Konferencë Ndërqeveritare (Intergovernmental Conference - IGC)

Konferencat Ndërqeveritare në Bashkimin Europian janë takime formale mes qeverive të shteteve anëtare të BE-së dhe një vendi kandidat (si Shqipëria) gjatë procesit të negociatave për anëtarësimin në BE. Këto konferenca shënojnë etapa kyçe në bisedimet e anëtarësimit dhe përdoren për të hapur dhe mbyllur kapituj specifikë të acquis së BE-së (legjislacioni dhe rregulloret e BE-së) me vendin kandidat, si në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi përpara miratimit të Metodologjisë së re të Zgjerimit në shkurt 2020. Pas prezantimit të kësaj metodologjie të rishikuar për negociatat e anëtarësimit, kapitujt e negociatave tani ndahen në gjashtë grupkapituj tematikë. Negociatat mbi secilin grupkapitull hapen në tërësi pasi vendi përmbush kriteret për hapjen e tyre. Secili kapitull trajtohet veçmas për mbylljen e përkohshme të tij. Negociatat mbi Themeloret hapen të parat dhe mbyllen të fundit, pra progresi në Grupkapitullin I - Themeloret do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.


Konferencat Ndërqeveritare janë një pjesë jetike e procesit të zgjerimit të BE-së, i cili ndjek një kuadër të strukturuar:

- Konferenca e parë Ndërqeveritare: shënon fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit, duke përcaktuar kuadrin e përgjithshëm dhe pozicionet fillestare të vendit kandidat. Për Shqipërinë, kjo konferencë u mbajt në korrik 2022, pas vendimit të Këshillit në vitin 2020 për hapjen e negociatave dhe miratimit të Kuadrit Negociator në vitin 2022. Në këtë konferencë, delegacioni i BE-së kryesohej nga Jan Lipavský, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke (meqenëse Republika Çeke kryesonte Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2022), ndërsa Komisioni Europian përfaqësohej nga Olivér Várhelyi, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Kryeministri Edi Rama. Komisioni Europian vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë për negociata, me një fokus të veçantë mbi Grupkapitullin I - Themeloret, që do të hapej pasi të plotësoheshin piketat hapëse (opening benchmarks).


- Konferencat pasuese Ndërqeveritare: përqendrohen në kapituj të veçantë politikash, duke adresuar fusha si sundimi i ligjit, qeverisja, politikat ekonomike, dhe më shumë. Secili grupkapitull hapet kur BE-ja vlerëson se vendi kandidat është mjaftueshëm i përgatitur dhe pranon pozicionet negociuese për atëgrupkapitull përkatës, dhe mbyllet kur plotësohen të gjitha kriteret.

Si pasojë, Konferenca e dytë Ndërqeveritare e Shqipërisë me BE-në u mbajt më 15 tetor 2024 në Luksemburg, me pjesëmarrjen e delegacionit të BE-së, të kryesuar nga Péter Szijjártó, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë (meqenëse Hungaria drejton Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2024), me pjesëmarrjen e Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi. Delegacioni shqiptar u kryesua nga Kryeministri Edi Rama.

Gjatë këtij takimi, negociatat u përqendruan në Grupkapitullin 1 - Themeloret, duke përfshirë këto fusha dhe kapituj:

- Funksionimi i institucioneve demokratike

- Reforma e administratës publike

- Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

- Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

- Kriteret ekonomike

- Kapitulli 5 – Prokurimet publike

- Kapitulli 18 – Statistikat

- Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk