Dita ndërkombëtare për pagë të barabartë, për punë të barabartë

Dita ndërkombëtare për pagë të barabartë, për punë të barabartë

Barazia gjinore dhe roli i grave dhe vajzave në shoqëri vazhdon të jetë një çështje shumë delikate si pasojë e mendësive që kanë qenë në periudha të ndryshme, por që pasqyrohen edhe sot. Në të gjithë botën, po të krahasohen pagat midis burrave dhe grave, raportohet se gratë marrin vetëm 77 cent për çdo 1 dollar të fituar nga burrat (UN Women, 2020), dhe kjo ka ardhur si rezultat i nje periudhe të gjatë kohore mes pabarazisë së të ardhurave midis burrave dhe grave.

Por, cfarë është paga e barabartë?

Siç është cilësuar në Aktin e Barazisë 2010, burrat dhe gratë që punojnë në të njëjtin vend dhe kanë të njëjtën përformancë në punë, duhet të marrin të njëjtën pagesë, përjashtuar rastet kur diferencimi është i justifikuar. Paga e barabartë nuk përfshin vetëm pagën monetare, por përfshin pagën bazike, bonuset sipas profesionit, pagesat jashtë orarit, përfitimet që janë të lidhura sipas performancës, aksesim në skemat e pensioneve, makinat e kompanisë ose institucionit ku punon, përfitimet e pagës si pasojë e arsyeve shëndetësore, pagesat për udhëtimet e punës etj. Pra siç shikohet, nuk është vetëm paga bazë ajo e cila përfshihet në barazinë e pagës, por edhe përfitimet e lartpërmendura, që duhet të jenë të barabarta midis punonjësve që kanë performancë të njëjtë.

Diskriminimi në punë është shkelje e një të drejte themelore të njeriut. Punonjësit mund të diskriminohen për shumë arsye, ku njëra ndër to është diferencimi gjonor dhe kjo ka lidhje të drejtëpërdrejtë me pagën e tyre. Një nga mënyrat më të rëndësishme për të korrigjuar këtë situatë dhe për të arritur barazinë gjinore është përmes promovimit të barazisë së pagave.

Komiteti Europian i të Drejtave Sociale të Këshillit të Europës ka miratuar 15 vendime mbi pajtueshmërinë e shtetit me të drejtën për pagë të barabartë, si dhe të drejtën për mundësi të barabarta në vendin e punës. Vendimet u miratuan nga ECSR në 5 dhe 6 dhjetor 2019 dhe u bënë publike në 29 qershor 2020. Vendimet identifikojnë standarde të qarta dhe të forta në fushën e pagave të barabarta dhe, më saktësisht, ato kërkojnë që e drejta për pagë të barabartë të garantohet me ligj. Detyrimet për shtetet sipas Komitetit janë:

-       - Të njihet e drejta për pagë të barabartë për punë të njëjtë në legjislacionin e tyre

-       - Të mundësojnë qasje efektive për viktimat e diskriminimit të pagës

-       - Të sigurojnë dhe ta garantojnë transparencën e pagave për të mundësuar krahasimet

-       - Të ngrënë institucione dhe organizma efektiva për të siguruar që paga e barabartë zbatohet në vend

Këto vendimet janë pranuar nga 15 shtete europiane, por që sipas Komitetit përsëri 14 prej këtyre 15 shteteve janë gjetur në shkelje të këtyre detyrimeve ligjore. Nga ana tjetër një zhvillim pozitiv është vënë re në Europë dhe shumë shtete kanë ndërmarrë hapa konkrete për të mbyllur hendekun gjinor të pagave, por siç vlerësohet ky progres është shumë i ngadaltë. (Këshilli i Europës)

Hendeku gjinor mes pagave

Hendeku gjinor mes pagave është ndryshimi midis të ardhurave të meshkujve dhe atyre të femrave. Kjo diferencë shprehet si përqindje e fitimeve të meshkujve. Hendeku gjinor i pagave zvogëlon të ardhurat e grave gjatë jetës dhe gjithashtu ndikon në pensionet e tyre, që cilësohet edhe si një nga shkaqet domethënëse të varfërisë në jetën e mëvonshme për gratë.

Por edhe në Shqipëri, Kodi i Punës, Neni 115 – Barazi në shpërblim midis sekseve- përcaton se gratë dhe burrat duhet të paguhen në mënyrë të barabartë për punë me vlerë të njëjtë. Edhe pse historikisht në Shqipëri ka patur pabarazi në mënyrën se si punonjës në të njëjtin vend diskriminohen nga gjinia, në ditët e sotme është parashikuar me ligj që për të njëjtën vlerë punë, punonjësit paguhen njëlloj.

Për më tepër, e drejta për pagë të barabartë nënkupton detyrimin për të marrë masa për ta promovuar atë. Ky detyrim ka dy elemente: nga njëra anë, mbledhja e të dhënave të besueshme dhe të standardizuara për të matur dhe analizuar hendekun gjinor mes pagave dhe, nga ana tjetër, hartimin e politikave dhe masave efektive që synojnë uljen e hendekut gjinor mes pagave në bazë të një analize të të dhënat e mbledhura. Shtetet janë gjithashtu nën një detyrim për të treguar progres të matshëm në uljen e hendekut gjinor mes pagave.

Kështu që, si përfundim, e drejta për një pagë të barabartë midis punonjësve, kur vlera e punës është e njëjtë, është një ë drëjtë themelore e lidhur drejtpërsëdrejti me diskriminimin. Punëdhënësit e kanë detyrë ligjore dhe morale që punonjësit të trajtohen të barabartë dhe mes tyre të mos ketë dallime në pagë, përvecse në rastet kur paga më e lartë është e justifikuar.

Klaudia Shullazi, Stafi i EuroSpeak, shtator 2020

Referenca:

-      -Council of Europe, Gender pay gap is still persistent in Europe. https://www.coe.int/en/web/european-social-charter/-/the-decisions-on-the-merits-in- university-women-of-europe-uwe-v-belgium-bulgaria-croatia-cyprus-czech-republic-finland- france-greece-ireland-italy-the

-      -Kodi i Punës i shqipëris, Neni 115, Barazi në shpërblim midis sekseve.

-       -UN Women, Equal pay for work of equal value. https://www.unwomen.org/en/news/in-focus/csw61/equal-pay

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk