një pasqyrë thuajse të qartë të mënyrës sesi COVID-19 ka formësuar botën. Kudo ndihet pasiguri, shqetësim dhe frikë. Pandemia tashmë ka marrë një numër të madh njerëzish, ka ngadalësuar drastikisht ritmet e ekonomisë, ka përcaktuar rregullat e reja të jetës së biznesit dhe mënyrës së jetesës duke bërë që njerëzimi apo qeveritë të përcaktojnë prioritetet për mbijetesë. Duket se po vendoset një rend i ri botëror.

Aktualisht situata është ende e paqëndrueshme, çdo qeveri është përqendruar të motivojë qytetarët për izolim, madje bizneset po organizojnë një sërë fushatash për distancim social duke përshtatur edhe logot e tyre për këtë kauzë. Gjermania, Britania, Kina, SHBA-ja kanë nisur punën duke gjeneruar fonde të mëdha për studime lidhur me specifikat dhe vaksinën kundër këtij virusi, po ashtu një pjesë e fondeve rezervë të buxhetit do të shkojnë për paketën ekonomike në ndihmë të bizneseve dhe qytetarëve.

Në pamje të parë duket se deri më tani këtë situatë e ka mirëmenaxhuar Kina, e cila në fund, kur të bëhen llogaritë duket do të qëndrojë paksa më kokëlartë se shtetet e tjera. Por, unë besoj se gjithçka do të varet nga mënyra se si qeveritë dhe shoqëria do të reagojnë ndaj koronavirusit dhe pasojave të tij, veçanërisht ekonomike. Një gjë është shumë e sigurt, bota nuk do të jetë më e njëjta pas përfundimit të kësaj situatë, por ende ka shpresë se këtë krizë do ta përdorim për të rindërtuar, prodhuar diçka më të mirë dhe më njerëzore.

Valeria Bardhaj, prill 2020 

*Valeria Bardhaj aktualisht punon në Kabinetin e Ministres së Drejtësisë. Ajo është angazhuar si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Hetimit të Krimit, pranë Akademisë së Sigurisë. Ajo ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit për çështjet e sigurisë, medias dhe menaxhimit politik dhe është autore e disa publikimeve shkencore në fushën e sigurisë.

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk