A është Europianizimi i një vendi i njëvleftshëm me Demokratizimin e tij?

A është Europianizimi i një vendi i njëvleftshëm me Demokratizimin e tij?

Por, gjithçka ndryshoi me rënien e komunizmit. Shqipëria u bashkua me vendet e tjera, demokratikisht të reja, në garën për përfshirje në botën perëndimore.

Megjithatë, shumë shpejt politikanët shqiptarë dhe vetë qytetarët e kuptuan se kjo nuk do të ishte një garë në distancë të shkurtër, por një maratonë e gjatë. Një maratonë që deri më sot Shqipëria nuk ka përfunduar. Arsyeja kryesore është se Shqipëria nuk ka pjekurinë e duhur në aspektin demokratik për të gjetur zgjidhjet e nevojshme dhe për t'i zbatuar ato në mënyrë efektive. Ashtu si një vrapues i verbër, i cili ka nevojë për një partner për ta shoqëruar gjatë garës drejt vijës së përfundimit, në të njëjtën mënyrë edhe Shqipëria ka nevojë për një partner që do ta ndihmojë në rrugën drejt demokratizimit. Ky partner në këtë rast është Bashkimi Europian. 

Integrimi europian do të thotë se më në fund Shqipëria do të bëhet anëtare e një familjeje që nuk vepron në bazë të autoritarizmit, por nën një sërë vlerash që janë shtyllat themelore të kësaj organizate. Vlerat siç janë drejtësia, barazia dhe liria. Integrimi i një vendi në Bashkimin Europian është në vetvete një proces që promovon dhe rrënjos këto vlera demokratike, duke theksuar fushat më problematike që kërkojnë vëmendjen e menjëhershme të udhëheqësve politikë përkatës. Në rast se një vend që synon të bëhet anëtar i BE nuk përmbush kriteret e përcaktuara nga Këshilli Europian në vitin 1993 (në Kopenhagë) atëherë ky vend nuk do të lejohet të bëhet pjesë e Bashkimit. Ky element procedural i fazës së integrimit, i njohur si "kushtëzim/contitionality", është thelbësor për demokratizimin e një vendi që vuan nga një deficit demokratik të dukshëm. Në rastin e procesit të demokratizimit të Shqipërisë, BE-ja ka pasur një rol vendimtar. Në çfarë mënyre? Duke imponuar kritere specifike që adresojnë fusha të ndryshme të shtetit shqiptar, fusha të cilat kanë nevojë për një politikë gjithëpërfshirëse e cila do të rezultojë në përmirësimin e standardeve demokratike të vendit. Disa nga këto fusha janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma e sistemit gjyqësor dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut.

Demokracia në Shqipëri u rivendos pas rënies së komunizmit. Në atë periudhë ka pasur një eufori të përgjithshme në vend, e pasuar nga pritshmëri tepër optimiste për demokracinë shqiptare, si nga qytetarët e vendit ashtu dhe nga komuniteti ndërkombëtare. Qytetarët e Shqipërisë kishin perceptimin e rremë se pas rënies së regjimit komunist dhe kalimin në sistemin demokratik, çdo problem do të zgjidhej. Por, kjo aspiratë nuk u realizua. Si mund të provohet kjo? Duke vlerësuar performancën e zbatimit të vlerave demokratike në shtetin shqiptar deri në ditën e sotme. Shqipëria ka një zhvillim relativisht të ulët ekonomik me një GDP prej $4,500 për banor dhe një PBB prej $13 miliardë. Kjo do të thotë se klasa e mesme në Shqipëri është jashtëzakonisht e vogël në proporcion dhe si rrjedhojë e pafuqishme. Një vend është ekonomikisht i shëndetshëm kur klasa e mesme është e fortë. Shtetet me një klasë të mesme të një proporcioni më të madh se dy klasat e tjera priren të jenë më demokratike se vendet me një klasë të dobët të mesme (D. Moyo, 2018). Në mungesën e një klasë të mesme të fortë për të moderuar dallimet ekonomike dhe sociale midis klasave të ulëta dhe të sipërme, demokracia nuk mund të funksionojë siç duhet. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është provuar në disa raste e pamjaftueshme, duke rezultuar që vendet anëtare të BE të jenë skeptike për aftësinë e shtetit shqiptar të imponojë dhe të veprojë nën drejtimin e "sundimit të ligjit". Sistemi gjyqësor konsiderohet të mos jetë i pavarur nga ndikimi i jashtëm dhe prandaj nuk mund të përdorë autoritetin e tij në mënyrë efektive. Kur një nga degët themelore të pushtetit e një vendi nuk është i pavarur, atëherë si mund të flasim për "check and balances"? Siç argumentoi Presidenti i Komisionit Europian, J. C. Junker,

“Sundimi i ligjit do të thotë që ligji dhe drejtësia mbrohen nga një gjyqësor i pavarur. Mosrespektimi i tyre, ose minimi i autoritetit dhe pavarësisë së gjykatave kombëtare, është mohimi i të drejtave themelore të qytetarëve. Sundimi i ligjit nuk është fakultativ. Është një domosdoshmëri.” (Fjalimi mbi Gjendjen e Bashkimit, 2017)

Transparenca dhe legjitimiteti i zgjedhjeve në Shqipëri, në shumë raste janë kontestuar. Në një vend ku zgjedhjet nuk konsiderohen transparente, një proces i cili është një nga instrumentet themelore të demokracisë, sa e konsoliduar demokracia e këtij vendi mund të konsiderohet? Roli i shoqërisë civile, një grup i organizatave të pavarura, është thelbësor për jetën e shëndoshë demokratike të një vendi, sepse ajo mbron interesat publike të shoqërisë duke “miratuar” apo kritikuar politikat e qeverisë. Sidoqoftë, në rastin e Shqipërisë, shoqëria civile nuk mund të pretendojë se imponon ndonjë lloj autoriteti apo ndikim mbi vendimet e pushtetit ekzekutiv, për shkak të faktit të thjeshtë se opinioni i saj nuk merret parasysh nga qeveria. Së fundmi, fusha e arsimit. Sigurisht, përqindja e popullsisë shqiptare e cila është e arsimuar është e lartë, por çështja nuk është sasia e njerëzve që arsimohen por cilësia e arsimit të ofruar. Shumë kanë qenë rastet kur jo vetëm qytetarë të thjeshtë, por edhe zyrtarë të lartë, kanë marrë në mënyrë të pajustifikueshme çertifikatat akademike. Në të vërtetë, Shqipëria zyrtarisht prodhon njerëz të arsimuar, por në shumë raste këta njerëz nuk janë në gjendje të ndikojnë në jetën demokratike të vendit, sepse ata nuk zotërojnë aftësitë e nevojshme akademike për ta bërë këtë. Si mundet dikush të vlerësojë dhe legjitimisht të kritikojë qeverinë, dhe të ketë mundësinë për të ndikuar pozitivisht në jetën demokratike të shoqërisë, kur ai apo ajo nuk është mësuar se si ta ndërmarrin këtë detyrë? Sipas J. Bryce "... edukimi nëse nuk i bën njerëzit qytetarë të mirë, të paktën e bën për ata më të lehtë për t'u bërë qytetarë të ndërgjegjshëm".

Këto janë disa nga fushat ku procesi i integrimit të Shqipërisë në BE do të ketë një rol të rëndësishëm dhe do të çojë në finalizimin e europianizimit dhe konsolidimit demokratik. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të pranohet një fakt. Europianizimi i një vendi ose anëtarësimi i tij në Bashkimin Europian nuk garanton arritjen dhe qëndrueshmërinë e standardeve të larta demokratike. Është e domosdoshme të kuptohet se është përgjegjësia kombëtare i një vendi, anëtare e BE-së apo jo, të arrijë objektivat e tij dhe të përballojë dhe të luftojë kërcënimet ndaj vlerave demokratike që shteti përkrah. Gjatë viteve të fundit është e dallueshme se disa prej vendet anëtare të BE, shtete me një histori të gjatë të demokracisë kanë rënë viktima të rritjes së grupeve politike jodemokratike të cilat kërcënojnë dhe dëmtojnë vlerat thelbësore të Bashkimit Europian, si barazia, pranimi dhe jo dënimi i dallimeve kulturore, kombëtare dhe racore dhe solidariteti ndërkombëtar ndaj krizave kritike. Vlerat që BE përfaqëson dhe promovon gjithmonë do të shërbejnë si udhërrëfyes drejt demokracisë, por varet nga gatishmëria, vendosmëria dhe qëndrueshmëria i një vendi dhe popullit të tij për të ruajtur këto vlera.


                                                                          Aureliano Ulndreaj, Fitues i Konkursit "Democracy Alive" 2019

Referenca: 

Freedom House (2018). Freedom in the World 2018. Retrieved from: https://freedomhouse.org/report/freedom-world/2018/albania
European Commission (2017). Human rights and democratic governance. Retrieved from: https://ec.europa.eu/europeaid/sectors/human-rights-and-democratic-governance/democracy_en
European Commission (2017). State of the Union 2017. Retrieved from: https://ec.europa.eu/commission/priorities/state-union-speeches/state-union-2017_en
D. Moyo (2018). Why the survival of democracy depends on a strong middle-class. Retrieved from: https://www.theglobeandmail.com/opinion/article-why-the-survival-of-democracy-depends-on-a-strong-middle-class/
M. Rahman (2019) Populism’s rising tide. Eurosceptics will shake up status quo at next European election. Politico. Retrieved from: https://www.politico.eu/article/populism-rising-tide-emmanuel-macron-angela-merkel/
G. Montani (2019). Social discontent and democracy in the EU. Social Europe. Retrieved from: https://www.socialeurope.eu/democracy-in-the-eu
S. Lehne (2018). 2019 European Parliament Elections Will Change the EU’s Political Dynamics. Carnegie Europe. Retrieved from: https://carnegieeurope.eu/2018/12/11/2019-european-parliament-elections-will-change-eu-s-political-dynamics-pub-77922

 

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk