Një luftë për demokraci

Një luftë për demokraci

Në fakt pas rënies së regjimit komunist shqiptarët menduan se Shqipëria do ndryshonte si me magji. Ajo me të cilën shqiptarë u përballën ishte pikërisht një neo-komunizëm i cili vazhdon të jetë edhe sot. Kjo pasi duket qartë që në skenën politike kemi të njëjtat figura politike të cilat kanë bërë veç rotacion me njëra-tjetrën. Një sistem i cili po i varfëron shqiptarët ngjashëm me sistemin komunist. Sigurisht nuk mund të mohojmë faktin se Shqipëria gjatë këtyre viteve ka patur edhe zhvillime të cilat ndihmojnë në instalimin e sistemit demokratik si liberalizimi i vizave, pjesëmarrja në Nato, por këto kanë qenë të pakta krahasuar me vendet e Ballkanit të cilat kanë qenë nën po të njëjtat regjime. Shqipëria ka hasur dhe vazhdon të hasë një nga problemet më të mëdha që tregon mungesë të demokracisë: Shtetin e së drejtës. Në Shqipëri dënohet personi që nuk duhet dënuar, e përsa i përket kriminelit, vrasësit, narkotrafikantit etj., për ta ligji nuk zbatohet. Përse ndodh kjo? 

Sepse Shqipëria duket sikur ende ndodhet në gjendjen natyrore hobsiane ku më i forti mbijeton, më të pasurit nuk i rrezikohet liria, sepse sistemi në të cilin ndodhemi nuk është demokratik. Demokraci do të thotë të qenit i barabartë përpara ligjit pa patur ndikim pasuria, pushteti, prestigji, klasa apo çfarëdo qoftë për individin. Demokraci do të thotë liri, por jo liri e shfrenuar. Ajo ç'ka ndodh këtu është se Shqipëria nuk është vendi i mungesës së lirisë, por vendi i lirisë së shfrenuar. Pikërisht kjo liri e shfrenuar e cila nuk mund të quhet liri por shkelje e lirisë të dikujt tjetër bën që Shqipëria të jetë në një gjendje të frikshme ose ashtu si Hobbse do të shprehej "lufta e të gjithëve kundër të gjithëve". Ne jemi në të këtillë gjendje ku gënjejmë veten se "shteti" ekziston. Fatkeqësisht nuk e dimë sa kohë kemi pa shtet, ama dimë të themi se kemi shumë persona të cilët e quajnë veten shtetarë edhe pse nuk bëjnë asgjë që duhet bërë për shtetin. Duket se demokracia për shqiptarët dhe Shqipërinë është një ëndërr utopike.

E them se është utopike pasi Shqipëria ende nuk ka arritur nivelin e atëhershëm të Europës dhe jo më të arrijë "Europën e Re", e cila as nuk shfaqet në horizontin shqiptarë. Sot Shqipëria ende vazhdon të ketë probleme me reformën në arsimi që është një ndër pikat kyçe për zhvillimin e Shqipërisë. Që një shtet të rritet së brendshmi ka nevojë për njerëz të emancipuar, profesionistë, të kualifikuar në disiplina specifike. Ka nevojë të shkëputet nga tabutë dhe " zakone të prapambetura" të cilat arrihen vetëm përmes një edukimi dhe arsimimi cilësor.

Ka nevojë që shqiptarët të vlerësojnë veten e vet. Ose ashtu sikundër shprehet Sokrati:" Njih vetveten". Ne nuk mund të bëhemi dikush tjetër nëse nuk pranojmë se kush jemi. E sigurisht që kjo ka një rëndësi të madhe për të shkuar drejt një sistemi me vlera demokratike.

Sigurisht që shqiptarët shprehjen "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" e shohin si idealin e demokracisë, si shembullin që duhet ndjekur për të shkuar drejt saj. Kjo është lufta e re e shqiptarëve pas rënies së sistemit komunist dhe tani nën një sistem neo-komunist modern të veshur me "tyl demokracie", pikërisht " lufta për demokraci."

Por aktori kryesor i cili duhet të zhvillojë këtë luftë për demokraci është populli shqiptar dhe jo politikanët dhe partitë e tyre të cilat nuk shërbejnë për gjë tjetër veçse si instrumente për të siguruar pushtet këtyre të fundit.
Në fakt demokracia duhet parë si një proces i vazhdueshëm, i cili nuk ka një pikë të fundit pasi duke qenë se lidhet me shoqërinë edhe shoqëria në thelb është gjatë gjithë kohës në një proces ndryshimi. Sa më shumë të civilizohen shoqëritë aq më shumë demokracia do shkojë drejt demokracisë së kulluar.

                                                                         Marinela Pashaj, Finaliste e Konkursit "Democracy Alive" 2019

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk