Mesazhi im për Europën

 Mesazhi im për Europën

Udhëtuam drejt tij me autobuz. Më kishin thënë se nga pika e nisjes deri në kryeqytetin Belg ishte rreth katër orë e gjysëm rrugë. Kur kaloi ora e dytë e udhëtimit, duke e llogaritur me naivitetin e një pesëmbëdhjet vjeçareje se ishte gjysma e rrugës, unë nxora pasaportën dhe u përgatita moralisht për kontrollin doganor, madje dhe u mobilizova fizikisht për rradhën që mesiguri do ndërtonte një autobus i madh si ai me të cilin udhëtonim.

Prisja kurioze me sytë nga xhami për të parë pikën doganore mes një pylli që s’di se si nuk mbaronte. Kisha një padurim për të ndjerë se ndodhem në një shtet tjerër. Ishte e njëjta pamje për shumë gjatë, sikur përseritej e njëjta fotografi pylli pas çdo sekondi. Vrisja mendjen nëse do i ngjante pikës sonë kufitare me Greqinë. Kështu do ta shquaja më lehtë. Në fakt ky mendim më trembi, më solli në mendje panikun që ndihej në autobuzin e linjës Tiranë-Athinë se mos i kthenin mbrapsht. Më kujtoi madje se kur udhetoja një verë drejt të afërmve në shtetin Grek, një grua në moshë të mesme nga qyteti i Patosit, e cila ishte ulur pas meje, nuk pushonte së rëndituri të gjithë personat që ajo njihte të cilët i kishin kthyer në doganë për mungesë dokumentacioni. A mund të ndodhte të të kthenin edhe këtu? A do ia shpjegoja unë dot me anglishten time të çalë qëllimin e këtij kalimi kufitar?

E gjithë frika ndali kur shoqëruesja jonë na foli me mikrofonin e autobuzit : “Po kalojmë kufirin Gjermano – Belg. E shihni atë vijën e bardhë në rrugë e cila kalon dhe mes karrigeve të restorantit krah rrugës? Ajo është e vetmja ndarje simbolike mes dy vendeve të Bashkimit Europian”!

Shtanga, u ndjeva tërësisht e painformuar dhe kjo më krijoi një ndjesi të keqe në stomak! Ishte një koncept a imazh që nuk e njihja, me vinin në kokë të gjithë hartat e gjeografisë me kufijtë politik. Pra, vijat e zeza ndarëse si në harta për ca vende qëndrokërkan, ndërsa për ca tjera jo.

Nisa të qartësohesha me veten, pra të sistemoja në kokë gjithë materialin për Bashkimin Europian, që deri atëherë si duket vetëm e kisha depozituar. Thënë kështu pra të ishe në BE do të thoshte të mund të kaloje nga shteti në shtet vëtem përmes kufijve historik të mbetur nëpër mendje. Ishte njësoj si të jetoje në një vend me përmasa të madha gjeografike, ku të udhëtoje nga një kryeqytet europian në tjetrin në tjetrin ndihej si të ishte gjëja më thjeshtë në botë.

I gjithë ky informacion i ri në mendjen time procesohej vetëm në një formë, vetëm si liri! Do ishte shumë e thjeshtë ta kategorizoje Bashkimin Europian thjesht si institucion, por jo, ishte shumë më shumë se sa kaq! Në vështrimin e një adoleshenteje si unë, ishte liri kufitare, gjeografike që me siguri prodhonte liri të mendjes. Liri që prodhonte barazinë e shtetasve të vendeve të BE-së; liri që prodhonte mundësi, mundësi për të punuar, studiuar, për të jetuar në vendin, hapësirën fizike ku më së shumti ndjen se është komod, se është në shtëpi.

Sa shumë larg Shqipërisë diktatoriale të izoluar, të rrethuar nga të katërta anët me klonet kufitare, me rrip rëre si dëshmitar gjurmësh e me tela elektrik në të cilët kalimi i kufirit ngjante më shumë me vetvrasjen, po ashtu ende shumë larg Shqipërisë së pretenduar demokratike me jo pak kufij, jo vetëm gjeografik por dhe ekonomik dhe social.

Ishte aq, vetëm një vijë e bardhë, që të më bënte ta doja kaq shumë vendin tim pjesë të familjes Europiane. Vija që simbolizonte shumëçka të lidhur me stabilitetin dhe paqen. Për mua Bashkimi Europian në atë moment për mua ishte ndjesia e një aureole diversiteti të ngritur në unitet, përzierë me shpresë, me hapësirë të lirë dhe në fund me një shtojcë flladi barazie.

Edhe sot që jam njëzet e dy vjeç, për mua Bashkimi Europian është e njejta ndjesi! Ndjesi të cilës unë i flas dhe periodikisht e kërkoj.

Mesazhi im për Bashkimin Europian ka zërin e tim ati, në Dhjetorin e vitit 1990, kur me të gjithë studentët e tjerë çirrej duke thënë “E dua shqipërinë si gjithë Europa”. Ky mesazh ka dhe imazh, i ngjan diplomës së ëndërruar të simë motreje në një universitet europian, ka copëza fjalësh nga miqtë e mi që jetojnë ilegalisht në pjesë të ndryshme të Europë dhe që duan të kthehen në një Shqipëri me një standard të ngjashëm për të jetuar denjësisht në vendin tonë. Ky mesazh ka aspiratat, harmoninë dhe përkushtimin e çdo Shqiptari të mirë të këtij vendi që punon çdo ditë me durim për ta merituar valvitjen e flamurit kuq e zi krah anëtarëve të tjerë të BE-së.

Ne jemi rrugës dhe po vijmë edhe pse rruga drejt BE-së është sfiduese e ngjan shumë me një pistë garash me kapërcime me pengesa në të cilat herë rrëzohemi në lartësinë e trarëve të korrupsionit, e herë të tjera rrëshkasim në gurët e lëmuar të rrëmujës politike e mediatike. Po unë ende instistoj të vij, ne të gjithë jemi duke ardhur, po vijmë në një rrugë që na çon drejt shtëpisë, shtëpisë që në gjurulldinë e historisë e humbëm; e tani që kemi marrë në dorë frerët e historisë, me bindje them se jemi duke bërë më të mirën që ne dimë të bëjmë për të qenë sërish aty ku përkasim, në shtëpi, në shtëpinë e madhe Europiane!

                                                         Valbona Bezati, studente Universiteti Kodolányi János Főiskola Budapest

371Ndjekës
5616Ndjekës
1932Ndjekës
21Abonues
Ambassade_Niva2_Engelsk
PA_logo