Ndryshimet klimaterike: çfarë po ndodh me vendet europiane

Ndryshimet klimaterike: çfarë po ndodh me vendet europiane


Spanja

40 % e prodhimit botëror të vajit të ullirit vjen nga Andaluzia, e cila numëron 1,000 vite histori kultivimi. Sot 1,5 milion hektar në këtë vend i dedikohen të mbjellave të ullishtave. Por ndryshimet klimaterike mund të transformojnë rajonin dhe të zhdukin kultivimet e ullinjve të Andaluzisë. Ullishtat janë ndër të mirat e natyrës të cilët nuk mund t’u përshtaten ndryshimeve të klimës, e për më tepër kërkojnë dekada për të arritur pjekurinë e plotë. Për shkak të ndryshimeve të klimës, shumë zona në Spanjë nuk do të mund të kultivohen më, nuk do të kenë më prezencën e njeriut dhe do të shndërrohen në shkretëtira. Specialistë agronomë shohin si problem të shtuar rritjen e temperaturave ç’ka sjell fenomene të tjera si thatësira të cilat godasin drejtpërdrejt fermat. Në Spanjë, ngritja e temperaturave ka ndikuar në agrumet gjatë këtij viti, ku si pasojë pritet të ulet prodhimi i disa llojeve të mandarinave me 25 %.

Italia

Resorti i quajtur Viola Saint Grée në Alpet italiane në kufij të Ligurias dhe Piedmont-it për vite me radhë ka shërbyer si një burim i jashtëzakonisht turizmi, kulmuar në vitet ’70 mijëra vetë mblidheshin për të shijuar sportin e skive. Sot ky vend vuan nga mungesa e dëborës dhe shanset që ai të rikthehet në një vend turistik janë fare të pakta. Alpet Perëndimore do të duhet të përballen me ngritje vjetore të temperaturave prej 2 – 3 gradë Celsius në fund të shekullit. Si rezultat, periudha e qëndrimit të dëborës në tokë do të bjerë me 20 %.

Polonia

Polonia ka shpenzuar rreth 13 miliard € në përpjekje për të zbutur kërcënimet e ndryshimeve klimaterike, ku pjesën më të madhe të shpenzimeve ia atribuon veprimeve të ndërmarra për të mbrojtur qytetet nga reshjet dhe përmbytjet që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Megjithatë kërcënimi më i madh mund t’i vijë Detit Baltik. Në 100 vitet e fundit niveli i tij është rritur me 20 cm, ç’ka ende nuk përbën një rrezik serioz por mbetet një paralajmërim duke pasur parasysh përhapjen e gjerë të apartamenteve dhe hoteleve të ndërtuara në breg. Sipas një sondazhi të realizuar për Ministrinë e Mjedisit në Poloni, rreth 86 % e polakëve e konsideronin ndryshimin klimaterik si një çështje të rëndësishme por askush nuk i kushton rëndësinë e duhur faktit që ndryshimi realisht po ndodh.

Mbretëria e Bashkuar

Një sërë përmbytjesh në MB vitin e shkuar mund të jenë një shenjë se çfarë mund të ndodhë nëse nuk merren masa për ndryshimet klimaterike. Dimri i vitit 2013-2014 ishte më i lagështi i regjistruar në vend, me stuhi të papërballueshme që filluan gjatë tetorit. Më shumë se 7,800 shtëpi dhe mbi 3,000 biznese u përmbytën. Përmbytjet janë kërcënimi më i madh që vjen nga ndryshimi klimaterik për Mbretërinë e Bashkuar: prej 1970 ngrohja është rritur me 1 gradë dhe niveli i detit përgjatë bregut të MB është rritur 15 cm. Megjithëse planifikohen politika për të parandaluar ngritjen e ndërtimeve në zona që rrezikohen nga përmbytjet, rreth 1,500 prej tyre janë ndërtuar çdo vit në këto vende me rrezik të lartë përmbytjeje.

Gjermania

Ndoshta kërcënimi më i madh me të cilin përballet Gjermania është degradimi i ngadaltë i pyjeve të saj, ku nxehtësia dhe thatësira po ndikojnë në ultësirën veriore. Pjesa më e madhe e Gjermanisë duhet të jetë e mbuluar me pemë, e lisa në veçanti. Por pyjet natyrore me këto pemë pothuajse janë zhdukur. Ç’ka po rriten janë të mbjellat nga dora e njeriut si pishat në veri dhe bredhat në pjesën jugore. Problemi qëndron se bredhat mund të jenë një humbje e madhe për ndryshimin klimaterik pasi nuk mund të përballojnë thatësira dhe rrënjët e tyre të cekëta mund të dëmtohen lehtësisht nga stuhitë. Edhe pse disa ekspertë mendojnë se pyjet e përziera kanë rëndësinë e tyre, për shumicën e ekspertëve mjedisorë, pyjet natyrorë nuk mund të zëvendësohen dhe ndryshimi i klimës po bëhet një armik i jashtëzakonshëm i tyre.

Franca

Camaruge, një park natyror në bregdetin jug-lindor të Francës, është i famshëm për numrin e madh të llojeve të bimëve dhe të kafshëve por gjithashtu për rritjen në kënetat e saj të orizit dhe kripës. Megjithatë rreziku që i kanoset është i madh: niveli në rritje i detit do të arrijë të mbulojë më shumë se 6,500 ha të parkut i cili kohët e fundit është vënë në mbrojtje nga Agjencia Bregdetare e Mbrojtjes në departamentin e Bouches-du-Rhône.

Deti Mesdhe

Mesdheu tashmë është një det i ndryshëm nga ai që mbështillte bregun europian 50 vite më parë. Është mesatarisht dy ose tre gradë më i ngrohtë ku shtresa e ujit të ngrohtë është më e thellë se dikur dhe periudha e vitit gjatë së cilës uji qëndron i ngrohtë është më e gjatë. Si rezultat, biologët e marinës thonë se 700 lloje speciesh të reja gjenden në të, të ardhura nga Deti i Kuq nëpërmjet kanalit të Suezit. Por lajmi i keq është se disa lloje koralesh nuk preferojnë ujërat e ngrohtë dhe tashmë nuk mund të lulëzojnë as në thellësi të detit. Ky ndryshim është një ndikim negativ edhe për vazhdimin e mbijetesës së peshkut tradicional mesdhetar: ata po zhduken.

Planet e masave për të përballuar ndryshimet e klimës

Siç duket, ndryshimet klimaterike në Europë po theksohen gjithnjë e më shumë. Temperatura e tokës ku shtrihet kontinenti është rritur me 1.3°C vetëm dekadën e fundit, duke shënuar një temperaturë mesatare të lartë se ajo globale e cila është 0.8°C. Edhe pse ndikimi i ndryshimit të klimës varion përgjatë vendeve të Bashkimit Europian, të gjitha vendet anëtare e më gjerë janë të ekspozuara. Sipas ekspertëve, e rëndësishme për europianët është dhënia fund e subvencioneve për fosile, shtimi i përpjekjeve për të realizuar efektivitetin e energjisë së shumëllojshme si dhe përmirësimin dhe politikat ndërgjegjësuese për përdorimin më të shpeshtë të transportit publik.

Vendimet që do të merren në samitin e Parisit, do t’i japin formë rrugës që do të duhet të ndiqet për t’i bërë ballë problemit të emetimit të karbonit për dy dekadat e ardhshme. Në këtë mënyrë do të mund të përcaktohet nëse ka shanse për të shmangur rritjen e temperaturave globale me më shumë se 2 gradë Celsius, i konsideruar si pragu i ndryshimit të rrezikshëm të klimës. Më shumë se 140 vende kanë dorëzuar tashmë planet e masave për shkurtimin e emetimeve para bisedimeve në Paris. Premtimi i Bashkimit Europian është ndër më ambiciozët edhe pse politikat e vendeve anëtare tregojnë se ata ende nuk janë në rrugën e duhur për ta përmbushur atë. Që BE të përmbushë objektivat për të ulur emetimet e karbonit, qeveritë do të duhet t’i rezistojnë presionit të politikave që mbështesin industritë e qymyrit, ndërsa Komisioni Europian do të duhet të reduktojë lejet për sistemin e tregtimit të emetimeve edhe më shpejt se sa ishte planifikuar.

The Guardian, nëntor 2015

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk