BREXIT- Një goditje për ekonominë britanike apo atë europiane?

BREXIT- Një goditje për ekonominë britanike apo atë europiane?


Së pari është ajo e largimit me një marrëveshje, siç ishte ajo e arritur në nëntor të 2018 nga kryeministrja Theresa May, por që u refuzua për herë të dytë nga Dhoma e Komunëve më 12 Mars 2019. Sipas International Monetary Fund, prezumohet se nëse kjo marrëveshje arrihet të dakordësohet me një pakt për tregtinë e lirë, duke përfshirë dhe rregullimet mbi shërbimet tregare, por me kufizime në fushën e emigracionit, të ardhurat output Produkti i Brendshëm Bruto - PBB të MB do të jenë 2,5- 4 % më të ulëta në terma afatgjatë, krahasuar me skenarin ku MB do të vazhdonte të ishte pjesë e BE. Kjo përqindje përkthehet në një kosto prej 900 -1300 $ për person.
Skenari i dytë është ai ku BE nuk arrin të pranojë marrëveshjen e shtruar në tryezë dhe si pasojë MB do të duhet të adoptojë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO). Por në krahasim me BE e cila ka një tarifë shumë të ulët në këtë organizatë (përreth 2,8% për produktet jo-bujqësore), MB si një shtet jo anëtar i BE do të vuante pasoja të mëdha ekonomike. Psh transportimi i një makine nga BE drejt MB do të taksohej rreth 10%, ndërkohë që produktet ditore mesatarisht do të rriteshin me vlerën e plus 35% të çmimit të tyre fillestar nga BE. Sipas International Monetary Fund, PBB e MB me këtë skenar do të uleshin akoma më shumë rreth 5-8% në terma afatgjatë dhe do të përktheheshin në një kosto rreth 1 700-2 700 $ për person.


Pasojat e Brexit, brenda dhe jashtë Mbretërisë së Bashkuar
Pasojat e një BREXIT pa marrëveshje do të kishin një ndikim tepër të madh në MB, por jo vetëm. Ekonomia europiane sidomos në sektorin e pajisjeve të transportit, kimikateve dhe ndërtimit, ku Mbretëria e Bashkuar mban vendin e parë si furnizuesja kryesore në Europë, do të ndikohej më së shumti për shkak të barrierave të shumta ekonomike gjatë eksport-importit. Gjithashtu do të ndikohej sektori i shërbimeve, sidomos ai i shërbimeve financiare, duke shkaktuar një ulje prej 15% në skenarin e parë. Kjo reflekton faktin se ¼ e sektorit të shërbimit financiar britanik është i lidhur me klientë të BE, raporton rrjeti i kompanisë ndërkombëtare të auditimit DeloitteBelgium. BE kështu mund të pësojë një rënie të prodhimit prej 0.5% deri në vitin 2021 pas mundësisë së një skenari pa marrëveshje, edhe pse pasojat po fillojnë të reflektohen që tani duke pasur parasysh aktivitetin e dobët financiar të saj vitin e fundit, në krahasim me pritshmëritë e saj.
Parashikimi i rritjes ekonomike në zonën e Euros për vitin 2019 është ulur në 0.6 nga 1.3% që ishte parashikuar, për shkak të kombinimit të një sërë faktorësh: dobësimit të bizneseve; vonesat që lidhen me futjen e standardeve të reja të emetimit të karburantit për automjetet me naftë në Gjermani; ndikimi i mosmarrëveshjes mbi buxhetin e Italisë në kostot e huamarrjes; protestat e jelekverdhëve në Francë; dhe së fundi ndikimi i shqetësimeve në rritje, në lidhje me një Brexit pa marrëveshje në investime.
Ndikimi i një skenari pa marrëveshje pa diskutim që do të ndihet në të gjithë Bashkimin Europian, por është e qartë se disa rajone dhe sektorë ekonomikë do të ndikohen në mënyrë më të konsiderueshme. Kostot më të mëdha do të vihen më shumë re nga shtetet anëtare që ndajnë një kufi jo vetëm tokësor, me Mbretërinë e Bashkuar siç është Irlanda e Veriut, por dhe shtete të tjera si Danimarka, Hollanda dhe Franca. Kostoja ekonomike do të jetë veçanërisht e lartë për sektorët e agro-ushqimit dhe peshkimit. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme europiane (SME) që tregtojnë me Mbretërinë e Bashkuar do të preken veçanërisht dhe mund të kenë nevojë për mbështetje të programuar nga fondi i BE. Nëqoftëse Mbretëria e Bashkuar nuk vazhdon të kontribuojë në buxhetet e BE për vitet 2019 dhe 2020, një Brexit pa marrëveshje, do të linte një hendek financiar të pashmangshëm që do të kërkojë uljen e buxhetit dhe rritjen e kontributeve shtesë nga shtetet anëtare në buxhetin e BE.


Por cilat janë masat që mund të ndërmerren?
Në faqen zyrtare të tij, Komisioni ka propozuar një paketë masash mbështetëse në dispozicion të shteteve anëtare dhe bizneseve në mënyrë që të lehtësojë pasojat e menjëhershme ekonomike të një Brexit pa marrëveshje. Një praktikë mund të ishte mobilizimi dhe ristrukturimi i programeve dhe instrumenteve ekzistuese të buxhetit të Bashkimit Europian sidomos duke u përqendruar në ato fusha ku nevojat janë më të mëdha dhe ndikimi do të jetë më i ndjeshëm. Gjithashtu pjesët e pashpenzuara të kontributeve kombëtare nën Fondet Europiane Strukturore dhe Investuese mund të ristrukturohen në fondet e tjera më me rëndësi (Fondi Social Europian, Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal dhe Fondi Bujqësor Europian për Zhvillimin Rural).
Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në buxhetin e BE ka ndryshuar çdo vit në varësi të faktorëve të ndryshëm, megjithatë Mbretëria e Bashkuar ka qenë në një pozitë përfituese kundrejt BE duke qenë se ka marrë përafërsisht 16% të fondeve shkencore të BE, ndërkohë që kontributi i saj ka qenë mesatarisht 11% në buxhetin e përgjithshëm të BE. Përshembull, përmes programit të kërkimit shkencor Horizon 2020, Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka marrë mbi 5 miliard € fonde, duke mbështetur afërsisht 11 000 korporata pjesëmarrëse në më shumë se 6 600 projekte.
Një Brexit pa marrëveshje do të shtojë më shumë pasigurinë e qytetarëve, pasi fondet europiane nuk do të jenë më në dispozicion të partnerëve në Mbretërinë e Bashkuar pas datës së largimit së MB (përfshirë projektet që tashmë funksionojnë në atë kohë). Prandaj, organizatat duhet të përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme për të lehtësuar ndikimin që do të ketë kjo ngjarje. Në një të ardhme të afërt pas largimit të MB nga BE, organizatat e Mbretërisë së Bashkuar do të jenë në gjendje të marrin pjesë në programet e financuara nga BE, por nuk do të mund të jenë kandidate për të aplikuar për grante të BE-së dhe do të duhet të financojnë vetë pjesëmarrjen e tyre.
Megjithatë ekziston një propozim nga Komisioni Europian, që do t'i mundësonte BE të jetë në gjendje të respektojë angazhimet e saj dhe të vazhdojë të bëjë pagesa në 2019 për përfituesit e Mbretërisë së Bashkuar për kontratat e nënshkruara dhe vendimet e marra para daljes së mundshme, nëse: Mbretëria e Bashkuar respekton detyrimet e saj në bazë të Buxhetit të vitit 2019 dhe nëse pranon kontrollet e nevojshme të auditimit.
Gjithsesi këto propozime nuk reflektojnë versionin përfundimtar të mënyrës se si do të rregullohen marrëdhëniet ekonomike në marrëveshjen Mbretëri e Bashkuar- Bashkim Europian. Po ashtu ekziston dhe mundësia e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE pa një marrëveshje. Në të dy skenarët e mundshëm, pasojat do të jenë të parikuperueshme për qytetarët britanikë dhe ata europianë, të cilët do të vuajnë dëmet ekonomike të shteteve të tyre.

Stafi i EuroSpeak, tetor 2019

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk