Artikull Dita e Europës 2016: Europa pa Ballkanin nuk është bashkim

Artikull Dita e Europës 2016: Europa pa Ballkanin nuk është bashkim


Slogani me të cilin studentët protestues rrëzuan regjimin komunist në Shqipëri më 1991 ishte:
“E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Dy dekada pas rënies së regjimit, mbi 80 % e shqiptarëve ende e kërkojnë këtë. Në daljet publike të udhëheqësve të vendit dëgjojmë vazhdimisht se “prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian”.

Bashkimi Europian është një organizëm i ndërtuar që në fillimet e tij mbi bazën e gjashtë parimeve kryesore, të cilat janë: paqja, ribashkimi i kontinentit Evropian, siguria, solidariteti ekonomik dhe ai social, identiteti i evropianëve në botë dhe në BE, vlerat e BE-së. Europa përballet me sfida jashtëzakonisht të mëdha në shekullin XXI, duke përfshirë edhe krizën ekonomike, ndryshimet klimatike, zhvillimin e vazhdueshëm, sigurinë e energjisë dhe luftimin e kriminalitetit ndërkombetar.

Objektiv i rëndësishëm i politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet politika rajonale. Shqipëria, si një aktor rajonal me një peshë dhe rol gjithnjë e më të rëndësishëm, është e interesuar për një rajon të stabilizuar ku të mbizotërojë paqja dhe bashkëpunimi socio-ekonomik dhe kulturor, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me fqinjët e saj.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe veçanërisht me ato të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të jenë ndër prioritetet e politikës së jashtme tё Republikës së Shqipёrisё.
Kriza politike e mesit të viteve ’90 e rënduar më tej nga kaosi i përgjithshëm në vend si pasojë e përmbysjes së skemave piramidale, shkaktoi pothuajse ngrirjen e marrëdhënieve të vendit tonë me BE-në. zhvillimet tronditëse të fundviteve ’90 në rajon, kriza e Kosovës dhe më tëj konflikti etnik në Maqedoni, e shtynë Bashkimi Europian t’i kushtojë gadishullit ballkanik vëmendje më të madhe.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist.
Procesi i integrimit të Shqpërisë në Bashkimin Europian pati dy sfida madhore:
1)Sfidën e trashëgimisë së dobët historike të regjimit komunist, i cili i la vendit varfëri të skajshme, izolim të plotë ndërkombëtarë dhe një diktaturë tepër të ashpër;
2)Sfida e trazicionit, e cila përfshiu kryesisht ish-territoret dhe ish-Republikën e Jugosllavisë, por që solli ndikime të drejtpërdrejta apo të tërthorta në vendet e rajonit , sidomos mbi Shqipërinë, faktori kombëtar njerzor i së cilës u bë pjesë e krizës së ish-Jugosllavisë në Kosovë e Maqedoni.

Rruga e vetme për tu ndarë me izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike u njësua me integrimin europian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Nga viti 1992 mardhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian u bënë më të ngushta dhe u zgjeruan në disa fusha të ndryshme. Bashkimi Europian u bë donator kryesor për Shqipërinë duke ofruar mbështetje falas për zhvillimin e saj.

Objektivi strategjik i Shqipërisë është që përmes një angazhimi aktiv në të gjitha forumet dhe nismat rajonale të kontribuojë me qëndrimet parimore e të balancuara në trajtimin e çështjeve të ndryshme sensitive të rajonit. Nëpërmjet aktivitetit të saj në këto forume rajonale, Shqipëria synon që të nxisë zhvillimin ekonomik rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta, në fusha të tilla si energjia dhe transporti. Shqipëria do të lobojë pa ndërprerje për përfaqësimin e Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale duke kontribuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Europianizimi i rajonit po shkon drejt një renditje të re. Kroacia konsiderohet si‘jo më Ballkan’, tashmë është anëtare e radhës me të drejta të plota në BE. Në vitin 2012, vendet e Ballkanit janë ndarë në dy kategori: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që kanë statusin e vendit kandidat dhe po përfshihen në negociata për anëtarësim të plotë në BE; dhe dy vendet e mbikqyrura intensivisht nga ana e BE-së, Kosova dhe Bosnja, plus Shqipërinë (tashmë me statusin e vendit kandidat) janë lënë prapa në një kategori të vetme: të stigmatizuara si shoqëri që ëndërrojnë Europën, por iu mungon kurajoja dhe vendosmëria për të vepruar në përputhje me retorikën e tyre.

Anëtarësimi në BE shikohej nga aktorët lokalë si procesi konkret nëpërmjet të cilit ëndrra europiane do të bëhej realitet. Ideja bazë që e ushqente këtë shpresë ishte utopia e një Bashkimi Europian si parajsa e kombeve të lumtura.

Shqipëria ka bërë relativisht progres në përmbushjen e standardeve europiane. Progresi kryesisht konsiston në miratimin e legjislacionit të ri dhe ngritjen e institucioneve të reja. Gjithashtu janë bërë disa përpjekje për forcimin e kapaciteteve administrative, por në disa raste nevojiten më shumë angazhime dhe burime për arritjen e një progresi të mëtejshëm.

Në Ballkan, strategjia e pranimit duhet të jetë një përzierje klasike për shtet-ndërtimin e politikave që synojnë transformimin e shteteve kombëtare në shtetet anëtare. Ajo që ne përballemi në Ballkan është një nevojë për një “strategji për-shtetndërtimit”.

Bashkimi Europian mund të arrihet vetëm nga vendet demokratike dhe të lira nga çdo lloj tiranie, dhe të përgatitura ose të predispozuara për këtë proces. Thjeshtësia e kësaj metode ndërtimi siguron fortësinë e ndërtesës së Komunitetit. Mardhëniet e vendosura tashmë midis vendeve që marrin pjesë në ndërtim janë kaq solide sa është e pamundur të zhbëhen. Komuniteti siguron hapësira të shumta për pranimin e vendeve të tjera Europiane, ashtu si edhe për shqetësimet e tyre. Këto hapësira janë të pranishme edhe për ndërtimin e kateve që janë stade të tjera shumë të avancuara të Integrimit Europian.
Ëndrra europiane e Shqipërisë është zgjuar.
                                                                                                                             Përgatiti: Lulëzim Cuka
                                                            Artikull i përzgjedhur i Konkursit në Kuadër të Ditës së Europës 2016

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk