Agjencia e re e BE-së për mbrojtjen e kufijve të jashtëm: Çfarë sjell të re nga Frontex?

Agjencia e re e BE-së për mbrojtjen e kufijve të jashtëm: Çfarë sjell të re nga Frontex?


Krijimi i një Agjencie të re, është një nga objektivat e përcaktuara edhe në kuadër të Agjendës Europiane të Migracionit, për të forcuar menaxhimin dhe sigurinë e BE-së në kufijtë e jashtëm. Kjo agjendë përfshin një veprim të menjëhershëm për të parandaluar humbjet e mëtejshme të jetës së emigrantëve në det, duke siguruar fonde shtesë për operacionet e kërkimit dhe të shpëtimit të Frontex. Prioritetet e Agjendës Europiane të Migracionit konsistojnë në zhvillimin e një strukture veprimi përtej krizave dhe emergjencave aktuale dhe për të ndihmuar shtetet anëtare të BE-së për të menaxhuar më mirë të gjitha aspektet e migracionit, ndërsa disa prioritete të tjera në një kohë më afatgjatë kanë të bëjnë me reduktimin e numrit të migrimit të parregullt, të shpëtojë jetë njerëzish dhe të mbrojë kufijtë e jashtëm, të forcojë politikën e përbashkët ndaj azilantëve, si dhe të hartojë një politikë të re për migracionin e ligjshëm.

Komisioni Europian paraqiti një propozim legjislativ për krijimin e një Agjencie të re duke u mbështetur në strukturat ekzistuese të Frontex, për të përmbushur sfidat e reja dhe realitetet politike me të cilat përballet BE-ja, sa i përket migrimit dhe sigurisë së brendshme.

Por cili ka qenë roli i Frontex në operacionet e kërkimit dhe te shpëtimit dhe çfarë do të ndryshojë me agjencinë e re EBCG?

Sipas Agjencisë Frontex, Operacionet e kërkimit dhe te shpëtimit kanë qenë gjithmonë një prioritet për të gjithë ata që veprojnë në det, duke u koordinuar nga qendrat kombëtare Koordinuese të Shpëtimit Detar , që mund të përfshijnë anije komerciale apo ushtarake, anije të vendosura nga Frontex, apo edhe anije të tjera private.

Gjate periudhës janar-gusht 2016, Frontex arriti të shpëtojë 38 750 njerëz falë Operacionit Triton në Mesdheun Qendror dhe 37 479 persona falë Operacionit Poseidon në detin Egje. Por megjithatë, Komisioni Europian ka deklaruar se kufizimet e agjencisë kufitare Frontex, nuk kanë mundur të adresojnë në mënyrë efektive situatën e krijuar nga kriza e refugjatëve pasi agjencia:

-nuk është në gjendje të blejë burimet e nevojshme;
-nuk ka funksion të plotë dhe eficient të stafit të saj;
-ka një buxhet të kufizuar pasi mbështetet në kontributet e shteteve anëtare;
-është e paaftë për të menaxhuar kufijtë e jashtëm.

Por, tashmë me iniciativën e re të BE-së, roli dhe aktivitetet e Agjencisë janë zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme. Stafi i përhershëm i EBCG do të dyfishohet duke bërë të mundur pajisjen me mjetet e nevojshme për operacionet kufitare në një kohë të shkurtër. Një gardë rezervë prej të paktën 1 500 roja kufitare dhe një tjetër me pajisje teknike, do të vihet në dispozicion, që do të thotë se nuk do të ketë më mungesa të personelit apo pajisjeve për operacionet e saj. Gjithashtu, buxheti i agjencisë së re do të rritet në mënyrë të konsiderueshme nga €238 milion për vitin 2016, në €281 milion në vitin 2017. Përveç fondeve të BE-së, shtetet anëtare të zonës Shengen do të kontribuojnë në buxhetin e ri me afërsisht 8% të subvencioneve vjetore të BE-së.

EBCG do të sigurojë një lidhje të munguar në forcimin e kufijve të jashtëm të Europës, në mënyrë që njerëzit të mund të vazhdojnë të jetojnë dhe të lëvizin lirisht brenda BE-së, për të përmbushur kështu dhe angazhimin për të mbrojtur zonën Shengen si dhe heqjen e kontrolleve të përkohshme të kufijve të brendshëm deri në fund të vitit.

Ndër të tjera, agjencia e re EBCG do të ndihmojë për të menaxhuar migrimin në mënyrë më efektive, për të përmirësuar sigurinë e brendshme të Bashkimit Europian dhe për të ruajtur parimin e lëvizjes së lirë të personave. Krijimi i një agjencie të tillë pritet të sigurojë një menaxhim më të mirë të kufijve të jashtëm të BE-së si një përgjegjësi e përbashkët midis Unionit dhe shteteve anëtare.

                                                                                                                  Komisioni Europian, tetor 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk