Rregullorja që pas 20 vjetësh sfidon epokën “big-data”

Rregullorja që pas 20 vjetësh sfidon epokën “big-data”

Shpesh ndeshemi me krime kibernetike e me thyerje të privatësisë, qoftë edhe me thashethemet mbi statusin e individëve të caktuar, të cilat nuk do të ekzistonin nëse një rrjedhje privatësie derivuar nga keqpërdorimi i të dhënave personale nuk do të kishte ndodhur. Përditë dorëzojmë me apo pa pëlqimin tonë të shprehur, sasi të paimagjinueshme të dhënash që na identifikojnë në një epokë të “big-data”, ku çdo informacion është pushtet për të ndikuar aktivisht jetët. Ky fakt duhet të përbëjë arsyen e mjaftueshme që çdokush të jetë më i informuar e më i vetëdijshëm për rreziqet në privatësi dhe të dijë të mbrojë identitetin e vet.
Kuadri legal i ka kushtuar historikisht rëndësi të dhënave personale, kur në vitin 1995 direktiva e BE-së “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale”, klasifikonte si të tillë çdo informacion që mund të përdorej për të identifikuar një person e parashikonte se çdo kompani duhet të merrte pëlqim përpara mbledhjes dhe përdorimit të çdo të dhëne individuale. Bashkë me dinamikat sociale e në një realitet ku shumë kompani zhvendosën serverat e tyre “offshore”, shpesh për të patur më tepër hapësirë abuzimi e për të lënë më pak hapësira kontrolli, nevojat ndryshuan e pikërisht në një moment tepër sinjifikant, pas një periudhe tranzitore afro 2 vjeçare, 25 maji i 2018-ës solli in vigorem (në fuqi) në komunitetin europian një instrument tepër të rëndësishëm, në respekt të dinjitetit njerëzor e me potencialin të ndikojë cilësisht një “monedhë” të çmuar për çdo individ.
Rregullorja e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale ka potencialin real të ndikojë thelbësisht veprimtarinë e personave fizikë e juridikë brenda unionit dhe përfaqëson një nga ato instrumente me ndikim financiar të qenësishëm e afatgjatë, pasi ravijëzon në formë sanksioni për shkelësit, gjoba që mendohet të prekin deri në 4 përqind të të gjitha të ardhurave globale vjetore, vlerë mjaft e lartë kjo, nëse flasim për sanksione që burojnë nga një instrument me fushë veprimi kaq specifike dhe të ngushtë. Kështu kemi të bëjmë me ndryshimin më të rëndësishëm në 20 vjetët e fundit në fushën e privatësisë së të dhënave personale.
General Data Protection Regulation (GDPR) do të ndikojë në vijim çdo person juridik, i cili disponon të dhëna personale nga subjekte të së drejtës e për të parën herë përfaqëson një instrument që do të ketë efekt edhe “in internet”, duke u aplikuar kështu mbi kompani të mëdha me databaza milona përdoruesish, si Facebook, Linkedin, Twitter etj.
GDPR-ja ridimensionon kuptimin e të dhënës personale dhe identifikon aspekte të reja, të afta të identifikojnë një subjekt si, sjellja e tij online dhe gjeolokalizuesit. Rrregullorja zgjidh edhe ambiguitetin në përgjegjësi mes kontrolluesve në raport me palët e treta, sepse parashikon pamundësinë e subjekteve për të mbledhur të dhëna personale nga të tretët, nëse nuk janë mbledhur në mënyrë origjinare prej palës së interesuar.
Në fokus qëndron elementi i pëlqimit. Bazuar në përmbajtjen e rregullores dhe në manualin zyrtar të ico.-s mbi aplikimin e saj, GDPR-ja mund të konsiderohet qartazi si një nga instrumentet tipike me në qendër individin, pasi çdo veprim me të dhënat individuale duhet të miratohet prej tij, me lehtësi mund të anulohet e fshihet prej tij e po kështu edhe të kontrollohet. Çdo veprim që cënon të drejtat individuale, përkon me një dëmshpërblim dhe realizon restitutio in integrum, pasi jo vetëm shpërblen dëmin, por edhe rivendos me sa është e mundur gjendjen fillestare, duke ndikuar kështu padyshim në reputacionin e kontrolluesve abuzivë.
Bazuar në parashikimet e rregullores, vërejmë se spektri territorial i veprimit të saj është zgjeruar në raport me direktivën pararendëse. GDPR-ja është një instrument me efekt ekstraterritorial dhe veç subjekteve që mbledhin e përpunojnë të dhëna personale brenda hapësirës së BE-së, aplikohet edhe mbi çdo subjekt kontrollues të vendosur gjeografikisht jashtë kufijve të unionit, mjafton të administrojë të dhëna të qytetarëve europianë.
Në këtë linjë është me shumë rëndësi që edhe subjektet kontrolluese shqiptare, sidomos ato që janë në kontakt me të dhëna të qytetarëve europianë, të njihen me GDPR-në, të përditësojnë bazat e veprimeve që kryejnë me këto të dhëna e të tregohen tepër të kujdesshëm. Në një këndvështrim më të gjerë, në kuadër të procesit euro-integrues, Shqipërisë do t`i duhet të përqasë e harmonizojë legjislacionin e brendshëm specifik me këtë rregullore e me Acquis.
Në përfundim pohojmë se me hyrjen në fuqi GDPR-ja është e aftë të ndikojë e të ridimensionojë veprimtarinë e të gjitha subjekteve fizike e juridike që administrojnë të dhëna personale, duke vendosur theksin te dinjiteti njerëzor e duke prodhuar sanksione të majme për shkelësit në mbarë botën, nisur nga efekti i saj ekstraterritorial. Për këtë fakt, hyrja në fuqi e saj përbën një nga ngjarjet më të qenësishme për çdo qytetar të Bashkimit Europian dhe për të gjithë globin, duke merituar vëmendje të shtuar.

Dea Nini, pjesëmarrëse në Konkursin e Artikujve

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk