Perspektiva e punësimit të të rinjve në Shqipëri. Realitet dhe sfida

Perspektiva e punësimit të të rinjve në Shqipëri. Realitet dhe sfida


Zhvillimi aktual, në të cilën po ecën ekonomia globale, produkt i të cilit është edhe globalizimi i tregut të punës po evidenton gjithnjë e më shumë fenomenin e ndërthurjes dhe varësisë së kërkesave dhe ofertave, në tregjet rajonale e kombëtare të punës. Ky fenomen shfaq efektet e veta pozitive dhe negative, të cilat ndryshojnë në varësi të nivelit ekonomik të vendit. Më së shumti, efektet negative janë më të dukshme në vendet tranzitore dhe me ekonomi në zhvillim. Në këtë grup vendesh renditet edhe Shqipëria. Kalimi nga ekonomia tërësisht e centralizuar, në atë të tregut të lirë, si dhe ndryshimet politike që ndodhën në vitet '90 janë shoqëruar me ndryshime të rëndësishme në tregun e punës për Shqipërinë.

Pas fazës së parë të tranzicionit ekonomia shqiptare u rrit me ritëm të shpejtë. Pavarësisht rritjes së qëndrueshme, performanca industriale dhe tregtare ende tregojnë një mungesë të konkurrueshmërisë së ekonomisë. Midis faktorëve kyç, elementët që pengojnë konkurrueshmërinë janë mungesa e fuqisë punëtore të specializuar dhe me aftësi profesionale. Sipas Raportit të Konkurrueshmërisë Globale 2017 – 2018 Shqipëria renditet në vendin e 75-të nga 137 vende (Schwab, K., & Sala-i-Martin, X., 2017). Në efikasitetin e tregut të punës vendi renditet i 97-ti (duke humbur 4 vende nga periudha 2014 – 2015), ndërsa në inovacion, vendi është në vendin e 118-të. Në aspektin e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror – ekonomik, si edhe matur nga Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI), renditej i 85-ti nga 187 vende dhe territore në vitin 2015, duke rënë me 15 vende krahasuar me dy vite më parë (UNDP 2015).

Të rinjtë shqiptarë janë të mirëarsimuar. Bazuar nga të dhënat e INSTAT, në vitin 2014, 60%e të diplomuarve ka përfunduar nivelin e parë të studimeve universitare dhe 40%e tyre ka përfunduar nivelin e dytë të studimeve (INSTAT 2015). Mungesa e lidhjes mes tregut të punës dhe arsimimit që përfundojnë të rinjtë shqiptarë sjell një nivel të lartë papunësie ndër të rinjtë e mirëarsimuar.

Politikat e punësimit në Shqipëri

Politikat aktive të tregut të punës janë mekanizmi kryesor institucional se si qeveria mund ta ndihmojë punësimin e të rinjve apo integrimin e tyre në tregun e punës. Që nga viti 1999 në Shqipëri janë zbatuar programe të ndryshme për nxitjen e punësimit me qëllim uljen e papunësisë dhe punës informale, rritjen e aftësive të punëtorëve për punë dhe lëvizjen e punëtorëve në punësim rregullisht të pa subvencionuar. Në kohën e censusit të vitit 2011, Shërbimi Kombëtar i Punësimit realizoi katër programe kryesore të nxitjes së punësimit:

1. Programe për nxitjen e punësimit të punëkërkuesve të papunë në vështirësi, përfshirë të papunët afatgjatë që marrin ndihmë sociale, individët që marrin përfitime papunësie, të rinjtë në tregun e punës, persona të grupmoshës 18-25, persona mbi 45 vjeç me arsim të mesëm ose më pak, persona me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe migrantët e kthyer që përballen me probleme ekonomike.
2. Programi për nxitjen e punësimit nëpërmjet trajnimit në detyrë.
3. Programi për nxitjen e punësimit të punëkërkuesve të papunë të diplomuar nga universitete shqiptare dhe
ndërkombëtare.
4. Programi për nxitjen e punësimit nëpërmjet trajnimit institucional (INSTAT 2015).

Në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës ILO, është publikuar dokumenti zyrtar "Strategjia kombëtare për punësim dhe aftësi 2014-2020". Në këtë dokument vendoset theksi tek arsimi profesional, me qëllim përshtatjen e kërkesë- ofertës përsa i përket tregut të punës, po ashtu dhe zbutjen e hendekut të papunësisë midis gjinive (Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë 2014).


Modelet e ndjekura nga vendet e Bashkimit Europian për punësimin

Mbarëvajtja e tregut të punës është një faktor i rëndësishëm makroekonomik, ndaj ekonomitë e zhvilluara në vendet e BE-së, si Gjermania, Holanda, Austria etj., i kanë kushtuar vëmendje përzgjedhjes së politikave të tregut të punës në vendet e tyre me qëllim që ato të jenë sa më efiçente. Politikat e tyre produktive të sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional prodhojnë statistika të ulëta papunësie të regjistruar. Holanda, papunësinë e ka 3.4%, Gjermania 3.2%, Austria 4.5%etj (EUROSTAT 2020). Kombinimi i dijeve teorike të fituara në institucionet arsimore me punën praktike në terren, ka siguruar në këto vende, nivel të ulët papunësie ndër të rinjtë. Arsimimi dhe formimi profesional është një nga pasuritë më të vlefshme në vendet e zhvilluara të BE-së, gjithashtu mund ta quajmë edhe "antibiotiku " më efektiv në uljen e papunësisë.

 

Konventa e ILO

Konventa No. 122 (1964) mbi politikat e punësimit të ILO është e ratifikuar prej Shqipërisë. Qeveritë e vendeve ratifikuese të kësaj Konvente janë të detyruara të formulojnë dhe të zbatojnë, në bashkëpunim me aktorët dhe partnerët social, politika aktive që të nxitin punësimin e plotë, produktiv dhe të zgjedhur me vullnet të lirë. Karta Sociale Europiane e Rishikuar, e cila është ratifikuar prej vendit tonë në vitin 2002, është një tjetër dokument shumë i rëndësishëm ndërkombëtar, në të cilin janë të përshkruara standardet që duhet të mbahen parasysh gjatë hartimit të politikave për punësim. Në procesin për hartimin e politikave të punësimit, dhe, në veçanti për hartimin e politikave për punësimin e të rinjve, vend i rëndësishëm duhet t'i kushtohet diskutimin dhe gjetjes së zgjidhjeve, në të cilat të pasqyrohen, sa më mirë të jetë e mundur, elementët kryesor veprues që parashikohen ne Strategjinë e Rishikuar të Kohezionit Social të Këshillit të Europës . Në këtë Strategji theksohet se qasja për punësim për të gjithë dhe nxitja e një punësimi i denjë (punësim që respekton njeriu), janë elemente thelbësore për kohezionin social dhe se "Investimi në burimet njerëzore është një nga fushat më të rëndësishme të investimit për rritjen ekonomike për të ardhmen".

Këshilli i Europës ka përpunuar udhëzues të ndryshëm dhe rekomandime që duhet të merren parasysh gjatë hartimit të politikave për punësimin, në veçanti për grupet më të cenueshme, gratë dhe të rinjtë. Axhenda Globale e Punësimit, e hartuar nga ILO, është një dokument i rëndësishëm në të cilën janë të përpunuara indikatorët dhe standardet që duhet të merren parasysh prej qeverive të vendeve të ndryshme, anëtarë të ILO-së, për të mundësuar punën dinjitoze për të gjithë. Në kuadër të përpjekjeve për integrimin në BE, hartimi dhe zhvillimi i politikave për punësim duhet të bëhet me synim harmonizimin dhe përputhjen me Udhëzimet e Strategjisë Europiane të Punësimit..


Realiteti përtej politikave institucionale në mbështetje të punësimit të të rinjve

Është e dukshme që kuadri teorik nuk mungon përsa i përket punësimit. Por çfarë ndodh në realitet? A janë të rinjtë të mbështetur nga këto politika? Vitet e fundit pasqyrojnë një tjetër realitet. Emigrimet masive të të rinjve, kryesisht në vendet e Bashkimit Europian janë rezultat i dështimit të politikave institucionale për sa i përket punësimit.

Mjaft studime me karakter sociologjik kanë trajtuar një fenomen që quhet "brain drain" – rrjedhja e trurit. "Brain dain" është një etiketim i përdorur për të përshkruar dukurinë e profesionistëve të talentuar dhe shumë të kualifikuar nga një shtet, i cili është shteti i origjinës, në një tjetër, që njihet si vendi pritës (UK Essays, 2017). Shoqëria shqiptare është përballë një realiteti të vështirë. Të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë kufijve të Shqipërisë nuk dëshirojnë të kthehen në atdhe dhe të kontribuojnë në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Mungesa e dëshirës për t'u kthyer në atdhe lidhet me kushtet socio-ekonomike dhe politike në tranzicion (VoA, 2019) .

Përveç kësaj, shoqëria shqiptare ka një sfidë akoma më të madhe, e cila është emigrimi i forcës punëtore të kualifikuar. Vende si Gjermania, në vitet e fundit, duke përdorur faktorë tërheqës si pagesa më të mira, kushte më të mira pune ka tërhequr forcë punëtore të specializuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo ka bërë të mundur që shumë të rinj, kryesisht të diplomuar në fushën e mjekësisë të emigrojnë në Gjermani në kërkim të një jetese më të mirë.

Sipas raportit të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIC), Janë plot 772 mjekë shqiptarë të cilët punojnë jashtë vendit në një prej vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) që përfshin 37 shtete të zhvilluara të botës. Në vitin 2010 kjo shifër ishte 257. Pra, në 7 vite janë larguar 515 mjekë nga vendi ynë, me një rritje me 200%. Raporti i WIIC-së thotë se Gjermania mbetet destinacioni kryesor, dhe gjatë kësaj periudhe kohore largimet për atje janë 10-fishuar. Më pas vijnë: SHBA-të, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Greqia ( Euronews, 2020).

 

Sfidat me të cilat ndeshen të rinjtë në tregun e punës
Më sipër diskutuam kuadrin e politikave institucionale në nxitjen e punësimit. Mbështetur në studime dhe statistika provuam që zbatueshmëria në politikat e punësimit është në nivele të ulëta. Në këtë pjesë do të analizojmë sfidat konkrete me të cilat përballen të rinjtë në tregun e punës. Studime të shumta me karakter empirik provojnë që të rinjtë hasin shumë pengesa në ballafaqimin me tregun e punës. Sfidat më të shpeshta që ata hasin në tregun e punës lidhen me përvojën apo e thënë ndryshe "eksperienca e famshme", që i kërkohet një studenti/je të sapo diplomuar.

Niveli i pagave është një tjetër sfidë. Ekziston një raport i zhdrejtë ndërmjet pagës dhe kostove mesatare të jetesës. Çështje të tjera të njdeshme lidhen me kushtet e punës, orari i punës, mungesa e një kontrate pune, në rastet dërrmuese të ofertave të punës. Sjelljet e të rinjve ndaj ofertave të tregut të punës nuk janë të njëjta. Niveli arsimor është një ndër faktorët e rëndësishëm që ndikon në formimin e sjelljeve të të rinjve ndaj cilësive të ofertave të punësimit . Tek të rinjtë me arsim të ulët 8/9 vjeçar, niveli selektues në sjelljen ndaj ofertave është i ulët. Kjo mund të jetë edhe një ndër arsyet që ky grup të rinjsh është edhe kontigjenti kryesor i të rinjve të punësuar në mënyrë informale ose në tregun e zi të punës. Edhe tek të rinjtë me arsim të mesëm profesional ky nivel selektimi është i ulët por, në ndryshim nga te rinjtë me arsim të ulët, kjo sjellje, në një masë të madhe, kushtëzohet nga fakti se këta të rinj preferojnë vetëpunësimin.

Nënvlerësimi që të rinjtë shfaqin ndaj mundësive për karrierë, që u ofron ose jo një ofertë punë , tregon se, aktualisht sjellja psiko-sociale e të rinjve shqiptarë ndaj ofertave të tregut të punës, në një masë të konsiderueshme, mund të karakterizohet si sjellje e një individi që kërkon punë për të siguruar nevojat minimale për jetën. Këtë sjellje e përforcon edhe fakti që të rinjtë janë të gatshëm që, për të siguruar një vend pune, të pranojnë punë me orare të zgjatura dhe të tolerojnë ndaj kushteve jo të mira të punës ose distancës së vendit të punës. Kjo situatë është karakteristike për të rinjtë në vendet në zhvillim dhe, në përgjithësi shfaqet si fenomen mbizotërues në sjelljen e të rinjve që u përkasin familjeve me nivel të ulët ekonomik (Kahraman B., 2011).

Një sjellje e tillë, kryesisht në vendet me ekonomi në zhvillim, shpesh bashkëshoqërohet edhe me nivelin e ulët të kërkesës së të rinjve për t'u punësuar me një kontratë pune të rregullt. Pasojë e kësaj është frekuenca e lartë e punësimit informal të të rinjve (ILO, 2020).

Nga sa u diskutua më sipër, mund të themi si konkluzion, që ekziston një zbatueshmëri e ulët e strategjive të punësimit apo konventave ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar. Realiteti i punësimit të të rinjve në Shqipëri është në raport të zhdrejtë me politikat strategjike për punësimin.

Përveç rregullimit të tregut të punës brenda vendit, sfida kryesore për autoritetet qeverisëse dhe vet shoqërinë shqiptare është frenimi i emigrimit masiv të forcës punëtore të kualifikuar. Me këto ritme emigrimi, jo për shumë vite do të na mungojnë profesionistë në çdo veprimtari të jetës së përditshme.

 

Besjan Lazja, shtator 2020

*Besjana Lazja ka mbaruar studimet bachelor dhe master shkencor për Sociologji, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Momentalisht ka pozicionin e drejtores së Bordit të Anëtarëve në organizatën jo - qeveritare "Vish këpucët e mia". Në emër të organizatës ajo ka publikuar një hulumtim me temë "Ndikimi i familjarëve në arsimimin e fëmijëve rom dhe egjiptian. Gjithashtu mban pozicionin e koordinatores së projekteve në organizatë.

Referenca:

• EUROSTAT, (2012/2014 )Definition germass ILO. Geneva
• ILO,( 2020) Global Employment Trends for Youth .Geneva.
• INSTAT (2015). Të rinjtë në Shqipëri: Sfidat në kohët që po jetojmë.Tiranë
• Kahraman B.( 2011). Youth Employment and Unemployment in Developing Countries: Macro Challenges ë ith Micro Perspectives. Graduate Doctoral Dissertations.University of Massachusetts Boston.
• Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë (2014) Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020. Tiranë.
• Schwab, K., & Sala-i-Martin, X. (2017). The global competitiveness report 2017–2018 In The World Economic Forum . Geneva.
• UNDP (2015). Human development report. New York, USA.
• UK Essays.(2017) Brain Drain Causes and Effects. England.
• https:/www .zeriamerikes.com/a/4745701.html , cituar më 16.01.2019
•https://euronews.al/al/aktualitet/2020/06/19/eksodi-i-mjekeve-shqiptare-dyfishim-i-te-larguarve-ne-10-vitet-e-fundit , cituar më 19.06.2020

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk