Raporti i BE-së për Rininë 2015: Sfidat e të rinjve me mbikualifikimin dhe papunësinë

Raporti i BE-së për Rininë 2015: Sfidat e të rinjve me mbikualifikimin dhe papunësinë

Të dhënat e dala nga ky raport tregojnë se brezi i të rinjve sot është më i arsimuar sesa brezat paraardhës, edhe pse numri i të papunëve të moshës 15-29 vjeç është 8.7 milion, dhe 13.7 milion të rinj futen në grupin NEET, (persona që nuk janë as në punë, as në shkollë dhe as në trajnime). Papunësia për të rinjtë të lindur nga prindër emigrantë, është 50% më e lartë në krahasim me nivelin e papunësisë te të rinjtë e tjerë në BE. Gjithashtu ka një lidhje pozitive ndërmjet papunësisë dhe mosangazhimit në çështje shoqërore apo politike, ku specifikisht grupi NEET ka shumë pak besim në institucionet shtetërore dhe përfshihet më pak në aktivitete sociale, kulturore, vullnetarizëm apo në votime. Gjithsesi për sa i përket internetit dhe rrjeteve sociale, të rinjtë europianë janë mjaft aktivë.

Por papunësia nuk është i vetmi problem i të rinjve. Edhe midis atyre që sot kanë një punë, sipas një studimi nga STYLE (the Strategic Transitions for Youth Labor in Europe) ka nxjerrë se 1/3 e të rinjve të grupmoshës 18-25 vjeç janë të mbikualifikuar për punën që ata bëjnë, ku shumë prej tyre dinë më shumë se dy gjuhë dhe kanë arritur nivele të larta të edukimit, por që punojnë në punë të paguara pak, vetëm për të shmangur papunësinë. Nivelin më të lartë të të rinjve të mbi-arsimuar e ka Irlanda me 33%, ndjekur nga Qipro (31%) dhe Spanja (30%). Arsye e këtij niveli të lartë të edukimit sipas studiuesve mund të lidhet me kërkesën e ulët për punë në disa fusha kryesore si shkencat shoqërore, artet dhe historia. Nëse nuk ndërmerret një aksion për të ndryshuar situatën, e ardhmja duket e zymtë për këta të rinj, të cilët do të detyrohen të punojnë por do të vlerësohen më pak se niveli i tyre i arsimit dhe kualifikimit, duke shkaktuar ulje të kënaqësisë në punë dhe motivimit dhe prirje për të ndryshuar më shpesh punët.

Gjithsesi për Komisioneren Europiane për Punësimin, Çështjet Sociale, Aftësitë dhe Lëvizshmërinë në Punë, znj. Marianne Thyssen këto të dhëna nuk duhet t’i dekurajojnë të rinjtë për të marrë një arsimim më të lartë, sipas saj një nivel i mirë edukimi dhe aftësitë e duhura janë siguria më e mirë kundër papunësisë. Raporti paraqet dhe punën e përbashkët ndërmjet Komisionit dhe Vendeve Anëtare për vitet 2013-2015 për të përmirësuar punësimin e të rinjve, integrimin në tregun e punës por dhe në çështjen shoqërore dhe politike. Mbështetja e BE-së për të rinjtë vjen me disa projekte si ERASMUS + apo Fondi Social Europian si dhe Nisma për Punësimin e të Rinjve, instrumente që përdoren për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përfshirjes së të rinjve, në kuadër të agjendës për punësim, rritje dhe investim dhe Strategjisë Europa 2020. Bashkëpunimi në të ardhmen mes vendeve të BE-së përfshin vitet 2016-2018, ku do të paraqitet një marrëveshje e re që ka si prioritet përfshirjen e të rinjve sidomos të NEET dhe atyre me prejardhje nga familje emigrante, ulje e margjinalizimit dhe pabarazive, lehtësira për tu bërë pjesë e tregut të punës dhe rritja e mundësisë për t’u punësuar duke zhvilluar aftësitë e nevojshme, vullnetarizmin, edukimin qytetar, si dhe pjesëmarrjen në vendimmarrjen dhe debatin publik.
                                                                                                                 Stafi i Eurospeak, shtator 2015

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk