E ardhmja e Ballkanit në Europë

E ardhmja e Ballkanit në Europë

Ishte pikërisht viti që lamë pas që më dha mundësinë të përjetoja një eksperiencë të veçantë ballkanike përmes pjesëmarrjes në një shkollë verore me të rinjtë e vendeve të rajonit. Në këtë mozaik ballkanik paragjykimet e brumosura prej shekujsh u shfaqën që në momentet e para. Krejt natyrshëm shqiptarët e tre shteteve filluan të qëndronin bashkë, serbët e Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnja-Hercegovina bashkë, Boshnjakët dhe Maqedonasit po ashtu. Ndarjen e ditës së parë e thelloi më tepër edhe ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës, ndeshje në të cilën lojtarët shqiptarë që luajnë me kombëtaren helvetike patën goxha protagonizëm në fushën e lojës. Simbolet kombëtare të lojtarëve shqiptarë janë në vazhdën e shumë shfaqjeve të theksuara të nacionalizmit në një ndeshje futbolli, prej fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë deri në episodin e dronit në Beograd.

Lajtmotivi i kësaj shkolle verore ishte të evidentonim vullnetin e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e familjes europiane në kuadër të Procesit të Berlinit, por nga ana tjetër ndaj bindjen se nuk mund të bëjmë sikur problemet nuk ekzistojnë, vecanërisht mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë ditëve të kësaj shkolle verore vura re se hija e luftës dhe e shkuara e përgjakshme është ende e freskët për popujt e këtyre dy vendeve.

Solla këtë refleksion për të theksuar yllin polar të integrimit europian që shoqëron këto vende, por padashur të anashkalojmë një sërë çështjesh që janë aty prej vitesh të mbetura në vendnumëro. Viti që sapo lamë pas ishte tepër intensiv përsa i përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete në garancinë Komisioneres për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, Frederica Mogherini zhvilluan përgjatë gjithë vitit ashtu siç kanë bërë përgjatë 7 viteve të fundit, disa raunde takimesh por në përfundim të tyre nuk prodhuan aq sa pritej. Bilanci i bisedimeve të këtij viti është nënshkrimi i 3 nga 17 marrëveshje të hedhura në tryezën e diskutimit.

Natyrisht është shumë e lehtë të gjesh përgjegjës për dështimin e negociatave, që në fakt nuk është qëllimi i këtij shkrimi, por nuk mund të anashkalohet roli i BE si garantues i bisedimeve, i përfshirë nga një ngërç institucional dhe që nuk ka mundur të ketë një diplomaci unike për faktin se pesë nga anëtarët e unionit ende nuk e njohin Kosovën si realitet shtetëror. Njëkohësisht përgjegjësi kanë edhe vetë dy shtetet për qëndrimet krejtësisht të ngurta që ato kanë shfaqur në vijueshmëri gjatë këtyre viteve. Serbia për faktin së ka shfrytëzuar lidhjet e saj të vjetra për të pënguar njohjet e Kosovës, nga ana tjetër vetë Kosova që u kthye në pozita proteksioniste me krijimin e ushtrisë si dhe vendosjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

Gjatë vërës së vitit të shkuar për një moment u duk sikur lidershipi zyrtar i Kosovës dhe Serbisë hodhi pas paragjykimet e formësuara ndër shekuj, njëzëri Thaçi dhe Vuçiç deklaruan në favor të rishikimit të kufijve si dhe të një realitetit të ri mes dy shteteve për ti dhënë fund status quo-së dhe për hapjen e një perspektive të përbashkët evropiane.

Mekanizmat se si do të realizoheshin këto ndryshime janë të paqarta ende sot e kësaj dite, por shumëkush mund ti ketë parë këto lëvizje si përgatitje të opinionit publik serb dhe shqiptar për qëndrime më fleksible në të ardhmen. Qysh në krye herës faktorët politik në të dy vendet dolën kundër kësaj ideje. “Kufijtë ndryshohen me luftë ”- do të deklaronte Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ndërsa politikani serb Milan Protiq shprehet: “Si do të bëhej kjo saktësisht dhe në cilat vija kufitare, kjo nuk është e rëndësishme. Në vend të shkëmbimit vullnetar të popullsisë, ata mendojnë për shkëmbimin e territoreve. Shumë më i vështirë dhe më i keq është shkëmbimi i territorit, sesa shkëmbimi i popullsisë ”.

Po ashtu një qëndrim kundërshtues mbajti prej fillimit Kancelarja gjermane Angela Merkel e cila do ta quante tepër të rrezikshme ndarjen e Kosovës që sipas saj kjo do të shërbente si katalizator për destabilitet në rajon, pasi oreksi i Serbisë do rritej duke kërkuar territore në Bosnjë dhe Kroaci.

Pritshmëritë e mia për 2019 janë me tone tepër realiste. Në një BE me shumë probleme të brendshme, me forcat e ekstremit të djathtë që priten të rriten në parlamentin e ardhshëm, ndryshimet e pritshme në elitën e BE përfshirë Komisionerin për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë si dhe mungesa e një ekipi negociuesish të përbërë prej ekspertësh të do ta bëjë të vështirë gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për problemet e mbetura pezull mes Kosovës dhe Serbisë. Në arsyetimin tim gjasat më të mëdha janë që të ruhet status quo aktuale përgjatë vitit që sapo ka hyrë.

Reflektoj sërish për vitin që sapo mbyllëm për një episod në aeroportin e Prishtinës në udhëtimin me avion për në Berlin, vend ku do të merrja pjesë në një trajnim mbi socialdemokracinë. Në një bisedë të rastësishme me një bashkëmorshatarin tim nga Kosova më pyet: “t’u desh shumë kohë të merrje vizën për në Gjermani”?
Një pyetje sa naive aq edhe kuptimplotë. Patjetër që në fillim u habita, por pak nga pak fillova të qartësoj veten. Bashkëkombasit tanë të shtetit të Kosovës nuk mund të lëvizin të lirë në zonën Shengen ashtu si Shqipëria prej vitit 2010. Për rrjedhojë Kosova është vendi më i izoluar në Europë. Bashkimi Europian ka vendosur kushte të njëpasnjëshme për Kosovën të tilla si kontrolli i integruar i kufijëve dhe marrëveshja e demakacionit me Malin e Zi të cilat janë plotësuar prej qeverisë kosovare.

Parë në këtë aspekt pritshmëritë e mija janë optimiste dhe pres që gjatë këtij viti Komisioni Europian të rekomandoj liberalizimin e vizave me Kosovën dhe ashtu si unë bashkëmorshatarët tanë që jetojnë në Kosovë të udhëtojnë të lirë dhe pakufizime në Europë.

                                                                                           Resul Resulaj, pjesëmarrës Konkursi për Artikuj

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk