Bashkimi Europian ka ndërmarrë një hap që deri dje dukej i vonuar: ka miratuar për herë të parë një strategji të dedikuar dhe gjithëpërfshirëse për shoqërinë civile. Dokumenti u prezantua më 12 nëntor 2025, në kuadër të paketës “European Democracy Shield” [1], duke e vendosur hapësirën civile në qendër të arkitekturës së re të mbrojtjes së demokracisë në Europë. Mesazhi është i qartë: demokracia nuk mbrohet vetëm me institucione dhe ligje, por edhe me një shoqëri civile të gjallë, të pavarur dhe të mbrojtur nga presionet politike apo ekonomike. [2]
Strategjia nis nga një diagnozë që tashmë ndahet gjerësisht: në shumë vende (brenda dhe jashtë BE-së) po shihet dobësim i besimit te institucionet, rritje e dezinformimit, ndërhyrje të huaja dhe presione ndaj aktorëve kritikë, gazetarëve, aktivistëve dhe organizatave qytetare. Për këtë arsye, Komisioni e paraqet shoqërinë civile si “infrastrukturë demokratike” dhe jo si sektor periferik, duke synuar ta fuqizojë, ta mbrojë dhe ta përfshijë në politikëbërje në mënyrë sistematike.
Në thelb, strategjia lëviz në tre drejtime që lidhen mes tyre. Së pari, synohet zgjerimi i angazhimit qytetar dhe dialogut të strukturuar: Komisioni ka paralajmëruar krijimin e një Platforme të Shoqërisë Civile në nivel europian, e cila pritet të funksionojë si kanal i qëndrueshëm komunikimi mes institucioneve dhe OSHC-ve, dhe jo si konsultim sporadik “kur të ketë kohë”. Së dyti, strategjia adreson mbrojtjen e hapësirës civile përmes një “knowledge hub” online dhe mekanizmave për reagim të hershëm ndaj shenjave të tkurrjes së hapësirës qytetare, sidomos atje ku presioni shfaqet përmes ligjeve kufizuese, fushatave të diskreditimit apo barrierave administrative. Së treti, dokumenti shoqërohet me sinjale të forta për financim më të qëndrueshëm: në diskutimet për buxhetin afatgjatë të BE-së 2028–2034, Komisioni ka propozuar programin e ri “AgoraEU”[3], i cili bashkon mbështetjen për kulturën, median dhe komponentë të lidhur me demokracinë/citizenship (ku përfshihet edhe dimensioni i shoqërisë civile).[4]
Për Ballkanin Perëndimor, pesha e kësaj strategjie është e veçantë, sepse strategjia nuk e sheh rajonin si “jashtë” kësaj harte, por si pjesë e debatit mbi reziliencën demokratike europiane. Një analizë e European Western Balkans e bën të qartë se dokumentet e 12 nëntorit 2025 përmbajnë propozime të drejtpërdrejta edhe për vendet kandidate dhe potencialisht kandidate, duke e lidhur përfshirjen e tyre me instrumentet e reja të mbrojtjes së demokracisë dhe me mekanizmat e mbështetjes për shoqërinë civile. [5] Nga ana tjetër, vetë rrjetet rajonale të shoqërisë civile e kanë përshëndetur strategjinë, por njëkohësisht kanë kërkuar që ajo të ketë “dhëmbë” në procesin e zgjerimit, pra të shoqërohet me standarde dhe kushte të matshme në raport me hapësirën civile. [6]
Kjo kërkesë nuk është teorike. Vitet e fundit, rajoni është përballur me një kombinim presionesh: ligje që stigmatizojnë financimin e huaj, rikthim të neneve penalizuese për shpifjen, kufizime të protestës, përdorim të padive shtrënguese (SLAPP) ndaj aktivistëve dhe gazetarëve, si dhe margjinalizim të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse. BCSDN (Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civil) e përmbledh këtë situatë me një mesazh alarmi: pa një reagim më të fortë të BE-së dhe pa integrimin e standardeve të hapësirës civike në zemër të procesit të anëtarësimit, rrezikohet të normalizohet rrëshqitja demokratike.
Një problem i dytë, po aq i rëndësishëm, është “dialogu formal” mes qeverive dhe shoqërisë civile. Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, konsultimet zhvillohen sepse kërkohen nga dokumentet e BE-së, por rrallë shndërrohen në mekanizëm real bashkëvendimmarrjeje: rekomandimet e OSHC-ve nuk reflektohen në politikat finale, transparenca mbetet selektive dhe, në momente tensioni, organizatat kritike stigmatizohen si “penguese”. Këtu strategjia e re ka potencialin të shërbejë si instrument presioni pozitiv, sepse e lidh qartësisht demokracinë funksionale me hapësirën civile, duke e bërë atë pjesë të vlerësimit politik dhe të progresit drejt BE-së.
Nga ana e mbështetjes praktike, BE-ja mbetet donatori më i rëndësishëm për sektorin civil në rajon, veçanërisht përmes IPA III. Strategjia e re nuk e zëvendëson këtë mekanizëm, por synon ta përforcojë logjikën e tij me qasje më afatgjata, më fleksibël dhe më mbrojtëse, sidomos për organizatat që punojnë në fusha “të ndjeshme” si sundimi i ligjit, korrupsioni, liria e medias, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e aktivistëve. [7] Në të njëjtën kohë, debati mbi “AgoraEU” tregon se BE-ja po tenton t’i bashkojë në një arkitekturë më koherente instrumentet që lidhen me demokracinë, median dhe qytetarinë—një sinjal që e sheh sektorin civil si pjesë të ekosistemit publik europian dhe jo thjesht si përfitues projektesh. [8]
Gjithsesi, financimi ndërkombëtar nuk e zgjidh vetë problemin, nëse mjedisi vendas mbetet i pafavorshëm. Kur fondet publike kombëtare janë të pakta, të politizuara ose të shpërndara pa kritere, shoqëria civile dobësohet në themel: humbet staf, nuk planifikon dot afatgjatë dhe nuk e mban dot pavarësinë. Pikërisht këtu BCSDN kërkon që BE-ja të vendosë standarde të qarta për “mjedisin mundësues” (enabling environment) dhe t’i trajtojë ato si pjesë të pandarë të kushtëzimit në procesin e zgjerimit. [9]
Në planin më të gjerë, vlera e kësaj strategjie lidhet me një pyetje të thjeshtë: si bëhen reformat të besueshme? Në Ballkanin Perëndimor, reformat shpesh perceptohen si “detyrë për Brukselin”, jo si marrëveshje shoqërore. Këtu shoqëria civile mund të luajë rol vendimtar: ajo e kthen reformën nga dokument në debat publik, nga listë masash në llogaridhënie, nga obligim formal në presion qytetar. Kur OSHC-të përfshihen realisht në monitorim, në komunikim publik dhe në ndërtimin e koalicioneve, rritet edhe legjitimiteti i procesit të integrimit. [10]
Në Shqipëri, Strategjia e re e Bashkimit Europian për Shoqërinë Civile, e prezantuar më 12 nëntor 2025 dhe që përfshin edhe vendet kandidate për anëtarësim, përbën një mundësi reale për të adresuar një sërë sfidash të kahershme që prekin pjesëmarrjen qytetare dhe funksionimin e organizatave të shoqërisë civile. Në praktikë, mekanizmat e konsultimit publik me OShC-të janë të pranishëm, por shpesh funksionojnë vetëm në mënyrë formale, pa transparencë të plotë dhe pa ndikuar realisht në përmbajtjen e politikave publike. Rekomandimet e organizatave shpesh neglizhohen, ndërsa proceset vendimmarrëse zhvillohen në mënyrë të mbyllur dhe jo gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, hapësira civile është ngushtuar, nën ndikimin e diskursit politik polarizues dhe kufizimeve administrative, ku nuk kanë munguar fushatat denigruese kundër aktivistëve dhe OShC-ve, vënia në pikëpyetje e financimeve të tyre, apo përdorimi i Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) për të ushtruar presion. Strategjia e BE-së vjen me disa elementë që mund të sjellin përmirësime të prekshme në këtë realitet: përmes ngritjes së platformave të reja për dialog të strukturuar mes shtetit dhe shoqërisë civile; krijimit të mekanizmave të mbrojtjes dhe paralajmërimit të hershëm për organizatat që përballen me kërcënime; dhe mbështetjes emergjente për ruajtjen e një hapësire veprimi të lirë dhe efektive. Nga ana financiare, programi “AgoraEU” i parashikuar për periudhën buxhetore 2028–2034 sjell një përqendrim më të madh të fondeve për media të pavarura, kulturë, edukim qytetar dhe OShC-të, me rreth 9 miliardë euro të planifikuara në total. Për OShC-të shqiptare, kjo do të thotë më shumë mundësi për financim të qëndrueshëm, me kushte më fleksibël, mbështetje për kostot operacionale dhe projekte me afatgjatësi më të madhe. Për të realizuar këto synime, është i domosdoshëm një angazhim i përbashkët: institucionet shtetërore duhet të garantojnë që konsultimet me shoqërinë civile të mos mbeten formale, por të ndikojnë realisht në vendimmarrje, rrjetet e organizatave dhe strukturat monitoruese duhet të forcojnë koordinimin dhe transparencën, ndërsa Delegacioni i BE-së në Tiranë ka një rol kyç për të mbështetur dhe lehtësuar zbatimin e strategjisë, përmes mbështetjes teknike dhe dialogut të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Si përfundim, Strategjia e parë e BE-së për Shoqërinë Civile është më shumë se një dokument politik: është një përpjekje për të rivendosur lidhjen mes demokracisë dhe qytetarit, në një kohë kur kjo lidhje po dobësohet. Për Ballkanin Perëndimor, kjo strategji krijon një mundësi konkrete: ta vendosë hapësirën civile si standard të matshëm të integrimit dhe t’i japë shoqërisë civile rol real në transformimin demokratik. Por ajo do të funksionojë vetëm nëse shoqërohet me zbatim të qëndrueshëm, me kushte të qarta dhe me mbrojtje praktike për aktorët qytetarë, sidomos aty ku presioni politik është më i fortë.
Viktor Mërkuri, prill 2026
*Viktor Mërkuri është hulumtues me përvojë në menaxhimin e projekteve, ekspertizën ligjore dhe rolet kërkimore brenda organizatave ndërkombëtare dhe akdemike. Është i diplomuar në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe është përfshirë në menaxhimin e projekteve të ndryshme të financuara nga subjekte si Bashkimi Europian dhe UNDP. Fushat e tij të ekspertizës përfshijnë menaxhimin e projekteve në organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, ofrimin e ekspertizës dhe konsulencës, si dhe mësimdhënien pranë Fakultetit Juridik, Departamenti i të Drejtës Publike.
__________________________________________
[1] European Commission. (2025, November 12). European democracy shield and EU strategy for civil society pave the way for stronger and more resilient democracies (Enlargement). https://enlargement.ec.europa.eu/news/european-democracy-shield-and-eu-strategy-civil-society-pave-way-stronger-and-more-resilient-2025-11-12_en
[2] European Commission. (2025, November 12). Stronger measures to protect our democracy and civil society. https://commission.europa.eu/news-and-media/news/stronger-measures-protect-our-democracy-and-civil-society-2025-11-12_en
[3] European Commission, Directorate-General for Education, Youth, Sport and Culture. (2025, July 17). EU budget 2028–2034: Commission proposes new “AgoraEU” programme for culture, media and civil society https://culture.ec.europa.eu/news/eu-budget-2028-2034-new-agoraeu-programme
[4] European Commission. (2025, July 17). AgoraEU https://commission.europa.eu/publications/agoraeu_en?prefLang=lv
[5] European Western Balkans. (2025, November 14). How are the candidate countries included in the new democracy shield and civil society strategy?
[6] Balkan Civil Society Development Network. (February 2025). The missing piece: Why civic space must be an EU accession priority. https://balkancsd.net/new-bcsdn-policy-brief-why-civic-space-must-be-an-eu-accession-priority/
[7] European Western Balkans. (2025, November 14). How are the candidate countries included in the new democracy shield and civil society strategy? https://europeanwesternbalkans.com/2025/11/14/how-are-the-candidate-countries-included-in-the-new-democracy-shield-and-civil-society-strategy/
[8] European Commission, Directorate-General for Education, Youth, Sport and Culture. (2025, July 17). EU budget 2028–2034: Commission proposes new “AgoraEU” programme for culture, media and civil society
[9] Balkan Civil Society Development Network. (2025, May 30). Why civic space must be an EU accession priority.
[10] European Western Balkans. (2025, November 14). How are the candidate countries included in the new democracy shield and civil society strategy?









.jpg)



.png)























