Dossier për Kapitullin 24: Drejtësia, Liria, Siguria

Dossier për Kapitullin 24: Drejtësia, Liria, Siguria

***

DATA HISTORIKE DHE ZHVILLIMET KRYESORE:

20 Nëntor 2006– Hapja e negociatave për Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave (MLV) dhe Marrëveshjen e Ripranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

1 Janar 2008– Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave (MLV), e cila shënon hapin e parë konkret drejt një regjimi pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

Qershor 2008– Komisioni Europian (KE) parashtron Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Shqipërinë, i cila paraqet zyrtarisht një hap konkret drejt udhëtimit pa viza për qytetarët shqiptarë. Udhërrëfyesi përcakton 42 standarde të ndara në 4 kapituj: 1. siguria e dokumenteve; 2. migrimi ilegal; 3. rendi dhe siguria publike; 4. çështjet e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtat themelore.

 

24 nëntor 2008– KE paraqet Raportin e parë të Vlerësimit mbi progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve të Udhërrëfyesit të Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë.

 

18 maj 2009– KE paraqet Raportin e dytë të Vlerësimit tek Qeveria shqiptare.

 

27 nëntor 2009– KE paraqet Raportin e tretë të Vlerësimit tek Qeveria shqiptare.

 

19 prill 2010– KE jep një vlerësim të ri (Raporti i Vlerësimit të katërt) për Shqipërinë, duke treguar progres thelbësor drejt përmbushjes së standardeve të Udhërrëfyesit. Mbetet për t’u adresuar një numër i kufizuar standardesh.

 

14 shtator 2010– KE paraqet Raportin e Vlerësimit, i cili arrin në përfundimin se Shqipëria ka përmbushur kërkesat e mbetura dhe si rezultat KE propozon heqjen e regjimit të vizave afatshkurtër.

 

6 – 7 tetor 2010– Parlamenti Europian voton në favor të heqjes së regjimit të vizave për Shqipërinë me 538 vota pro dhe 47 kundër.

 

8 nëntor 2010– Këshilli i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme voton pro heqjes së regjimit të vizave afatshkurtër për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, Komisioni inicion një mekanizëm të ri monitorimi për të vëzhguar zbatimin e vazhdueshëm të standardeve të Udhërrëfyesit, si dhe fluksin e azilkërkuesve dhe emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria drejt vendeve të hapësirës Shengen.

 

15 dhjetor 2010– Hyn në fuqi regjimi pa viza për qytetarët shqiptarë.

 

20 dhjetor 2017– Komisioni Europian paraqet Raportin e tij të parë në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit të Liberalizimit të Vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Partneritetit Lindor. Në lidhje me Shqipërinë ai thekson që vendi ka vazhduar të përmbushë kriteret por kërkohet implementim më i mirë i masave të ndërmarra.

 

12-15 nëntor 2018 – Mbahet takimi shpjegues në Bruksel në kuadër të procesit pre-screening për Kapitullin 24.

 

19 dhjetor 2018– Komisioni Europian prezanton Raportin e dytë në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit, duke vlerësuar Shqipërinë pozitivisht për masat e ndërmarra ndaj migracionit të parregullt.

 

19 qershor 2019 – Miratohet Strategjia Kombëtare për Migracionin dhe Plani i Veprimit 2019-2022.

 

10 korrik 2020 – Komisioni Europian publikon Raportin e tretë në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit të Liberalizimit të Vizave.

 

KAPITULLI 24 I ACQUIS SË BE: DREJTËSIA, LIRIA DHE SIGURIA

Kapitulli 24 përfshin fusha të tilla si kontrolli kufitar, vizat, migracioni i jashtëm, azili, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit, bashkëpunimi në fushën e drogave, bashkëpunimi doganor dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile. Zbatimi i Acquis në këto fusha kërkon kapacitete administrative solide dhe të integruara mirë në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organet e tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme. Gjithashtu organizimi profesional, i besueshëm dhe efikas i policisë ka rëndësi parësore në këtë drejtim. Pjesa më e detajuar e politikave të BE-së për drejtësi, liri dhe siguri është Acquis i Shengen-it, i cili nënkupton heqjen e kontrolleve të brendshme të kufijve në BE. Sidoqoftë, për shtetet e reja anëtare pjesë të konsiderueshme të Acquis të Shengen-it zbatohen pas një vendimi të veçantë të Këshillit që merret pas aderimit.

 

PROGRESI I SHQIPERISË PËR KAPITULLIN 24 - PROCESI SCREENING

Lidhur me hapjen e negociatave për këtë kapitull, ato do të çelen pas marrjes së vendimit përkatës nga Këshilli i Ministrave të BE-së.Metodologjia e Re e Zgjerimit e BE e ka përfshirë këtë kapitull në grupimin e parë që do të hapet për shqyrtim pas negociatave, në grupimin Themeloret.

Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë që në prill 2018. Për të mos humbur kohë komisioneri i atëhershëm europian për zgjerimin, Hahn propozoi që Shqipëria të fillonte me procesin screening i cili normalisht nis pas hapjes së negociatave. Ky proces shërben për të shqyrtuar në mënyrë analitike legjislacionin vendas dhe për ta krahasuar atë me atë europian, duke nxjerrë në pah nevojat për harmonizim dhe adoptim të ligjeve.

Në kuadër të procesit (pre)-screening, takimi shpjegues mes BE dhe Shqipërisë për Kapitullin 24 u mbajt më 12-15 nëntor 2018, në Bruksel. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga drejtoritë përkatëse të Komisionit Europian. Vendi ynë u përfaqësua nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme.

Gjatë këtij takimi çështjet të cilat u diskutuan në lidhje me kapitullin 24 ishin: Procedurat e urdhrit europian të arrestit dhe ekstradimit, instrumentet e paraburgimit, njohja e vendimeve gjyqësore, konfiskimi i pronës dhe gjobat financiare, ekipet e përbashkëta të hetimit, falsifikimi i Euros, informacion mbi regjistrat penal – ECRIS, bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile dhe tregtare, e drejta familjare, migrimi ligjor dhe jo ligjor, sanksionet e punëdhënësve, kthimi i migrantëve të parregullt, standardet në marrëdhëniet me azilkërkuesit dhe përfituesit e mbrojtjes ndërkombëtare, ndihma financiare në lidhje me azilin, informacione mbi Shengen-in, lejet e qëndrimit dhe vizat, parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar, krimi kibernetik, trafikimi i armëve të zjarrit qenieve njerëzore, bashkëpunimi në parandalimin dhe luftimin e trafikut të drogës, si dhe lufta kundër terrorizmit.

Institucioni përgjegjës për këtë kapitull është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në Shqipëri përbërë nga strukturat e mëposhtme: -Policia e Shtetit; - Njësia Antitrafik; - Drejtoria për Shtetësinë dhe Refugjatët. Institucionet e tjera të përfshira janë: - Ministria e Financave dhe Ekonomisë - (Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave); Agjencia e Administrimit dhe Konfiskimit të Aseteve të Sekuestruara; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (Shërbimi Konsullor); Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (Ministria e Mbrojtjes); Prokuroria e Përgjithshme; Ministria e Arsimit dhe Rinisë; Shërbimi Informativ Shtetëror. 

Me krijimin e Platformës së Partneritetit dhe Grupeve NdërInstitucionale të Punës për Integrimin Europian për çdo kapitull të Acquis së BE, një tryezë konsultimi për Kapitullin 24 është ngritur ku janë ftuar të përfshihen aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të medias, autoriteteve lokale, ekspertëve dhe universiteteve për të mundësuar informimin dhe konsultimin mbi procesin e negociatave të Kapitullit 24.

 

ZONA SHENGEN DHE PROCESI I LIBERALIZIMIT TË VIZAVE

Zona Shengen garanton një lëvizje të pakufizuar në një hapësirë territoriale të përbërë nga 26 shtete (ku 22 prej tyre janë shtete të Bashkimit Europian) dhe më shumë se 400 milion qytetarë. Krijimi i zonës së Shengenit filloi në vitin 1985, kur pesë shtete europiane nënshkruan marrëveshjen e saj që konsistonte në heqjen e kontrolleve në zonat e kufijve të përbashkët. Duke filluar si një nismë qeveritare, bashkëpunimi i Shengenit tani është i përfshirë në legjislacionin e Bashkimit Europian. Marrëveshja u plotësua nga Konventa Zbatuese Shengen e vitit 1990 që përcaktonte heqjen përfundimtare të kontrolleve të brendshme kufitare, si dhe një seri masash të nevojshme shoqëruese.

Të qënurit pjesë e kësaj hapësire do të thotë që këto vende:

– nuk i nënshtrohen kontrolleve kufitare në kufijtë e tyre të brendshëm;

– kanë mundësinë të kryejnë kontrolle të koordinuara në kufijtë e tyre të jashtëm;

- qytetarët mund të udhëtojnë lirisht brenda zonës së Shengenit dhe kontrollohen vetëm kur kalojnë kufirin e jashtëm të kësaj zone.

Zona Shengen nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase pa një politikë të përbashkët vizash që lehtëson procedurën e hyrjes së vizitorëve të rregullt në Bashkimin Europian.

Për këtë Bashkimi Europian ka krijuar një politikë të përbashkët vizash për tranzitin apo qëndrimet në territorin e një shteti Shengen të tilla duke vendosur një afat kohor për jo më shumë se 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Bashkimi Europian ka një listë të përbashkët të shteteve, qytetarët e të cilëve duhet të kenë vizë kur kalojnë kufijtë e jashtëm dhe një listë të vendeve, qytetarët e cilëve janë të përjashtuar nga kjo kërkesë. Këto lista janë të përcaktuara në Rregulloren nr. 539/2001 dhe ndryshimet e saj të herëpashershme. Që nga 2010 Shqipëria bën pjesë në listën e vendeve që nuk kërkohet vizë për udhëtime më pak se 90 ditë. Por kjo arrihet vetëm në mënyrë reciproke pra që nënkupton që as qytetarët e Bashkimit Europian nuk duhet të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në këto vende. Për këtë qëllim, është krijuar mekanizmi i reciprocitetit të vizave.

 

DOKUMENTET E NËNSHKRUARA MES BE DHE SHQIPËRISË NË KUADËR TË LIBERALIZIMIT TË VIZAVE

1.Marrëveshjet për lehtësimin e vizave – Bazuar në këto marrëveshje, si qytetarët e BE dhe ato jashtë BE përfitojnë nga lehtësia për lëshimin e vizave. Marrëveshja për lehtësimin e vizave ndërmjet Komunitetit Europian dhe Shqipërisë ka hyrë në fuqi më 01/01/2008 me qëllim shkurtimin e procedurave për lëshimin e vizave Shengen; heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike; mundësinë e dhënies së vizave afatgjata dhe me shumë hyrje-dalje etj.

Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave (MLV) me Shqipërinë

 

2.Këto marrëveshje për lehtësimin e procedurës së vizave janë të lidhura me marrëveshjet e ripranimit në BE – të cilat përcaktojnë procedurat për kthimin në Bashkimin Europian të personave të parregullt të vendeve partnere jo-anëtare të BE-së ku përfshihen shtetasit e vet dhe shtetasit e vendeve të treta apo personat pa shtetësi.

Marrëveshja e Ripranimit me Shqipërinë

 

3.Udhërrëfyesi i Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë - ishte dokumenti kryesor strategjik mes BE-së dhe Shqipërisë në kontekstin e Liberalizimit të Vizave afatshkurtër. Në këtë dokument ishin përcaktuar 42 standarde, përmbushja e të cilave do të çonte drejt heqjes së regjimit të vizave. 42 standardet ishin të organizuara në 4 kapituj/blloqe:

1. Siguria e dokumenteve

2. Migrimi ilegal

3. Rendi dhe siguria publike

4. Çështjet e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtat themelore

 

DOKUMENTET E REALIZUARA NGA BE NË KUADËR TË LIBERALIZIMIT TË VIZAVE

Mekanizmi i pezullimit të liberalizimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të Bashkimit Europian në vitin 2013 dhe pati si qëllim mundësinë e pezullimit përkohësisht dhe përjashtimin nga liberalizimi i vizave për shtetasit nga vendet e treta për një periudhë të shkurtër kohe në rast të një rritjeje të konsiderueshme të migracionit të parregullt. Në Maj të 2016-ës, Komisioni propozoi të rishikojë rregullat ekzistuese në mënyrë që të forconte më tej këtë mekanizëm. Masat e reja i lejojnë Bashkimit Europian të reagojë më efektivisht nëse përballet me një fluks migrimi që influencon një rritje të rrezikut për sigurinë e brendshme të Shteteve Anëtare nga udhëtimi pa viza. Sipas ndryshimeve Komisioni tani mund të kërkojë zbatimin e mekanizmit, ndërsa më parë vetëm Shteteve Anëtare iu atribuohej kjo e drejtë. Mekanizmi i pezullimit u miratua në hyri në fuqi më 28 mars 2017. Mekanizmi i pezullimit mund të zbatohet prej rrethanave të mëposhtme:

– një rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) të migrimit të parregullt;

– një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) të kërkesave të pabazuara për azil .

– një zvogëlim i politikave të bashkëpunimit në procesin e ripranimit;

– një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme të Shteteve Anëtare, në veçanti prej veprave të rënda penale.

Komisioni raporton çdo vit për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe vendet e Partneritetit Lindor. Raporti është një vlerësim i progresit nën mekanizmin e ri të pezullimit për tetë vendet që përfitojnë nga lëvizja pa viza sipas skemës së liberalizimit të vizave. Periudha e vlerësimit fillon me datën e miratimit të Raportit të Parë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizmit Vizave në dhjetor 2017. Ky raport përqendrohet në fusha specifike ku veprimet e mëtejshme janë të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e progresit të arritur.

1. Raporti i Parë i Komisionit Europian për Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2017

2.Raporti i Dytë i Komisionit Europian për Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2018

3. Raporti i Tretë i Komisionit Europian për Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2020

 

DOKUMENTET E MIRATUARA NGA SHTETI SHQIPTAR NË KUADËR TË KAPITULLIT 24:

Plani Kombëtar për Integrimin Europian 2020 – 2022 (PKIE) - përfshin masat afatmesme dhe afatgjata, që shtrihen deri në vitin 2022, në mënyrë që Shqipëria të arrijë përafrimin e plotë ligjor të legjislacionit kombëtar me Acquis të BE-së dhe të harmonizojë të gjithë sektorët me standardet e përcaktuara në kapitujt e acquis. PKIE rishikohet çdo vit dhe vlerëson progresin e arritur, jo vetëm në shkallën e përafrimit, por edhe në zbatimin e legjislacionit të përafërt.

Strategjia Kombëtare për Migracionin dhe Plani i Veprimit 2019 – 2022 - paraqet një hap të rëndësishëm në realizimin e angazhimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e migracionit. Hartimi i saj përmbush edhe rekomandimin e Komisionit Europian në vitin 2018, ku u kërkua që Shqipëria ta konsiderojë migracionin si çështje thelbësore dhe të hartojë një strategji. Ajo ka për qëllim që deri në vitin 2022 të ofrojë përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të plota ndaj sfidave dhe mundësive të migracionit në kontekstin e Shqipërisë. Strategjia është udhërrëfyesi për veprimtarinë dhe kontekstin në fushën e migracionit, prezanton vizionin, synimet dhe objektivat specifikë, paraqet produktet kryesore, burimet financiare dhe mekanizmat e koordinimit institucional dhe monitorimit.

Plani i veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017 -2020 - Hartimi i këtij plani kombëtar kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është diktuar nga nevoja për parandalimin, goditjen dhe shkatërrimin e kësaj dukurie. PKKK-ja mban në konsideratë faktorët bazë që nxisin kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në vend. Theksi kryesor i PKKK-së është përpjekja e përbashkët ndërinstitucionale për goditjen e gjithanshme/ frontale që ka për qëllim identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale që janë aktive në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit.

Profili i Migracionit 2016 – Shqipëri - Ky dokument prezanton Profilin e Migracionit në Republikën e Shqipërisë për vitin 2016. Hartimi dhe publikimi i tij është mbështetur në pikën 4, të nenit 141, të Ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar. Profili i Migracionit prezanton qartë fushat e interesit, duke synuar prioritetet dhe problemet kyç. Ai është një mjet i dobishëm për politikë‐bërësit, institucionet e ndryshme publike, organizatat joqeveritare, akademinë dhe personat e interesuar.

Strategjia e Menaxhimit të Integruar të Kufijve 2014-2020 - Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, është një dokument strategjik në përmbushje të objektivave madhore të qeverisë për arritjen e standardeve në kuadër të integrimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Objektivat e përcaktuara në ketë dokument strategjik shkojnë në një linjë me detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe rekomandimet e BE për Shqipërinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Strategjia Ndërsektoriale e Luftës kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të paligjshme dhe Terrorizmit 2013-2020 - Angazhimet e ndërmarra dhe objektivat e përcaktuara në këtë dokument strategjik shkojnë në një linjë me detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe rekomandimet e KE-së për Shqipërinë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Strategjia ka si qëllim të konsolidojë përparimin e bërë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit, dhe të përcaktojë politikat, prioritetet strategjike në këtë fushë, objektivat e institucioneve shtetërore që marrin detyrime në të, të harmonizojë e ngrejë në një shkallë më të lartë koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional të punës për arritjen e objektivave strategjike për vitet 2013-2020. Në të njëjtën kohë strategjia synon të zhvillojë metoda e teknika të reja ligjore, institucionale, operacionale dhe shkencore sipas standardeve të përafruara të BE-së për t’iu kundërvënë me sukses formave dhe metodave të krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk