Reforma Shqiptare në Drejtësi: Një qasje e bazuar te demokracia dhe të drejtat e njeriut

 Reforma Shqiptare në Drejtësi: Një qasje e bazuar te demokracia dhe të drejtat e njeriut

                                                                   “Injustice anywhere is a threat to justice everywhere”

                                                                                                                   Martin Luther King.Jr

 

Eksperienca tridhjetë vjeçare ka treguar mënyrën sesi vendosej drejtësi në këtë vend, ku rast pas rasti në veprimtarinë e gjyqësorit, dëgjonim e lexonim çështje ku kryefjala ironikisht ishte padrejtësia, kur duhet të ishte drejtësia. Prandaj hapi  për  nisjen e një procesi që do të ndihmonte “pastrimin” e sistemit të drejtësisë, u prit me entuziazëm (Min. Drejtësisë, 2015). Ajo që nuk u parashikua nga kjo reformë ishte pasoja që do të sillte në sistemin gjyqësor. Një numër i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk e kanë kaluar vetingun apo të tjerë që kanë dhënë dorëheqje kanë nxjerrë në pah një problematikë të mprehtë, atë të boshllëqeve në shkallët e gjyqësorit. Kjo situatë ka sjellë ngadalësimin e mëtejshëm të punës së gjykatave. Si rrjedhojë edhe pamundësi të individëve për t’u siguruar një proces të rregullt ligjor (KEDNj, Neni 6). Prandaj, këtu është “plaga” me e madhe e kësaj reforme që lidhet me respektimin e të drejtave të individëve. E drejta për proces të rregullt është ndër më thelbësoret sepse i siguron individit respektimin e një sërë garancive mbrojtëse në një proces gjyqësor. Njëkohësisht këtu preket edhe respektimi i vlerave demokratike në vend, ku sigurimi i një sistemi drejtësie te pavarur, të paanshëm, efektiv është një tregues domethënës për mënyrën sesi funksionon demokracia. Deri ku e justifikon reforma në drejtësi, si një rrethanë objektive, mosfunksionimin normal të organeve të drejtësisë, cënimin të drejtave të njeriut dhe demokracisë në tërësi?

Askush nuk pret që problemet gati tridhjetë vjeçare të zgjidhen përmes një reforme të vetme, por rezultatet kërkohen me ngulm. Kërkohen nga qytetarët që kanë humbur besimin tek sistemi, kërkohen nga nevoja e vet shtetit që pushteti gjyqësor të mirëfunksionojë si provë e ekzistencës së demokracisë.  Procesi i reformës në drejtësi nuk duhet të shikohet si një “trofe” për të cilin ne jemi të aftë të paguajmë çdo lloj çmimi. Aq më tepër nëse çmimi cënon të drejtat e njeriut. Procesi ka pasur kontestime të cilët lidhen me elementë që përbëjnë në tërësi reformën. Shpejtësia e procesit është njëri prej tyre. Ka akoma punë në përfundimin e procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët në vend (A. Vorpsi, A. Anastasi, G. Ibrahimi, S. Berberi, S. Sadushi, 2019). Rezultatet e kësaj reforme duhet të jenë realisht të prekshme, të vijnë si pasojë e një procesi të drejtë, duke u bazuar tek profesionalizmi i organeve  që po  merren me reformën në drejtësi. Duhet krijuar një sistem që respekton vlerat e demokracisë dhe këtu rol kanë të gjithë aktorët e shoqërisë (Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, 2019). Ekzekutivi ka detyrë të ndihmojë përmes kompetencave të saj legjislative në krijimin e kushteve që reforma të vijojë, aq sa nuk duhet të influencojë në punën e organeve që po merren me këtë reformë. Vështirësitë e kësaj reforme u dukën, kur pas shumë përpjekjeve dhe jashtë afateve të parashikuara  u plotësuan vendet e anëtarëve të organeve të krijuara me Kushtetutë (ISP, 2018). Hendeku midis premtimeve të klasës politike për reformën, pritshmërive publike dhe kapaciteteve të organeve e vullnetit real politik për jetësimin e reformës po shoqëron gjithë procesin (ISP, 2018). Gjithashtu koordinimi i vendimmarrjes për shkarkim nga KPK-ja (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) apo KPA-ja (Komisioni i Posacëm i Apelimit ),  me nevojën që këto vendime të pasohen me hetimin, vendosjen para drejtësisë së subjekteve që provohen se kanë shkelur ligjin kërkon akoma punë për tu arritur (ISP, 2018). Duket sikur vëmendja është përqëndruar më shumë tek vlerësimi  në komponentin e pasurisë duke lënë disi mënjanë vlerësimin mbi aftësinë apo integritetin. Mendoj se ju dha rëndësi më e madhe vlerësimit të komponentit të pasurisë sepse ishte aty ku një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve dështuan të kualifikoheshin. Kujtoj raste gjatë seancave dëgjimore të vetingut  ku gjyqtarët e prokurorët dilnin si zotërues të pasurive të pajustifikueshme ose akoma më keq mundoheshin t’i justifikonin me agrumenta, guxoj të them, qesharake. Pavarësisht përpjekjeve të tyre shumë gjyqtarë, prokurorë shkuan drejt shkarkimit duke treguar edhe njëherë sesa e nevojshme ishte për vendin tonë kjo reformë (ISP, 2018).

 Pamundësia për të aksesuar efektivisht  sistemin gjyqësor është cënim  i të drejtave të njeriut dhe duhet parë në optikën e parimit të proporcionalitetit. Nuk ka justifikim fakti se prej katër vitesh individët përballen me një sistem jofunksional në fraksione të rëndësishme të tij duke na shndërruar, neve, të drejtat tona, në “kurban” të reformës në drejtësi. Pavarësisht çdo argumenti që mund të nxjerrin nismëtarët reformës në drejtësi, mosfunksionimi normal i dy organeve kyç të drejtësisë në vend është një goditje e rëndë për demokracinë. Gjykata Kushtetuese ka qenë në pamundësi të marrë vendime që ndikojnë në verifikimin e kushtetueshmërisë së akteve të pushtetit, por edhe për garantimin e të drejtave themelore të individit (Kushtetuta e Shqipërisë, neni 131). Është problematike për demokracinë pasi çdo lloj vendimi i cili mund të merret nga institucionet dhe që ka nevojë për t’u trajtuar nga GJK-ja kanë qëndruar  në pritje prej katër vitesh. Mosfunksionimi i kësaj gjykate i linte hapësirë institucioneve që të merrnin më lehtë vendime që mund të vinin në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe jurisprudencën e kësaj gjykate. Kjo situatë në vetvete ishte një risk i madh për demokracinë tonë të brishtë. Këtu nuk flitet vetëm për nxjerrjen e një akti apo ndërmarrjen e një nisme për të cilën mund të ngrihen dyshime a pretendime se nuk është  respektuar Kushtetuta. Analiza duhet të shkojë më thellë. Duhen parë pasojat afatgjata të interesave afatshkurtër që sjell ky akt apo nismë ligjore në respektimin e shtetit të së drejtës. Pamundësia e individëve për ta trajtuar çështjen e tyre pranë GJK-së, në lidhje me pretendimet për shkeljen e të drejtave të tyre themelore, në thelb është cënim i të drejtave të tyre.

Zhvillimet e fundit me fillimin e plotësimit të vendeve të kësaj gjykate dhe nisja e punës prej saj  shpresoj të jenë fillimi i një epoke të re për drejtësinë kushtetuese në Shqipëri. Duke parë në vazhdimësi sesa realisht këta gjyqtarë kushtetues do jenë të aftë të kryejnë detyrën, me paanësi, pavarësi, efektivitet, pa u ndikuar nga politika dhe jo vetëm. Koha do të tregojë sesi do të menaxhohet fluksi i çështjeve të referuara në GJK. Midis të tjerave presin për tu gjykuar ato që konsiderohen si “çështje të nxehta” të cilat kanë rrëmbyer vëmendjen e publikut të thjeshtë dhe ekspertëve të fushës. Padia e shoqatës se bashkive që kërkon shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve më 30 qershor 2019 është një ndër to. Gjyqtarët kushetues duhet të shprehen rreth vlefshmërisë së një njërit prej komponetëve më të rëndësishëm të ekzistencës së demokracisë, zgjedhjeve legjitime. Pritet me vëmendje vendimi i GJK-së për ankesën që bëri kryeministri Rama kundër presidentit Meta pasi ky i fundit nuk pranoi të dekretonte kandidaturën e dërguar nga Kryeministri për postin e Ministrit të Jashtëm. Çështja tjetër është ajo e Teatrit Kombëtar, gjykimi nga GJK-ja i dy padive të ngritura nga presidenti Meta. Reagimet e komunitetit të artistëve dhe publikut të gjerë që shoqëruan këtë çështje janë tregues domethënës të rëndësisë që do ketë vendimi i marrë nga kjo gjykatë.  Nga ana tjetër Gjykata e Lartë është organi tjetër gjyqësor pranë të cilit presin mbi tridhjetë mijë dosje për t’u gjykuar, ku minimalisht është cënuar afati i arsyeshëm. Roli i saj për nxjerrjen e vendimeve unifikuese është një mungesë e madhe për punën e përditshme të gjykatave shqiptare. Pjesa dërrmuese e anëtarëve të këtyre dy organeve, gjatë procesit të vetingut nuk u konfirmuan në detyrë.  Moskualifikimi i tyre ishte një “grusht” i fortë që mori drejtësia (ISP, 2018).

Përballë kësaj situate qëndron aspirata jonë për t’u bërë pjesë e BE-së. Kjo aspiratë duhet të jetë një shtysë për vazhdimësinë e procesit. “Shërimi” i sistemit të drejtësisë nga mungesa e profesionalizmit, mungesa e pavarësisë e paanësisë, korrupsionit, është qëllimi final. Kjo reformë kërkon të krijojë një sistem në shërbim të qytetarëve, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Pikëmbërritja do të vijë natyrshëm në formën e plotësimit të Kapitullit 23 të bisedimeve me BE-në, konkretisht për Drejtësinë dhe të Drejtat Themelore. E gjithë ky rrugëtim duhet bërë duke zbatuar kushtet që ka vendosur BE-ja, ku kushti politik, i nënvizuar për rëndësinë e tij që prej mbledhjes së Samitit të Kopenhagenit duhet të diktojë punën tonë në reformimin dhe ndërtimin e institucioneve të  besueshme.

 “Miratimi i reformës është një lajm i mirë, por asgjë nuk na  siguron se organet e reja të drejtësisë do ta realizojnë lehtësisht procesin spastrimit të sistemit. Duke parë lidhjet abuzive të gjyqësorit me politikën dhe sesa thellë korrupsioni ka hyrë në sistemin në këto tridhjetë vite, mund të them se ky proces frytet do ti japë shumë vite më vonë” ishin fjalët e para që dëgjova në mëngjesin e 22 Korrikut të 2016, prej një qytetari të thjeshtë të këtij vendi, që rastësia deshi të ishte babai im. Koha tregoi që reforma ishte dhe vazhdon të jetë një test për forcimin e demokracisë sonë. Kjo reformë, së bashku me “të metat”  e saj, po kontribuon në qëllimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një shtet demokratik që respekton  dhe garanton  të drejtat e njeriut.

Sanela Lilaj, mars 2021

 

*Sanela Lilaj ka përfunduar studimet Bachelor në Drejtësi, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. Ka përfunduar Masterin e Shkencave në të Drejtën Publike, Fakulteti i Drejtëisë, Universiteti i Tiranës, duke thelluar studimet në të drejtën e BE-së. Pjesëmarrja në trajnime dhe workshop-e më ka ndihmuar të konkretizojë dijet në fushën e së drejtës në përgjegjësi, të drejtës publike në veçanti. Sanela ka punuar si redaktore ligjore në kuadër të projektit RISA-“Reporting on the Implementation of the SDGs by Albania”. Puna dy vjeçare si redaktore ligjore e “Fjalorit Anglisht-Shqip i Ligjit Logjistikës dhe Sigurimeve Detare” po ashtu ka qënë pozitive për aftësimin e saj të mëtejshëm  në redaktimin e akteve ligjore.

 

 

 Biblografia

 

Vorpsi, A. Anastasi, G. Ibrahimi, S. Berberi, S. Sadushi, “Komentar mbi reformën kushtetuese në sistemin e drejtësisë”, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Tiranë 2019.

Kushtetuta e Shqipërisë, e ndryshuar.

Aneksi i Kushtetutës së Shqipërisë “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”

Ligji Nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, hartuar nga Grupi  i ekspertëve të nivelit të lartë, Qershor 2015.

Raport Studimor, “Monitorimi i procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve në periudhën janar 2017-qershor 2018”, publikuar nga Komiteti Shqipëtar i Helsinkit.

“Reforma në Drejtësi 2018, Bilanci, Problematikat, sfidat”, publikuar nga Instituti i Studimeve Politike.

“Monitorim i Reformës në Drejtësi”, hartuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shipërinë, Tiranë 2019.

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore

Samiti i Kopenhagenit, mbajtur më 12-13 dhjetor 2002.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk