Trendi në rritje i partive radikale që marrin pushtetin

Trendi në rritje i partive radikale që marrin pushtetin

Fitorja e Konservatorëve të Djathtë në Poloni: rritet rreziku për një bllok kundër BE-së në Europën Qendrore

Partia opozitare Ligj dhe Drejtësi ka fituar zgjedhjet më të fundit parlamentare në Poloni, me 37.7% të votave që përkthehen në 232 vende në parlament nga 460 gjithsej dhe do të jetë partia e parë që nga vitit 1989, që formon një qeveri pa nevojën e koalicionit. Shumë shpejt në Europën Qendrore do të krijohet një qeveri nacionaliste e djathtë e ngjashme me qeverinë hungareze të Orban, vetëm se në rastin polak partia e udhëhequr nga Jarsolaw Kaczynski, kandidoi në postin e kryeministres 52-vjeçaren Beata Szydlo, e cila njihet se ka votuar kundër kuotave të refugjatëve. Në grupin e vendeve të Visegradit, Polonia ishte e vetmja që kishte votuar pro politikave të migrimit të BE-së, po me ndryshimin e ri të kabinetit pritet që dhe ajo të orientohet nga zërat kundër, duke e vështirësuar më shumë procesin e zgjidhjes së krizës së refugjatëve. Ky zë rebel në rritje i vendeve të Europës Qendrore, është një mesazh për Bashkimin Europian të rrethuar nga kriza ekonomike, ajo e refugjatëve dhe krizat politike që të ruajë të njëjtën marrëdhënie partneriteti dhe bashkëpunimi edhe me qeverinë e re të Polonisë, qasje që mund t’i sjellë kabinetit të ri mundësi për të ruajtur kursin e qëndrueshëm të vendit dhe të mos shkojë në masa ekstreme dhe në këtë mënyrë të pritet krahëhapur nga Unioni.

Portugalia, Blloku i Partive të Majta merr më shumë se 50% të votave në zgjedhjet kombëtare

Me një numër rekord të papunësisë sidomos te të rinjtë, nuk është çudi që zgjedhjet e 4 tetorit të nënkuptonin fitore me më shumë se 50% të votave për partitë opozitare të spektrit të majtë, si ato radikale apo komuniste, po përsëri akoma nuk është përcaktuar qeveria dhe kryeministri. Edhe pse në zgjedhjet kombëtare kryeministri aktual Passos Coelho i kahut të djathtë fitoi 36.9% të votave, më shumë se socialistët, këta të fundit mblodhën në bllokun e tyre edhe partitë e tjera të majta dhe së bashku marrin 122 mandate në parlamentin me 230 vende dhe janë gati për të formuar qeverinë e tyre. Në programet e tyre ata janë shprehur kundër masave shtrënguese, edhe pse partitë komuniste dhe ato radikale njihen për qëndrimet e tyre të menjëhershme për tërheqjen e vendit nga BE dhe nga NATO, në krijimin e qeverisë së re portugeze ata nuk priten të jenë kaq radikalë.

Shumë analiza dhe argumente mund t’i bëhen trendit në rritje dhe pakënaqësisë kundër qeverive dhe kundër politikave të BE-së, edhe në vende si Polonia me një të shkuar komuniste dhe një ëndërr të madhe europiane. Problemi qëndron te zhgënjimi i qytetarëve mbi politikat e ndërmarra të cilat nuk i kanë lehtësuar efektet e krizës, që nuk rrisin vende të reja pune, mundësi apo rritje ekonomike si dhe te vetë arroganca e elitave politike. Gjithashtu, ulja e besimit vjen edhe si fakt që vetë qytetarët po bëhen më të ndërgjegjshëm ndaj fuqisë së tyre dhe më skeptik ndaj autoritetit duke bërë kështu që të jenë gjithmonë vigjilentë ndaj veprimeve dhe aksioneve të politikbërësve dhe të gatshëm për t’i gjykuar dhe vlerësuar ata. Por edhe pse euroskepticizmi duket në rritje, përsëri një e ardhme pa një Europë të Bashkuar nuk mund të mendohet dhe një BE me të meta është gjithmonë një zgjidhje më e mirë se sa të mos ketë fare union. Euroskpeticizmi është një sfidë për Bashkimin Europian dhe për vlerat dhe politikat e tij, po shpeshherë ai nuk është dhe aq i fortë sa proklamohet. Në shumicën e rasteve objektivi për të dalë nga Europa ndërthuret me qëllimin për të krijuar një Europë ndryshe, politikat nacionaliste kundër BE përdoren vetëm për arsye të brendshme politike apo për mbështetje elektorale, si dhe historia ka treguar, kur partitë radikale si SYRIZA në Greqi apo Podemos në Spanjë arrijnë pushtetin, radikaliteti i tyre dobësohet dhe politikat euroskeptike zbuten.

Stafi i EuroSpeak, tetor 2015

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk