Ligji për kanabisin, potenciali ekonomik dhe sfidat sociale

Ligji për kanabisin, potenciali ekonomik dhe sfidat sociale

Nëse bima do të kishte zë, Lazarati do të shkruante historinë e një hipokrizie. Diskursi social lidhur me ligjin për kanabisin reflekton polarizimin mes zhvillimit ekonomik dhe shqetësimeve që lidhen me pjesën sociale dhe shëndetësore. Për shkak të perspektivave të ndryshme që ofrohen pro dhe kundër këtij ligji, ekspertët theksojnë rëndësinë e informimit publik për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të kanabisit. Për të garantuar zbatimin e suksesshëm të ligjit është i nevojshëm qartazi një kuadër ligjor i konsoliduar, i qëndrueshëm dhe i qartë.  

Një pjesë e shoqërisë e mbështet legalizimin e kësaj bime duke e parë si mundësi ekonomike dhe mundësi për zhvillimin rural. Sipas Ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të Bimës së Cannabis dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, legalizimi do të krijojë mundësi punësimi si dhe do të rrisë të ardhurat e fermerëve që do ta kultivojnë. Në të njëjtën linjë mbështetjeje, qëndron dhe argumenti për luftën ndaj krimit të organizuar. Përmes legalizimit synohet reduktimi i aktiviteteve të jashtëligjshme dhe forcimin e kontrollit shtetëror mbi tregun. Rregullimi i tregut të kanabisit mund të ulë fuqinë e grupeve kriminale që përfitojnë nga tregtia e paligjshme. Ndërkohë, nga pikëpamja mjekësore, ekstraktet e kanabisit përdoren për të trajtuar dhimbje kronike, sklerozën e shumëfishtë, si dhe për të reduktuar efektet anësore të kimioterapisë, si të përzierat apo humbjen e oreksit. Në fushën industriale, fibra e bimës së kanabisit (kërpi industrial) shfrytëzohet për prodhimin e tekstileve ekologjike, materialeve ndërtimore me izolim të lartë, si dhe për prodhimin e bioplastikës. Këto aplikime jo vetëm që përfaqësojnë tregje të reja, por janë gjithashtu të lidhura me qëndrueshmërinë mjedisore dhe ekonominë qarkore.  

Padyshim si në çdo çështje tjetër me interes të gjërë publik, dhe ligji për kanabisin ka nxitur debate të shumta kryesisht për ata që shqetësohen nga legalizimi i tij. Ekspertët nga ana tjetër vënë theksin tek mungesa e infrastrukturës për kontroll që mund të çojë në abuzime dhe pasiguri. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në raportet e saj vjetore mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të paligjshëm të kanabisit, ka evidentuar nevojën për forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe kontrollit të tregut të kanabisit. Në këto raporte theksohet se mungesa e sistemeve të efektshme mbikëqyrëse lehtëson veprimtaritë e paligjshme dhe rrit rrezikun për përfshirjen e grupeve kriminale në këtë sektor. Operacionet e mëdha, si ajo në Lazarat në vitin 2014, kanë dëshmuar përmasat e kultivimit të paligjshëm të kanabisit dhe ndikimin e tij në rendin publik. Këto ngjarje kanë krijuar një perceptim të lidhur ngushtë mes kanabisit dhe krimit, duke e vështirësuar ndarjen e përdorimit të ligjshëm për qëllime mjekësore dhe industriale nga përdorimi i paligjshëm për trafik dhe konsum.  

Në këtë këndvëvshtrim, narrativat mediatike kanë luajtur shpesh një rol të dyfishtë: nga njëra anë kanë ekspozuar shkeljet dhe shpërdorimet në sektor, duke rritur ndjeshmërinë publike në lidhje me kërcënimin për sigurinë, dhe nga ana tjetër, në shumë raste, raportimi sensacional dhe i pafiltruar ka thelluar konfuzionin dhe mosbesimin qytetar ndaj nismave ligjore që synojnë formalizimin e kultivimit për qëllime të ligjshme. Jo rrallëherë, diskurse të ndryshme shkencore si në fushën e shëndetësisë kanë ndërthurje me retorinën politike, duke e kanalizuar debatin drejt interpretimesh ideologjike dhe thellim të polarizimit të perceptimeve publike.  

Polarizimi politik është një tjetër faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në mënyrën se si është perceptuar Ligji nr. 61/2023 “Për Kontrollin e Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe Industriale”. Në vend që të gjeneronte një debat të gjerë mbi politikat e shëndetit publik, zhvillimin ekonomik rural apo inovacionin farmaceutik, ligji është bërë shpesh objekt përplasjesh partiake dhe akuzash për abuzim potencial. Kjo ka zbehur diskursin racional dhe të bazuar në evidencë që do të duhej të shoqëronte një reformë të tillë. Në këtë kontekst, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC), si person juridik publik buxhetor në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, synon të ofrojë një garanci institucionale për kontrollin dhe mbikëqyrjen e proceseve, por efikasiteti i saj do të varet nga kapaciteti për të ndërtuar besim publik, për të qenë transparente dhe për të shmangur çdo lidhje me praktika të kaluara të keqpërdorimit institucional.  



Figura 1. Harta treguese e zonave të kultivimit të kanabisit mjekësor në territorin e Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare nga Geoportali Kombëtar, e përditësuar më 26.05.2025. Zonat me ngjyrë jeshile përfaqësojnë sipërfaqet e lejuara për kultivim, të përcaktuara nga autoritetet kompetente. 


Nëse rikthemi te ‘nuancat’ e diskursit publik, një aspekt tjetër kyç për t’u përmendur është niveli i ndërgjegjësimit shoqëror. Ende mungon një edukim publik i mirëfilltë mbi dallimin mes përdorimit mjekësor dhe atij rekreativ të kanabisit, mbi përfitimet potenciale shëndetësore të nënprodukteve të tij, si dhe mbi mekanizmat mbrojtës që parashikon ligji për të shmangur devijimin në përdorimin e paligjshëm. Kjo mungesë informacioni e bën të domosdoshëm zhvillimin e fushatave të ndërgjegjësimit publik, të udhëhequra nga institucione si Ministria e Shëndetësisë apo vetë AAKC-në në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe mediat. Në një demokraci ende në tranzicion, siç është Shqipëria, ku institucionet mbeten të brishta dhe ku mungesa e transparencës perceptohet gjerësisht si normë, çdo iniciativë që prek fusha të ndjeshme si shëndetësia, siguria apo ekonomia, përballet me një skepticizëm të lartë qytetar.  

Procesi i normalizimit të politikave mbi kanabisin kërkon jo vetëm vendimmarrje të kujdesshme, por edhe ndërtimin gradual të një kulture politike dhe shoqërore që e trajton këtë temë me pjekuri, informacion dhe qartësi. Një tjetër komponent kritik është bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Policinë e Shtetit, Prokurorinë, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit si dhe me institucionet ndërkombëtare, për të siguruar që përdorimi i këtij legjislacioni nuk devijohet për qëllime kriminale. Po ashtu, bashkëpunimi me aktorët privatë, si kompanitë farmaceutike apo institucionet akademike, mund të ndihmojë në zhvillimin e një industrie të qëndrueshme dhe të monitoruar shkencërisht. Në një klimë ku besimi publik ndaj institucioneve është i brishtë, transparenca e AKKC-së dhe roli si mbikëqyrës neutral dhe teknik është vendimtar për suksesin e reformës. Për këtë arsye, është e domosdoshme që ajo të operojë në përputhje të plotë me parimet e mirëqeverisjes, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së publikut, duke publikuar raporte periodike dhe duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse në konsultimin e politikave dhe praktikave të saj. 


Praktikat rajonale dhe europiane

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë ndjekur rrugë të ndryshme për legalizimin e kanabisit mjekësor. Në shtete si Gjermania dhe Holanda, përdorimi i kontrolluar për qëllime mjekësore është pjesë e politikave shëndetësore, ndërkohë që vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Kroacia kanë ndërtuar modele të përshtatshme për kontekstin e tyre socio-politik, duke ndarë qartësisht qëllimet mjekësore nga ato rekreative dhe duke ndjekur standarde të larta të kontrollit. Këto modele ofrojnë mësime të vlefshme për Shqipërinë, si për ndërtimin institucional ashtu edhe për krijimin e tregjeve konkurruese.  

Në nivel europian, qasjet ndaj legalizimit dhe rregullimit të kanabisit për qëllime mjekësore janë të ndryshme, por kanë një element të përbashkët: ndërtimin e një sistemi ligjor dhe institucional që garanton siguri, efektshmëri dhe kontroll. Gjermania që nga viti 2017 ka bërë të mundur që kanabisi për qëllime mjekësore të jetë i ligjshëm dhe i përfshirë në sistemin e sigurimeve shëndetësore. Bimët kultivohen në mënyrë të kontrolluar nga kompani të licencuara nga autoritetet federale (BfArM - Bundesinstitut für Arzneimittel und Medizinprodukte). Qeveria monitoron çdo aspekt të prodhimit dhe shpërndarjes përmes një sistemi të centralizuar, duke garantuar gjurmueshmëri të plotë. Ndërkohë Holanda e njohur për politikën e saj tolerante ndaj përdorimit rekreativ, ka ndërtuar një strukturë të ndarë për përdorimin mjekësor. Kanabisi prodhohet nga një furnizues shtetëror (Bedrocan) dhe shpërndahet përmes farmacive, me recetë mjekësore. Kështu, është krijuar një mekanizëm i qartë rregullator për të ndarë tregun mjekësor nga ai informal. 

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut  e legalizoi kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor në vitin 2016 dhe licencimi i operatorëve bëhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë. Megjithatë, raportet ndërkombëtare kanë evidentuar se mungesa e transparencës dhe kontrollit adekuat ka sjellë rrezik për përfshirje të aktorëve informal në industri. Në veçanti, një artikull nga Global Initiative Against Transnational Organized Crime ofron një analizë mbi përvojat e vendeve të rajonit, si Maqedonia e Veriut, ku janë evidentuar raste të korrupsionit në dhënien e licencave për kultivimin e kanabisit mjekësor. Për më tepër, theksohet rëndësia e ndërtimit të një kuadri rregullator të fortë dhe transparent për të shmangur përfshirjen e aktorëve informalë dhe për të siguruar integritetin e industrisë së kanabisit në Shqipëri.  

Për sa i përket rastit të qeverisë greke, përdorimii mjekësor i kanabisit është legalizuar në vitin 2017 me Ligjin nr. 4523/2018, ndërsa në vitin 2018 miratoi dispozita që lejonin edhe kultivimin dhe prodhimin industrial të kanabisit për qëllime mjekësore, duke synuar të tërheqë investime të huaja direkte në këtë sektor në zhvillim. Sipas këtyre rregullimeve, licencimi i operatorëve ekonomikë bëhet përmes Ministrisë së Zhvillimit dhe Investimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, mbi bazën e kritereve të rrepta të sigurisë, infrastrukturës dhe përputhshmërisë farmaceutike. Greqia është ndër vendet e para në BE që u përpoq ta shndërronte industrinë e kanabisit mjekësor në një fushë tërheqëse për kapital të huaj, veçanërisht nga kompani si Canadian Cannabis Exchange (CCE) dhe subjekte të tjera kanadeze, të cilat panë një potencial të lartë eksportues në tregun europian përmes Greqisë. Në vitin 2021, në Korinth u hap një nga fabrikat e para të përpunimit të kanabisit mjekësor me investim të huaj, që synonte prodhimin për eksport drejt vendeve të BE-së. 

Ndërsa, Kroacia që prej vitit 2015 lejon importin e produkteve me bazë kanabisin për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda. Në vitet e fundit ka nisur diskutimi për leje të kufizuara për kultivim vendas, por në një kornizë të rreptë kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Këto modele tregojnë se legalizimi i kontrolluar mund të sjellë përfitime të ndjeshme për sistemin shëndetësor, ekonominë dhe shoqërinë, vetëm nëse shoqërohet me vullnet politik të qëndrueshëm, institucione të forta dhe angazhim të qartë ndaj interesit publik. 


Sfida për Shqipërinë 

Miratimi i Ligjit nr. 61/2023 për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës kanabis për qëllime mjekësore dhe industriale shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të politikave shëndetësore dhe ekonomike në Shqipëri. Ai sjell gjithashtu mundësi të rëndësishme për zhvillimin e sektorit agro-industrial, rritjen e eksporteve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Prandaj, Shqipëria duhet të shmangë keqpërdorimin e ligjit dhe të ndërtojë një sistem të fortë gjurmueshmërie dhe raportimi publik. Vetëm kështu kuadri ligjor mund të shërbejë si mjet për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo si burim rreziku. 



Juliana Dema & Xhesilda Zeqiri, qershor 2025 


*Juliana Dema ka studiuar Shkenca Politike, po ashtu sapo ka mbaruar studimet në Master Shkencor Administrim Publik. Është angazhuar vullnetarisht dhe si aktiviste në organizata rinore për rreth 5 vite. Aktualisht, punon si asistente organizative në një qendër kreative dhe paralelisht angazhohet edhe në sektorin privat.   


 *Xhesilda Zeqiri është juriste e diplomuar në nivel Master Shkencor në të Drejtën Private dhe Bachelor në Drejtësi nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Aktualisht ndjek Shkollën e Avokatisë pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me fokus në të drejtat e njeriut, specikisht në të drejtën e punës. Prej nëntorit 2024, ushtron funksionin si Specialiste në Sektorin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), ku kontribuon në hartimin dhe zbatimin e politikave të punësimit, përputhshmërinë ligjore dhe promovimin e barazisë në administratën publike. Më herët, ka përfituar përvojë përmes praktikën profesionale falë Programit Kombëtar të Praktikave të Punës pranë Avokaturës së Shtetit, zhvillimit të një praktike institucionale pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë – Dhoma Civile, si dhe përfshirjes si monitoruese në kuadër të procesit të zgjedhjeve vendore të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 



Referencat: 

 

GI-TOC. High hopes: Albania’s path towards medical cannabis, May 2025. https://riskbulletins.globalinitiative.net/see-obs-021/04-high-hopes-albanias-path-towards-medical-cannabis.html 

 

 

 


 


 


 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk