Një media e censuruar mes njerëzish të lirë - absurdi shqiptar

Një media e censuruar mes njerëzish të lirë - absurdi shqiptar

Një nga organizatat më të njohura ndërkombëtare që mat nivelin e lirive në botë gjeti për Shqipërinë një diferencë të thellë mes lirive të qytetarëve dhe lirisë së mediave, një realitet ky absurd i vështirë për tu pranuar pa pasur parasysh disa veçori të medias në vend, tipike për Shqipërinë dhe që hasen më rrallë apo asnjëherë në vende demokratike.

Raporti më i fundit i Freedom House ‘Freedom in the World 2023’[1] thekson se Shqipëria konsiderohet sërish vend pjesërisht i lirë dhe ka grumbulluar 67 pikë nga 100 të tilla. Në vijim vlerësimi për lirinë individuale të shprehjes është në pikët maksimale, ai për lirinë e medias është përgjysmë. Në përgjigje të pyetjes “A janë individët të lirë të shprehin pikëpamjet e tyre personale për tema politike ose tema të tjera të ndjeshme pa frikën e mbikëqyrjes apo ndëshkimit?”, Shqipëria vlerësohet me 4 pikë nga 4 gjithsej. Ndërsa në pyetjen “A ka media të lira dhe të pavarura?”, Shqipëria vlerësohet me 2 nga 4 pikë gjithsej. Kjo do të thotë se liria e medias në Shqipëri është nën nivelin e lirisë së shprehjes. Qytetarët e këtij vendi kanë mundësi të shprehen lirisht kudo dhe kurdo, qoftë në mjetet e ndryshme të komunikimit publik përfshirë rrjetet sociale, ndërkohë që mediat të ndrydhura në politikat e tyre editoriale kanë më pak mundësi të artikulimit me të njëjtën liri.

Kjo krijon kështu edhe një situatë absurde dhe shpesh të pakuptueshme, në sensin se qytetarët konsumojnë liri në mënyrë më të plotë se sa mediat që duhej të orientoheshin në këtë liri me qëndrueshëm dhe më dobishëm për vetë shoqërinë dhe lirinë e saj. Ndryshe liria e komunikimit ka tejkaluar lirinë e medias. Nëse i përmbahemi rendit të gjërave kjo nuk duhej të ndodhte pasi në hierarkinë e dhënies së mesazheve media qëndron në krye dhe ka kapacitet për të orientuar komunikimin, për ta ndikuar atë dhe të krijojë rrethana për vendimmarrje që buron nga informacioni dhe këndvështrimi i informacionit që përcjell media.

Pse ndodh kështu në Shqipëri?

Disa nga shkaqet kryesore që kanë prodhuar këtë mjedis pa liri apo me liri të kufizuar në Shqipëri përballë një audience apo konsumatori me liri të plota i ka pasqyruar më së miri edhe raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë publikuar në nëntor të 2023.

Sipas këtij raporti Shqipëria ndodhet mes një niveli të moderuar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes, pra lirisë së medias duke konsideruar se në krahasim me një vit më parë është bërë përparim i kufizuar. “Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”, thuhet në raport duke veçuar me saktësi problematikat e medias, por pa shkuar më thellë në mjedisin që prodhoi këto simptoma për median në Shqipëri, e cila është tashmë më shumë një instrument se sa një pushtet.

Faktikisht një tejkalim i komunikimit në raport me median ishte i pritshëm për shkak të zhvillimeve teknologjike ku marrësit e deridjeshëm të produktit mediatik vetëm përmes medias, e sigurojnë tashmë edhe nga burime të tjera, edhe nga njëri-tjetri, duke shembur monopolin e medias si krijuesi i vetëm i përmbajtjes.

Paradigma e vjetër e medias si filtër mes ngjarjes dhe konsumatorit të medias është shembur prandaj në shumë aspekte media ka rënë në nivelin e interesit për konsumatorë apo audienca të mëdha. Për tiu rikthyer lavdisë së dikurshme duhet të përshtatet me ambientin e ri teknologjik për të përfituar prej tij.

Ajo çfarë pasqyrohet për median në Shqipëri në gjetjet e Freedom House dhe analizuar edhe në raportin e Komisionit Europian është krijuar në më pak se 20 vitet e fundit pikërisht përgjatë procesit sizmik të teknologjisë së komunikimit. Mediat shqiptare nuk patën kapacitete për investim dhe u futën në kurthin e përballimit të  deficitit në treg me shitjen e influencës. Të tjera media u krijuan vetë për influenca duke shkatërruar tregun dhe rregullat e tij ku më i miri do të mbijetonte.

Biznese të ndryshme (ndërtimi, ushqimore etj.) kanë lulëzuar pasi kanë pasur media në pronësi dhe kjo jo vetëm për shkak të reklamës me kosto të ulëta për veten, por për shkak të orientimit të mediave drejt influencave që sillnin sukses për kompanitë që i pronësonin ato.

 

Çfarë duhet bërë?

Çdo përpjekje për të sjellë një cilësi tjetër të lirisë dhe të përmbajtjes nga ana e mediave që nuk kalon nga tregu dhe nevojën për tu përshtatur me të dhe përfituar prej tij, do të dështojë në krijimin e një media të lirë në vend. Ashtu si do të dështonte çdo përpjekje për të edukuar pronarët rreth nevojës për liri të medias.

Së pari, mediave shqiptare duhet tu sigurohet aksesi për fitim në tregun e madh të platformave. Mediat shqiptare në shumicë nuk përfitojnë ose përfitojnë shumë pak nga teknologjia e komunikimit dhe publikimi i përmbajtjes së tyre në platforma të ndryshme apo qarkullimi në motorë kërkimi. Kjo është tipike për tregun shqiptar të mediave ndërsa edhe disa nga vendet fqinjë me Shqipërinë kanë ndërlidhje të tillë me platformat e mëdha që sjellin të ardhura për mediat.

Qeveria shqiptare të paktën publikisht nuk ka bërë deri tani asnjë përpjekje për të identifikuar nevojat e përmirësimeve ligjore për të siguruar të tilla përfitime që në fakt nuk janë vetëm për median, por edhe për vetë buxhetin e qeverisë.

Ndërkaq duke qenë treg i vogël shpesh platforma ndërkombëtare të komunikimit në internet nuk e kanë përfshirë Shqipërinë tek ato vende ku qarkullimi i reklamave të tyre duhet mbajtur shënim dhe paguar.

Google, Youtube etj. përfitojnë nga përmbajtja e publikuar në shqip nga mediat shqiptare por të dyja nuk ndajnë asnjë cent për mediat kur bëhet fjalë për audiencat brenda Shqipërisë. Edhe Facebook ka barriera të mëdha në monetizimin e përmbajtjes dhe në shumicë mediat nuk kapin pragjet e audiencave apo vëmendjes të vendosura nga kjo platformë. Mungesa e monetizimit në rrjetet e mëdha e bën median shqiptare të varur nga tregu i brendshëm i reklamës, ndërsa ky i fundit sërish shpërndahet sipas interesave dhe ndikimeve politike dhe ekonomike, pasi është një treg i kontrolluar nga ata që lehtësisht për interesa biznesi kontrollohen nga qeveria apo politika. Ndërkaq i gjithë tregu i medias mbështet në rreth 90% të të ardhurave nga reklama që vjen prej bizneseve  apo qeverisë, fare pak nga shitja me një kopje (gazetat) dhe po aq pak nga sponsorizimet apo projektet e përfituara.

Projektet e BE-së për median në Shqipëri mund të ndryshonin këtë situatë, por qasja e deritanishme ka qenë kryesisht brenda kornizave të problemeve që haste media shqiptare në vitet ’90 kur modeli i tregut ishte krejt tjetër nga sot. Qeveritë dhe biznesi kanë interes një media të dobët që është më e lehtë të përdoret për interesat e tyre. Dhe një media mbetet e dobët për sa kohë nuk performon në treg me instrumentet e tregut, por me ato të influencave.

Sami Nezaj, janar 2024

*Sami Nezaj është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Transparencë dhe Lirinë e Informimit, një organizatë që ka në fokus monitorimin, transparencën dhe mirëqeverisjen dhe lirinë e medias. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës në vitin 1988. Në vitin 2007 kreu studimet Master në Administrim Biznesi, në Universitetin e Tiranës (Program bashkëpunimi me Universitetin e Nebraskës, SHBA). Në vitin 2013 merr gradën “Doktor Shkencash” në Gazetari dhe Komunikim nga Fakulteti i Histori Filologji në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është Lektor i Gazetarisë në universitete publike dhe private. Pas studimeve universitare nisi të bashkëpunojë me media të ndryshme. Ka qenë gazetar në disa nga mediat e vendit, të shkuara apo elektronike. Nga 2007-2010 ka qenë edhe Kryeredaktor i gazetës së përditshme kombëtare “Standard”. Sami Nezaj ka marrë disa diploma në gazetari duke përmendur të Reuters News Agency, London, UK në 1994, të VOA & University of Chico, Kalifornia, USA dhe nga USAID në 2002 për investigimin televiziv. Ka kryer një sërë botimesh duke përmendur dhe studimin “Gazeta, menaxhimi i krizës në median e shkruar”.

 



[1] Raporti i Freedom House 2023 për Shqipërinë - https://freedomhouse.org/country/albania/freedom-world/2023

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk